Fjala e kryeministrit Edi Rama në prezantimin e programit “Trashëgimia-Motor Zhvillimi”‏

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit për mikpritjen, në këtë vend të bekuar. Nuk e kam fjalën vetëm për sheshin e kishës, por e kam fjalën për gjithë Vunoin, ku ne kemi ardhur, duke marrë shkas nga përfundimi i punimeve për restaurimin e kishës që dy vjet më parë u shemb, por në fakt duam që të flasim për një program të ri që përfshin Vunoin dhe Dhërmiun e vjetër. Një program rijetëzimi, duke ndërhyrë në mënyrë kapilare, qelizë më qelizë, në të gjitha rrugicat, muret, dritaret, çatitë, për t’i rikthyer këtyre dy perlave të Jonit, por edhe të gjithë bregut të Shqipërisë, rrezatimin e humbur në kaq shumë vite braktisjeje nga ana e shtetit, por edhe largime të familjeve.

 “Marrëdhënia e njeriut me trashëgiminë historike dhe kulturore është si marrëdhënia e fëmijës me nënën,” - thotë një shkrimtar i shquar. Faktikisht, ne po përpiqemi përditë, edhe pse mundësitë janë shumë të kufizuara, nevojat janë të jashtëzakonshme e nganjëherë alarmante në të gjithë territorin e Shqipërisë, që t’i japim kësaj marrëdhënieje një përmasë të re dhe jo vetëm të shpëtojmë atë çka kemi trashëguar, por edhe ta kthejmë në një instrument zhvillimi ekonomik dhe social.

 Asnjë vend, asnjë shtet në rajon apo Europë, që do të kishte Vunoin, Dhërmiun, Himarën e vjetër apo Qeparoin e vjetër e kështu me radhë, nuk do ia kishte lejuar kurrë vetes që për 20 e kusur vite t’i linte në këtë katandi e të pranonte të rrënoheshin para syve të tij. E po të përfshijmë këtu edhe Gjirokastrën, Beratin e me radhë, pamja e papërgjegjshmërisë dhe e mungesës së plotë të ndjeshmërisë së shtetit bëhet katastrofike.

 Këtu në këtë kishë ka një mbishkrim ku thuhet se ajo është rindërtuar nga banorët e këtij fshati, me shpenzimet e tyre, mes viteve 1778 dhe 1784. Pra, qindra vjet më parë, paraardhësit tanë në këtë fshat, me shpenzimet e tyre e rindërtuan këtë kishë. Ndërkohë që qindra vjet më vonë, në shekullin e XXI, kjo kishë ra përmbys, sepse një shtet i tërë nuk deshi t’ia dinte dhe nuk është e vetmja. Është historia e trishtueshme, tragjike e shumë monumenteve të kulturës në gjithë këto vite. Kështu kanë rënë, njëra pas tjetrës, shtëpitë në Gjirokastër, kështu janë rrënuar njëra pas tjetrës, vepra të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë dhe kulturën tonë.

 Është akoma më tronditës fakti që shembja e kishës nuk ishte një fenomen që ndodhi në një ditë, por filloi pas djegies së çatisë saj në vitet ’97-’98-të dhe u gërrye i gjithë trupi i saj nga harresa, nën shi e nën erë. U desh të kalonin 16 vjet, që godina e kishës të rimëkëmbej. Ndërkohë që brendia e saj, me çka ka brenda si vlerë e bën kriminal, dimensionin e kësaj braktisjeje.

 Por ne duam të shkojmë më tutje dhe këtë që ndodh me këtë godinë të vogël, ta bëjmë të ndodhë me të gjitha godinat e Vunoit, Dhërmiut dhe t’i japim gjithë kësaj zone turistike, një forcë të re për t’u zhvilluar dhe t’i kthejmë këto mjedise të trashëgimisë historike dhe kulturore në një motor zhvillimi të mëtejshëm për gjithë zonën.

 E vërteta është që për vlerat e rëndësishme kulturore, qoftë kalaja, qoftë fshati i vjetër i Himarës, qoftë Dhërmiu dhe Vunoi i vjetër, u vunë prej nesh në mbrojtje shtetërore. Ne nisëm një studim të hollësishëm, për të identifikuar një e nga një çdo mur dhe çdo dritare që i përket trashëgimisë. Vetëm në zonën e Vlorës, jo në qark, por në zonën e Vlorës, janë 110 monumente kulture, shumë prej të cilave gjendet pikërisht në Vuno, në Dhërmi dhe në Himarë.

 Dua t’ju kujtoj që dy vjet e gjysmë më parë, ne i gjetëm këto monumente në mëshirën e fatit, ndërkohë që trashëguam vetëm për këtë detyrë të shtetit në mbrojtje të monumenteve, 2 140 000 dollarë borxhe. Asnjë inventar! Parafytyrojeni një shtet që s’ka asnjë inventar për monumentet e kulturës dhe objektet e trashëgimisë kulturore. Me investime të papërfillshme, por dhe me ato të bëra kuturu, lart e poshtë, pa asnjë lloj plani të përgjithshëm, e pa asnjë lloj ideje se çfarë do të sillnin mbrapsht investimet e bëra, të cilat gjithmonë, - dihet botërisht, sidomos në këtë fushë,  janë nxitje për zhvillime indirekte rreth këtyre investimeve që sjellin rritje të ekonomisë familjare në zonat ku ka monumente të këtyre vlerave.

 Kjo ishte një situatë në të gjithë territorin. Nuk ishte vetëm Vunoi, Dhërmiu, Himara e vjetër apo Qeparoi. E gjetëm pa asnjë mbrojtje, një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të kulturës tonë, fototekën e dinastisë së Marubëve. E gjetëm të mbyllur me një dry të ndryshkur, nga ato drynat që mbyllin magazinat ku s’ka asgjë brenda, Muzeun Arkeologjik të Durrësit, ku objektet ishin lënë tërësisht në mëshirën e fatit dhe ku edhe vetë inventari ishte copë-copë. Po kështu, kishat dhe ikonat mesjetare në zonën e Korçës, ishin lënë tërësisht në harresë.

 Ndërkohë, sot jemi në prag të çeljes së dyerve për Muzeun e ri të Marubit, një muze i standardeve europiane në Shkodër, që do të garantojë jo vetëm mbrojtjen, sipas gjithë kushteve, të të gjithë pasurisë së fototekës, por edhe promovimin e asaj vlere të madhe, aksesin në atë vlerë të të gjithë vizitorëve dhe shfrytëzimin e saj për të krijuar vlerë të shtuar financiare dhe ekonomike për të gjithë Shkodrën, që do të përfitojë qoftë edhe vetëm nga muzeu, një rritje të interesit dhe të vizitorëve.

 Çelëm dyert e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, pas një pune kolosale dhe shumë të imët për të pastruar të gjithë objektet, për t’i inventarizuar dhe për t’i vënë ato në sytë e të gjithë vizitorëve. Jemi në prag të çeljes së dyerve të Muzeut të ri të Artit Mesjetar në Korçë, që do të jetë një tjetër vlerë e shtuar në atë zonë dhe që njësoj si muzeu i Marubit do të sjellë rritje të interesit dhe të numrit të vizitorëve.

 Kemi vazhduar me shumë projekte restaurimesh në të gjithë territorin dhe kemi bërë të pamundurën që asnjë objekt kulti i çfarëdo besimi të mos vazhdojë të degradojë dhe pak nga pak, objektet e kultit të rifillojnë të dalin në pah, si një prani e rëndësishme në jetën tonë të përbashkët, në funksion të një trashëgimie të harmonisë dhe të bashkëjetesës fetare që kemi detyrim të gjithë bashkë ta ruajmë.

