Eshtë kënaqësi për mua, si Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të mikpres sot Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, vend fqinj dhe partner strategjik.
Me Z. Venizelos diskutuam për të gjitha çështjet që na lidhin e bashkojnë. Shkëmbyem pikëpamje në funksion të krijimit të klimës së duhur të besimit që do të thellonte e zgjeronte bashkëpunimin tonë në nivel dypalësh, rajonal dhe Evropian.
Mendojmë se ecuria e deritanishme e marrëdhënieve mes dy vendeve tona në tre drejtimet e mësipërme, ka nevojë për një hov cilësor që do të mundësonte kontaktet më të shpeshta në të gjitha nivelet politike dhe teknike dhe takimet e përbashkëta midis dy qeverive.
Vlerësojmë politikat mbështetëse të qeverisë greke ndaj komunitetit shqiptar në Greqi dhe inkurajojmë programet integruese dhe adresimin e vështirësive me të cilat përballet komuniteti shqiptar në frymën e legjislacionit dhe vlerave evropiane.
Çmojmë rolin e minoritetit grek në Shqipëri. Shqipëria ka pjesë të traditës së saj të mirë, respektimin e lirive themelore për pakicat në përputhje me Kushtetutën dhe angazhimet ndërkombëtare.
Ndërmjet dy vendeve tona, ekziston një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi, i cili për ne përbën gurin e themelit të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe adresimit brenda këtij kuadri ligjor e institucional të të gjitha çështjeve që kërkojnë trajtim, larg çdo lloj nuance e retorike nacionaliste, që përpiqet të dëmtojë miqësinë mes dy popujve tanë.
Besojmë se riaktivizimi i mekanizmave të parashikuara nga Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit, shoqëruar me heqjen e ligjit të luftës të 1940 nga ana e Greqisë, i cili në vetvete nuk pasqyron realitetin e sotëm të fqinjësisë së mirë, përkatësisë transatlantike, rrugëtimit Evropian dhe miqësisë të hershme ndërmjet dy popujve tanë, do të krijonte një mjedis të ri të besimit të ndërsjellë. Dhe njëkohësisht, do të mundësonte fitimin e të drejtave pronësore të mohuara në përputhje me praktikat e konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare.
Kemi të gjithë vullnetin politik dhe do të investojmë kapacitetin tonë njerëzor e institucional për adresimin e çështjeve të mbartura nga e shkuara dhe ato që kanë lindur rishtazi.
Për të hapur kësisoj me kurajo e vendosmëri një kapitull të ri mes dy vendeve tona që orientohet për nga e ardhmja e përbashkët në familjen Evropiane.
Dua të falënderoj Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Venizelos për mbështetjen e pakursyer që Greqia i ka dhënë e vazhdon t’i japë Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian.
Sot ramë dakord që të ecim drejt formalizimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mbi Integrimin Evropian që do të çonte përpara procesin e Integrimit Evropian të Shqipërisë. Viti i ardhshëm do të jetë një vit përcaktues për të ardhmen Evropiane të rajonit dhe gjallërimin e projekteve të Mesdheut, në kuadër të Presidencave Greke dhe Italiane të BE.
Ky takim ishte një rast i mirë për të ndarë së bashku me z. Venizelos pikëpamje lidhur me realitetin e ri në rajon, promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e perspektivën euro-atlantike.
U angazhuam për të punuar ngushtësisht për mbarëvajtjen e projektit TAP, me rëndësi për sigurinë energjetike dhe stabilitetin ekonomik rajonal.
Shpreh bindjen se vizita e Presidentit Papulias, do të pasurojë më tej gamën tonë të bashkëpunimit pasi ne jemi të vendosur të punojmë për konsolidimin e partneritetit strategjik, në mënyrë që marrëdhëniet shqiptaro-greke të shërbejnë si model frymëzimi për të gjithë rajonin.
Fjala e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Evangelos Venizellos
Zoti Ministër. Ju falënderoj ngrohtësisht për pritjen që më rezervuat.
Diskutimet që patëm si në takimet kokë më kokë, ashtu dhe në takimet mes dy delegacioneve, në vazhdim të takimit që patëm në New York dhe në vazhdim të punës që kryeministri Rama realizoi në Athinë menjëherë pas zgjedhjeve, na krijoi rastin të valutojmë kuadrin shumë të pastër dhe dinamik të bashkëpunimit tonë dypalësh. Shpreh këtu publikisht urimet tona më të sinqerta, për realizimin me sukses të objektivave të qeverise shqiptare si dhe shpreh urimet e mia personale për ju zoti Ministër, në kuadrin e detyrave që keni marrë përsipër si Ministër i Punëve të Jashtme.
Me të vërtetë, vizita ime ka të bëjë edhe me përgatitjen e vizitës që do të realizojë Presidenti i Greqisë z. Karolias Papulias në Shqipëri.
Presidenti i Greqisë është simbol i atyre marrëdhënieve të ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve. Dy vendet kanë lidhje të forta miqësie midis tyre dhe tashmë që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, përgatitet të hedhë hapin tjetër pasardhës për t’u anëtarësuar në BE.
Greqia është e gatshme t’a ndihmojë me të gjitha forcat që ka dhe për këtë, përveç Traktatit të Miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, ka shumë rëndësi ajo për të cilën u morrëm vesh sot, pra, për një memorandum bashkëpunimi i cili ka të bëjë me përgatitjet dhe me hapjen e negociatave midis BE-së dhe Shqipërisë, për anëtarësimin e saj me të drejta të plota në BE.
Ne gëzohemi sepse këto zhvillime konçidojnë edhe me marrjen e Greqisë së Presidencës së BE-së. Gëzohemi gjithashtu sepse, pas nesh, rradhën e ka Italia për të marrë presidencën e BE-së.
Jam në dijeni të vizitës që realizoi në Tiranë kolegia ime znj. Bonino dhe është e rëndësishme që gjatë vizitës sime që pata kohët e fundit në Romë, ramë dakord si me Kryeministrin Italian ashtu edhe me Ministrin e Mbrojtjes italiane që presidenca e Greqisë në gjashtë mujorin e parë në 2014, së bashku me presidencën italiane, të jenë një kuadër i plotë në realizmin e bashkëpunimit mesdhetar, pra të jemi një kuadër i plotë për të gjitha ato objektiva që kanë të bëjnë me integrimin europian.
Ç’do të thotë vit mesdhetar? Nënkuptohet që do të kemi një politikë të përbashkët për detin, si përsa i përket gjashtë mujorit të parë, ashtu edhe gjashtëmujorit të dytë të presidencës së vendeve tona. Dimensioni detar dhe mesdhetar i BE-së, ka një rëndësi shumë të madhe dhe në këtë kuadër edhe Komisioni Europian komunikoi rezultatet e një studimi shumë të rëndësishëm për rëndësinë që ka për të gjitha vendet europiane, zonat detare dhe zbatimi i të drejtës detare për këto zona dhe për vendet tona, kuptohet.
Si Greqinë ashtu dhe Italinë që do të kenë presidencën e BE-së gjatë 2014, i lidh një marrëveshje detare për delimitimin e zonave eskluzive dhe shellfit kontinental e lidhur që nga viti 1977. Ato parime dhe objektiva që ne zbatojmë janë zbatimi i së drejtës kombëtare detare në atë formë që ai ekzston dhe zbatohet sot. Dhe ashtu siç ne i kemi realizuar marrëdhëniet tona me të gjitha vendet e BE-së për këtë problem, ashtu dëshirojmë të vazhdojmë edhe me Shqipërinë sepse edhe Shqipëria, pas pak do të behet anëtar i BE-së.
Dy vendet tona, Shqipëria dhe Greqia dhe kryesisht ekonomitë e këtyre dy vendeve, janë plotësisht të lidhura me njëra tjetrën. Ecuria e ekonomisë greke, ndikon mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare.
Për fat të mire, megjithëse vitet e fundit Greqia ka vuajtur nga kriza ekonomike, ajo vazhdon të jetë një ndër 30 ekonomitë më të fuqishme të botës. Politika ekonomike dhe investuese e Greqisë ka qenë dhe është shumë prezente gjithmonë edhe në Shqipëri.
Ju e dini që Greqia është investitori i parë i huaj me investime direkte në Shqipëri dhe këtë fakt, ne duam që t’a vazhdojmë në një ambjent stabël ekonomik dhe politik.
Nga ana tjetër, komuniteti shqiptar në Greqi, shqiptarët që punojnë në Greqi dhe familjet e tyre, dëshirojmë që për ata të ketë një nivel të lartë të jetesës dhe të përfitojnë të gjitha të drejtat në kuadrin e standarteve europiane. Sigurisht, ura tradicionale e lidhjes midis dy vendeve është prezenca e minoritetit etnik në Shqipëri.
Të dy palët e kuptojnë se sa i vlefshëm është respektimi i të drejtave të këtij minoriteti sipas Kushtetutës shqiptare dhe sipas të drejtës ndërkombëtare dhe e kuptojnë të dyja palët se sa mund të ndihmojnë në respektimin e këtyre të drejtave.
Marrëdhëniet tona ekonomike forcohen dhe fitojnë një dimension të ri me gazësjellësin TAP që përshkon Greqinë, Italinë dhe Shqipërinë si dhe me dëgëzimin e tij që ndjek rrugën e Jonit dhe Adriatikut e vendeve të tjera.
Kemi shumë gjëra të tjera për të bërë bashkë, jo vetëm kur gazësjellësi të jetë gati por, edhe në fazën e ndërtimit të gazësjellësit sepse, gjatë kësaj faze, bashkëpunimi ynë do të sjellë përfitime të mëdha si në drejtim të vendeve të punës, ashtu dhe në drejtime të tjera.
Është gjithashtu shumë e rëndësishme të përsëris edhe një herë atë që është e kuptueshme. Greqia dhe Shqipëria janë dy vende anëtare të NATO-s, të OSBE-së, presim anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe na bashkojnë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi, miqësie dhe fqinjësie të mirë.
Jemi dy vende që besojmë në nevojën e stabilitetit të rajonit tonë dhe më gjerë. Jemi dy vende që kemi rënë dakord se nuk ka elementë irredentizmi mes dy vendeve tona dhe gjendjen e paqes mes Greqisë dhe Shqipërisë, e ka shpallur qysh në vitin 1987 Këshilli i Ministrave të Greqisë, madje që në vitin 1986 gjithkush që ka diçka për të kërkuar tek kuadri ligjor grek, ka të drejtën t’i drejtohet edhe Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut. Pra, kemi një kuadër shumë të ngushtë bashkëpunimi që përshkohet si nga marrëveshjet dypalëshe, ashtu edhe nga marrëveshjet shumëpalëshe dhe gëzohem sepse tani, po hedhim edhe hapat pasardhëse.
Gëzohem sepse vendosëm që të rimblidhet edhe Komisioni Dypalësh për çështjen e varrezave ushtarake. Gjithashtu gëzohem sepse do të riaktivizohen të gjitha ato komisione të përbashkëta për të diskutuar të gjitha ato çështje që ne na lidhin dhe janë në intersin tonë.
Duke përfunduar, dëshiroj të theksoj edhe njëherë, të shpreh edhe njëherë falënderimet dhe urimet e mia të ngrohta për qeverinë shqiptare dhe për popullin mik shqiptar për përparim, begati dhe që të arrijë sa më parë objektivat e veta europiane.
Pyetje: Një pyetje për zotin Venizellos. Zoti Ministër, ju iu referuat pak më parë “vitet e mesdheut”. Si do t’a trajtoni çështjen e kufijve detarë, një çështje që ka mbetur mes dy vendeve dhe a besoni ju se kjo çështje do të marrë zgjidhje gjatë presidencës greke?
Një pyetje për zotin Bushati, a mendoni se çështja e kufirit detar, është një çështje “rest null”?
Përgjigje: Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Venizelos:
Unë ndërkohë i kam dhënë një përgjigje pyetjes suaj me ato që deklarova gjatë fjalës sime hyrëse.
Baza e përbashkët e vitit mesdhetar që përbëhet nga presidencat e Greqisë dhe Italisë në BE, është politika e integruar detare që në qendër të saj, ka Mesdheun.
Përsëris se Komisioni Europian ka publikuar një studim të rëndësishëm që tregon se, zbatimi i së drejtës ndërkombëtare të detit dhe delimitimi i zonave eskluzive dhe të Shellfit Kontinental, ka rëndësi ekonomike për të gjitha vendet e BE-së dhe gjithashtu, edhe për vendet që lagen nga Mesdheu.
Të gjitha vendet e BE-së pranojnë të drejtën ndërkombëtare mbi detin si dhe Konventën përkatëse të OKB-së mbi zbatimin e së drejtës ndërkombëtare të detit. Kjo është e qartë se kriteret e Kopenhagenit vlejnë edhe për vendet kandidate për anëtarësimin në BE.
Ka një praktikë europiane dhe shembull për këtë është rasti i Italisë dhe Greqisë. Kemi delimituar shellfin tonë kontinental që në vitin 1977 dhe gjatë vizitës sime të fundit në Romë, ne ramë dakord t’a shtrijmë këtë edhe në zona të tjera detare, p.sh ta shtrijmë edhe në zonat eskluzive ekonomike detare. Gjithashtu, edhe në Mesdhe, në detin Adriatik, në detin Jon.
Nuk ka asnjë ndryshim në madhësi midis delimitimit të zonës ekonomike eskluzive dhe shellfit kontinental. Delimitimi i njërës, nënkupton edhe delimitimin e tjetrës. Pra, ekziston një praktikë europiane, një shembull greko-italian dhe jemi të sigurt se në të njëjtën frymë, do të lëvizim edhe këtu në Shqipëri, sepse kemi pranuar të njëjta rregulla dhe të njëjta parime.
Përgjigje ministri i Punëve të Jashtme, z. Bushati: Po i përgjigjem shkurt dhe qartë. Pyetja nuk shtrohet se si e mendon Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, a është kjo marrëveshje null apo jo, sepse përgjigjen për këtë e ka dhënë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Ministri, me të drejtë përmendi kriteret e Kopenhagenit që janë një udhëzues shumë i qartë për të gjitha vendet anëtare të BE-së por që edhe aspirojnë të anëtarësohen dhe besoj se kur studentët e dhjetorit t’a kishin Shqipërinë si gjithë Europa dhe kur filloi revolucioni demokratik, një ndër arsyet kryesore ishte krijimi i shtetit të së drejtës dhe respekti për rregullat e lojës që imponon shteti i së drejtës. Sot nuk shtrohet më pyetja për qeverinë shqiptare se si e lexon vendimin e Gjyaktës Kushtetuese, sepse vendimi i Gjykatës është i qartë si kristali.
Për qeverinë shqiptare shtrohet pyetja se si do të ecim përpara për t’i dhënë një zgjidhje kësaj çështjeje e cila, siç shpegoi ministry, është e rëndësishme për Shqipërinë, për Greqinë, për projektet e përbashkëta në rajon dhe më gjerë. Përgjigja ime është shumë e drejtpërdrejtë. Ashtu siç e theksova dhe tek qëndrimi për shtyp ato që duam t’i adresojmë të gjitha çështjes, si ato që konsiderohen si pengesa historike por edhe ato që kanë lindur rishtazi me kurajo dhe vullnet politik bazuar në legjislacionet e vendeve respective, parimet e themeluara të së drejtës ndërkombëtare në fushën e detit, në rastin në fjalë dhe natyrisht eksperiencave më të mira, sepse e ardhmja jonë është Bashkimi Europian, familja europiane.
Pyetje: Zoti Venizelos, cili do të jetë qëndrimi juaj për heqjen e ligjit të luftës?
Përgjigje z. Venizelos: Së pari, do t’u them se Greqia nuk ka frikë nga asnjë gjë. Gjithashtu, dua t’u them se ajo që unë deklarova dhe i’u referova është një vendim i Këshillit të Ministrave të Greqisë të vitit 1987 për tejkalimin dhe kapërcimin e atyre pengesave të kaluara historike dhe futjen e marrëdhënieve të dy vendeve, të Shqipërisë dhe Greqisë, në rrugën e paqes dhe bashkëpunimit mes dy vendve që janë anëtare të NATO-s. Ekziston një aleancë dhe detyrimi për ndihmë dhe çështjen e mbrojtjes.
OSBE, ku të dy vendet tona janë anëtare, mbështetet mbi parimin e mosndryshimit të kufijve dhe të marrëdhënieve të miqësisë, bashkëpunimit dhe stabilitetit mes vendeve anëtare. Kushdo që mendon se ka interesa të cilat i cënohen nga ligjet greke, që nga viti 1986, ata kanë mundësi t’i drejtohen edhe Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut për të gjetur të drejtën e tij, por duhet të shkojë në mënyrë personale. Jemi të gatshëm që t’a çojmë më përpara frymën e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit, të nënshkruajmë Memorandumin që ka të bëjë me përpjekjet që i duhen Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE dhe të gjitha temat e tjera që ne diskutuam.
Pyetje: Për të dy ministrat. Keni diskutuar për çështjen çame duke qenë se së fundmi është miratuar edhe një rezolutë që ka dalë edhe në fletoren zyrtare?
Ministri i Jashtëm, z. Venizelos: Këtë çështjen e dytë, të botimit që thatë juve, nuk jam në dijeni, është diçka që nuk e njoh. Në qoftë se do të përgjigjet zoti ministër për këtë.
Ministri i Punëve të Jashtme, z.Bushati: Unë mund të përgjigjem për pyetjen që ka të bëjë me mënyrën e diskutimit, që ka të bëjë me çështjet që u prekën. Besoj se pyetja që shtrohet është paksa e tejkaluar për faktin se përsa na përket ne, qeverisë shqiptare, ajo që njihet si çështja çame është pjesë e dosjes sonë diplomatike me Greqinë. Dhe sot, sipas pikëpamjes sonë është momenti që realiteti të shihet në sy, të tejkalohen pengesat e së shkuarës, ato që njihen si pengesa historike një nga një, sepse ne duam të pasurojmë gamën e bashkëpunimit dypalësh rajonal dhe europian dhe jo ti lemë terren nacionalizmit folklorik që në mungesë të adresimit të kësaj çështjeje dhe çështjeve të tjera, në përputhje me praktikën ndërkombëtare, tenton që t’a mbajë peng marrëdhënien mes dy popujve miq dhe pse jo, në disa raste të shkojë në absurditet që nuk i shërben marrëdhënieve tona të konsoliduara.
Prandaj këmbëngul që kemi të gjithë vullnetin politik si qeveri shqiptare për të trajtuar të gjitha çështjet dhe për ne, asnjë çështje edhe nga ato që na shtron pala greke, siç deklaroi edhe z. Venizelos përsa i përket rrithirrjes së komisionit për varrezat e ushtarëve grekë, nuk përbën tabu, sepse për ne, e drejta ndërkombëtare, legjislacioni ku kemi aderuar, është një instrument i gjallë që duhet interpretuar dhe përdorur në përputhje me zhvillimet dhe realitetet e përditshme, si kura më e mirë që do të shëronte plagët e së shkuarës dhe do të hapte dhe një kapitull të ri nga i cili nuk ka të humbur.
Ministri i Jashtëm grek, z.Venizelos: Pozicionin e palës greke, unë e thashë pak më përpara.
Faleminderit.
Redaksia Online