Fjala e Kryeministrit Edi Rama
me qytetarë të qarkut të Korçës

Fjala e Kryeministrit Edi Rama<br />me qytetarë të qarkut të Korçës
Faleminderit shumë për mikpritjen dhe për faktin që pavarësisht kohës, - siç e tha dhe Artan Lame, i cili përgjithësisht është njeri që i reziston të ftohtit dhe kjo ditë mesa duket është më e ftohtë sesa edhe vetë Artan Lame i reziston,  ju jeni të gjithë këtu. Kjo është kënaqësi shumë e madhe, sepse nuk kemi ardhur thjeshtë për të diskutuar, por kemi ardhur për t’i dhënë rrugë një procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm. Me vjen shumë mirë që për ata që sot do t’i marrin në dorë dokumentet e pronësisë përkon edhe me një ditë të bekuar, siç është Dita e Pashkëve.

Edhe unë, ju uroj “Gëzuar Pashkët!” të gjithëve ju dhe të gjithë qytetarëve, sepse kemi fatin e madh që jetojmë në një vend vërtet të bekuar, ku harmonia mes njerëzve, pavarësisht përkatësive fetare, është e atillë që çdo festë fetare është një festë për të gjithë.

Sot, ne faktikisht do të dorëzojmë titujt e pronësisë për një grup qytetarësh të një zone informale që ka disa karakteristika të veçanta. Ka karakteristikën e veçantë që e përmendi dhe Artan Lame, që pavarësisht se ndërtimet janë bërë pa leje, së bashku ju jeni kujdesur që të lini hapësirat e nevojshme për rrugët mes ndërtimeve dhe për gjithçka tjetër do të duhet  që rrugët të plotësohen me infrastrukturë. Kjo është vërtetë largpamësi, sepse tanimë që bëheni edhe pronarë me dokumente pronësie të shtëpive tuaja, do të jetë sigurisht e nevojshme që nga pronarë të një shpie të jeni edhe banorë të një lagjeje të urbanizuar, të ndriçuar, të gjelbëruar, ku pa asnjë dyshim, Bashkia e Korçës do të vërë dorë më pas.

Së dyti, është një zonë informale që ka një tjetër karakteristike disi të veçantë, që paguan të gjitha taksat vendore. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për t’u theksuar, sepse e bën detyrimin e bashkisë dhe të Qeverisë ndaj jush edhe më të madh, përderisa sjellja juaj qytetare dhe kontributi juaj qytetar për detyrimet që i takojnë secilit në një komunitet, është me të vërtetë për t’u respektuar.

Së treti, kjo zonë informale ka edhe një tjetër karakteristikë të veçantë, që është lehtësisht e integrueshme me pjesën tjetër të qytetit, është praktikisht pjesë integrale sot e qytetit dhe nuk do të jetë aspak e vështirë që nga pikëpamja e lidhjeve sociale me qytetin, procesi i urbanizimit të sjellë rritje të ndjeshme të cilësisë së jetës, në mënyrë më të posaçme për më të moshuarit dhe për më të rinjtë.

Unë dua t’ju them me shumë pak fjalë se çfarë nënkupton ky proces dhe sesi ne po bëjmë realitet zotimin tonë për t’i bërë legalizimet falas;

Së pari, ne do t’i japim titujt e pronësisë për të gjithë, pa asnjë dallim dhe pa asnjë vonesë, përveç kohës që duhet për plotësimin e dokumentacionit.

Së dyti, plotësimin e dokumentacionit ne do ta bëjmë si asistencë të familjeve që duan të legalizojnë shtëpitë. Nuk do të jetë më familja që shkon te ALUIZNI, por do të jetë ALUIZNI që shkon shtëpi më shtëpi dhe do të jenë punonjësit e ALUIZN-i që do të ndihmojë drejtpërdrejtë në plotësimin e gjithë dokumentacionit.   

Së treti, i gjithë dokumentacioni që deri dje kushtonte “një djall e gjysmë” do të plotësohet falas dhe nuk do të merret asnjë qindarkë, në momentin kur do të dorëzohet dokumentacioni.

Së katërti, kush ka ndërtuar në tokën e tij kuptohet që s’ka asnjë detyrim tjetër dhe do të marrë menjëherë në dorë dokumentin e pronësisë. Kush ka ndërtuar në tokën e dikujt tjetër apo në tokën e shtetit, do duhet që të kontribuojë për të bërë të mundur që me fondin e mbledhur nga këto kontribute, të mund të shlyhen detyrimet ndaj ish pronarëve. Në këtë mënyrë të mos ketë më asnjë konflikt në të ardhmen, as për fëmijët as për nipërit, mes atyre që do të trashëgojnë shtëpinë tuaj dhe atyre që nesër mund të trokasin në derë dhe të thonë shiko se “kjo shtëpi nuk është e jotja, është ngritur në tokën e katragjyshit dhe stërgjyshit tim”. Duke bërë që me kontributin për tokën, që është absolutisht një kontribut fare simbolik në krahasim me çmimin real të tokës, ky konflikt të mos jetë më një rrezik për të ardhmen dhe ndërkohë, nesër, familja i thotë kujtdo që pretendon se “nuk ka punë me të, pasi e ka mbyllur këtë çështje me shtetin”.

