Fjala e Kryeministrit, Edi Rama,
në seancën e sotme parlamentare

Fjala e Kryeministrit, Edi Rama,<br />në seancën e sotme parlamentare

Do të doja që këto fjalë t’ua thoja në sy atyre, që hodhën këtu një gur edhe ikën, duke kujtuar gabimisht se shqiptarët janë të marrë që të shkojnë pas gurit të tyre.

 

Dëgjova një ditë zëdhënësin e tyre, që fliste përpara militantëve demokratë dhe u thoshte ‘PD-ja duhet të analizojë se ku ka gabuar që humbi zgjedhjet’. Sigurisht, nuk është puna jonë t’i ndihmojmë të kuptojnë pse humbën. Por, sa më shumë kalojnë ditët e tyre, pas humbjes, aq më e qartë është se do të humbasin përsëri. Në radhë të parë për një arsye shumë të thjeshtë; Janë bërë njësh me baltën e rrenave dhe të shpifjeve dhe e vetmja gjë që dinë të bëjnë, është të bëjnë pis çdo gjë që prekin, kudo ku shfaqen, sa herë që flasin.

Janë katandisur në burimin më toksik të mbetjeve të politikës së vjetër komuniste, të luftës me tjetrin jo me idetë e tij, të denigrimit të njeriut jo të ballafaqimit njerëzor me të. Janë bërë si një kënd i vjetër fletë-rrufesh. I gënjen mendja e shkurtër se populli do mblidhet para “këndit të fletërrufeve” dhe do të shkojë pas avazit të tyre.

 

E marrin këtë popull për budalla, kurse politikën e dinë mjet për të budallallepsur njerëzit që vuajnë papunësinë, vuajnë varfërinë, vuajnë padrejtësinë, vuajnë dhe kriminalitetin dhe tërë katrahurën që këta lanë pas, kur ikën me një milion shuplaka, nga qeveria.

Unë e di që disa prej tyre, duke nisur që nga plaku i shtëpisë së tyre, janë në hall të madh. Kanë bërë shumë të këqija dhe kanë përfituar shumë duke bërë keq. Le pastaj që duhet të merren edhe me njerëz që tani kanë filluar t’u trokasin në derën e shtëpisë për t’u marrë lekët, që jua kanë dhënë me pahir, kur ju duhej firma e tyre.

 

Duhet të merren edhe me ata të tatimeve, që janë në kërkim nga policia, pasi kanë marrë arratinë, për rimbursimet e paligjshme të miliona e miliona eurove TVSH, për llogarinë e këtyre.

 

Duhet të merren edhe me mbrojtjen e atij derdimenit të kompjuterëve të tatimeve, që e kanë vënë të mbrojë lëkurën e tyre që të shpëtojë lëkurën e tij, për tërë atë çfarë kanë bërë për hesapin e këtyre me librin elektronik të llogarive tatimore. Kujtojnë se ajo rruga e vjetër e hajdutit që bërtet “kapni hajdutin, kapni hajdutin, kapni hajdutin” do t’i shpëtojë nga gjithë ky siklet i madh, që i lë pa gjumë e që më kujton atë shprehjen  e famshme të një bashkëpunëtori, dikur, të mbretit të Shqipërisë, që shkruante: “Të uroj të rrosh sa më shumë, sepse meriton të mos vdesësh kurrë, por të përpëlitesh çdo natë, pa mundur të vësh gjumë në sy, nga ëndrrat e tmerrshme të atyre që në fakt i ke bërë realitet.”

 

Kujtojnë se duke u bërë bashkë me një prokuror, që e kanë vënë me dorë, aty tek ajo task-forca e prokurorisë për të mbyllur çështjet e tyre, me një pronar mediash që u fshihet bankave se është i zhytur dhe po mbytet në borxhe, me ca faqe FB dhe ca shfaqje SHQUP-i, do i’a dalin u duket, para shqiptarëve, si luftëtare dinjitozë kundër një qeverie, që sipas tyre, po ju merr frymën shqiptarëve.

 

Në fakt, fryma po iu merret atyre dhe jo nga qeveria, por nga lepuri i frikës që iu rritet përditë në bark, se ata e dinë më mirë se ne të gjithë këtu, e dinë më mirë se çdo hetues, se çdo prokuror, se çdo gjykatës, e dinë më mirë se çdo shqiptar, se çfarë kanë bërë.  E dinë mirë gjithashtu, se sado ta kenë përgatitur për këtë ditë të keqe, armatën e të korruptuarve nëpër gjykata, nuk i dihet si vete deri në fund puna e kujtdo ndër ta, që i ka rënë në qafë keq, për vite me radhë, këtij vendi e këtij populli.

 

Mjafton ta ndjekësh lumin e shpifjeve që prodhojnë pa pushim për Policinë e Shtetit, për të kuptuar se sa frikë kanë nga kthimi i policisë në krye të detyrës, pasi janë larguar nga detyra të gjithë ata, që në polici hynë nga rrugët e krimit dhe sot janë bashkuar në rrugët e krimit. Se sa shumë i turbullon lufta e policisë me krimin dhe sidomos me korrupsionin. Se sa shumë i dëshpëron fakti se dyshja Rama-Meta, siç e quajnë ata dhe “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, siç e quajmë ne, i qëndron vendosmërisht pikë për pikë axhendës për të cilën është votuar. Nejse, kur bëjnë hajdutin që bërtet “kapni hajdutin”, në fund të fundit duhet t’i mirëkuptojmë se e dimë pse e bëjnë. Edhe pse nuk janë asfare të justifikuar përpara atyre shumë shqiptarëve që kanë votuar këta dhe jo ne, ndërkohë që s’ka problem.

 

Ne, dhe jo këta, kemi çuar në Prokurorinë e Republikës, kallëzimin për çka është gjetur shumë shqetësuese, aq shqetësuese sa mirë është të heshtet dhe të pritet zbardhja nga prokuroria e shqetësimeve tona për librin elektronik të llogarive të këtij shteti.

 

Jemi ne që e kemi çuar përpara drejtësisë atë derdimenin që plaku i shtëpisë, si asnjëherë më parë, në mijëra, qindra mijëra konferenca shtypi e mori në qafë, duke dalë me një tjetër dhe duke filluar avazin e hajdutit që bërtet kapeni hajdutin. Nuk ka faj. Kush di pak nga ajo histori, e kupton mirë se pse e bën.

 

Por ky ishte rasti për t’ju thënë nja dy fjalë, edhe për një çështje tjetër, që gjithë këto ditë përpiqen ta majisin me shpresën e dëshpëruar se diçka do nxjerrin, duke bërë edhe patriotët e zëmëruar, për atë lumin që po na e marrin fqinjët. Ndërkohë që fqinjëve, këta, me një të rënë të lapsit iu dhanë një copë det Shqipërie.

 

Sot janë shumë qesharakë, sepse në çdo gjë, edhe mund të dëgjohen. Ne i dëgjojmë, i mirëkuptojmë. Njerëzore është. Dhimbje të mëdha ka mëkati, kur dikush ta tregon atë me gisht. Por në ndërkohë s’ka asnjë mirëkuptim të mundshëm për ta, kur bëjnë patriotin dhe kur përpiqen të kalërojnë mbi zemëratën e atyre mijëra e mijëra njerëzve të zakonshëm, që manipulohen prej këtyre. Por jo vetëm prej këtyre, por edhe prej tjerësh që duan të fusin sherr duke i futur në sherr shqiptarët. Kujtojnë se do i nxjerrin shqiptarët në rrugë kundër qeverisë, në emër të interesit kombëtar. Këta! Për një problem që nuk ekziston. Ndërkohë që interesit kombëtar i punuan qindin, kur kishin detyrën ta mbronin si qeveritarë.

 

A ka shqiptar që ta besojë se këta janë më patriotë se shqiptarët që dolën nga lufta për shqiptarinë dhe sot janë të ulur si pjesë e qeverisjes së Maqedonisë?!

 

Unë besoj se shqiptarët më kollaj besojnë që Saliu është komik më i madh se Mister Bean, sesa të besojnë se Saliu është patriot më i mirë se Ali Ahmeti. Dhe mirë me qeverinë tonë, po si s’ju vjen turp që mundohen çdo ditë të fusin xixa ndër shqiptarë, duke u sjellë si mos më keq me përfaqësuesit shqiptarë të qeverisë në Maqedoni, të cilët e kanë përsëritur më shumë sesa një herë që projekt-ideja e hidrocentralit mbi lumin Radika nuk ka asnjë shans të përparojë në dëm të Dibrës së Madhe dhe të vetë Shqipërisë. Ne themi s’ka projekt, e jo më të ketë pastaj një vendim për të nisur në mënyrë të njëanshme një projekt, në shkelje të interesit tonë kombëtar dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare të ujërave, të cilave i’u nënshtrohen po njësoj edhe Shqipëria, edhe Maqedonia, edhe Greqia dhe kështu me radhë.

Na dinë si veten e tyre, që s’deshën t’ia dinin për asgjë, kur vajtën firmosën atë kufirin e gabuar atje, duke e falur një copë det sikur të ishte një copë bakllava. Ashtu të marrosur siç ishin në atë gostinë e tyre të pafundme, orgjiake, të pushtetit. Të pushtetit, që e vodhën për të vjedhur Shqipërinë.

 

Vazhdojnë me të tyren. Projekti qenka financuar nga Banka Botërore. Madje, plaku thotë projekti ka nisur, siç thoshte “të premten janë këtu armët kimike”. Jo mor jo! Nuk ka projekt! Sepse projekti në këtë rast, për çdo njeri që kupton dhe jo më për çdo njeri që një herë, një ditë të vetme është ulur në një zyrë qeverie apo në një zyrë sipërmarrjeje, nuk quhet një ide apo një skicë-ide e një qeverie tjetër, por quhet një projekt-zbatimi që e ka në tryezë edhe qeveria jonë, përderisa përfshin apo prek edhe Shqipërinë. Por as ne nuk e kemi një të tillë, as qeveria maqedonase nuk e ka një të tillë. As Banka Botërore nuk e ka financuar një të tillë. As bëhet fjalë që një projekt i tillë të financohet nga Banka Botërore apo nga cilido institucion financiar ndërkombëtar pa miratimin edhe të qeverisë së Shqipërisë dhe në respekt të marrëveshjeve dhe traktateve ndërkombëtare.

 

Të merresh me këtë muhabet dhe të përpiqesh kështu si përpiqen këta, ta kthesh në çështje politike me fqinjët është njësoj sikur të dalë një fqinj dhe të merret sot e ta bëjë çështje politike me Shqipërinë, centralin bërthamor që do të ndërtonte plaku në Shkodër. E parafytyroni për një moment!

 

Le ta vënë vath në vesh këta dhe kushdo tjetër, këtu në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë, shqiptar, fqinj apo i huaj, ende më matanë, se me ikjen e këtyre nga qeveria, vdiq edhe koha kur qeveria e këtij vendi e tradhtonte Shqipërinë dhe bënte pazar sa të mundej, ku të mundej, si të mundej, me interesat kombëtare të shqiptarëve, me interesat publike të shqiptarëve, me interesat legjitime, kushtuese, private të shqiptarëve!

 

Iku koha turpshme e kontrabandës së naftës nga qeveria e Shqipërisë, në bashkëpunim me armiqtë më të betuar të shqiptarëve!

 

Iku koha e turpshme e lëshimit pa kushte të terrenit kombëtar, të të drejtave dhe të interesave të shqiptarëve!

 

Iku dhe koha e turpshme e talljes nacionaliste, për të marrë vota në Shqipëri, duke hapur sherre dhe probleme të panevojshme me fqinjët!

Kjo është një kohë, kur Shqipëria ka zot.

 

Kjo është një kohë, kur populli sovran i Shqipërisë ka marrë përsipër me votë, të bëhet zot i fateve të veta.

 

Kjo është një kohë, kur Shqipëria ka një qeveri që nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse të jetë mishërimi i vullnetit të popullit sovran.

 

Faleminderit! 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

41 mijë familje me mbi 4 anëtarë jetojnë në banesa më pak se 40 metër²

41 mijë familje me mbi 4 anëtarë jetojnë në banesa më pak se 40 metër²