Fjala e kryeministrit Edi Rama në konventën e gruas të Partisë Socialiste

Shumë faleminderit! Në fakt kisha përgatitur diçka me shkrim, por u thanë shumë gjëra këtu që meritojnë vëmendje. Do të doja ta filloja nga fakti që sot në mëngjes nisa ditën duke bërë 3 tufa me lule.

Njërën për Anetën, të cilës për fat të keq i ra të kishte një djalë që e mban lidhur çdo mëngjes me burra, me të cilët ajo s’do të donte të kishte kurrë të bënte, që shkruajnë, çfarë nuk shkruajnë dhe pastaj i nxjerrin te “Bashkimi”.  E të cilës asnjëherë nuk do të mund ti jem dot deri në fund, aq mirënjohës sa e meriton, sepse për hir të së vërtetës ndryshe nga të gjitha nënat e tjera, ka një barrë të veçantë se djali i ka kaluar të pesëdhjetat dhe prapë se prapë e ka të pamundur ta shohë aq sa meriton dhe mbi të gjitha dëgjon për të çfarë nuk ka nënë që e meriton dhe aq më tepër që do të donte të dëgjonte.

Së dyti, një tufë me lule për atë që me bëri gruan, vjehrrën. Këtu më kujtohet Pandi me të cilin patëm një garë, jo drejtpërdrejtë, por indirekt në një kongres. Unë u bëra kryetar partie dhe Pandi u bë sekretar i përgjithshëm. Të nesërmen shkuam të partia dhe i thashë “si do ia bëjmë?”. Më tha, - si fillim mos hajde më me çorape të kuqe këtu në Partinë Socialiste dhe në vazhdim merre shumë seriozisht, që duhet të martohesh një orë më parë, se kjo parti mban shumë, por një kryetar të pamartuar dhe me çorape të kuqe e ka shumë vështirë ta mbaj.

E ja ku erdhi dita që Pandi dëgjon atë që s’do ta besonte kurrë në atë kohë, që unë i çoj lule edhe vjehrrës.

Ndërkohë, sigurisht, buqetën e tretë për gjysmën time më të mirë që sa më shumë kalon koha, më duket sikur aq më e mirë bëhet.

Pandi ngriti problemin e feminizmit dhe në fakt nuk ishte origjinale ajo që thashë unë. Një herë, para disa muajsh ishim në një takim me gratë. Unë thashë që nuk jam feminist. Pasi mbarova fjalën aty ku u ula, ishte një zonjë nga ekspertet e shoqërisë civile dhe me tha – “me gjithë ato që the, më feminist se kaq s’mund jesh, kështu rikonsideroje këtë gjë.”

E më pas më pëlqeu shumë një fjalë e kryeministrit të famshëm spanjoll, sigurisht i majtë Zapateros i cili tha: “Unë jam feminist sepse jam socialist dhe kush është socialist s’mund të mos jetë feminist.”

Këtë ma provon Pandi që pavarësisht se nuk e thotë, por është kaq feminist sa ju do të habiteshit dhe ka kaq shumë gra dhe vajza në njësinë 5 që mund ta dëshmojnë këtë gjë, madje mund të dëshmojnë si të doni, feminist në kuptimin e Zapateros, apo në kuptimin që Pandi foli për ne të vjetrit që dikur ishim të rinj. Po sigurisht duke qënë edhe shumë i lidhur me NATO-n në atë kuptimin tjetër është feminist me një vetëpërmbajtje që është e jashtëzakonshme dhe që unë e kam shumë zili.

Tani përtej këtyre, do ju falënderoja për pak vëmendje lidhur me përmbajtjen e këtij takimi sepse besoj që është me rëndësi themelore që sot ne ta kremtojmë 8 Marsin si një ditë ku  Partia Socialiste ka të gjitha arsyet që të ndihet në festën e vet.

