Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën Kombëtare Antikorrupsion

Qëllimi ynë është që të gjithë së bashku të ndajmë mendime dhe këndvështrime lidhur me këtë sëmundje të madhe që, fatkeqësisht, karakterizon vendin tonë në sytë e Familjes Evropiane dhe Euro-Atlantike dhe që prek në mënyrë të përditshme qytetarët tanë.

Ne jemi të vendosur që në luftën kundër kësaj sëmundje, korrupsionit, të kemi një qasje të re, të ndërtojmë politika të reja dhe të dëshmojmë një vullnet të ri për të shkuar përpara, duke bërë gjithçka kemi në dorë që ta lehtësojmë sa të jetë e mundur Shqipërinë dhe familjen tonë nga kjo sëmundje gërryese, dekurajuese dhe shpeshherë paralizuese për njerëzit.

Sigurisht që, në radhë të parë qëndron filozofia në këtë betejë. Dhe filozofia jonë është shumë e qartë;

Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, është sistemi që i korrupton njerëzit! Duke u nisur nga kjo filozofi, ne ndjejmë domosdoshmërinë e një reforme të gjithanshme, në të gjitha fushat dhe planet, për të bërë të mundur që sistemi të imunizohet nga korrupsioni. Nuk ka asnjë dyshim se kjo nuk është beteja ekskluzive e Qeverisë, por, po ashtu, nuk ka asnjë dyshim se pa lidershipin e Qeverisë kjo betejë është thjesht dhe vetëm e pamundur. Ne jemi shumë të vendosur që të shkojmë përpara. Unë besoj se paketa jonë e reformave, të konceptuara posaçërisht për të forcuar sistemin dhe për të mundësuar që mekanizmat e këtij sistemi të mund të funksionojnë në një mënyrë të atillë që ta bëjnë gjithmonë e më të mundshme përballjen me tundimin e korrupsionit dhe me pasojat e korrupsionit, janë absolutisht të duhurat.

Sot, këtu, do të paraqiten me radhë aspektet e kësaj qasje të re që ne duam të sjellim për luftën kundër korrupsionit dhe për përpjekjen se si duhet modernizuar sistemi.

Tek e fundit fare, duke mbyllur këtë fjalë të shkurtër përshëndetëse dhe duke dëshiruar që vetëm në fund të them dhe unë fjalën time lidhur me këtë temë kaq të rëndësishme dhe komplekse, më lejoni që të ndaj me ju një bindje;

S’ka asnjë dyshim që fuqia ndëshkuese është një domosdoshmëri në luftën kundër korrupsionit, por, nga ana tjetër, fuqia ndëshkuese është tërësisht e pamjaftueshme dhe, në fund të fundit, nuk është themeli i luftës kundër korrupsionit. Themeli në luftën kundër korrupsionit është modernizimi; modernizimi i çdo mekanizmi që shteti ka në strukturën e vet; modernizimi i çdo institucioni që shteti ka në përbërjen e vet; modernizimi i çdo shërbimi që shteti ka në detyrimet e veta.

Të mos e harrojmë për asnjë çast, se korrupsioni është një shërbim alternativ i paligjshëm, që u ofrohet qytetarëve, në mungesë të një shërbimi cilësor të ligjshëm. Korrupsioni arrin më shpejt aty ku shërbimi shtetëror jocilësor dhe arkaik nuk arrin dot. E pra, sfida jonë është që shërbimin publik, shërbimin ndaj qytetarit, shërbimin që Kushtetuta dhe ligji së bashku edhe me programin e çdo qeverie i njohin si të drejtë të patjetërsueshme të qytetarit, ta bëjmë të atillë që shërbimi alternativ dhe i paligjshëm, i ofruar nga korrupsioni, të bëhet gjithmonë e më pak i preferuar.

Që të ndodhë kjo, na duhet që të jemi të gjithë së bashku, në një front, të vendosur dhe të udhëhequr nga një fjalë kyçe: Modernizim!

Në fund të fundit, dallimi mes shteteve si Gjermania, si Franca, si Britania e Madhe, Danimarka, Suedia, Holanda e me radhë vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet e tjera më të prapambetura, si edhe vendi ynë, në kornizën e përpjekjes për t’u bashkuar me Familjen Evropiane, është një dallim që mund të përkufizohet si dallimi mes një sistemi modern, transparent dhe efikas dhe një sistemi arkaik, jo transparent dhe joefikas.

Kjo është sfida, kjo është përpjekja dhe unë besoj, kjo është rruga! Të modernizojmë sistemin tonë! Ta bëjmë atë efikas dhe transparent! Ta bëjmë atë sistemin që në bazë të Kushtetutës, në bazë të ligjit, në bazë të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarit, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në ligj dhe në bazë të përpjekjes sonë për t’u integruar me Familjen Evropiane, të jetë pika e vetme e referimit për qytetarin dhe të jetë dera e vetme ku qytetari troket, pa pasur nevojë të dalë nga dera e pasme, aty ku korrupsioni është i gatshëm të ofrojë shërbimin e munguar.

Faleminderit!”

13/11/ 2013

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

‘Dua më shumë Shqipërinë’, koncert për Pavarësinë në Fier! Bëhen bashkë 70 artistë fierakë