 Rijetësimi kulturor i këtyre fshatrave, që ecën paralel me programin për Bregun e Jonit, për pastrimin e territorit nga informaliteti dhe abuzimet, duke filluar nga pastrimi i xhunglës së titujve të rremë të pronësisë, 11 mijë hektarë tituj të rremë pronësie, të zhvendosur nga pronarë legjitimë tek pronarë të supozuar, do t’i rikthehen qoftë shtetit, qoftë njerëzve.

 Ashtu sikundër do t’i rikthejmë të gjithëve një territor të pastruar nga lloj-lloj çibanësh informalë. Kemi bërë një punë të konsiderueshme, por është një punë që duhet të vazhdojë, sepse nuk mund të bashkëjetojnë këto vlera të mëdha që kanë krijuar të parët tanë, duke krijuar shtëpi që sot janë monumente kulture, siç është praktikisht një zonë e mbrojtur kulturore i gjithë fshati i Vunoit apo i Dhërmiut, me ngrehina të shëmtuara që vetëm prishin harmoninë dhe cenojnë jo vetëm pamjen, por edhe përmbajtjen e këtyre territoreve.

Pas përfundimit të studimit dhe të projektit, ne jemi gati të fillojmë nga investimi. Do të investojmë një shumë të konsiderueshme, qoftë në Vuno, qoftë në Dhërmi, qoftë edhe më tej, në Qeparo, ku ka filluar studimi, - flas për Qeparoin e vjetër lart, se në Qeparoin e poshtëm ndërkohë po investohet. Po investohet gjithashtu në vijën bregdetare të Himarës, e cila ishte kthyer në një “Bathore” buzë detit dhe po rikthehet në një qytet turistik mesdhetar, ku do të rritet padiskutim numri i vizitorëve. Po investojmë në studimin e ri, për të investuar pastaj për rehabilitimin urban, edhe poshtë në Dhërmi, në Jal, një perlë që është kthyer edhe ajo, në një situatë të paimagjinueshme me ndërtime pa lidhje, por, mbi të gjitha, me një infrastrukturë të papranueshme, mbushur me gropa në mes të sheshit.

Kështu po investojmë që brenda një kohe të shkurtër t’i japim gjithë vijës bregdetare, një pamje dhe një mundësi tërësisht të re, në mënyrë që të gjitha shtëpitë të kthehen në funksion të turizmit. Mund të ndërtohen shumë shtëpi të reja apo dhe resorte turistike, por nuk ka investitor apo kapital që ndërton një resort natyral turistik, siç është Vunoi i vjetër, Dhërmiu i vjetër, apo Qeparoi i vjetër. Mjafton që ne të investojmë në këto shtëpi dhe t’u japim mundësi familjeve, janë apo s’janë këtu, që t’i hapin shtëpitë për turistët dhe të marrin fitime nga shtëpitë e tyre, por të rrisim jashtëzakonisht shumë dhe kështu do ndodhë, numrin e njerëzve dhe interesin, bashkë me imazhin shumë të dëmtuar të Shqipërisë turistike në gjithë këto vite, ku, faktikisht, ju të gjithë jeni dëshmitarë sesi ndërtimet pa leje dhe plehrat kanë qenë aktiviteti më intensiv, ndoshta i vetmi aktivitet që është bërë në gjithë këtë zonë, ku për të shkuar deri te dhoma, turistëve u është dashur të kalojë përmes kodrave me plehra në mes të lulishteve, në anë të rrugëve nacionale e kështu me radhë.

 Bashkë me bashkinë e Himarës kemi një plan konkret për të gjitha këto që thashë dhe të tjera. Të jeni të bindur që në pak vjet, çka po bëjmë, çka po themi e çka do vazhdojmë të bëjmë, do të jetë një realitet tërësisht i ri, një bregdet i rilindur, në kuptimin më të mirë të fjalës. Unë e di që pritshmëria është e madhe dhe ne, kjo na nderon, e di që padurimi është i madh dhe ne, kjo na mundon. Nuk keni faj as ju, as qytetarët në Fier, në Vlorë, në Tiranë, në Tropojë, sepse kanë pritur shumë vjet dhe tani duan që çdo gjë të bëhet menjëherë, por s’bëhet menjëherë, sepse vetëm për të bërë projektet duhet kohë dhe ato nuk bëhen pa studime të mirëfillta.

 Ndërkohë, bashkë me projektet duhen bërë edhe inventarët, se ishte bërë shteti si magazinë pa asnjë inventar dhe veç kësaj kishte edhe një mal me borxhe. Duke u çliruar nga laku i borxheve të qeverisë së shkuar, duke vënë në vijë inventarët në çdo sektor, duke bërë studimet e projektet, kemi bërë një punë goxha të rëndësishme, për të vazhduar më tutje edhe me më shumë investime konkrete dhe për të krijuar një zinxhir investimesh që nuk do të ndërpriten dhe që do t’i japin Bregut të Jonit, të gjithë atë mundësi dhe rrugë të re zhvillimi që është absolutisht e mundur, por që është bërë e pamundur gjithë këto vite për shkak të papërgjegjshmërisë, injorancës, babëzisë e gjithë veseve që e kapën për fyti politikën dhe qeverinë në Tiranë dhe nuk e lejuan të shikojë të ardhmen, për njerëzit e këtij vendi.

 Shumë faleminderit të gjithëve! Si nip nga Vunoi jam në të drejtën time të jem posaçërisht i kënaqur që, më në fund, kësaj toke t’i krijohet mundësia që të rilulëzojë, të na krijohet mundësia të vijmë e të kalojmë kohë më të gjatë, aty te sheshi i vogël pranë lapidarit, ku është traditë që pleqtë mblidhen e flasin për problemet e botës.

 

***

 “Trashëgimia-Motor Zhvillimi” është programi i ri për rijetëzimin kulturor, turistik, ekonomik e social të Bregut të Jonit. Nëpërmjet restaurimit, konservimit dhe rehabilitimit të vendbanimeve tradicionale dhe zonave të trashëgimisë kulturore synohet të rigjallërohen vlerat tradicionale të komunitetit, rritja e turizmit dhe zhvillimi ekonomik i zonës.

 Prezantimi i kësaj nisme u bë në sheshin para kishës së Vunoit, ku ka përfunduar edhe restaurimi i saj. Pas shkatërrimit që pësoi me djegien e çatisë në vitin 1998 dhe rrënimit të trupit të saj përgjatë 16 viteve, kisha e Shën Spiridhonit është ribërë nga e para, duke rifituar vlerat si një ndër objektet e çmuara të pasurisë sonë historike dhe kulturore. Ministria e Kulturës financoi restaurimin e plotë të saj, që e vendosur në lagjen e poshtme të Vunoit formon një ansambël së bashku me ndërtesat e tjera.

Kisha e Shën Spiridhonit është një ndër 110 monumentet e kulturës, me rëndësi të madhe për historinë dhe kulturën tonë, por që u lanë të degradohen në harresë dhe mungesë të plotë vëmendjeje. Për të frenuar rrënimin total të këtyre monumenteve, ato u vendosën në mbrojtje shtetërore dhe ka nisur një program rijetëzimi. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro nënvizoi se një nga pasuritë e kësaj zone janë kishat dhe banesat karakteristike, ku vetëm në Vuno e Dhërmi janë identifikuar 550 të tilla, për të cilat po përgatiten projektet e restaurimit. Në kuadër të projektit “Rrugëtimi i Besimit” janë gati projektet e restaurimit për 9 kishat më të rëndësishme të Bregut.  

 Si pjesë të masave për ruajtjen e vlerave historike, urbanistike e arkitektonike, u njoftua edhe shpallja e Qendrës Historike të Himarës, Dhërmiut  dhe Vunoit dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth. Në përputhje me vlerat e çdo zone janë përcaktuar edhe kriteret për ndërhyrjet konservuese, restauruese dhe rikualifikimit urban. Ndërkohë një paketë investimesh do të përfshijë jo vetëm rigjallërimin kulturor të Bregut të Jonit, por edhe zhvillimin tërësor të tij.  ​

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari