Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e Këshillit Ekonomik Kombëta

Sot, në fokus të këtij takimi të Këshillit Ekonomik Kombëtar është turizmi. Një sërë të dhënash shumë interesante lidhur me çfarë ka ndodhur dhe pastaj, një sërë pikash për të diskutuar lidhur me çfarë synojmë të bëjmë më tutje.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm që si çdo sektor, edhe në sektorin e turizmit trashëguam një kaos ku faktikisht, rolin jetik për mbajtjen gjallë dhe për rritjen e sektorit e luante në mënyrë ekskluzive sipërmarrja private dhe ku edhe lidhjet e vendosura mes operatorëve turistikë ishin tërësisht të bazuara tek nisma private, pa asnjë mbështetje dhe mbi të gjitha pa asnjë politikë afatgjatë, që të nxiste në drejtimin e duhur gjithë energjinë e sektorit.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm që turizmi është një nga burimet reale të rritjes ekonomike dhe për ne është një nga ato burime kryesore që shërbejnë si bazë për zhvillimin e modelit tonë të ri ekonomik, një zhvillim i qëndrueshëm, me rritje ekonomike, me punësim, me kohezion social dhe rajonal dhe me një ekuilibër të qëndrueshëm me mjedisin dhe me trashëgiminë natyrore, kulturore. Të gjitha këto përfshihen në kornizën e zhvillimit të këtij sektori.

Në Bashkimin Europian turizmi faturon rreth 600 miliardë euro në vit, ose 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Bashkimit Europian dhe ka rreth 1,8 milionë ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe 10 milionë të punësuar direkt ose mbi dyfishin e kësaj shifre, nëse do të bënim një përllogaritje të punësimit indirekt. Mbetet një prioritet për BE-në rritja e cilësisë së shërbimeve, si një kusht kryesor i rritjes së kërkesës në sektorin e turizmit.

Ne tanimë, siç jeni në dijeni, kemi kaluar një ligj të ri për turizmin, kemi krijuar një platformë, besojmë favorizuese për rregullimin e sektorit, për të filluar vendosjen e standardeve, për të certifikuar dhe klasifikuar si parakushte të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe zgjerimit të gamës aktuale.

Viti që kaluam ishte një vit mjaft inkurajues për turizmin, në aspektin sasior, por edhe në shenjat jo të vogla të një përmirësimi cilësor. Tremujori i tretë i vitit 2015 u mbyll me një bilanc pozitiv prej 65 milionë eurosh, ose dy herë më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë, faktikisht, për shkak të fuqisë së shtuar të turizmit.

Numri i turistëve, një shifër gjithmonë e diskutuar dhe e kontestuar në Shqipëri dhe për këtë arsye, Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit bën një vlerësim më specifik e nuk llogarit për turistë edhe ne që hyjmë e dalim në Shqipëri si qytetarë të këtij vendi, u rrit me 12%, krahasuar me një vit më parë dhe bazuar mbi të njëjtën metodë vlerësimi, ndërsa të ardhurat u rritën me 4%, krahasuar me një vit më parë. Ajo që ne na intereson në mënyrë të posaçme është se pati një zgjerim të ndjeshëm të gjeografisë së vendeve prej ku erdhën turistë dhe konstatojmë një numër në rritje të turistëve nga Suedia, Norvegjia, Polonia, Çekia, Austria dhe Gjermania, pra, e gjithë pjesa e Europës Veriore që ka gjithmonë e më shumë interes për bregdetin shqiptar. Po ashtu, një numër i konsiderueshëm turistësh nga Rusia dhe vendet rusishtfolëse vizituan vendin, pas liberalizimit të vizave për në Shqipëri për një listë shtetesh.

Gjatë sezonit u zbatua një plan i integruar masash, nën drejtimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e Turizmit, por edhe me mbështetje të koordinuar të Ministrisë së Brendshme, asaj të Transportit, të Kulturës dhe të disa bashkive kryesore. Ministria e Shëndetësisë pati një rol të veçantë në këtë sezon, pasi siguroi ofrimin e shërbimit shëndetësor bazë, 24 orë në 7 ditë të javës, përmes 22 ambulancave të lëvizshme në plazhet e Shqipërisë; U përmirësua sinjalistika për objektet e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike dhe faktikisht kemi regjistruar një numër të rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve në këto objekte; U lehtësua kalimi në kufi përmes heqjes së kontrollit të dyfishtë, u monitoruan dhe menaxhuan arteriet kryesore të qarkullimit dhe përgjithësisht u përballua mirë edhe ky aspekt; U ndërmor një operacion i madh i pastrimit të plazheve nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, që pati mbështetjen edhe të Forcave të Armatosura, por edhe të një sërë grupesh të shoqërisë civile; U çua përpara një projekt shumë i rëndësishëm, që faktikisht është një ndër investimet më të rëndësishme për turizmin, që përfundon në vitin në vijim, që është Unaza Energjetike e Jugut.