Por, së pesti, në këtë aspekt ka një ndryshim shumë të madh. Është pikërisht ndryshimi që e bën legalizimin sot të jetë falas. Nëse familja i ka paratë për ti dhënë menjëherë, kur duhet të japi kontributin për tokën që nuk është e vetja, atëherë, menjëherë i bëhet një ulje prej 20 % nga çmimi, që dhe vetë çmimi është shumë më pak sesa vlera e tregut, dhe 50% të tjera mund ti paguash me letra me vlerë. Ç’ka e bën vlerën totale që paguan, shumë më të vogël sesa vlerën fillestare.

Në rast se nuk paguan menjëherë, por paguan një vit më vonë, nuk përfiton nga ulja 20 % e çmimit, por përfiton nga ulja që vjen nga përdorimi i letrave me vlerë.

Në rast se përsëri nuk paguan dot, nuk përfiton më asnjë ulje, por do të paguash kur të kesh mundësi.

Së gjashti, dokumentin do ta marrësh menjëherë, që në fillim. Si ai që do të paguajë, si ai që nuk do të paguajë dokumentin e pronësisë do ta marrin, por ai që nuk do të paguajë nuk do të përfitojë asnjë nga uljet dhe shtëpia do të regjistrohet në hipotekë me një kufizim hipotekor. Që do të thotë ndryshe, me një barrë hipotekore prej 4 milionë lekë të vjetra, pak a shumë, siç është shifra mesatare. Këto 4 milionë lekë të vjetra janë aty, pjesë e detyrimit që familja do të mbartë, derisa t’i shlyeje këto para. Por shtëpia kthehet në një pronë dhe si çdo pronë me kufizim apo me barrë hipotekore mund të shitet, mund të jepet me qera, mund të përdoret për transaksione apo për çfarëdo qoftë tjetër që ka të bëjë me zhvillimin e zonës etj., por në çdo rast blerësi e blen bashkë me 4 milionë lekët e vjetra që janë si kufizim. E gjitha kjo bën që procesi të jetë i gjithi falas; e gjitha kjo bën që procesi të jetë i gjithi transparent dhe i shpejtë; e gjitha kjo bën që procesi të zhvillohet pa korrupsion. Ndërkohë që gjithë barrën e deridjeshme të burokracisë e merr përsipër shteti.

Së fundmi, ka edhe një ulje tjetër, për ata që paguajnë menjëherë, që ka të bëjë me faturat e energjisë. Edhe pse në lagjen tuaj ju jeni të veçantë, sepse i paguani rregullisht faturat e energjisë. Kjo ulje do të thotë që në rast se në momentin e parë do të paguaje 4 milionë lekë të vjetra, uljet e tjera do të të nisin nga 3.6 milionë, sepse 400 mijë lekë të vjetra do të lihen pa marrë, për të paguar 2 vjet faturat e energjisë. Dhe do të regjistrohen në hipotekë si kufizim, që do të hiqet në momentin kur do të faktosh me fatura se 2 vjet ke paguar energjinë. Kjo është edhe për një arsye tjetër, sepse familjet në zonat informale, përgjithësisht janë familje me të ardhura të ulëta. Ne duam t’ua lehtësojmë barrën që vjen nga pagesa e energjisë. Praktikisht, në vend që t’ia marrim paratë për legalizimin të gjitha menjëherë, i lëmë një pjesë të parave për të paguar energjinë. Dhe në fund të 2 vjetëshit nuk duam paratë, duam faturat që provojnë që energjia është paguar. Kjo është një skemë e studiuar për një kohë relativisht të gjatë dhe në çdo detaj, është një skemë që funksionon dhe është një skemë që mbyll një plagë mbi 20 e kusur vjeçare që ka ardhur vetëm duke u majisur dhe duke infektuar plagën e informalietit në ndërtimet dhe plagën e korrupsionit që është prodhuar si pasojë e mungesës së legalizimeve dhe e mungesës së plotë të përgjegjshmërisë së një shteti që asnjëherë nuk mori përsipër t’i legalizonte realisht shtëpitë dhe asnjëherë nuk arriti dot që t’i jepte fund kësaj historie të dhimbshme dhe kësaj historie të dëmshme.

Këtu ne e mbyllim këtë faqe të kësaj pjesë të historisë sonë në demokraci dhe hapim një faqe të re, që do të jetë sfida e urbanizimit të gjithë këtyre zonave. Në këto 4 vite synimi ynë është që ta mbyllim procesin. Dhe pa as më të voglin dyshim që nëse gjithë këto vite u legalizuan më pak se 5 % e gjithë volumit, me letra, por me fakte më pak se 1 %, - se ka plot që kanë marrë disa nga ato ‘shaban-tapitë’ në dorë, por hipotekë nuk kanë dhe e dini ju më mirë sesa unë, - ne do të bëjmë që e kundërta të ndodhë. Deri në fund të 4 viteve shifrat të jenë të përmbysura dhe pjesa dërrmuese të jetë pronare, jo vetëm “de facto”, por edhe “de jure”. Pra jo vetëm banore në shpitë që kanë ndërtuar, por të figurojë edhe në hipotekën e shtetit si pronar legjitim i asaj shtëpie dhe i atij trualli, pra i të gjithë pronës.

Kjo është ajo që unë doja të prezantoja dhe pa humbur kohë do të dëshiroja ta fillonim këtë proces. Besoj se dokumentin e parë të pronësisë i takon ta japë kryetari i Bashkisë së Korçës, deri dje dhe Zëvendëskryeministri ynë, sot.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi