Fjala e Kryeministrit Edi Rama, gjatë prezantimit të aplikacionit E-Konsullata:

Një nga arsyet që Ditmiri është shefi i diplomacisë është se është për evolucion, jo për revolucion, ndërkohë që unë jam për revolucion, jo për evolucion.
 

E-Konsullata është një hap i ndërmjetëm midis zyrave banale dhe vulgare të shërbimit konsullor në gjithë këto vite që kanë lodhur dhe shqetësuar shumë njerëzit dhe i E-Ambasadave, që është vizioni im për të ardhmen, - por le të mos hyjmë te kjo, sepse është një debat që vazhdon me ministrin e Jashtëm, le të mbetemi te E-Konsullata, - që, përtej tonit me humor që unë përdora, përbën në fakt një instrument të jashtëzakonshëm që i vihet në dispozicion qytetarëve shqiptarë kudo ku ata jetojnë dhe që u jep mundësinë t’iu rrinë sa më larg zyrave torturuese të shërbimit konsullor, që përtej gjithë përpjekjeve të bëra për t’i përmirësuar kanë kufizimin e faktit që janë shumë pak, kushtojnë shumë për shtetin, e duhet të përballojnë një numër të jashtëzakonshëm kërkesash, siç dihet nga të gjithë.

E-Konsullata është, në fakt, një simotër e Komisariatit Dixhital, që do të thotë që ta kesh konsullatën në xhepin tënd, e të mos kesh më nevojë të shkosh deri në konsullatë, duke bërë rrugëtime edhe me orë, me trena, me makinë, me kilometra të tëra për të marrë një informacion, apo për të bërë një aplikim, por aplikimin ta bësh thjesht duke përdorur telefonin tënd. Po ashtu një numër i konsiderueshëm shërbimesh, përjashto shërbime shumë specifike, si, p.sh. pajisjen me pasaportë, për të cilën është e domosdoshme që të jetë personi prezent, sepse duhen marrë në prezencë gjurmët e gishtave, apo ndonjë shërbim tjetër që ka ekzigjenca të lidhura me sigurinë kombëtare të kësaj natyre, të gjitha shërbimet e tjera do të mund të jepen online.

Sot, me këtë hap, faktikisht, ne i japim vetes mundësinë edhe për të ndërvepruar shumë më shpejt me qytetarët shqiptarë për një projekt të madh të qeverisë, që është projekti i Popullimit, që do të thotë, në fakt, regjistrimi i të gjithë qytetarëve shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë Shqipërisë, për të krijuar, më në fund, si çdo shtet normal, database-n e njerëzve që përbëjnë shtetin tonë, të cilëve shteti ka detyrime të caktuara për t’u plotësuar, por që kanë edhe disa të drejta, që, për shkak se deri më sot janë të paregjistruar, e faktikisht nuk ekzistojnë, nuk i ushtrojnë dot, duke filluar që nga e drejta elementare, e votimit.

Ministrja përmendi disa produkte të gjithë këtij procesi, - revolucion dixhital, sipas meje, evolucion dixhital, sipas ministrit të Jashtëm, - që i ka dhënë qytetarëve në dorë disa instrumente të rëndësishme për t’iu shmangur në radhë të parë radhëve të gjata, thjesht e vetëm për të marrë informacionin, apo që u ka dhënë në dorë mundësinë për të kryer dhe veprime që deri dje as mund të imagjinoheshin, mjafton të sjell këtu në vëmendje, përveç atyre që solli ministrja, faktin që, sot, fatura e energjisë mund të paguhet lehtësisht online, e nuk është më nevoja për t’u dyndur në ato sportelet e OSHEE-së, apo të tjera që janë duke u punuar dhe që së shpejti, hap pas hapi, do t’iu vihen në dispozicion qytetarëve.

Ne do kishim dashur që këto produkte të ishin, në fakt, në dispozicion të tyre më shpejt, por duhet pasur parasysh që, për të ardhur tek këto produkte është dashur një reformë e tërë legjislative dhe një transformim i rëndësishëm i qasjes në vetë financimin e këtij procesi. Është një proces që nuk kushton pak dhe është një proces që ndodh këtu në vendin tonë, ndërkohë që ndryshimet teknologjike janë jashtëzakonisht të shpejta e të përditshme.