Për herë të parë u hap pas 70 vitesh, Ishulli i Sazanit, që u kthye në një atraksion turistik dhe natyror dhe që jemi të bindur që do të ketë një interesim shumë më të madh vitin tjetër, pasi janë të konsiderueshme kërkesat për t’u informuar se si mund të vizitohet ishulli.

Mund të flisja për shumë të tjera, por nuk dua të marr më shumë kohë me një bilanc, i cili nuk dua të perceptohet si një paradë suksesi, sepse nuk është e tillë. Ne jemi të vetëdijshëm që ka jashtëzakonisht shumë për të bërë për të gjithë vijën bregdetare, në radhë të parë, jemi të vetëdijshëm që ka nevojë për më shumë investime, jemi të vetëdijshëm që duhet të stabilizojmë dhe po investojmë për herë të parë pas kaq shumë vitesh, për shërbimin e energjisë, për shërbime të tjera bazë. Sidoqoftë, mendoj se, nëse do të koordinohemi më mirë me operatorët private, do të arrijmë të përfitojmë nga një rritje e konsiderueshme e vëmendjes për Shqipërinë si një destinacion turistik.

Edhe për këtë vit, në listën e vendeve që duhen vizituar për vitin 2016, Shqipëria ka zënë një pjesë të fokusit të vëmendjes së shumë mediave ndërkombëtare.

Nga ana tjetër dua të vë theksin në një aspekt, - besoj unë i rëndësishëm, - që për fat të keq dhe për arsye që nuk është vendi për t’i shtjelluar, po paragjykohet dhe po keqgjykohet në shumë raste nga komentatorët e medias, që ka të bëjë me partneritetin publik-privat, ose siç thuhet në gjuhën e rëndomtë të ditës për lehtësi manipulimi dhe përbaltjeje, me koncesionet.

Dua t’ju jap një pamje, sepse besoj që i takon këtij Këshilli Ekonomik ta ketë këtë pamje. Ndërkohë, me shumë vendosmëri, ne do të vazhdojmë që ta shtjellojmë këtë pamje dhe të insistojmë në domosdoshmërinë për t’i dhënë një status qytetarie partneritetit publik-privat, si një nga mekanizmat kyç për të zhvilluar ekonominë, për të rritur punësimin, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve, në një vend që nuk ka as kapacitetin, por as arsyen që të rrisë borxhet dhe nuk ka pa dyshim, as vullnetin, sepse nuk e kemi vullnetin që të rrisim taksat. Por, nëse nuk rrisim borxhin, nëse nuk rrisim taksat, si do të rrisim investimet për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe për rritjen tonë ekonomike, duke zhvilluar infrastrukturat e ndryshme, nëse nuk i drejtohemi sipërmarrjes si partner!

Kjo nuk është një ngjarje që doli rrugës, por është një politikë e mirëpërcaktuar në programin tonë qeverisës, është një filozofi që ne e mbrojmë si pjesë e natyrshme e filozofisë për ndërtimin e një sistemi funksional të ekonomisë së tregut dhe të një shteti që ofron shërbime cilësore dhe është pjesë e strategjisë e vendimmarrjes së qeverisë, ku qysh në ditën e parë e në vijim, kam qenë unë i pari që kam insistuar që në çdo sektor, çdo ministër dhe çdo drejtori politikash të eksplorojë dhe të çojë përpara, çdo mundësi për partneritet publik-privat.

