Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit në 23-vjetorin e krijimit të FRESSH-it

Përshëndetje të gjithëve, shumë faleminderit për ftesën dhe për të na ndihmuar të gjithëve të rikthehemi 23 vjet më parë kur shumë prej jush ende nuk kishin lindur, dhe kur Pandeli Majko, Ilir Zela dhe shumë të tjerë ishin në moshën tuaj, duke bërë një akt i cili për të gjithë ata që 23 vjet më parë kalonin përpara Pallatit të Kongreseve mendonin që këta të rinj janë çmendur. Sepse 23 vjet më parë ishte koha kur trendi ishte vetëm Partia Demokratike dhe doktor Sali Berisha, kur e djathta ishte në një revansh dhe eufori të jashtëzakonshme dhe ajo ditë ishte vetëm dy muaj përpara fitores më të thellë që do të arrinte e djathta dhe humbjen më të thellë që do të arrinte e majta.
Por koha tregoi se themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste nuk ishin të çmendur, por ishin të guximshëm dhe vizionarë, sepse vetëm pak muaj dhe pak vite kaluan, dhe situata politike në vend ndryshoi në mënyrë esenciale. Vetëm pak muaj dhe vite kaluan, dhe Partia Socialiste u rigjenerua dhe u krijua si një alternativë e të ardhmes dhe Forumi i Rinisë Eurosocialiste pati një meritë historike që në një moment mjaft të errët dhe të pa shpresë për shumë, për të majtën, për vendin tonë, krijoi një alternativë të së ardhmes me bindje, me pasion, me idealizëm dhe me vendosmëri dhe ky ishte një fat jo vetëm për Partinë Socialiste, por ishte një fat për demokracinë në Shqipëri. Ne nuk mund të harrojmë se rinia eurosocialiste dha një kontribut të jashtëzakonshëm për të frenuar instalimin e një regjimi diktatorial në Shqipëri në emër të gjoja “anti-komunizmit”. Ishte një kohë tjetër atëherë kur të rinjtë eurosocialistë burgoseshin, dhunoheshin, gjakoseshin dhe përsëri luftonin të bindur se demokracia ishte ndryshe. Ishte ajo që sot përjetojnë të gjithë të rinjtë e Shqipërisë.
23 vjet më parë në këtë sallë kishte edhe të rinj nga Kosova të cilët ishin themelues të Forumit të Rinisë EuroSocialiste të Shqipërisë. Ishte një tjetër akt dhe jetik për FRESSH-in, që një përfaqësues nga Kosova siç ishte shoku ynë i dashur, Pajtim Morina, i burgosur gjatë regjimit të Millosheviçit në Kosovë, të fliste dhe të shprehte besim tek rinia eurosocialiste dhe tek Partia Socialiste, sepse atëherë ishte momenti kur Partia Socialiste, si pasardhëse e Partisë së Punës, nga e djathta akuzohej se kishte shitur Kosovën dhe interesat kombëtare. Dhe nuk mund ta pranonin kurrsesi se një i ri Kosova, i burgosur për shkak të ideve të tij patriotike dhe nacionaliste, të fliste 23 vjet më parë në emër të së majtës shqiptare. Dhe koha është për ata që guxojnë dhe shohin larg. Vetëm 6-7 vjet më pas, ky kosovar do të bashkohej me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë që qeveria e Shqipërisë do të drejtohej në kohën çlirimit të Kosovës nga një i ri eurosocialist si Pandeli Majko.
Forumi i Rinisë Eurosocialiste ishte organizata më unike, në lindjen e ish-komunizmit, sepse të gjitha Partitë Socialiste ish-komuniste krijuan Rininë Socialiste ish-Komuniste. Ndërsa në Shqipëri ndodhi ndryshe. U krijua një rini e cila nuk kishte lidhje as me organizatën e mëparshme të Rinisë Komuniste, por përkundrazi, u krijua nga të rinj të cilët kishin qenë pjesëmarrës aktiv, në lëvizjen e “Dhjetorit 90” që solli pluralizmin demokratik dhe demokracinë në Shqipëri. Dhe kjo organizatë solli edhe një kulturë të re demokratike, solli bashkëjetesën brenda një force të madhe politike siç ishte Partia Socialiste, solli tolerancën dhe bashkëveprimin. Dhe ne na pëlqen shpesh ta përkufizonin FRESSH-in si një oponencë konstruktive brenda Partisë Socialiste. Kjo jo vetëm falë vizionit të FRESSH-it, por edhe falë tolerancës së vetë Partisë Socialiste.
Nuk do të doja të zgjatesha më shumë për të folur për rëndësinë e themelimit të FRESSH-it 23 vjet më parë, por duke përshëndetur të gjithë themeluesit e FRESSH-it, kudo që ata janë, jo në të gjithë Shqipërinë, por janë në të gjithë botën. Mua më qëllon shpesh që kudo kur shkojë, edhe jashtë vendit, të takohem me shumë bashkudhëtar të mi, të cilët më kujtojnë se kanë qenë në FRESSH, kanë qenë në Kongresin e parë të FRESSH-it, në Kongresin e dy të FRESSH-it, që kanë qenë në mitingun e FRESSH-it atje, mitingun e FRESSH-it këtu.
Pra është një organizatë e cila ka një histori shumë të madhe jo vetëm të sajë, por edhe të gjithë anëtarëve që e kanë përbërë atë në kohë të ndryshme. Por dua të ndalem tek të rinjtë e sotëm të FRESSH-it, duke ju uruar për këtë manifestim të shkëlqyer që organizoni sot, për këto mesazhe që jepni për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, sepse pjesëmarrja e tyre në jetën politike dhe shoqërore është vendimtare që Shqipëria të eci më shpejt në rrugën e një rilindje të merituar evropiane në mënyrë që të rinjtë të mos mendojë të largohet nga vendi për të gjetur Europën, por të gjithë bashkë ta ndërtojmë çdo ditë e më mirë Europën në vendin tonë.
Me këtë rast njëkohësisht do të doja të përshëndesja edhe Kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, i cili kam frikë se edhe ai para 23 vjetësh na ka marrë për të çmendur, dhe ti uroj suksese në punën e tij dhe të qeverisë së tij, për të krijuar një perspektivë më të mirë për të gjithë qeverinë e Shqipërisë, sepse ne kemi një avantazh të jashtëzakonshëm, jemi një nga vendet dhe një nga popujt më të rinj të kontinentit dhe kjo duhet të na ndihmojë për të arritur më shpejt Europën në vendin tonë. Suksese dhe mbarësi të gjithëve. Në këtë raste thuhet edhe 100 vjet FRESSH-it, suksese!