Që prej shpalljes “non grata” në vitin 2021 e deri më sot, Sali Berisha është politikani me prezencën më të madhe televizive në vend. Sipas raporteve të AMA-s mbi monitorimin e kohës mediatike, ai rezulton ndër figurat politike më të shfaqura në ekran, me një dominim absolut gjatë gjithë kohës. Mjafton të hapësh televizorin për të kuptuar se Berisha është aty mëngjes dhe mbrëmje.
Kur të tjerët kanë pushuar, Berisha ka qenë në televizor. Kur të tjerët kanë festuar, ai sërish ka dalë në ekran. Asnjë ditë pushim, as të shtuna, as të diela, as festa kombëtare, as ditë zie. Ka folur kur ka pasur diçka për të thënë dhe, edhe më shpesh, kur nuk ka pasur, duke ripërsëritur të njëjtat mesazhe, të njëjtat akuza, të njëjtën narrativë prej tre dekadash.
Cili ka qenë rezultati i gjithë kësaj energjie?
Nga viti 2021 e deri sot, PD ka humbur çdo përballje, ka dalë humbëse në çdo garë, duke filluar nga zgjedhjet parlamentare te ato vendore. Ka rreth 200 e ca mijë vota më pak se në vitin 2021, ka 14 deputetë më pak dhe kontrollon më pak se gjysmën e bashkive që kishte në vitin 2015, kur u aplikua ndarja e re territoriale. E gjitha kjo, ndërsa Berisha ka qenë faktikisht lideri më i pranishëm në media në vend, me një intensitet që as partia në pushtet nuk e kanë pasur kurrë.
Në këtë situatë, PD nuk ka pse të lodhet duke kërkuar strategji madhështore për të “rrëzuar regjimin”. Zgjidhjen e ka shumë më të thjeshtë, shumë më pranë, shumë më të matshme. Ajo mund të tentojë që të ndërpresë për një periudhë (të paktën, deri në zgjedhjet e radhës) çdo shfaqje televizive të Sali Berishës. Të mos i çojë asnjë kamer, asnjë mikrofon, asnjë dritare mediatike. Ta lërë të bëjë deklarata brenda selisë dhe ato të qarkullojnë vetëm brenda saj, por jo jashtë, për publikun. Madje, për siguri, t’i mbyllë dyert sa të mos e shikojnë as Noka, as Shehu, as Vokshi, se mos dalin pamjet gabimisht dhe ata e dekonspirojnë këtë eksperiment.
Qoftë edhe si projekt pilot, le të provojë PD-ja, për herë të parë në 30 vite, një eksperiment që nuk ka të bëjë me statute, kuvende, primare, simbole a flamuj, protesta, revolucione, përmbysje, revolta. Që të jemi më të qartë, nëse duan, le ta mbajnë Berishën në krye edhe post mortum, pas njëqind vjetësh po të duan, por të paktën ta mbajë larg televizorit për një periudhë prove. Nuk është shumë se zgjedhjet vijnë shpejt. Ta bëjnë këtë vetëm për të parë efektin.
Ka tre dekada që PD bën eksperimente të dështuara. Pse të mos provojë më në fund një eksperiment që mbase funksionon? Ndoshta, për herë të parë, PD-ja do të kuptojë se zgjidhja jo vetëm ekziston, por ka qenë gjithnjë aq afër: mjafton të mos dalë Berisha në televizor.
Komente