Në tetë vjet, nga 2005 deri në 2013 janë dhënë 173 koncesione. Ndërkohë që sot, në këtë përfolje të madhe mbi atdheun që po jepet me koncesion, janë bërë vetëm 14 kontrata. Vetëm 14 kontrata partneriteti publik-privat, ku gjashtë prej tyre janë ndërtim HEC-esh, krahasuar me 161 koncesione, në të shumtën e herës fatale, qoftë për financat, qoftë për mjedisin, qoftë edhe në aspekte të tjera, të dhëna në tetë vjet. Ata që kanë dhënë 161 nga ato koncesione kanë vënë një kujë të kuptueshme lidhur me një numër shumë të vogël koncesionesh dhe partneritetesh publike-private, që janë edhe të strukturuara në një mënyrë tërësisht të ndryshme nga sa ndodhte më parë.

Në listën prej 173 koncesionesh përfshihet koncesioni për barrat siguruese, një koncesion shumë i diskutueshëm në aspektin financuar dhe në aspektin se çfarë ka sjellë për publikun;

Koncesioni për skanimin e kontejnerëve, një koncesion jashtëzakonisht i rëndë për biznesin dhe shumë i diskutueshëm për çfarë ka sjellë në shërbim të biznesit, apo çfarë mund të sjellë për interesin publik.

Më lejoni t’ju them që koncesioni për skanimin e kontejnerëve është rinegociuar me këmbëngulje dhe me muaj të tërë nga qeveria shqiptare, për të përmirësuar termat në funksion të biznesit dhe ka një përmirësim shumë të ndjeshëm të termave, edhe pse ne do të dëshironim që ky koncesion të mos ekzistonte fare. Por në kushtet kur këto koncesione janë bërë me Parlament dhe janë blinduar me votën e sovranit, atëherë midis një arbitrazhi të humbur dhe një rinegocimi kemi zgjedhur të rinegociojmë, për të mos ia vënë në kurriz taksapaguesve, shumat marramendëse të pasojave të këtyre procedurave.

Koncesioni për pullat fiskale, dhe ky i rinegoicuar, në radhë të parë për ilaçet, duke mos lejuar që nga koncesioni të rritej çmimi i ilaçeve për qytetarët;

Koncesioni i markimit të karburanteve. Një koncesion për të cilin jemi ende në diskutim, për t’i dhënë sens bashkëpunimit me koncesionarin dhe për të rritur cilësinë e shërbimit për publikun.

Të gjithë këto koncesione, me tarifa të rënda për publikun.

Po ashtu koncesioni i kontrollit teknik të automjeteve. Shkoni bëni një kontroll teknik të automjeteve dhe më thoni në ia ja ka vlejtur të jepet me koncesion ai shërbim dhe çfarë ndryshimi ka shërbimi i sotëm, nga shërbimi i deridjeshëm që e bënte shteti;

Janë gjithashtu 3 kontrata koncesionare për menaxhimin e portit të Durrësit, i cili nga një port që duhet të ishte një hapësirë ku ne të bazonim një nga forcat kryesore të zhvillimit tonë ekonomik, është një hapësirë konflikti permanent mes koncesionarëve me njëri-tjetrin, mes shtetit dhe koncesionarëve, për shkak të kontratave skandaloze në dëm të shtetit;

Edhe një tjetër koncesion për një rafineri në Cërrik dhe për një port jahtesh në Kavajë, që urojmë dhe shpresojmë të bëhet, sepse ky i fund thjesht dhe vetëm se nuk ka një faturë financiare për shtetin.

Ndërkohë që po të hyjmë tek koncesionet për ndërtimet e HEC-eve, 161 koncesione, nga gjashtë partneritete publike-private që kemi bërë ne një pjesë të tyre, atëherë jemi në diferencën midis shekujsh, jo midis dy vjetësh. Koncesione që kanë shkatërruar mjedisin. Po flas në përgjithësi dhe nuk po vë një vizë mbi të gjitha. Koncesione pa asnjë studim, koncesione të dhëna për të bërë hidrocentral me tre fleta A4 dhe këtë e them me përgjegjësinë më të madhe, vizatime kalamajsh, fizibilitet tejet i ulët. Faktikisht, ajo që është më dramatikja është që pjesa më e madhe e këtyre koncesioneve janë letra me vlerë, që janë shitur dhe janë blerë e vazhdojnë të tentohet të shiten e të blihen në një treg të zi aksionesh të korrupsionit. Kjo është e vërteta!

