Fjala e kreut të PD, Lulzim Basha
sot para mediave

Fjala e kreut të PD, Lulzim Basha<br />sot para mediave
Dekarata e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Bashan në konferencën për shtyp mbajtur në selinë e PD-së.

Sonte të detyruar nga një seri gënjeshtrash seriale kobndjellje dhe zindjellje dhe mungese elementare të koncepteve për ekonominë dhe aspekteve publike dhe shtetërore të politikave ekonomike dhe fiskale, Partia Demokratike nis një proces transparence ndaj qytetarëve shqiptarë, partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Ka disa ditë që kryeministri Rama, po rreket të krijojë një imazh të degraduar të ekonomisë së vendit, të financave publike, pikërisht nëpërmjet mashtrimeve, shifrave të paqena, fakteve të fabrikuara.

Zoti Rama thotë se ekonomia shqiptare është në kolaps dhe më keq do të jetë. Ne i themi qytetarëve shqiptarë, se ekonomia e tyre, ndonëse nën shtrëngesën e fortë të darës së krizës europiane dhe veçanërisht efekteve të ekonomive të vendeve fqinje të Greqisë dhe Italisë, nuk ra asnjëherë në recesion gjatë viteve 2009-2012 e në vijim.
Edhe këto 6 muaj të vitit 2013 pati rritje pozitive dhe ishte vetë partneri i qeverisë Fondi Monetar Ndërkombëtar i cili deklaron se rritja deri në fund të vitit 2013 do të jetë afro 2%, pra më e lartë vendet e tjera të Ballkanit.

Edi Rama thotë se të ardhurat fiskale kanë rënë në mënyrë drastike për shkak të keqadministrimit nga qeveria mëparshme, veçanërisht në 8 muajt e vitit 2013.
Ne u themi sot qytetarëve shqiptarëve, se të ardhurat fiskale (tatime+dogana) për këto 8 muaj të vitit 2013 kanë patur një rënie prej 4,3%, krahasuar me njëjtin 8 mujor të vitit 2012. Kjo rënie ka ardhur si rezultat i një rritjeje ekonomike më të vogël këtë vit, se sa vitin që shkoi, i efekteve në buxhet të lehtësirave fiskale të miratuara para zgjedhjeve dhe vazhdimit të rritjes së eksporteve shqiptare në krahasim me importet çka sjell zvogëlim të TVSH-së neto në tregtinë ndërkombëtare të vendit.

Rënia prej vetëm 4.3%, nuk ka ardhur pra siç pretendon z. kryeministër nga shthurja e administratës fiskale, ndonëse në një vit zgjedhor e ndonëse Edi Rama me papërgjeshmëri të plotë dhe mëndje të çartur i bëri thirrje biznesit, disa muaj rresht para zgjedhjeve, të mos paguante detyrimet fiskale. Edi Rama thotë se qeveria ka shpenzuar të gjithë deficitin e programuar për të gjithë vitin dhe ka lënë arkën e shtetit bosh.

Dhe këtu shfaqet edhe një herë paaftësia e tij për të kuptuar funksionimin e shtetit dhe konceptimin e arkës së shtetit si një kuletë dhe jo si një realitet dinamik.
Për 8 muajt e vitit 2013, qeveria e mëparshme ka shpenzuar vetëm 34 mld të deficitit vjetor të programuar dhe miratuar në Parlament, nga 49 mld në tërësi, pra krejtësisht sipas planit vjetor dhe qeverisë Rama, i mbeten edhe 15 mld rezervë deficiti të programuar sipas buxhetit për më pak se tre muaj.

Vetëm një mendje si e tij mund të alarmohet nga ky fakt. Deri në fund të vitit, nëse qeveria e re punon me të njëjtin ritëm, si qeveria e mëparshme gjatë 8 muajve të fundit, me zero përmirësim ka vend për panik as në mbledhjen e të ardhurave dhe as për deficitin. Edi Rama thotë se është rritur borxhi i fshehtë dhe tashmë atij i duhet, që vetëm për formalizimin e borxhit të fshehtë dhe deficitin e pritshëm deri në fund të vitit, ta rrisë borxhin me 9-10% më shumë se niveli aktual me të cilin e mori qeverisjen në dorëzim. 9 deri në 10 përqind më shumë, 1.5 mld Euro.

Shifrat e borxhit të fshehtë ndaj bizneseve dhe operatorëve te shërbimeve “sipas verifikimeve” të Ramës po rriten dita ditës me gallop, tha 600 milionë, e bëri 1 miliard dhe tani si përqindje ndaj PBB-së po na e deklaron 1.5 mld Euro. Ne i themi shqiptarëve se borxhi i Shqipërisë është i matur, i mirë-administruar dhe nuk është rritur sipas shifrave dhe përkufizimeve absurde të Edi Ramës. Në 2005 vendi trashëgoi një borxh prej 57.4% të PBB-së, arritëm ta ulim ne 53.4% në vitin 2007 dhe ndonëse u përballëm me krizën më të madhe të ekonomisë botërore, të Europës dhe fqinjëve tanë, partnerëve tanë më të mëdhenj tregtarë dhe ekonomik Greqisë dhe Italisë, e mbyllëm vitin 2012 me një borxh të çertifikuar nga institucionet ndërkombëtare prej 61.9% të PBB.

Në këto 8 muaj, i ashtuquajturi borxh i fshehtë faktik nuk qëndron as si koncept dhe as si vlerë dhe shifrat dhe faktet për të do t’i bëhen transparente publikut ditë për ditë duke nisur nga sot. Është e vërtetë që disa kompani kanë avancuar me shpejtësi në punët publike, por kjo ka qenë zgjedhje e tyre për të kapur kufirin e 70% të punimeve të kryera në mënyrë që të marrin pjesë në tendera të tjerë publikë. Përshpejtimi i punimeve në këtë rast nuk mund të shndërrohet në borxh të shtetit. Pagesat, sipas përcaktimeve ligjore, bëhen në kohën e caktuar sipas kontratës përkatëse dhe janë të parashikuara në planin afatmesëm buxhetor.

Është e vërtetë gjithashtu, që disa biznese mund të kenë derdhur kontribute tatimore, bazuar në parashikime dhe si parapagim më shumë seç rezulton pas faktit, pra pas kontrollit tatimor, por këto nuk janë borxhe të shtetit por gjendje kreditore e biznesit e cila i shërben atij për të shlyer detyrimet fiskale në muajt e ardhshëm. Nga ana tjetër, janë të njohura shifrat e detyrimeve të prapambetura të bizneseve ndaj shtetit, të cilat së bashku kapin shifrën e 78 miliardë lekësh dhe janë disafish më të larta se gjendja kreditore e bizneseve ndaj shtetit, diferenca është natyrisht një e ardhur e pritshme e shtetit në muajt në vijim.

Në çdo rast, të dy këta komponentë nuk përbëjnë pjesë të konceptit të borxhit të shtetit, por administrohen nga Kodi Tatimor dhe Doganor i Republikës së Shqipërisë, një fakt, mungesa e njohurisë të së cilit, mund të çojë në ngelje provimi edhe studentët e ekonomisë të vitit të dytë. Edi Rama po zbaton strategjinë e tij të vetme, të nxirjes përmes gënjeshtrës. Duke manipuluar shifrat dhe duke ngatërruar konceptet elementare ekonomike dhe fiskale, Edi Rama, me qëllimin e qartë që të përshkruajë situatën shumë të keqe në krahasim me gjendjen e vërtetë synon:

•Së pari: të shesë për sukses për një farë kohe përmirësimin virtual të gjendjes, ndërkohë që ajo sot për sot është shumë më stabël sesa tabloja e kobshme, por false që ai pikturon çdo ditë para shqiptarëve.

•Së dyti: të krijojë një rezervë të padukshme dështimesh me probabilitet 95% siç i thanë ekspertët ndërkombëtarë që vetë i ftoi në konferencën e Partisë Socialiste, pra të krijojë brezin e sigurisë së dështimit.

•Së treti: më shqetësuesja për shqiptarët, të krijojë një mekanizëm për mundësi abuzimi me fondet publike, me taksat, me doganat e shqiptarëve në favor të klientelës dhe nëpërmjet këtij mekanizmi të mbajë peng bizneset dhe mediat.

I themi Edi Ramës se asnjë nga këto synime nuk ecin, pasi demokratët dhe opozita, janë përballë tij, me të gjitha dokumentet dhe të dhënat e certifikuara ndërkombëtarisht dhe nuk do të lejojë mashtrimin e shqiptarëve dhe abuzimin me taksat dhe të ardhmen e tyre.

Ndaj, në ditët në vijim, ne do të komunikojmë sistematikisht dhe do të komunikojmë drejtpërdrejt me qytetarët shqiptarë për faktet dhe shifrat, të detajuara për secilën nga çështjet e trajtuara më sipër në këtë komunikim. Së fundmi, i them Edi Ramës, se e ka të kotë me këto gënjeshtra. Por ndryshe nga kur ishte në opozitë dhe gënjeshtrat e tij sillnin dëm të moderuar, sot duhet ta kuptojë se me përgjegjësinë e tij të Kryeministrit, gënjeshtrat janë me kosto të rëndë për ekonominë e vendit dhe çdo shqiptari.

Gënjeshtrat dhe kobndjellja e tij janë faktor paniku dhe rreziku për ekonominë, ndaj duke e siguruar se gënjeshtrat s’do t’i pijnë ujë si propagandë, i kërkojmë që të përgjegjësohet e të ndalë menjëherë zindjelljen dhe panikun, i cili është faktori më i dëmshëm për ekonominë shqiptare dhe qytetarët tanë. Ne do të bëjmë çmos ta ruajmë ekonominë nga paniku që po shkakton vetë Kryeministri por s’marrim dot përsipër të kurojmë vesin e gënjeshtarit, psikikën e frikacakut dhe paaftësinë evidente të zotit Kryeministër.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Katër të vdekur pas fundosjes së një anijeje në Greqi

Katër të vdekur pas fundosjes së një anijeje në Greqi