Fjala e Kryeministrit Edi Rama pas shfaqjes së filmit “Shok”, i nominuar për Oscar,  në COD

Në këto raste, protokolli e do që të thuhen disa fraza klishe. E ngaqë frazat klishe janë shumë të përdorura, është e vështirë për publikun nganjëherë që të besojë kur është vendi dhe momenti për të thënë fjali plot emocion, që vijnë nga eksperienca e një filmi apo e një vepre si kjo. Por unë dua t’ju shpreh mirënjohje që ju erdhët dhe mu dha kjo mundësi. Është fat për mua që të jem ndër shikuesit e parë të filmit dhe dua shumë të shpresoj që filmin do ta shohin të gjithë shqiptarët. Sepse nuk është film i radhës, por është një film që si rrallëherë të mban të mbërthyer në ekran dhe të jep një tension shumë real.


Pavarësisht se unë jam stërvitur me fjalime dhe me kontrollin e emocioneve, prapëseprapë, ju siguroj që ky është një rast i vështirë për ta administruar emocionin dhe për të mos u ndjerë thellësisht i prekur nga filmi. Aq më tepër që filmi lidhet me një eksperiencë kaq jetësore, saç është eksperienca e të gjithë atyre që përjetuan barbarinë që filmi e përshkruan nëpërmjet një ngjarjeje që, mesa kuptova, lidhet edhe me ju personalisht. Kjo e shton edhe më shumë ngarkesën emocionale të filmit për ne si shqiptarë, sepse filma me ngjarje të vërteta, ngjarje realisht të forta emocionalisht, gjithsesi, kur nuk na takojnë drejtpërdrejtë, i shikojmë me një distancë të caktuar dhe i përjetojmë estetikisht kur janë të realizuar, ose i lidhi me ngjarjet tona apo me eksperiencat e afërta me tonat dhe ngacmohemi emocionalisht.


Ky është një rast autentik dhe është një film jashtëzakonisht autentik. Jam shumë i impresionuar nga forca e thjeshtësisë që ka filmi, përtej ngjarjes. Nuk është aspak e lehtë të bësh një film të thjeshtë dhe të përcjellësh kaq shumë përmes një minutazhi të shkurtër. Një fije shumë e hollë e ndan shprehjen e talentit artistik, që e kemi mundësi ta shohim dhe ta prekim në shumë ese akademike dhe studentësh të talentuar, nga një vepër arti e plotë dhe që është si një gur që shtohet në murin e historisë së kinematografisë shqiptare.


Jam i bindur që nuk e ekzagjeroj dhe isha shumë kurioz ta shikoja filmin për dy arsye. E para, sigurisht për faktin që është një film shqiptar i nominuar për Oscar dhe kjo është në vetvete, një shtysë shumë e fortë, edhe pse jo domosdoshmërish, kush nuk nominohet për Oscar nuk ka të njëjtën vlerë. E dyta, sepse më intereson shumë kinematografia në përgjithësi dhe ecuria e kinemasë në Kosovë në veçanti, pasi kinemaja në Kosovë ka disa tipare që janë specifike, ndoshta për shkak se nuk e ka kaluar në të njëjtën mënyrë, fazën e gjatë dhe në një farë mënyrë shabllonizuese të realizmit socialist, edhe për arsye se kinemaja përtej kufirit ka pasur disa hapësira më shumë dhe për arsye se në Kosovë, mundësia për të bërë kinema gjithsesi ka qenë shumë e kufizuar në kohën e mëparshme. Por të dyja këto bashkë, një traditë shumë më e çliruar nga korniza e hekurt e realizmit socialist dhe një mundësi e rifituar, apo e fituar me lirinë, kanë krijuar një hapësirë me goxha produktivitet.

 Unë dua t’ju falënderoj sinqerisht për udhëtimin që bëtë për të ardhur deri këtu. Do të isha shumë i lumtur, nëse ky event i vogël në përmasa do të vlente si një reklamë për filmin, për shkak të vendit dhe të mundësisë për ta promovuar me median time modeste, me pothuajse 1 milionë ndjekës në Facebook. Por realisht është një film që të lë pa frymë dhe pa fjalë, edhe pse unë gjithsesi i gjeta, besoj, fjalët për të shprehur emocionin dhe mirënjohjen për ju.

 Ju uroj nga zemra çdo të mirë. Nëse do e fitoni Oscar-in, do të jetë një gjë shumë e bukur, por edhe po nuk e fituat, vazhdoni me biçikletën e metrazhit të shkurtër të shkoni përpara dhe të bëni filma të tjerë. Në fund fare, nuk e ka gjetur gjë as Ëoody Allen, i cili i ka refuzuar gjithë çmimet dhe nuk ka pranuar të marrë pjesë në asnjë ceremoni të Oscar-it. Për historinë tonë modeste do të ishte mirë ta shënonim një Oscar, por edhe nëse nuk e shënojmë, filmi juaj është pjesë e kësaj historie dhe jam i bindur se është një pjesë shumë e çmuar e kësaj historie. 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Për ata që janë beqarë mund të jetë koha për të filluar lidhjen me dikë... horoskopi për sot