Koncesionet e që përmenda më sipër të Ministrisë së Financave kanë krijuar kosto financiare si për bizneset, ashtu edhe për buxhetin e qeverisë. Më lejoni të them vetëm një shembull. Nëse ne nuk do të kishim rinegociuar koncesionin për skanimin e kontejnerëve, do të detyronim sot bizneset të paguanin 39 euro për skanimin e çdo fature doganore dhe jo vetëm aty ku skanohej, por edhe aty ku nuk skanohej. Koncesionari nuk ka detyrimin, edhe në kontratë, të vërë skaner kudo, por ama në çdo pikë të Shqipërisë ku futen mallra duhet t’i paguajnë koncesionarit 39 euro.

Ajo që bëmë ne ishte se e ulëm tarifën nga 39 euro në 22 euro dhe nxorëm para nga buxheti i shtetit, për të kompensuar të gjithë ata që janë në industrinë me mall porositësi.  E gjithë industria fason, që mban në këmbë gjithë atë sektor punësimi, do të kishte rënë përtokë sot, nëse ne nuk do të nxirrnim nga buxheti i shtetit para, që të mos paguajnë ata, por të paguajë shteti. Këto janë koncesione, apo janë një marrëzi korruptive dhe injorante që sot, nesër dhe pasnesër dhe për vite, shqiptarët do t’i paguajnë çmimin.

Ndërkohë, në dy vitet e fundit janë bërë vetëm 14 kontrata. Kontrata të bëra me studime, me oponenca dhe të bëra duke parë interesin e publikut.

Nuk po hyj tek HEC-et, por po u them vetëm një gjë, ne i dhamë fund!

E para, kontratave për hidrocentrale ku shteti merrte përsipër të paguante tarifë fikse, pra “ti ndërto hidrocentralin privat, unë do ta blejë ty energjinë, me tarifën fikse, edhe sikur tregu ta ketë më të ulët dhe për gjithë jetën”. Çfarë kontrate është kjo! Ku është përfitimi i publikut këtu! Përveçse nxirr lekë nga xhepi, që t’i blejmë hidrocentraleve private energjinë.

Jo vetëm kaq, por bënë këto kontrata dhe i lanë pa paguar, i lanë rrugëve. 93 milionë dollarë borxhe ia kemi shlyer ne, një më një, hidrocentraleve private, falë  bashkëpunimit me FMN-në dhe me Bankën Botërore dhe falë programit me FMN-në.

Sot, ne nuk bëjmë asnjë kontratë ku marrim përsipër të blejmë energjinë. Energjia është mall dhe kush vjen të ndërtojë hidrocentrale, le të hyjë e të përballet në konkurrencën e një tregu të liberalizuar të energjisë elektrike, si gjithë të tjerët. Ne mbrojmë familjarët, ne nuk mbrojmë biznesmenët që hyjnë dhe që investojnë dhe faleminderit shumë që investojnë, por kanë riskun e tyre.

Nga ana tjetër, 3 kontrata ka bërë Ministria e Shëndetësisë. 3 kontrata dhe e them me përgjegjësi të plotë, të tria në shërbim të interesit të publikut, që sjellin investime që nuk i bën dot shteti. Në rast se do të kishte mundësi t’i bënte, mund t’i kishte bërë, por dhe shërbime që shteti nuk i bën dot me atë cilësi.

Për të verifikuar këto, duhen pyetur njerëzit që përfitojnë nga këto shërbime. Sot në Shqipëri, që nga qeveria e kaluar, por edhe sot, tarifa për një person të pasiguruar për të bërë analizat, pra, check up-in, është 51 mijë lekë. Kush është ai person i pasiguruar në Shqipëri, që po nuk i dhembi diçka, në pikën që nuk mund ta durojë dot, shkon dhe paguan 51 mijë lekë për të bërë check-up? Askush! Edhe këtu në këtë tavolinë, ku secili ka mundësi të bëjë analiza, shkon kur i shfaqet dhimbja, përveç  Jensen që është gjerman, që i bën një herë në 6 muaj, se ata e kanë kulturë, ne të tjerët nuk shkojmë ndonjëherë të bëjmë analiza. Çfarë do të thotë kjo? Se ne, së pari, nëse nuk kemi njerëz që bëjnë analizat dhe ndeshemi me sëmundjen vetëm në momentin final, kur i sëmuri vjen dhe sëmundja ka shpërthyer dhe ka sjellë gjithë familjen në spital, nuk kemi asnjë mundësi të ndërtojmë asnjë sistem parashikueshmërie, për të bërë sistemin e shëndetësisë falas.

Shëndetësia falas, ata që e anatemojnë, apo ata që e presin pa ditur se çfarë është, nuk është “qofte tek daja”. Shëndetësia falas është një sistem mbulimi universal, ku ke para apo nuk ke para, shteti ty të shërben. Por që të arrihet në këtë sistem universal, duhen një sërë strukturash dhe një sërë mekanizmash dhe duhet një sistem i gjithi, që ne jo që nuk e kishim dhe ende nuk e kemi, por që as nuk mund të imagjinohet mbi gërmadhat e shëndetësisë që trashëguam.

Çfarë bëmë me check-up-in? Nuk është e vërtetë, por një gënjeshtër me bisht dhe bishti i del nga goja e çdo analisti, që në vend që të marrë dhe të verifikojë shifrat, papagallon sikur është 120 milionë. Nuk është 120 milionë. Është 64 milionë dollarë për 10 vjet. 6.4 milionë dollarë në vit. Dhe këto 6.4 milionë dollarë në vit duhen që shqiptarët nga mosha 40-65 vjeç, ku është dhe zona më kritike për të arritur përpara sesa të shpërthejë sëmundja, pra, edhe për të ndërtuar një politikë dhe një sistem parandalimi, mund ta bëjnë atë me 18 mijë lekë të vjetra, jo me 51 mijë lekë. E këto 18 mijë lekë, ne i paguajmë nga taksat.

Llogaria është shumë e thjeshtë. Paguajmë 64 milionë, por kursejmë më shumë sesa dyfishin, në rast se do t’i lëmë njerëzit - ata që sot janë shfaqur dhe që çojnë falënderime se kanë marrë vesh që kanë diabet, që kanë marrë vesh që kanë probleme zemre, se kanë marrë vesh që kanë probleme të tjera dhe i kanë marrë vesh këto përpara dhe mund t’i dalin përpara të keqes, - që t’i shpërthejë diabeti dhe t’i plasi zemra rrugës për në spital. Atëherë, kostoja e familjeve dhe kostoja e shtetit është shumë më e lartë dhe kjo është logjikë elementare.

Prandaj Jenseni dhe Gjermania merren me parandalimin, shumë më tepër sesa merren me shpëtimin në moment të fundit. Po ashtu, llogaria është shumë e thjeshtë; Janë qindra vdekje që shmangen nga parandalimi. Ku është këtu, drama dhe problemi?!

Thonë se është një kompani që tregton produkte nga më të ndryshmet, që bën check-up-i, por prapë është një gënjeshtër me bisht. Nuk bën kompania check-up-in. Kompania vë në dispozicion të shërbimit publik shqiptar në të gjithë terrorin, të gjithë infrastrukturën dhe të gjithë materialet me të cilat bëhen analizat. Prandaj, në kërkesat për të zgjedhur partnerin është vendosur se kush kompani ofron një logjistikë më të plotë, me mbulim të plotë në territor, në mënyrë që të shfrytëzojmë logjistikën e kompanisë dhe nga kompania të marrim produktet që duhen, për të bërë shërbimin dhe analizën. Elementare! Produktet, të gjitha shpërndahen në çdo qendër shëndetësore, në çdo spital, në çdo pikë ku bëhet check-up-i dhe pastaj mjekët bëjnë vetëm analizat.

Të marrim hemodializën. 80 euro paguhej për hemodializën, edhe sot që ende nuk ka hyrë në fuqi plotësisht partneriteti, për arsye procedurash. Kush që duhet të bëjë hemodializë, duhet të vijë nga Korça, duhet të vijë nga Tropoja, nga Saranda, nga Kukësi, Shkodra, në Tiranë dhe të shkojë vetëm në një vend të bëjë hemodializën. Atëherë, ku është krimi që po me 80 euro për seancë të bëhet i njëjti proces, por falë investimit që do të bëjë partneri privat, ky proces të bëhet jo në një vend, por në qendra të ndryshe, të shpërndara në të gjithë territorin. Kush bën hemodializë në Shkodër ta bëjë në Shkodër, kush e bën në Korçë, ta bëjë në Korçe dhe jo të ngrihet në pikë të mëngjesit, të marrë makinën, ta paguajë, pa llogaritur veshkën, se ç’heq me gjithë ato vajtje-ardhje dhe të vije këtu të mbajë edhe radhën dhe të bëjë prapë rrugën në kthim.

E kundërta është e vërtetë. Edhe këtu do të kemi përmirësim rrënjësor të shërbimit dhe do të lehtësojmë gjithë ata qindra e qindra njerëz që kanë këtë sëmundje e vuajnë nga ky problem dhe që nuk ju mjafton sëmundja, por duhet të mbajnë në krah edhe paaftësinë e plotë dhe injorancën e shtetit, që u thoshte të gjithëve se vetëm një vend ka. Më e bukura është që edhe ai vend ku bëhej hemodializa ishte privat. Pra, ato para përsëri i merr privati, prej vitesh.

Atëherë, çfarë bëmë? Shumë e thjeshtë, është një investim që në 7 vjet e gjithë infrastruktura i mbetet shtetit. Ndërkohë që për 7 vjet, sigurisht edhe privati që investon, nuk vjen të investojë për bamirësi, por vjen të investojë për të marrë edhe ai pjesën e tij të fitimit. E këtë pjesë do ta marri nga ajo shumë që këtu është paguar historikisht.

Këtu ka njerëz të financave, të ekonomisë, të sipërmarrjeve që e dinë shumë mirë që me të njëjtën shumë mund të bësh një vepër, mund të bësh dhe një vrimë të madhe në ujë. Mund të harxhosh të njëjtat para, por puna është sesi i harxhon. E ky është ndryshimi midis 173 koncesioneve, prej të cilave po bëj një skonto për lehtësi, - të mos i nximë të gjitha, sepse disa prej tyre në sektorin energjetik mund të kenë funksionuar dhe funksionojnë siç duhet, - le të themi 160 koncesione dhe vetëm 14 kontrata. Ky është ndryshimi midis koncesionit të skanimit që është një grabitje, midis koncesionit të kontrollit të automjeteve që është një grabitje, midis 3 koncesioneve të portit që janë një maskaradë, midis koncesionit të barrës siguruese që është një grabitje dhe këtyre koncesioneve që janë shërbime, partneritete publike-private.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë koncesionet publike-private dhe dua t’i siguroj të gjithë sipërmarrësit që ne, jo vetëm nuk tërhiqemi nga këto sulme barbare balte, por do të vazhdojmë vendosmërisht që të ftojmë partnerë privatë për të ndërtuar shkolla, për të ndërtuar infrastrukturë sociale, për të ndërtuar rrugë, për të bërë shërbime të tjera. Por kushti ynë, parimi ynë themelor është që të mos ngarkojmë qytetarin. Kjo është dhe arsyeja pse, për shembull, ne vazhdojmë edhe sot e gjithë ditën dhe nuk e çojmë deri në firmën përfundimtare, partneritetin publik-privat për rrugën e Arbrit. E duam me gjithë mend ta bëjmë, kemi kaluar në Parlament për negocim dhe në negocim vazhdojmë të insistojmë se nuk duam t’ia lëmë barrën brezit tjetër, por duam të kemi një formulë të arsyeshme. Do ta kishim shumë të thjeshtë ta bënim, sepse ndërkohë e kemi përgjysmuar nga ajo që trashëguam nga paraardhësi ynë, shumë i dashur.

Kemi dy vjet që punojmë për partneritetin publik-privat për kuponin. Janë bërë diskutime, analiza, studime, kemi çuar grupe pune në vende të ndryshme, në Sllovaki, në Kroaci dhe në dy a tre vende të tjera, për të parë sesi funksionon sistemi i mbledhjes së të ardhurave përmes lotarisë së kuponit, përmes formave të tjera. Kemi trajtuar një propozim dhe kemi negociuar dhe diskutuar me here e herë të tera, është kthyer mbrapssh, rikthyer e rrëzuar shumë herë, për të bërë çfarë?! Për të vënë më në fund në këmbë një sistem që nuk e kemi.