8 marsi është sa festë e grave dhe e vajzave, aq festë e Partisë Socialiste. Sepse jemi një parti që po bëjmë diçka historike dhe jam i bindur që koha do të flasë për këtë shumë më mirë se ç’mund të flasim ne sot. Nuk është diçka që po ndodh as rastësisht dhe as si rrufe në qiell të pastër. Është  një vijimësi dhe në këtë vijimësi kemi patur kurajën që ç’do hap t’a hedhim për të shkuar më tutje, drejt një barazie gjinore që është domosdoshmëri jetike për shoqërinë tonë.

Nuk është rastësi që vendet me ekonomi të zhvilluar dhe shoqëri të mirëqenë janë vendet që kanë ekuilibrin më të fortë gjinor dhe nuk është rastësi që në vendet më pak të zhvilluara dhe me shoqëri me plot probleme, ekuilibrat gjinorë janë shumë të brishtë. Sepse pjesëmarrja e gruas në të gjitha aspektet e jetës, të shoqërisë është më shumë sesa një e drejtë njerëzore. Është një potencial i jashtëzakonshëm, pa të cilin çdo shoqëri është në disekuilibër. Unë kam qënë gjithmonë i bindur dhe nuk kam zbuluar asgjë, në faktin që gratë në Shqipëri kanë një forcë shumë të madhe të cilën dhe burrat ua u njohin. Ato që solli këtu Gramozi si shembuj janë shumë domethënës. Është e vërtetë që ne kemi patur në vazhdimësi debate për hapjen e partisë ndaj grave. Në fillim, përpara se të vendosnim kuotat për këshillat ne nuk mundeshim, në zona të tëra të vendit të impononim nga Tirana as edhe një grua të vetme, dhe listat tona për këshillat e komunave apo bashkive ishin faqja jonë e zezë. Sepse, partia apo kryetarët e partisë në ato zona na thoshin: “Nuk kemi gra këtu!” Imagjinoni një komunitet ku ka vetëm burra. Por, faktikisht ne e çamë këtë rrugë, duke e filluar nga partia dhe duke imponuar pjesëmarrje shumë më të madhe të grave dhe të vajzave në Kongresin e partisë, në forumet e tjera të partisë. Në fillim funksionoi si me sforco, por sot faktikisht kemi patur debat dhe çfarë ndodh? Ndodh që në zonat që teorikisht janë më të vështirat, me votë të fshehtë, ku votojnë gra dhe burra, vajza dhe djem, dhe ku ka vetëm një delegat për kongresin, dhe votohet mes një burri dhe një gruaje, 70% fitojnë gratë sepse burrat dhe djemtë janë, në mos të vetëdijshëm, të ndjeshëm instiktivisht ndaj këtij fakti. Ne sot jemi në kushtet kur falë një procesi të jashtëzakonshëm riorganizimi, kemi afro 30 mijë anëtare dhe anëtarë të rinj të Partisë Socialiste. E në këtë shifër, kemi një numër të jashtëzakonshëm grash dhe vajzash.

Ndërkohë që kemi sot në qeverinë e vendit 8 gra ministre. Është një shifër historike për Shqipërinë, por më besoni, përtej faktit që janë 8 gra janë edhe 8 anëtare të kabinetit me profesionalizëm, me integritet dhe me rezultatet të spikatura.

E kam sjellë dhe here tjetër shembullin e Linditës dhe e risjell sepse është shumë domethënës. Në Ministrinë e Arsimit ne kemi pasur për 20 e kusur vite vetëm burra, profesorë, doktorë, shkencëtarë, “burra me namuz”. U desh të vinte një grua mësuese gjimnazi, drejtore gjimnazi, pastaj kryetare e një njësie administrative ne Tiranë që të behej e mundur reforma më e thellë dhe më reale në arsim. Këtu nuk çështje doktoraturash, këtu është çështje lidershipi. Këtu nuk është çështje profesorati, këtu është çështje kapaciteti për të drejtuar duke dialoguar. Këtu nuk është çështje burrërie, këtu është çështje qëndrueshmërie. Të gjitha këto karakteristika, pa të cilat nuk ka shans të udhëhiqet dhe të çohet përpara me sukses një reformë, janë karakteristika të një gruaje në detyrë. Jam i bindur që Thatcher ka thënë një të vërtetë shumë të madhe, të cilën unë  kam patur mundësinë ta provoj më shumë se një herë në punën tonë. Do muhabet, gjej burra dhe ke sa të duash. Do të mbarosh punë, më mirë me gra sepse mbaron më shpejt. Tek burrat midis të thënës dhe të bërës është në mes një det i tërë. Kurse me gratë diskutimi është gjithmonë në fillim. Por ju them edhe një gjë tjetër. Pavarësisht se çfarë thuhet dhe çfarë dëgjohet lidhur me mua dhe me raportin tim me ministrat, debatet më të vështira dhe tërheqjet më të mëdha në debat unë i kam me gratë ministre, jo me burrat.

Debatin më të vështirë, ku jam tërhequr unë e kam patur me Lindita Nikollën për mënyrën sesi duhej çuar përpara reforma në arsim. Koha i dha të drejtë Linditës, megjithëse do të kisha dashur më të jepte të drejtë mua.

Besoj shumë që ne jemi sot në një moment kyç, sepse po bëjmë diçka shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Jemi larg të qenit të përsosur, jemi larg të qënit të pagabueshëm, jemi larg së qëni në pozicionin kur themi se gjithçka që kemi bërë, e kemi bërë mirë, apo që gjithçka që kemi bërë ne, njerëzit duhet të na duartrokasin. Por, jemi sot në kushtet kur duhet të jemi të vetëdijshëm për një fakt që askush përpara nesh nuk ka tentuar ta bëjë këtë që bëmë ne, dhe askush përpara nesh nuk ka shkuar kaq larg sa kemi shkuar ne, në përpjekjen për të operuar organizmin e shtetit tonë. Një organizëm i kapur në çdo organ të vetin nga një kancer sistemik për vite dhe vite të tëra dhe i degraduar në periudhën e qeverisë së vjetër në një situatë thuajse të pashpresë.

Ne patëm kurajën që të ndërmarrim një proces reformash në të gjithë spektrin dhe të prekim çdo sektor. Më thoni një sektor ku nuk ka një reformë. Më thoni një sektor ku thjesht duhet të siguronim vazhdimësi dhe jo të bënim reformë, pra operacion të thellë.

Financat i gjetëm në kushte dramatike dhe na u desh të thërrisnim zjarrfikëset e FMN-së për të parandaluar kolapsin energjetik dhe financiar të vendit.

Ekonominë e gjetëm në kushtet e një stanjacioni të plotë, një lëngim në zvarritje.

Energjinë e gjetëm në kushte të paparashikueshme më, për çfarë do të na ndodhte me një kompani të shpërndarjes së energjisë, që kishte akumuluar 1 miliard dollarë borxhe nga viti 2007 deri në vitin 2013, të shpronësuar forcërisht me një gjyq në horizont, ku Shqipëria ishte e humbur dhe me një konsumator të mësuar që ta vidhte kompaninë. Ndërkohë që buxheti i shtetit me taksat e atyre që paguanin taksa duhet të derdhte çdo vit 150 milion dollarë për të mbushur gropën e vjedhjeve dhe të humbjeve.

Arsimin e gjetëm me universitete piramidë, pasojat e cilave vazhdojnë dhe do të vazhdojnë  për vite të tëra në lëkurën e vajzave dhe djemve dhe të familjeve që i besuan atij sistemi. Me tekste që nuk i merrnin vesh mësuesit, nuk i merrnin vesh prindërit dhe nuk kishin si ti merrnin vesh nxënësit. Me një sistem të marrjes në punë të mësuesve tërësisht të korruptuar.

Shëndetësinë, me njerëzit e varur nëpër hekurat e spitaleve dhe duke ulëritur se nuk kishin asgjë dhe me receta në dorë, që nuk mund të blinin ilaçe as te privatet se nuk kishte më.

Pensionet ishin në prag të kolapsit.

Ndihma ekonomike ishte në prag të kolapsit. Rrugët, infrastruktura ishin të gjitha të hapura dhe të shpartalluara pa asnjë kokërr leku në buxhet.

Cili sektor ishte në gjendje normale që ne të mund të vazhdonim një punë normale?! E nga ana tjetër, reformat që po bëjmë janë reforma që përcaktojnë 20 vitet e ardhshme, siç mungesa e reformave në 20 vjet, përcaktoi fatin e gjeneratës të djalit dhe vajzës time, të mëdhenjve, dhe të gjithë djemve dhe vajzave tuaja që sot janë 25 vjeç.

Nëse ajo çka ne po bëjmë me pensionet, prej vitit 2014, solli që sot janë 20 mijë gra që kanë dalë në pension në 2015 e deri tani dhe që kanë një pension më të lartë, falë ligjit të ri, parafytyroni se sa shumë më tepër do të ishin gratë që do të kishin një pension më të lartë nëse reforma do të ishte bërë më parë. Po nëse do të kishim bërë më parë reformën e energjisë. Nëse më parë do të ishin kujtuar të tjerët ti thonin shqiptarëve “nuk vidhen dritat”, “nuk mundet ti marrësh dritat dhe të mos i paguash”, ne do të kishim përfituar 60 vjet investime në shëndetësi, pra që do të thotë se do të ishim 60 vjet përpara, në raport me atë që jemi.

Do të kishim përfituar 40 vjet investime në arsim  që do të thotë se sot Shqipëria nuk do të kishte asnjë shkollë të pandërtuar apo të parindërtuar, apo asnjë kopësht dhe asnjë çerdhe të parindërtuar, me paratë që do të kurseheshin. Po sikur më parë qeveria tu kishte thënë qytetarëve se nuk mundet dot që të jetojmë duke vjedhur njëri-tjetrin, prandaj taksat duhen paguar, kuponi duhet dhënë, dhe secili duhet të marrë atë që i takon. Do të ishte një shifër ende më e madhe sesa ajo që do të kishim fituar nga reforma në energji.

Pra të gjitha këto janë tregues të asaj që po përpiqemi të bëjmë. Sigurisht që ajo që po përpiqemi të bëjmë, nuk është ende aty ku do të jetë kur ne ta bëjmë.

Është një proces, është një operacion që ka vetëm një shans të dali me sukses për të gjithë dhe ti japë gjeneratës tjetër Shqipërinë, që ne duam për të, Partinë Socialiste në krye të vendit.

Vetëm me Partinë Socialiste në krye të vendit këto reforma do të mund të shkojnë deri në fund. Për këtë na duhet një Parti Socialiste më e fortë. Për këtë PS sot është në shënjestrën  e të gjithë atyre që nga ky proces janë të prekur në gjithfarësoj mënyrash.

E për këtë ka një përpjekje të vazhdueshme që do të shkojë duke u rritur për të kriminalizuar PS, për të kriminalizuar qeverisjen e vendit, për të kriminalizuar çdo vendim, për të kriminalizuar çdo reformë, për të kriminalizuar çdo akt.

Si mund të shpjegohet që një ministër, ministri i brendshëm, në dy vjet e gjysmë detyrë të jetë sulmuar nga opozita 1300 e kusur herë zyrtarisht, konferenca shtypi, deklarata, fjalime në Parlament. Çfarë shpjegimi ka kjo?! Ndërkohë që shifrat e kriminalitetit flasin vetë. Ndryshimi i policisë së shtetit është i dukshëm. Ndërkohë që rendi dhe siguria sot janë shumë më mirë, seç ishin dy vite e gjysmë më parë. Ka një arsye, është ajo arsye që del gjithmonë përpara, sa herë ka një reformë, kudo, edhe në Amerikë, edhe në Angli, Indi, dhe në çdo vend dhe në varësi nga niveli i zhvillimit të vendit, merr përmasa të ndryshme. Rezistenca ndaj reformave, rezistenca e interesave.

