Fjala e Kryeministrit Edi Rama në QSUT:

Është vërtet një operacion i jashtëzakonshëm në sistemin e shëndetësisë, operacioni që sot po asistojmë, për të ndarë me publikun një tjetër hap me rëndësi strategjike në funksion të rilindjes së sistemit shëndetësor shqiptar, të modernizimit të shërbimit spitalor dhe të përballimit me standarde dinjitoze të detyrës, për të dhënë shërbim publik shëndetësor.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, operacionet kirurgjikale janë shndërruar në burimin më të madh të invaliditetit dhe vdekshmërisë në botë. Në shumë vende të varfra, por edhe në shumë vende në zhvillim, siguria e kujdesit kirurgjikal nuk njihet si një shqetësim për shëndetin publik, për shkak se bëhet fjalë për një standard që kërkon shpenzime të konsiderueshme. Numri i operacioneve kirurgjikale në botë vlerësohet të jetë rreth 250 milionë në vit, ose 1 operacion për 25 persona. Në Shqipëri, çdo vit realizohen rreth 50 mijë ndërhyrje kirurgjikale, nga të cilat, gjysma e tyre bëhen këtu në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ne kemi gjetur një inventar ekzistues instrumentesh kirurgjikale që nuk do të pranoheshin në asnjë spital në Europë dhe që në një vend normal do të shkonin të gjitha për skrap. Një inventar që, përveçse shumë i vjetër, aspak i larmishëm dhe shumë larg kapaciteteve për të mundësuar teknika bashkëkohore të ndërhyrjeve kirurgjikale. Po ashtu, instrumentet e trashëguara prej shumë vitesh nuk ofrojnë sigurinë maksimale të sterilizimit, bazuar edhe në raportin e Institutit të Shëndetit Publik dhe faktikisht provokojnë përhapjen tej normave të lejuara të infeksioneve spitalore dhe cenojnë sigurinë e jetës së pacientëve.

Ka një tjetër të dhënë që është rrëqethëse. Sipas OBSH-së, gjysma e rasteve botërore, kur verifikohen komplikacione apo probleme shëndetësore si shkak i ndërhyrjeve kirurgjikale, janë të parandalueshme. E pra, një nga aspektet e programit tonë për të rilindur sistemin e shëndetësisë në Shqipëri ka qenë pikërisht rritja e cilësisë së shërbimit në kirurgji dhe e sigurisë në ofrimin e tij, duke filluar nga furnizimi i të gjithë spitaleve të vendit me instrumente kirurgjikalë modernë dhe cilësorë.

Sot, ne patëm privilegjin të bëjmë edhe një vizitë, të shoqëruar nga drejtuesit e kompanisë që ka marrë përsipër të kryejë këtë shërbim për llogari të shtetit shqiptar, ku pamë instrumente jo vetëm të rinj, në kuptimin të sapoprodhuar, por edhe të teknologjisë më të fundit.

18 muaj do të na duhen që ta shtrijmë këtë shërbim në të gjithë Shqipërinë. E fillojmë në këtë spital, ku bëhet gjysma e ndërhyrjeve kirurgjikale dhe në një kohë relativisht të shpejtë mbulojmë të gjithë nevojat për instrumente kirurgjikalë të këtij spitali dhe në 18 muaj çdo sallë operacionesh në Republikën e Shqipërisë do të shërbehet nga kjo bazë dhe çdo kirurg e grup mjekësh do të ketë në dispozicion këto instrumente.

Përveç furnizimit është sterilizimi cilësor i këtyre instrumenteve kirurgjikalë. Këtu pamë një infrastrukturë sterilizimi spektakolare, ofrimin e materialeve të buta ndihmëse, njëpërdorimësh, për ekipin mjekësor dhe shtratin e operacionit. - Falënderoj mikpritësit që kishin gjetur edhe për këmbën time, jo fort normale në përmasë, materialet e duhura për t’i vënë mbi këpucë dhe për të bërë vizitën. – Apo dezinfektimin e sallës së operacionit, në fund të ditës dhe përpunimin e mbeturinave të rrezikshme dhe shndërrimin e tyre në mbetje urbane.

E gjithë kjo është një revolucion brenda sistemit, që vjen si rezultat i një procedure “të mallkuar”, “të kriminalizuar” dhe të akuzuar e kthyer madje, në denoncim në prokurori, Partneriteti Publik-Privat, që këtu është banalizuar me fjalën e turpshme “koncesion” dhe është kthyer nga injorantët dhe nga ata që injorancën e tyre e bëjnë argument, në një shfaqje të huaj. Në fakt është vetëm nëpërmjet Partneriteti Publik-Privat  që të mund të zhvillojmë një sistem shëndetësor modern, të besueshëm dhe të qëndrueshëm. Jo ne që jemi një vend me një shtet me të ardhura modeste për nevojat që ka një shëndetësi jo modeste, po e standardeve europiane për t’u financuar, por edhe vende shumë më të zhvilluara se ne, Italia fqinje, që në sistemin shëndetësor është një nga vendet më të përparuara në Europë, apo Turqia mike, që është e njohur për një revolucion në fushën e transformimit të infrastrukturës së shërbimit shëndetësor e me radhë vendet e tjera i janë kthyer Partneriteti Publik-Privat, apo atij që tek ne konsiderohet si shfaqje e huaj me fjalën “koncesion”, për të siguruar me shpenzime të shtrira në kohë, shërbime që merren tani.

Nëse ne, këtë projekt do ta financonim me paratë e buxhetit të shtetit, nuk do ta shtrinim dot në 18 muaj në të gjithë territorin, por do të na duheshin ndoshta 18 vjet. E jo vetëm kaq, por nuk do të kishim në dispozicion të gjithë kapitalin njerëzor, që partneri ynë privat në këtë operacion revolucionar ka vënë në dispozicion. Është një proces që nuk ka të bëjë vetëm me mjetet, por ka të bëjë edhe me njerëzit. Nën lidershipin e specialistëve, që ka vënë në dispozicion partneri privat i huaj dhe me reputacion ndërkombëtar, trajnohen njerëzit tanë dhe në një periudhë të arsyeshme kohe bëhen ata, administratorët e të gjithë sistemit nga pikëpamja e burimeve njerëzore.

Këto modele të Partneritetit Publik-Privat janë modele suksesi, që stimulohen në të gjitha nivelet, nga qeveritë, nga organizatat financiare ndërkombëtare dhe nga domosdoshmëria për t’i dhënë gjithmonë e më shumë shërbimeve publike efektshmërinë e një shërbimi privat. Por në këtë rast, nga privati merret financimi i menjëhershëm dhe dija, ndërkohë që shërbimi është publik dhe publiku nuk paguan asnjë qindarkë më shumë për këtë shërbim. Pra, janë modele në favor të interesit publik dhe në mbrojte të çdo të drejte që kanë qytetarët për të marrë shërbime cilësore.

Si është formula e këtij partneriteti?

Partneri privat do të realizoje të gjithë investimin që shteti nuk e bën dot dhe deri në 18 muaj, investimi do të jetë bërë. Ndërkohë që do të ketë një riinvestim tjetër në tre vitet e fundit të kontratës, që shtrihet në 14 milionë euro. Një shumë që po të shikoni zërat e buxhetit që ne kemi për shëndetësinë, do të ishte e pamundur të gjendej ndryshe. Falë këtij partneriteti, çfarë ka ardhur sot në spitalin më të madh të Shqipërisë dhe çfarë do të jetë pas 18 muajsh, prezent në të gjitha spitalet e Shqipërisë, është ekselenca gjermane në instrumentet kirurgjikalë dhe ekselenca italiane në sterilizim dhe shërbim. Çfarë duhet të kërkojmë më shumë!

Përveç administrimit të centralit qendror të sterilizimit do të ngrihen dhe 17 centrale të tjera mbështetëse të këtij centrali qendror në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Fale këtij partneriteti, në 18 muaj, 555 kirurgë shqiptarë në 153 salla operacionesh do të kenë në dispozicion ekselencën gjermane dhe ekselencës italiane, përsa i përket instrumenteve dhe procedurave të sterilizimit.

Ne e pamë si zhvillohet e gjithë procedura dhe faktikisht, nga momenti që mbaron operacioni, kur instrumentet rimerren nga personi i shërbimit, deri në momentin kur fillon një operacion tjetër, gjithçka është nën kontroll, në një proces që sjell në dispozicion të kirurgëve dhe grupit të operacionit, paketën e re të  sterilizuar, gati për të bërë operacionin tjetër.

Në 6 muajt e parë, ky projekt do jetë i kompletuar në spitalin “Nënë Tereza”, në 6 muajt e dytë në spitalet e Tiranës dhe në 6 majtë e tretë në gjithë spitalet e tjera.

Nëse doni edhe një impakt anësor, do punësohen 100 njerëz të rinj, të cilët do të trajnohen dhe do të kthehen në specialiste me certifikatë europiane kapacitetesh shërbimi.

Përveç këtij projekti do të vihet në punë centrali me sterilizim me avull të instrumenteve kirurgjikalë, i inauguruar në vitin 2011, përmes një financimi 1.3 milionë euro nga Banka e Këshillit të Europës dhe deri sot, jashtë përdorimit, jo operativ. Në fakt nuk ka si të jetë operativ një sistem i tillë, i ndërtuar si kioskë që nuk lidhet me rrugë, me ujë, drita e asgjë tjetër. Edhe ky do të përfshihet brenda këtij sistemi dhe do behet operacional.

Dua të nënvizoj me shumë sinqeritet një fakt. Ne e dimë shumë mirë dhe unë jam i vetëdijshëm se sa mangësi ka ende shëndetësia. Ne e dimë shumë mirë dhe unë jam i vetëdijshëm se sa shumë ka ende për të bërë, që çdo njeri që hyn në pragun e një spitali, duke filluar nga spitali “Nënë Tereza” deri në spitalin më të vogël e më të largët që këtu, ndesh. Ne e dimë shumë mirë që ajo që mbetet për t’u bërë, është shumë më tepër, sesa ajo që është bërë.

Ashtu sikundër, të gjithë duhet ta dinë se ndryshimet në shëndetësi janë ndryshime të vështira. Ndryshime që kanë kosto, kërkojnë kohë dhe mbi të gjitha, siç kanë treguar të gjitha reformat në shëndetësi e siç tregojnë të gjitha përpjekjet për të reformuar më tutje shëndetësinë, qoftë në Itali apo në Francë, ndeshin në rezistencë. Por një gjë është e sigurt, ajo çka ne kemi bërë për shëndetësinë në këta 32 muaj, nuk është bërë në 20 e kusur vite.

Jo vetëm nuk është bërë në 20 e kusur vite, por edhe më rëndësishme është se në këta 32 muaj, ne kemi qënë në gjendje të vëmë në dispozicion të reformës, më shumë resurse, më shumë financim, falë partneriteteve publike-private dhe mbi të gjitha nuk kemi çuar dëm asnjë qindarkë të publikut dhe nuk i kemi përdorur paratë e buxhetit për të shtruar dhe rishtruar pllaka dhe për të vjedhur lekë, duke bërë tendera.

Ajo që mbetet është ende shumë dhe e vështirë. Nëse më pyesni se sa i kënaqur jam unë, nga gjendja aktuale, do të merrni një përgjigje shumë të sinqertë; unë jam më i pakënaquri nga të pakënaqurit, por jo pse çka kemi bërë, nuk meriton të lëvdohet, por sepse çka duhet të bëjmë është ende shumë më tepër.

Për këtë arsye do vazhdojmë me vendosmëri në këtë rrugë, do të mbajmë të gjithë baltën që na takon, çdo ditë, do dëgjojmë të gjitha akuzat që do na bien për pjesë, çdo ditë, do të bashkëjetojmë me kriminalizimin e përditshëm të çdo ideje, projekti, partneriteti publik- privat, apo operacioni reformues. Në fund të fundit, ajo që për ne ka rëndësi është se çfarë do të marrë publiku në këmbim të të gjithë kësaj sforcoje të madhe dhe në sistemin shëndetësor, çfarë do të marrin në  këmbim të të gjithë kësaj përpjekjeje, por edhe kostoje njerëzore, - në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, për të gjithë ne që duhet të durojmë gjithfarëlloj shpifjesh dhe akuzash, - çdo person që vjen këtu si pacient dhe që meriton të shërbehet si njeri me të drejta të barabarta me çdokënd që jeton në hapësirën europiane.

I jam shumë mirënjohës ambasadorit italian për praninë e tij këtu. E di që nuk është një ditë shumë pozitive, por jo për fajin e tij dhe të qeverisë italiane, por për kusuret e shtetit tonë, që nuk është akoma një shtet me institucione serioze. Prania e tij këtu, për një investim të një sipërmarrjeje private italiane, është shprehje e qartë e vendosmërisë për të çuar përpara një marrëdhënie të shkëlqyer, në të cilën, ne kemi shumë për të përfituarit dhe kemi shumë për të mësuar nga miqtë tanë të shtrenjtë dhe të ngushtë italianë. U jam mirënjohës edhe drejtuesve të kompanisë dhe parafolësve. Kombinim më të mirë nuk mund te këtë, gjermanë me italianë dhe shqiptarë mes tyre, është diçka që ndodh shumë rrallë, por jam i sigurt që është diçka e destinuar të prodhojë vetëm sukses.

Shumë faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja rikthen shitjen e armëve në Arabinë Saudite, përmbyset politika tre-vjeçare e presionit