Është një kënaqësi e madhe të ndodhemi sot këtu, së bashku me një pjesë të madhe prej jush, për të jetësuar atë çka tre vite më parë e premtuam, e besuam, disa ndoshta edhe dashamirës e mosbesuan, por që sot ka mbërritur në stacionin e tij final, para ekzekutimit, projektin e lëvizjes përmes tramit, në qytetin e Tiranës.
Tre vite më parë. kur u futa në garën për kryebashkiak shpalla synimin tim, të përbërë nga tre objektiva: zhvillimin e qytetit me një perspektivë afatgjatë, të qëndrueshme që t’i përgjigjej nevojës gjithnjë e në rritje të një qyteti me përmasa metropolitane, duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe punësimin, duke hedhur bazat e Tiranës moderne dhe europiane të shekullit XXI.
Tirana po rritej prej dekadash dhe vijon të rritet me shpejtësi të madhe, ndërsa infrastruktura, transporti dhe shërbimet kishin mbetur në nivele të mëparshme. Tre vite më parë, ne gjetëm një Tiranë për të cilën me shumë urgjencë, duhej të ofrohej zgjidhje e qëndrueshme e reale për komponentët më thelbësorë, duke nisur me planifikimin e territorit, plani urban, zhvillimin ekonomik, punësimin, si sfida jo vetëm të qeverisjes por edhe të pushtetit vendor, lëvizshmëria dhe transporti publik, mbetjet dhe menaxhimi i qëndrueshëm i tyre, mjedisi, sipërfaqet e gjelbërta dhe cilësia e ajrit në Tiranë, shkollat, kopshtet, që nga kapacitetet e tyre, deri tek ngrohja, si sfida e dimrit.
E dinim që në fillim se puna nuk do të ishte e lehtë. Në tryezën e punës kishte pak apo aspak të gatshme. Mungonin opsionet, studimet ku mund të bazoheshim, dokumentet profesionale e të integruara, me strategjitë afatgjatë për zhvillimin e qytetit, por ne kishim diçka thelbësore që na solli deri këtu, vizionin dhe vullnetin. Pjesë e këtij vizioni ishte padyshim dhe trami.
Kur 3 vjet më parë artikulova për herë të parë angazhimin tim për këtë formë të transportit urban në Tiranë, shumëkush siç e thashë, edhe dashamirës nuk ngurruan ta cilësonin thjesht dhe vetëm një premtim elektoral.
Por ashtu si para tre vitesh, edhe sot jam optimist se jetësimi i këtij projekti, bazuar mbi shpresën dhe besimin e qytetarëve të Tiranës, do të bëhej realitet, sepse ishte një opsion i dëshiruar, tek i cili kishte besim qyteti i Tiranës, për të cilin kishte nevojë qyteti i Tiranës e madje ishte i vonuar për kryeqytetin.
Sot, jam para jush dhe para bashkëqytetarëve tanë, jo pa gëzim, në këtë prezantim të projektit të parë të linjës së tramit Kombinat –Kinostudio.
Jam i gëzuar, sepse për realizimin e këtij projekti ka interes nga kompani ndër më të mëdha të planetit, nga Franca, Gjermania, Kanadaja, Çekia, Turqia dhe Kina. Jam i gëzuar, sepse me pak vullnet të mirë nga ana e qeverisë për të bërë atë që i takon çdo qeverije në Europë për projekte të tilla, Bashkia e Tiranës është që sot gati të nisë realizimin e këtij projekti të madh, i cili do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së burrave e grave, të rinjve e të rejave, të moshuarve e fëmijëve të kryeqytetit tonë e qindra mijëra shqiptarëve të tjerë që vijnë çdo ditë në këtë shtëpi dhe strehë të madhe të Shqipërisë që është kryeqyteti i tyre.
Dua të falënderoj me këtë rast qeverinë franceze, ambasadën e republikës franceze në Tiranë dhe qeverinë franceze dhe taksapaguesit francezë për besimin e treguar ndaj Bashkisë së Tiranës, në fazat e para të projektit duke akorduar një grant prej 720 000 eurosh, me anën e të cilit u krye studimit të fizibilitetit dhe projektin e linjës Kombinat –Kinostudio, kjo është një shenjë besimi dhe vlerësimi për seriozitetin dhe angazhimin e Bashkisë së Tiranës. Dhe besoj se këtu është rasti që të vlerësoj angazhimin dhe përkushtimin e atyre dhjetëra e qindra nëpunëseve të Bashkisë së Tiranës, të cilët sëbashku me kompaninë e njohur ndërkombëtare “Egis”, përfaqësuesit e të cilës gjej rastin t’i falënderoj sot, bënë të mundur këtë projekt thelbësorë të rëndësishëm për Tiranën e sotme dhe Tiranën e nesërme.
Transporti me tram në këtë linjë do të përgjysmojë kohën e udhëtimit. Intenerari Kombinat-Kinostudio do të përshkohet vetëm në 24 minuta, kjo pasi linjat e tramit janë të dedikuara dhe të papenguara nga trafiku. Transporti me tram do të ulë koston e përgjithshme të transportit në qytet dhe do të ofrojë një shërbimi më të shpejtë dhe më cilësor, shumë më cilësorë, i cili synon dhe jam i bindur do të orientojë shumë më shumë qytetarë drejt përdorimit të transportit publik dhe braktisjes së përdorimit vend e pa vend të automjeteve private.
Linja që ka një gjatësi për afro 9 km, përllogarit në fazën e parë të transportojë 90 mijë pasagjerë në ditë, me një perspektivë të dyfishimit deri në 186 mijë pasagjerë në ditë në periudhën afatmesme.
Kosto e transportit sipas studimit parashikohet në 50 lekë/për person, ndërsa çmimi i mesatarizuar, duke përfshirë edhe shërbimet e aboneve mujore apo vjetore është 41 lekë/për person. Ka qenë dhe mbetet synimi ynë që përveç shërbimit cilësor dhe komod të ofrojmë edhe çmime të përballueshme për xhepat e qytetarëve, e Tiranës në veçanti.
Kosto e përgjithshme e projektit, vlerësohet të jetë në rendin midis 120 dhe 155.5 milionë euro. Realizimi parashikohet me koncesion ose partneritet publik- privat, ku partneri publik, natyrisht është Bashkia e Tiranës.
Përfitimi për lëvizshmërinë e qytetarëve për një kohë të shkurtër, me mjete komode dhe çmime të përballueshme nuk është përfitimi i vetëm. Përfitim drejtpërdrejtë edhe për ata qytetarë që nuk do ta përdorin në mënyrë frekuente shërbimin që do të ofrojë trami është përmirësimi i ndjeshëm i parametrave të mjedisit në qendrën më të dendur të banimit në Shqipëri, ku qarkullimi rrugorë është dhe mbetet ndër burimet kryesore, më kryesori i ndotjes së ajrit. Trami i cili funksionon me energji elektrike do të sjellë një reduktim të prekshëm të ndotjes së atmosferës dhe ajrit në qytetin e Tiranës. Më vonë gjatë prezantimit do të kemi mundësi që të shohim shifrat konkrete të mijëra e mijëra tonëve dyoksid karboni, blozë, e shumë komponentë të tjerë ndotës të ajrit, të cilët me ardhjen e tramit do t’i përzëmë njëherë e mirë nga ajri që thithim ne dhe fëmijët tanë.
Financimin e një projekti të tillë, në mbi 200 raste të studiuara nga konsulenti ynë dhe qeverisë franceze, të gjitha këto sipas praktikave europiane pritet dhe ka si nevojë dhe domosdoshmëri edhe angazhimin e autoriteteve qendrore, përmes mekanizmave të garancisë sovrane të financimit, për të cilën Bashkia e Tiranës ka nisur komunikim dhe urojmë në një përgjigje pozitive.
Në fund të fundit, pavarësisht se akoma nuk u zgjidh se kush e përmendi dhe si çështjen e tramit, tramin e kishim të dy kandidatët. Kryetari i Bashkisë përfundoi projektin, ish-kryetari i Bashkisë ka mundësi të tregojë seriozitetin dhe përkushtimin duke angazhuar atë levë dhe mekanizëm që do angazhonte çdo qeveri europiane, garancinë sovrane për Bashkinë e Tiranës, për të realizuar tramin, jo për kryetarin e Bashkisë por për qytetarët e Tiranës.
Jo pa kënaqësi, dua të ndaj sot me ju sot, se prezantimi i projektit të tramit është i fundit në projektet strategjike që është gati të nisë jetësimin.
Kemi përfunduar projektin e menaxhimit të trafikut në kohë reale, i cili po funksionon dhe po jep rezultatet e veta maksimale në menaxhimin më të mirë të trafikut në Tiranë. Projekti i bulevardit dhe lumit të Tiranës ka nisur e po vijon zbatimin. Brenda këtij muaji i propozojmë Këshillit Bashkiak autorizimin e Bashkisë së Tiranës, për dhënien me koncesion të terminalit multimodal të pasagjerëve, stacionin që i ka munguar në dekada autobusëve ndërurbanë, trenit dhe tramit, me mbështetjn e ekspertizës më të mirë dhe fondeve të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim.
Me projektin e tramit që prezantohet sot përmbushim jo vetëm një premtim dhënë tre vite më parë por po kështu zgjidhje të qëndrueshme, afatgjatë për zhvillimin ekonomik, planifikimin e territorit, lëvizshmërinë dhe transportin publik, së shpejti për mbetjet dhe menaxhimin e integruar të tyre, jo thjesht për tre vitet e ardhshme, por për 20 vitet të ardhshme. Ky është angazhimi im, i Bashkisë së Tiranës; një Tiranë moderne dhe europiane mund e duhet të ndërtohet mbi ambicie , plane e vizione jo vetëm për të nesërmen tonë por edhe të pasnesërmen e fëmijëve tanë e fëmijëve të fëmijëve tanë”.