Një shembull ishte ky ministër i brendshëm, i kësaj qeverie që drejtoi operacionin për të fshirë nga faqja e dheut republikën e turpit në Lazarat. Ajo republika e turpit nuk është vetëm ajo që ne shihnim, ca fusha me bar magjik dhe ca gangsterë lokalë me automatikë, që i bënë rezistencë 6 ditë policisë. Republika e turpit kishte një bankë që qarkullonte miliarda para të zeza. Ato miliarda ishin ato që u dogjën bashkë me bandën kur mori flakë republika. Por ato miliarda shkonin diku, ndaheshin mes disave dhe këta “dikushët” sigurisht që janë të zemëruar dhe kanë të drejtën legjitime të kërkojë të marrin hak dhe si kudo, hakun kërkojnë ta marrin duke nxjerrë maskat e politikës përpara, lloj-lloj maskash. Maska që dalin në emër të partisë në opozitë, në emër të lirisë së medias, e gjithfarëlloj sebepesh dhe që flasin për krimin dhe kriminalizimin. Përpiqen të identifikojnë Partinë Socialiste, grupin parlamentar të PS-së, qeverinë socialiste me krimin dhe kriminelët, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe.

E vërteta është që ne jemi forca politike që pavarësisht papërsosmërisë së vet, - se të përsosur s’do jemi kurrë, - ka sjellë në Kuvendin e Shqipërisë, jo kriminelët, por numrin më të madh të grave dhe vajzave që ka pas ndonjëherë Kuvendi i Shqipërisë. I ka sjellë programi i Partisë Socialiste, i ka sjellë vota e socialistëve dhe mbështetja në radhë të parë e jona, si forca më e madhe politike e vendit. Ashtu, sikundër, jemi forca që ka sjellë numrin më të madh të grave në qeveri.

Edhe një shembull tjetër, sulmohet ministri i Shëndetësisë, po për çfarë sulmohet? Fjalë në erë, “vjedhje”, “hajdutëri”, “kusari”. Fakti është që ministri i Shëndetësisë ka udhëhequr programin e PS-së, në të cilin, ne jemi angazhuar që nuk do të shitet më në Shqipëri asnjë ilaç më shtrenjtë se në vendet e origjinës. I vetmi vend në Europë dhe vetëm në dy vende në botë shiteshin ilaçe më  shtrenjtë se në vendet e origjinës, në Shqipëri dhe në Meksikë. Në Meksikë, sot që flasim, zhvillohet një luftë për këtë çështje.

Në Shqipërinë tonë të vogël, duke vendosur këtë rregull të pakapërcyeshëm, 70 milionë dollarë, u janë hequr nga xhepat disave dhe u janë lënë në arkën e tyre të gjitha familjeve që kanë nevojë të blejnë ilaçe për njerëzit e tyre. Me këto 70 milionë dollarë shqiptarët e zakonshëm nuk blejnë ilaçe, se ilaçet kushtojnë më pak, blejnë gjëra të tjera. Po këto 70 milionë dollarë mungojnë në xhepat e atyre që përdorin maskat e partisë në opozitë dhe të gjitha maskat e tjera, të cilat ushqeheshin me ato para.

E ka thënë Gandi dhe shumë të tjerë: “Çdokush që ndërmerr një reformë duhet të llogarisë se ne radhë të parë do përqeshet, nuk e merr njeri seriozisht”. Pse, pak jemi përqeshur nga gjithfarë cinikësh dhe gjithfarë maskash?!  “Rilindja, Rilindja, ç’është kjo Rilindja”?

Pak jemi përqeshur për legalizimet falas? Sot janë afro 45 mijë familje që i kanë marrë lejet e legalizimit falas dhe deri në fund të këtij vitit janë dhe 60 mijë të tjera.

Pak jemi përqeshur për taksat? “Ç ‘është ky taksim i ndershëm, s’ka taksim të ndershëm, taksa e sheshtë është magjia, etj.”

