Përpara pak kohësh ne erdhëm këtu në Fushë Krujë për të çelur Zyrën e Legalizimeve, sepse siç e dini, për vite të tëra, gjithkush që u përpoq që të legalizonte banesën, ka shkuar me dhjetëra herë në Durrës, pasi e gjithë kjo zonë nuk kishte një zyrë.

Jam shumë i lumtur që pasi u çel zyra, vetëm pak muaj më vonë, ne jemi këtu për të filluar konkretizimin e një procesi pa kthim dhe për të mbajtur një zotim madhor ndaj gjithë atyre familjeve shqiptare që kanë lëvizur drejt qyteteve apo që kanë rindërtuar ose ndërtuar shtëpitë e tyre të reja me mundin dhe sakrificat e shumë viteve, mund e sakrifica në emigracion apo në punë, këtu, në Shqipëri dhe që prej shumë vitesh e kanë pasur të pamundur të marrin letrën që e kthen gjithë këtë mund dhe gjithë këtë investim të madh në pasuri të patundshme. E bëjmë këtë sot në këtë zonë, ku në 8 vjet, megjithëse, përgjithësisht zona ka votuar shpesh dhe me shumicë ata që qeverisën 8 vjet rresht, u dhanë vetëm 470 leje dhe nga këto 470 leje, 80 % ishin biznese. Pra, legalizime për godina biznesi që nuk janë ndërtuar për hall apo për të strehuar familjen, por janë ndërtuar për qëllime fitimi.

Kuptohet se për ç’arsye Partia Demokratike, procesin e legalizimeve që ishte “kali i betejës” së saj për 20 vjet e ktheu në një proces korrupsioni të jashtëzakonshëm, duke e katandisur në mundësi për të legalizuar në shumicën dërrmuese godina me qëllim fitimi dhe duke i braktisur familjet që kërkonin të legalizonin shtëpitë e tyre. 470 legalizime në 8 vjet, ndërkohë që vetëm në këta muaj, që kur është hapur zyra, ne sot jemi mbi 1 mijë legalizime. Mbi 1 mijë legalizime që janë legalizim i një mundi, i një djerse dhe i një sakrifice të madhe që keni bërë të gjithë ju. E, për këtë, ne jemi shumë krenarë. Ashtu sikundër jemi shumë krenarë që ky proces për ne nuk është një proces i majtë apo një proces kundër të djathtëve, por është një proces për t’i trajtuar me dinjitet të gjithë shqiptarët, të majtë apo të djathtë, votues ose jo votues të koalicionit tonë, të cilët meritojnë më në fund të kenë dokumentin e pronës së tyre. Besoj që, ky është një ndryshim themelor midis kësaj qeverie dhe pushtetit të mëparshëm dhe për këtë ndryshim themelor unë jam i bindur që ne meritojmë edhe duartrokitjet e shumë demokratëve që janë këtu.

Nga ana tjetër, dua të theksoj që me marrjen e lejes së legalizimit nuk është thjeshtë marrja në dorë e një dokumenti që e garanton përfundimisht shtëpinë, por është marrja në dorë e një dokumenti që krijon një mundësi të re për ekonominë tuaj familjare. Sepse me këtë leje legalizimi dhe me regjistrimin e shtëpisë në hipotekë, ju bëheni pronarë të ligjshëm të investimit tuaj. Keni në dispozicion një mundësi për të shkuar në bankë dhe për ta përdorur shtëpinë si kolateral, për të marrë një kredi, për të hapur një biznes të vogël, për të zgjeruar një biznes të vogël që mund ta keni, për të zgjeruar një fermë, për t’u bashkuar me të tjerë, për të bërë një investim privat, për të mbështetur studimet e fëmijëve dhe kështu me radhë. Pra, ky është një stimul për ekonominë e çdo familjeje. Duke pasur parasysh që shumica dërrmuese e këtyre familjeve i kanë hedhur në themelet e shtëpisë, në tullat dhe çatinë e shtëpisë, të gjitha kursimet e tyre dhe janë përgjithësisht familje që jetojnë në vështirësi, ky është një stimul për të pasur në dorë mundësinë që atë investim që, deri sot është i paregjistruar dhe që nuk figuron asgjëkund, ta ktheni në pasuri të patundshme dhe ta ktheni në një shtysë për t’u vetëpunësuar, përmes një biznesi të vogël apo përmes një iniciative private.

Thënë këto, sigurisht që ky është vetëm fillimi i procesit. Këtu janë shumë të tjerë që presin dhe ne do t’i shërbejmë të gjithëve, pa përjashtim. Ne nuk do të lëmë asnjë shtëpi të ndërtuar në zonat informale pa e kthyer në pasuri të patundshme të atyre që e kanë ndërtuar. Po ashtu, ne do të bëjmë atë që na takon për të çliruar edhe shumë banesa që gjenden në zonat e mbrojtura, që gjenden në zonat historike, që gjenden në qytetin e Krujës, si qytet që i takon trashëgimisë tonë historike dhe kulturore, në mënyrë që edhe ata të legalizohen.

Siç e keni parë edhe nga televizori, ne bëjmë aktivitete të tilla në mënyrë të vazhdueshme, sepse duam që të promovojmë këtë nismë me një rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare për Qeverinë e Shqipërisë dhe për shoqërinë tone. Duam po ashtu që të përcjellim edhe mesazhin që koha e ndërtimeve pa leje ka mbaruar. Me legalizimin përfundon edhe epoka e llahtarisë së ndërtimtarisë pa leje kudo e kush të mundet. Ju, besoj, e keni marrë këtë mesazh, kështu që një këshillë; Legalizoni shtëpinë, hipotekoni shtëpinë, ta gëzoni me shëndet e me bereqet, por mos vini më tullë pa leje, se ju e dini vetë. Se është ajo fjala që unë e përdor shumë, por më kanë thënë mos e përdor shumë, edhe s’ke çfarë i bën, se janë të dyja që shkojnë me njëra-tjetrën.

Do t’i merrni të gjitha lejet që janë këtu por siç e kemi zakon, unë do të shpërndaj disa nga këto leje me kënaqësi, sidomos kur ia jap demokratëve sepse kanë kaq kohë që i presin dhe kanë kaq kohë që janë shaluar në rrena e PD-së, saqë me thënë të drejtën e meritojnë më shumë se socialistët, sepse socialistët nuk kanë pas ndonjëherë shpresë se do e rregullonte Saliu këtë punë dhe nuk e kanë ngrënë ndonjëherë sapunin për djathë.