Çfarë është sistemi që e kishin marrë dhe e kishin lënë mbyllur tek tatimet dhe që ne e vumë në punë falë mbështetjes austriake? Sepse dëgjoj të thuhet “si mund t’i lihet privatëve”. E dini ju që gjithë bazën e të dhënave tatimore të Shqipërisë e kanë austriakët, gjithë çelësat i kanë austriakët, e kontraktuar nga qeveria e mëparshme shqiptare për të bërë programin kompjuterik të menaxhimit të riskut, që mbledh të gjitha të dhënat. Atëherë ku është problemi? Ne nuk themi që ç’është ky skandal, që këtu, disa austriakë privatë na mbakan dhe na menaxhokan të gjithë të dhënat e bazës së tatimpaguesve. Nuk është ky problemi. Sipërmarrësi gjen dhe bën. Po të gjejë ujk, bën ujkun, po të gjejë partner, bën partnerin. Ky është ndryshimi. Për këtë arsye, ne jo vetëm që nuk dolëm të bërtasim e ta përzëmë kompaninë austriake, por u ulëm në tavolinë, diskutuam për problematikat dhe tani kemi vënë në punë një pjesë të sistemit.

Ka edhe një problemi tjetër. Flasin për sistemin që lanë, për kasa që manipulojnë të dhënat, për kasa që nuk punojnë, për kasa që janë tërësisht të papërdorshme etj., siç i gjetëm ne. Atëherë, si do ta bëjmë këtë punë, duke vazhduar të çojmë ushtrinë me inspektorë, që i bien dyerve e krijojnë shqetësime, apo do ta bëjmë duke përfituar nga çfarë na jep avantazh ky sistem që kemi vendosur të ndërtojmë. Avantazhet janë nga njëra anë, mundësia e partneritetit me privatin dhe nga ana tjetër, avantazhi i madh i kohës, teknologjia.

Ne jemi të bindur në atë që po bëjmë dhe nuk është absolutisht edhe kjo që po bëjmë në këtë rast, një zgjedhje që rëndon mbi publikun Nuk i japim para kompanisë për të ngritur gjithë atë sistem e për të bërë gjithë atë investim, por i themi kompanisë investo dhe merr përsipër riskun. Nëse do fitojmë ne, do fitosh dhe ti, por jo nëse do fitojmë ne deri aty ku ne fitojmë dhe pa ty. Deri aty ku ne fitojmë edhe pa ty, fitojmë vetë. Nëse ne do të fitojmë bashkë me ty, përtej asaj që mund të fitojmë pa ty. Ky është partneriteti publik-privat. Përtej asaj që mund të fitojmë pa ty, atëherë, ne fillojmë ndajmë riskun. Ti ke të drejtë, sepse po bën investimin, që të marrësh mbrapsht investimin dhe të nxjerrësh fitimin, ndërkohë që ne, nga ky partneritet nxjerrim shumë më tepër të ardhura që do t’i çojmë në dispozicion të njerëzve.

Këtu jemi kthyer në një arenë ku ka dalë një budalla ka hedhur një gurë në lumë dhe bëhet garë se kush do të gjejë gurin. Mbushur me propagandë dhe nuk flas vetëm për propagandën e kundërshtarit politik, se po të ishte vetëm ajo, nuk do t’ju shqetësoja juve sot, por është një propagandë që gjeneron vetëm shpifje dhe injorancë. Injorancë në sistem, pa parë asgjë, palexuar asgjë, pa studiuar asgjë, pa dëgjuar asgjë. Po pse, gjithë kjo punë e bërë në dy vjet, me ekspertë vendas e të huaj, me vizita pune, me trajnime, kaq lehtë e paskan këta, që me një të dëgjuar e kthyekan në sistem akuze?! Kujt i shërben kjo! Dihet se kujt.

Unë ju kërkoj ndjesë për kohën që ju mora. Fjala ishte tek turizmi, por Shqipëria është atraksion edhe për këto që folëm, por në këtë rast është atraksion për shqiptarët. Duke par parasysh se edhe të huajt që janë këtu, janë pothuaj të shqiptarizuar, jam i bindur se nuk u mërzitën nga diskutimi i bërë dhe në fund të fundit ishte një diskutim për Këshillin Ekonomik Kombëtar. Në seancën e ardhshme, KEK do të bëjë një seancë vetëm për partneritetin publik-privat dhe do të ekspozojmë jo vetëm se çka kemi bërë, por edhe se çfarë duam të bëjmë në fushën e partneritetit publik-privat, për të parë natyrisht avantazhet, edhe risqet dhe për të kuptuar sëbashku se kjo qeveri nuk e ka tradhtuar dhe nuk e tradhton popullin  e vet,  për ta bërë të paguajë haraçet e pazareve të veta apo të paaftësisë së vet.

Shumë faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij