Fjala e Hapjes nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë


 
I nderuar President i PAM, z. Sen. Lhou Lmarbouh
I nderuar Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama
Të nderuar Kryetarë parlamentesh,
Të nderuar anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut,
I nderuar z. Sekretar i Përgjithshëm i PAM-it
Shkëlqesi Ambasadorë, Zonja dhe Zotërinj
 
Është nder dhe privilegj për mua që në emër të Kuvendit të Shqipërisë, t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë në Sesionin e Asamblesë Parlamentare të Mesdheut.
Ky është një sesion jubilar, sepse është sesioni i 10 i PAM-it, i cili me kënaqësi konstatojmë është edhe sesioni me pjesëmarrjen më të madhe deri më tani. Duke shprehur bindjen se ky sesion do të jetë i suksesshëm dhe një tjetër hap përpara në përmbushjen e misionit të PAM-it, pra nxitjes së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të vendeve të Mesdheut, do të dëshiroja të filloja me fjalën time përshëndetëse.
Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri - një vend sa Ballkanik ashtu edhe Mesdhetar njëkohësisht, një vend që ka qenë gjithnjë në kryqëzim të kulturave perëndimore dhe lindore, me një popull vital e tolerant, shembull i bashkëjetesës fetare, cilësi e veçantë kjo në kohët e sotme, me të cilën ne shqiptarët krenohemi.
Është hera e parë që Sesioni Plenar i PAM-it organizohet në një vend të Ballkanit dhe jam shumë mirënjohës për këtë pjesëmarrje kaq të madhe e domethënëse në krahasim me sesionet e mëparshme. Kjo pjesëmarrje është tregues i qartë i rëndësisë që secili prej vendeve tona i kushton rolit të diplomacisë parlamentare dhe kësaj platforme makro-rajonale të parlamenteve tona.
Në këtë Jubile të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut, pellgu ynë i përbashkët na paraqet të gjithëve një seri sfidash të cilat, siç duket, nuk janë vetëm rajonale, por po kthehen në çështje të rëndësishme globale që kërkojnë një tjetër përqasje të përpjekjeve tona të përbashkëta.
Që prej themelimit në vitin 2005, Asambleja Parlamentare e Mesdheut ka mbledhur vendet e makro-rajonit tonë, vende që reflektojnë një diversitet kulturash, përqasjesh ekonomike dhe socio-politike, por të bashkuar për nga aspiratat dhe synimet për një jetë më të paqtë e më të begatë për qytetarët e tyre.
Unë besoj se arsyeja përse Asambleja Parlamentare e Mesdheut feston sot 10 vjetorin e saj, është pikërisht sepse ne qëndrojmë të bashkuar në luftën kundër intolerancës, diskriminimit, ekstremizmit, veti këto që krijojnë ndarje mes popujve.
Mesazhi i këtij sesioni jubilar është se vendet e Mesdheut qëndrojnë bashkë dhe problemet e pellgut duhet t’i zgjidhim bashkërisht.
Ndaj jam i sigurt se shpreh mendimin dhe vizionin e përbashkët të vendeve tona anëtare se 5-vjeçari i ardhshëm duhet të solidifikojë aktivitetin e parlamenteve tona në shërbim të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët tanë.
Të tre këta parametra sigurohen përmes forcimit të institucioneve demokratike, rritjes së efiçencës së qeverisjes, llogaridhënies dhe rritjes së besimit tek institucionet.
Ekzistenca e paqtë mes popujve tanë arrihet vetëm përmes bashkëpunimit dhe shumëfishimit të urave të komunikimit, dhe në këtë drejtim, dialogu dhe diplomacia parlamentare është kyçe për gjithë makro-rajonin e Mesdheut.
Por ndërsa jemi mbledhur këtu në Tiranë gjatë kësaj jave, jemi të ndërgjegjshëm që përtej sfidave tradicionale, makro-rajoni ynë po përballet më disa sfida specifike që rrezikojnë të minojnë pikërisht ata parametra që janë të domosdoshëm për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet.
Kriza e paprecedentë e lëvizjeve migratore, ndryshimet klimaterike dhe më e rëndësishmja, rikthimi i vatrave të konfliktit përqark brigjeve të Mesdheut, kërkojnë një përpjekje të përbashkët, një bashkëpunim shumë më të fortë se në të kaluarën dhe një ‘marrëveshje’ të re mes vendeve tona në hartimin e një plani masash konkrete për çlirimin e Mesdheut nga këto sfida që rrezikojnë paqen dhe zhvillimin e tij.
Para dy vjetësh, gjatë mbledhjes sonë në Marsejë, diskutuam për krizën globale ekonomike e cila po sfidonte jo vetëm pellgun e Mesdheut, por tërë kontinentin evropian.
Dy vjet më pas, vështirësive ekonomike, u janë shtuar sfidat e përballimit të fluksit të refugjatëve, thellimi i vatrave të konflikteve dhe si rrjedhojë shumëfishimi i aktiviteteve kriminale e terroriste të cilat sfidojnë hapur sistemet tona qeverisëse dhe vlerat tona të demokracisë, tolerancës e solidaritetit.
Situata katastrofike dhe kriza humanitare në Siri si dhe gjendja në Libi, por edhe pasojat e këtyre zhvillimeve, nuk kanë nevojë për shumë komente.
Ne në këtë pjesë të Evropës e Mesdheut, vërejmë me shqetësim se si operacioni i përballimit të këtyre sfidave, ka shkundur themelet e vlerave evropianiste dhe vetë thelbin e lëvizjes dhe tregtisë së lirë si parime bazë të Bashkimit Evropian, e njëkohësisht po kërcënon të ardhmen e ndërvarësisë dhe bashkëpunimit që duhet të ekzistojë midis vendeve të kontinentit evropian dhe vendeve të brigjeve lindore e jugore të Mesdheut.
Fatkeqësisht, diferencat mes Veriut dhe Jugut, midis Perëndimit dhe Lindjes nuk janë zvogëluar, përkundrazi, ato janë thelluar më tej dhe përfaqësojnë një kërcënim të vërtetë për zhvillimin ekonomik e social të të gjithë pellgut tonë.
Kjo situatë shqetësuese duhet të na detyrojë të angazhohemi me një përkushtim shumë herë më të madh përmes një platforme më solide bashkëpunimi mes vendeve të hapësirës Euro-Mesdhetare.
Duke qenë vend mikpritës i kësaj Asambleje, nuk më takon të futem në analiza të hollësishme për çdo aspekt të krizave mbarë-rajonale që po përjetojmë sëbashku, por mendoj se gjatë punimeve të këtij sesioni jubilar, ne duhet të diskutojmë hapur e me konstruktivitet rreth sfidave aktuale, me qëllim që të gjejmë një mekanizëm efikas të intensifikimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar i cili do të kontribuojë në rritjen e dialogut midis qeverive tona.
Me lejoni të vë në dukje se thellimi i krizave në Mesdhe nuk ka thelluar bashkëpunimin në Evropë.
E kemi vënë re të gjithë gjatë muajve të fundit se si përballimi i krizës së refugjatëve dhe sulmet e fundit terroriste në Paris, kanë detyruar shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian të rikonsiderojnë termat e lëvizjes së lirë, duke ngritur mure e barriera mes tyre.
Kjo përqasje shkon ndesh me vlerat e solidaritetit mbi të cilat u themelua unioni. Sot, po diskutohet ekzistenca dhe funksionimi i zonës Schengen dhe kjo është e patolerueshme.
Po rikthehen kontrollet kufitare. Britania e Madhe po diskuton daljen nga BE. Lëvizjet e djathta ekstremiste po shtohen në disa vende anëtare të BE-së.
Menaxhimi i krizës së refugjatëve është kthyer në një lojë ping-pongu, e cila tregon qartë se mungon një vullnet dhe plan i përbashkët masash për t’u përballur me sfidat aktuale, të cilat disa analistë i shohin si sfida ekzistenciale për gjithë Bashkimin Evropian.
Në mënyrë të veçantë do të doja të shprehja solidaritetin tonë me vendet e rajonit e në veçanti me Greqinë , e cila po përballet si rrallë ndonjë vend tjetër, me krizën migratore në këto momente.
Vënia në diskutim e ekzistencës së projektit evropian, nuk duhet të jetë vetëm e patolerueshme, por mbi të gjitha duhet të jetë e paimagjinueshme!
Të dashur miq,
Një Mesdhe i fortë ka nevojë për një Evropë të fortë. Dhe në kohë krizash, Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar dhe të hartojë mekanizma dhe strategji të përbashkëta për të ruajtur kohezionin, solidaritetin, lëvizjen e lirë dhe të gjithë projektin evropian, si një projekt të domosdoshëm për paqen e stabilitetin për gjithë vendet dhe shoqëritë tona.
Ndaj përfitoj nga rasti të përshëndes Konferencën e Sigurisë që u zhvillua javën e kaluar në Mynih, e cila mblodhi aktorët kryesorë globalë për të diskutuar mbi këto kriza që prekin edhe pellgun e Mesdheut dhe që rrezikojnë të përhapen më tej.
Në këtë kontekst, ne si institucione përfaqësuese të vullnetit të qytetarëve tanë, por edhe si platforma ligjvënëse, kemi përgjegjësinë të ushtrojmë sa më tepër influencë dhe presion ndaj institucioneve të ekzekutivit, me qëllim rritjen e dialogut dhe bashkëpunimit konkret mes vendeve tona në gjithë makro rajonin.
Asambleja Parlamentare e Mesdheut duhet përforcuar si platforma e dialogut ndërparlamentar duke ndërtuar një përqasje multi-dimensionale me agjencitë e ndryshme ndërkombëtare të OKB-së, me Bashkimin Evropian, me Këshillin e Evropës, me OSBE-në, me Lidhjen e Vendeve Arabe, me Unionin Arab të Magrebit, me Unionin Ndërparlamentar Arab, dhe me të gjitha asambletë dhe forumet parlamentare rajonale.
Dialogu politik mes vendeve anëtare të PAM-it, veçanërisht për sa i përket zhvillimeve aktuale në Lindjen e Mesme, ka një domethënie të veçantë.
Ndaj, duke shpresuar në dakordësinë e vendeve anëtare, inkurajoj Sekretariatin e Asamblesë Parlamentare të Mesdheut që të avancojë me axhendën tonë të përbashkët parlamentare duke promovuar gjithëpërfshirjen dhe dialogun, si parime thelbësore të ruajtjes së vlerave demokratike mbi të cilat janë ngritur shoqëritë tona mesdhetare.
Duke besuar se PAM duhet të forcohet në të gjitha dimensionet e saj, për të qenë një platformë edhe më efikase në përballjen me sfidat aktuale sociale, ekonomike dhe mbi të gjitha politike dhe të sigurisë, mendoj se vendet anëtare duhet të rrisin përkushtimin e tyre ndaj punës dhe aktivitetit të kësaj Asambleje.
Vitet e fundit po dëshmojnë qartazi se nuk mund të ketë një Evropë të sigurt pa një Mesdhe më të sigurt e më të zhvilluar.
Çdo zhvillim negativ në Mesdhe ka efekte të menjëhershme e të drejtpërdrejta në mbarë kontinentin Evropian. Ndaj nevojitet një koordinim më i mirë mes vendeve të Mesdheut dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të propozuar një plan me masa konkrete për adresimin e problemeve të shumta që po përjeton makro-rajoni, dhe të cilat janë të shumta.
Probleme që lidhen me menaxhimin e krizës së refugjatëve, në mënyrë të veçantë, me aktivitetet terroriste dhe kërcënimin që i bëhet sigurisë sonë, me trafikimin e qenieve njerëzore, me sfidat mjedisore dhe patjetër me sfidat e luftës kundër varfërisë, papunësisë dhe polarizimit social të cilat sjellin një zinxhir problemesh të tjera.
Të nderuar Kolegë,
Ekzistenca dhe zhvillimi i hapësirës Euro-Mesdhetare janë detyrimisht të lidhura me zhvillimet politike, sociale dhe ekonomike të vendeve të Mesdheut.
Ju propozoj që gjatë këtij sesioni jubilar këtu në Tiranë, të bisedojmë hapur e pa rezerva për harmonizimin e platformave të ndryshme të bashkëpunimit që ekzistojnë në Mesdhe, në Bashkimin Evropian dhe në rajone të tjera të afërta.
Efikasiteti i përpjekjeve tona të përbashkëta kërkon gjithëpërfshirje dhe dialog të hapur. Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht forcimin e Asamblesë Parlamentare të Mesdheut dhe dëshiroj të rikonfirmoj këtu vullnetin tonë të sinqertë për të qenë një vend edhe më aktiv në iniciativat tona të përbashkëta dhe konkrete, duke patur vullnetin për të forcuar dhe afirmuar më tej dimensionin Mesdhetar të Shqipërisë.
Ardhja juaj në Tiranë dëshmon për vullnetin e çdo vendi anëtar për ta forcuar bashkëpunimin në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut.
 Numri kaq i madh i delegatëve nga i gjithë makro-rajoni dhe nga organizata të tjera ndërkombëtare, na jep shpresë se ky takim në Tiranë do të prodhojë rezultate më konkrete në interes të konkretizimit të bashkëpunimin tonë.
 Ju uroj punime të mbara të Sesionit të 10-të të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut dhe një qëndrim sa më të këndshëm në Shqipëri, vend i një populli që mikpritjen e sheh si element integral të karakterit të tij, ndërsa përqasjen konstruktive e sheh pragmatikisht si të domosdoshme për bashkë-ekzistencën tonë rajonale dhe prosperitetin e mbarë rajonit dhe të qytetarëve tanë.
Ju faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kultivimi i kanabisit/ Guardia di Finanza 62 misione fluturimi, 191 mijë bimë të asgjësuara! Proda: Ka shtim të shtëpive të barit! Lufta jonë tani përqëndrohet këtu