Sot çdo shqiptar në sektorin publik, apo privat, që merr një rrogë 1 milion lekë të vjetra e poshtë, ka më shumë para në xhep seç kishte përpara se të vinte PS në qeveri dhe të bënte kalimin nga taksa e sheshtë në taksimin e ndershëm. Në totalin e tyre, këtyre shqiptarëve, që janë 97% e atyre që marrin një pagë në shtet, apo në privat, ne u kemi kursyer mesatarisht 270 milionë dollarë në vit nga ulja e taksave.

“Pasi do përqeshet, - thotë Gandi, - do përbaltet.”

Nuk kanë argumente, nuk kanë ide, nuk kanë forcë të na dalin përballë e të na thonë pse nuk duhet bërë kontrolli mjekësor falas, dhe si duhet bërë ndryshe, që shteti mos paguajë asgjë, të mos marrë asnjë partner privat dhe ndërkohë Shqipëria mos jetë i vetmi vend i Europës dhe me siguri nga të paktët në botë, ku njerëzit e vet i ka pa kartelë shëndetësore. Njëherë e një kohë, këtu, në këtë vend, kishin kartele edhe viçat edhe qengjat edhe pulat. Sot ne kemi trashëguar një vend që s’ka kartelë për njerëzit. Të na e thonë! Nuk kanë se çfarë të na thonë, se as nuk dinë as nuk munden.

Atëherë  thonë korrupsioni. Po ku është korrupsioni? Cili është korrupsioni që me avazin e qeverisë së vjetër, një shqiptar që do të bëjë kontrollin mjekësor duhet të paguajë 51 mijë lekë të vjetra dhe me qeverinë tonë, nga mosha 40 deri në 65 vjeç, shkon e bën falas. Ky është korrupsioni?! E që me paratë e qeverisë tonë i kushton secilit nga ne 18 mijë lekë të vjetra nga taksat.

“Pastaj, - thotë Gandi, - kush duron përqeshjet, kush përballon përbaltjen, triumfon”.

Prandaj na duhet sot dhe mot një Parti Socialiste dy herë, tre herë, pesë herë, dhjetë herë më e fortë seç është, sepse na duhet dy herë, tre herë, pesë herë, dhjetë herë më shumë forcë, energji, angazhim, vendosmëri për të mos u zmbrapsur përpara kësaj rezistence që do shkojë duke u shtuar dhe përpara këtij llumi balte që do shkojë duke u dendësuar, në mënyrë që këtë betejë, që nuk është beteja për të fituar zgjedhjet e ardhshme, - se me reforma, pa reforma PS i ka fituar dhe do ti fitojë zgjedhjet, - beteja është për të fituar luftën me prapambetjen dhe për t’i lënë në dorë gjeneratës tjetër një vend që nuk është si vendi që i mbeti gjeneratës së viktimave të universiteteve piramidë.

Në fund, sot në mëngjes, pasi mbarova punë me lulet, takova dhe hëngra mëngjes me disa gra sipërmarrëse. Gra të suksesshme që vinin nga të gjitha rrugët e jetës dhe që asnjëra nuk ishte anëtare e Partisë Socialiste. Nuk e di sa ishin votuese të Partisë Socialiste! Po ju them një gjë, u ndjeva mirë për diçka që ma thanë ato dhe që ma thonë të gjithë sipërmarrësit, në të gjitha takimet joformale që bëj: “Ka plot gjëra për të rregulluar, por ka dy gjëra që nuk kanë të krahasuar me dy vjet e gjysmë përpara. E para, që sot shumë prej problemeve që kishim me administratën tatimore dhe doganore nuk ekzistojnë më. E dyta, për çdo problem që kemi, ne gjejmë veshë që na dëgjojnë dhe shohim vazhdimisht vullnet që gjërat që bëhen të bëhen dhe për gjërat që nuk bëhen të na thuhet - kjo nuk bëhet”.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim