I nderuar kryetar i Kuvendit,
Të nderuar kolegë,
Në kohë krizash njerzit janë të prirur të besojnë cfarë ata duan. Ky mësim i historisë nuk mund të shmanget nga debatet politike. Sot po diskutojmë programin e një qeverie që po e merr vendin në krizë. Ai ka të pashmangshëm debatin midis asaj që vjen si dëshirë për ndryshim dhe cinizmit mosbesues. Si rrallë më parë po përmendet paralelja me rastin e krizës që rrënoi Greqinë si pritshmëri e premtimeve të së majtës shqiptare gjatë fushatës elektorale. Në fakt përpara se të merremi me përgjigjen e pyetjes se “Cfarë na pret?” do të ishte më gjakftohtë edhe pyetja se “Në cfarë gjendje jemi?”…
Nuk besoj se përdorimi sot e “rastit Papandreu” mund të ndahet nga gjendja e rëndë ekonomike në të cilën ky kryeministër i majtë e mori vendin e tij. Në se Edi Rama po “ndjek” fatin e kolegut grek drejt falimentimit të ekonomisë, sipas deklaratave të drejtuesve të Partisë Demokratike është mirë që të qartësohet se në cfarë kushtesh financiare ata po e lëshojnë qeverisjen e vendit. Unë hyj tek ata që mendoj se situata ekonomike e vendit është në një krizë ekstreme. Pamjen më të plotë të saj kemi për ta parë me kalimin e kohës.
Qeveria e re në programin e saj 4-vjecar është ofruar me një kërkesë të natyrshme për të ndryshuar situatën në të cilën ndodhet Shqipëria. Atë e presin një tufë faturash të pashlyera të një qeverie që ka marrë borxh edhe për ata që sot nuk kanë lindur akoma. Ironike por e vërtetë është fakti që të gjitha projektet e mëdha që qeverisja e djathtë nisi vite më parë me plot ambicje nuk kanë përfunduar ende për mungesë fondesh. Rruga Durrës – Kukës nuk ka përfunduar. Rruga e Arbërit edhe më keq. Privatizimi i Albpetrolit është një fjalëkryq në dështimin e vet. Një tufë koncesionesh të shpërndara me logjika lobiste dhe kontrolli e kanë kthyer ekonominë e shtetin në një “godinë” me vrima ku nuk kuptohet se ku është dritarja dhe dera. Projektet më të mëdha të infrastrukturës së vendit kërkojnë fonde të reja të cilave duhet tu bashkohen edhe shpenzime të tjera të cilat janë të nevojshme për të zbutur varfërinë dhe dhënë oksigjen reformave në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe pensioneve. Pronarët e vjetër dhe dhe të ish-të përndjekurit po ashtu do të duhet tu ofrohet një plan i përkushtuar dhe i besueshëm në kohë.
Të dish dhe të bësh, në qeverisjen e vendit shpesh janë dy gjëra të ndryshme. Sfidat e qeverisjes së re janë padiskutim të vështira.
Si deputet dhe si koleg e kam ndjekur me vëmendje analizën që demokratët po i bëjnë humbjes së 23 qershorit. Ajo që më ka tërhequr vëmendjen është se një nga arsyet e pranuara të humbjes nga ana e tyre është administrata shtetërore dhe emërimet e pamerituara në të. Në administratën shtetërore gjen një amalgamë njerzish dhe është e pahijshme që ti trajtosh të gjithë njëlloj. Aty krahas një shtrese profesionistësh të respektuar dhe bartësish të memorjes shtetërore gjen rëndom individë të cilët punën në administratën shtetërore e kanë kthyer në një biznes të rëndomtë. Këta “tipa” janë bërë turpi i shtetit dhe politikës në Shqipëri. Qytetarët në shumicë vlerësojnë se pas cdo të paafti të punësuar në administratë qëndron një interes politik.
Janë rreth njëqint e njëzet mijë punonjës që paguhen nga buxheti i shtetit. Ristrukturimi i tyre nga qeveria e re mund të ketë tendenca politike fillimisht. Kjo duhet pranuar jo si dëshirë për ti vënë “fshesën” të gjithëve atyre që kanë një punë sot në administratë por si pasojë e “fshesës” së qeverisjes së mëparshme. Nuk po them që të gjithë socialistët janë “ëngjëj” dhe ata me tesër partie të djathtë janë “djaj”. Kjo do të ishte sa naive, antinjerëzore dhe po ashtu përsëritje e avazit të vjetër. Qeveria e re ka detyrim ligjor të rikthejë në punë në rradhë të parë ata që kanë një vendim gjyqësor apo të Komisionit të Shërbimit Civil të cilët u larguan nga puna padrejtësisht vetëm se identifikoheshin si “socialistë”.
Ristrukturimi administrativ padyshim që do të ndërlidhet me reformën financiare të vendit. Aktualisht ministri që duhet dëgjuar më shumë në qeveri është ministri i financave. Shkëlqim Cani është një profesionist. Ai di dhe duhet të jetë i vendosur të thotë edhe fjalën-rrokje: “JO!” Ai do të urrehet e mbase dhe fyhet me raste nga pjesë të opinionit edhe për këtë arsye. Ai është ministri të cilit i duhen dhënë garancitë dhe përkrahja më e fortë politike në periudhën e vështirë që na pret në fazën e parë të qeverisjes. Financat e vendit janë në një gjendje ku mungon vetëm shprehja “Të rroni vetë!”…
Të nderuar kolegë
Si deputet i Tiranës dëshiroj të nënvizoj një fakt për të cilin në qeverinë e re po shfaqet në nivelin e pasionit. Ky është kontrolli urban i vendit dhe padyshim që kërkon pasion për këtë “gangrenë” administrative dhe sociale. Shqipëria është i vetmi vend europian që ndarjen administrative e ka të trashëguar nga periudha komuniste. Të mendosh zhvillimet urbane në Shqipëri pas viteve 90-të dhe lëvizjet e popullsisë nga fshati në drejtim të qytetit është e pafalshme vonesa për ta kryer ndarjen e re administrative. Qeveria e re ashtu sic edhe është deklaruar nuk ka cfarë të presë. Kjo është vërtetë një emergjencë.
Një emergjencë tjetër është fakti që kontrolli urban nuk mund të përballojë problemin vetëm me cështjen e legalizimeve. Hapësira midis Tiranës dhe Durrësit duhet të marri një status të vecantë si zona mbi të cilën eficenca e investimeve buxhetore tejkalon ato të zonave të tjera. Eshtë e pritshme që në vitet që vinë në këtë hapësirë të vendosen rreth 50 përqind e atyre që ende jetojnë në fshat. Shqipërisë po i vjen një brez i ri të cilin po e lodh drama e politikës së varfëruar nga mosdallimet. Qeveria e re ka një mundësi të natyrshme të bëhet zëdhënëse e interesit të dhënies së tokave për ndërtim shtëpish. Kjo e fundit nuk mund të ndodhë në se një arkitekt i mire dhe urbanist nuk është një njeri me status zyrtar të fortë si përfaqësues i vendosmërisë së shtetit për zbatimin e ligjit. Sot Shqipërisë i duhen arkitektët dhe urbanistët më shumë se disa këshilla komune dhe bashkish që edhe për nga niveli diskutimit nuk krahasohen edhe me kuvendet e dikurshme të burrave në malësi apo në Labëri.
Dëshiroj të përshëndes dy akte të para por të qarta të qeverisë së re. Qëndrimi i qeverisë shqiptare karshi aksioneve të aleatëve tanë në Lindjen e Mesme dhe vizita e parë në Kosovë e Kryeministrit të mandatuar. Fqinjësia e mirë dhe rindërtimi i marrdhënies shqiptare në rajon është fondamentale për të ardhmen e kombit dhe kredencialet ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Për këtë temë është folur shumë dhe është bërë pak. Kjo vjen edhe për faktin se nuk jemi të vetdijshëm sa është fuqia reale që prodhon bashkëpunimi midis shqiptarëve në rajon e Tiranës me Prishtinën dhe Shkupin. Kemi një emigracion të ku shteti shqiptar nuk po merr ende detyrimet e veta. Sikur të bëjmë gjysmën e asaj që vendet europiane bëjnë për emigracionet e veta do të ishte mirë. Ndryshimet kushtetuese të pritshme duhet të sanksionojnë të drejtën e votës edhe për ta.
Fjalët e shumta në të tilla raste nuk vlejnë. Edi Rama nuk është konformist. Kjo e bën më të mirë si Kryeministër. Qeveria e re qe ai drejton ka një mandat të qartë për të ndryshuar gjërat. Programi është letër dhe bojë. Ndryshimi do njerëz që dinë të ëndërrojnë dhe të rrezikojnë. Vota ime është për ëndrrën, për përballjen me rrezikun dhe ndryshimin e Shqipërisë për më mirë. Ajo është padyshim “pro” kësaj qeverie. Opsioni i kundërt sot nuk ekziston.
Ju faleminderit