Unë i jam mirënjohës Telekom-it për këtë bashkëpunim dhe kam besuar dhe besoj që Telekom-i, apo dhe kompanitë e tjera celulare, kanë një potencial të madh dijeje dhe zotërojnë kapacitete të pashfrytëzuara, sa do të duhej edhe nga ne që po i shfrytëzojmë, me aq sa kemi mundësi dhe krejtësisht të pashfrytëzuar në të shkuarën. Janë partnerë natyralë të një transformimi të rëndësishëm teknologjik, ku interesi i përbashkët bën të mundur që të kemi në dispozicion të njerëzve produkte si ky më i riu, që është një sukses i rëndësishëm i Ministrisë së Jashtme dhe i qeverisë, besoj, për faktin se çliron nga një barrë e jashtëzakonshme një popull të tërë që deri sot është detyruar të endet rrugëve për të pasur një kontakt me shtetin e vet dhe të përballet me fenomene nga më të shëmtuarat, por dhe në rastin kur, për arsye të një pune shumë të vëmendshme të ministrit dhe të Ministrisë së Jashtme për t’i reduktuar këto fenomene, kjo ka ndodhur. Prapë se prapë, siç e thashë dhe më parë, volumi i gjithë këtyre nevojave është i atillë që nuk ka mundësi të përballohet nga disa zyra konsullore dhe nga një numër i kufizuar punonjësish në kushtet kur, siç e thashë, kjo kushton jashtëzakonisht shumë.

Por ka dhe një element tjetër, që është shumë i rëndësishëm, besoj, për qytetarët, që shërbimet konsullore online do të jenë falas. Pra gjithë ajo histori, humbje kohe dhe stresi, e shkaktuar për shkak të nevojës për konsullatën shqiptare kudo ku ajo ndodhet, në pikën më të afërt, që nganjëherë është me orë të tëra me qindra kilometra larg, ka pasur dhe një barrë të madhe financiare, të drejtpërdrejtë nga xhepi i shtetasve tanë, pa bërë kontabilizimin e gjithë asaj që humbet financiarisht për shkak të humbjes së kohës. Kjo barrë financiare, me këtë shërbim drejtpërdrejtë në xhep, zerohet. Pra, shteti nuk iu fut dot më dorën në xhep të gjithë atyre shtetasve që duan të marrin një shërbim konsullor e që për këtë përdorin konsullatën që kanë në xhepin e tyre.

Është një transformim revolucionar që do të sjellë, jam i bindur, jo vetëm një lehtësim të madh të shtetasve, por dhe një impuls të ri në Ministrinë e Jashtme dhe një inkurajim të madh për ministrin e Jashtëm që të shkojmë më tej dhe realisht të mendojmë seriozisht për E-Ambasadat. Mendoj që me kurajë dhe me bindjen që kjo gjë do të ndodhë, do ndodhë më herët se sa vonë, por për shkak se ne nuk jemi Gjermania, Franca, apo Kina që mund të mbajmë në këmbë një shërbim diplomatik të kudondodhur dhe me shpenzime të mëdha, jemi më të interesuar të vrapojmë drejt një zgjidhjeje që do të na racionalizojë së tepërmi burimet tona njerëzore dhe shpenzimet tona, duke bërë të mundur që këto burime të përdoren në mënyrë shumë më cilësore dhe patjetër edhe shpenzimet për këto burime të jenë shumë më dinjitoze për diplomatët tanë.

Besoj që, për më tepër, duke pasur në dorë botën dixhitale, ne mund ta ndërtojmë ambasadën tonë në çdo kryeqytet të botës, ku të duam, nuk na ndalon njeri, sepse nuk na pengon njeri që të marrim vendin më të mirë, mbase dhe mu në mes të sheshit qendror të një kryeqyteti dhe të ndërtojmë ambasadën tonë. Aty njerëzit mund të hyjnë dhe të kenë ambiente fantastike dhe të përballen me vetë ministrin që i përshëndet, i uron mirëseardhjen dhe pastaj të marrë shërbimin derë më derë, pa qenë e nevojshme të përballen me vonesa, me mungesa, me dyer të mbyllura për shkak festash, apo për shkak se i vetmi që është në ambasadë atë ditë, është me grip, por është me fat që vazhdon.

Gjithë ata kanë punuar, sepse, pas Dhimitrit dhe Ditmirit që mbajti fjalën e rastit, janë të tjerë që i bëjnë të mundura këto gjëra. Kështu është jeta, shpesh herë i harrojmë ata dhe harrojmë se pa ata as Ditmiri, as Dhimitri nuk do kishin dot mundësinë të krenoheshin përpara publikut me arritjet e tyre. Faleminderit të gjithë atyre, qoftë në stafin e Telekom-it, qoftë në stafin e Ministrisë së Jashtme, qoftë dhe në stafin e Agjencisë së Informacionit, apo në stafin e ministres së Inovacionit që e bënë të mundur këtë app, që është konkurrenti i parë serioz i Komisariatit Dixhital.

Do t’u jap vetëm një të dhënë, që është shumë impresionuese: Komisariati Dixhital është app-i i dytë më i shkarkuar në Shqipëri pas “Facebook”. Përdorimi i tij është masiv, ashtu sikundër efektiviteti i tij është i jashtëzakonshëm. Këtë e konfirmojnë të gjithë regjistrat e monitorimit të funksionimit të app-it të Komisariatit Dixhital, ku mund të shihen fare qartë raportet midis numrit të ankesave, numrit të përgjigjeve dhe rezultateve konkrete. Komisariati Dixhital ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm të raportit mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit për probleme nga më të ndryshmet që i shqetësojnë qytetarët në jetën e përditshme, qoftë dhe duke kapërcyer nga një trotuar në tjetrin, e për të cilat asnjëherë ata nuk do të merrnin mundimin të niseshin dhe të shkonin në Komisariatin fizik, por duke pas policin në xhep, mund menjëherë ta njoftojnë, e kjo menjëherë kthehet në një detyrë për Policinë e Shtetit.

Kështu do të ndodhë edhe me konsullatat dixhitale, të cilat kanë dhe një avantazh nga pikëpamja e garës app me app, që do të ketë një rezervuar konsumatorësh shumë të madh që e kanë të domosdoshëm këtë aplikacion, ku ka dhe plot informacione të tjera, që në pamje të parë duken të një rëndësie dytësore, por kanë një rëndësi parësore, sepse në fund të ditës nevoja për informacion është e jashtëzakonshme, qoftë dhe për informacionin më elementar, pasi, do të thosha është pellgu më i madh ku gëlon korrupsioni “i vogël” që ia nxin jetën qytetarëve, sepse, pikërisht në raportin fizik mes personit që kërkon informacion dhe zyrtarit mbrapa sportelit që duhet të japë informacion vendosen raporte të deformuara thjesht e vetëm për shkak se koha vlen, se radha e lodh dhe se ai mbrapa sportelit ka mundësinë magjike që të të shkurtojë kohën e të të shkurtojë radhën nëse t’i i ofron diçka më shumë sesa ç’i ofron shërbimi formal pranë sportelit.

Për të kaluar pastaj në fazën tjetër, që është jo vetëm marrja e informacionit, por edhe dhënia e shërbimit, ku goditja e korrupsionit bëhet edhe më e ndjeshme për qytetarin, por dhe më e efektive për vetë shtetin. Besimi ynë ka qenë qysh në fillim të herës, që: Nuk janë njerëzit që mund ta korruptojnë një sistem, por është sistemi që i korrupton njerëzit. Për të goditur korrupsionin duhet të ndërtosh sisteme që nuk korruptojnë. Sisteme që nuk korruptojnë janë sisteme që kanë një ndërthurje të brendshme mekanizmash që e bëjnë praktikisht korrupsionin të pafuqishëm. Ky është një mekanizëm, sepse në këtë marrëdhënie vetëm leku nuk ka asnjë lloj hapësire për të deformuar komunikimin mes qytetarit dhe shtetit.

Sigurisht që nuk është vetëm dixhitalizimi, nuk janë vetëm instrumentet dixhitale, por është i gjithë sistemi i funksionimit të zyrës që ushqen këtë sistem dixhital që mbyll ciklin e transformimit të një sistemi që korrupton, në një sistem që është imun ndaj korrupsionit.

Shumë faleminderit!

 

***

 

Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me kompaninë Telekom Albania prezantuan aplikacionin konsullor E-Konsullata. Ky aplikacion vjen në kuadër të reformës së ndërmarrë nga Ministria e Jashtme në fushën e shërbimeve konsullore, e cila synon, veç përfitimeve në kohë dhe atyre financiare për qytetarët, edhe të luftojë korrupsionin. E-Konsullata është një portë e drejtpërdrejtë komunikimi e qytetarëve me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nëpërmjet këtij aplikacioni të gjithë qytetarët e interesuar marrin përgjigjet e shumë pyetjeve për shërbimet që mund të ofrojë Ministria e Punëve të Jashtme dhe selitë diplomatike e konsullore të Republikës së Shqipërisë në botë, duke shërbyer njëkohësisht dhe si një udhërrëfyes për sigurinë e shtetasve shqiptare që ndërmarrin udhëtime në çdo vend të botës.

Aplikacioni konsullor E-Konsullata mund të shkarkohet nga Appstore dhe Playstore në çdo aparat celular që ka akses në internet dhe mund të përdoret kudo, duke shërbyer si një platformë interaktive komunikimi dhe informimi për të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që ndodhen. Në aplikacion ndodhen kontaktet e sakta dhe koordinatat e çdo përfaqësie shqiptare në botë; informacion mbi procedurat e legalizimeve të dokumenteve; shërbimet e tjera konsullore brenda dhe jashtë vendit; si dhe informacione mbi situatën politike dhe shëndetësore për secilin vend prej 181 vendeve pjesë e E-Konsullata.

Reforma e shërbimeve konsullore ka hyrë tashmë në një fazë të avancuar ku veç ofrimit të një sërë shërbimesh të sigurta, transparente dhe me kosto të ulët dhe jo më radhë të gjata dhe shërbime sipas xhepit, po shkon drejt dixhitalizimit të plotë.​

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri