Fjala e Kryeministrit Rama në “Smart City, Go Tirana”

Në fakt, më takon të bëj një sqarim për atë që i thashë ambasadores, e cila do të fliste në emër të Bashkimit Europian dhe Bashkimi Europian, në radhë të parë ka detyrë që të na bëjë të ndalojmë së ëndërruari, se ne ëndërrojmë shumë për Bashkimin Europian dhe ëndërrojmë aq shumë, sa që bëhemi bezdi për miqtë tanë europianë.

Nga ana tjetër dua ta filloj këtë fjalë, jo duke iu drejtuar shkëlqesive, por duke iu drejtuar Stefano Boerit që vjen nga Bashkimi Europian, por vjen për të na ndihmuar që të ëndërrojmë më shumë, jo për të na nxitur që të ulim intensitetin e ëndrrave tona. Shpresoj shumë që eksperienca e Stefanos në Tiranë të jetë më e suksesshme se ajo në Milano. E siguroj që Tirana është më përpara Milanos në dëshirën për ta afruar të ardhmen, pa qenë shumë peng i të shkuarës. Edhe pse për hir të së vërtetës, e shkuara e Milanos është shumë më e rëndë, në kuptimin e peshës që ka tradita, sesa e shkuara e Tiranës, që përgjithësisht është e gjitha për t’u përmbysur.

Faktikisht ka ndodhur një ndryshim që unë mund ta dëshmoj edhe personalisht. Ishte një kohë kur në zyrën e kryetarit të bashkisë, Banka Botërore vinte vetëm për të marrë shënime lidhur me çfarë mendonte kryetari i bashkisë për zhvillimin e vendit në tërësi. Pyetjes së kryetarit të bashkisë që çfarë mund të bënim për Tiranën, i jepte përgjigjen standarde: “Ka shumë gjëra për të bërë, ju keni ide shumë të mira, por nuk përputhen me programin tonë”. Pak a shumë ishte e njëjta situatë edhe me të tjerët. Pa folur për OSBE-në që vinte për të folur për demokracinë dhe në fund nuk harronte asnjëherë të thoshte: “Ne nuk kemi lekë për të mbështetur projektet”.

Sot është një ndryshim i rëndësishëm. Këtu, faktikisht, janë që të gjithë dhe që të gjithë të gatshëm për të mbështetur këtë vizion transformues të kryetarit të bashkisë dhe të administratës së re të Bashkisë së Tiranës, që ka nevojë për shumë mbështetje për t’u materializuar, pa dyshim, për shumë punë dhe për shumë kohë.

Ajo që është e rëndësishme sot është fakti që këtu janë që të gjithë. Nuk mungon asnjë nga partnerët dhe miqtë e Shqipërisë, që e kanë shoqëruar rrugën tonë të vështirë, duke bërë bashkë me ne, edhe shumë gabime.

Ajo që sot mund të konsiderohet si një bazë e rëndësishme, solide, për të menduar për një zhvillim të qëndrueshëm dhe për të pasur kurajën për të besuar në këtë vizion të ri, besoj është rezultati i Reformës Administrative-Territoriale. Sot, Tirana nuk është një qytet i rrethuar dhe i presuar në kufijtë e vet nga zhvillimi krejtësisht i pakontrolluar i të gjithë komunave përreth, por është një bashki seriozisht e madhe dhe seriozisht e organizuar, për ta udhëhequr ndryshimin në territor. Ky është edhe ndryshimi midis epokës që lëmë pas dhe epokës që çelim me këtë reformë.

Nga një epokë ku ishte presioni nga poshtë i zhvillimit që impononte zgjidhjet dhe zgjedhjet, në një epokë ku është një ndërveprim që kushtëzohet nga lidershipi i bashkive, për ta kthyer presionin e zhvillimit në një forcë zhvillimi të qëndrueshëm. Nëse e shohim se çfarë ka ndodhur në trupin e Shqipërisë në të gjithë këto vite, faktikisht do të shohim se për më shumë se dy dekada u harrua qyteti dhe humbi qyteti. Këtu flas për qytetin si nocionin bazë, si shtëpinë e përbashkët të një komuniteti dhe nuk flas për Tiranën, por në tërësi për qytetin. Në të gjithë territorin e Shqipërisë kemi pasur për më shumë se dy dekada, një zhvillim që na ka çuar drejt komunitetesh, drejt vendbanimesh, por asnjëherë drejt qytetesh. Nëse në imagjinatën e menjëhershme të gjithsecilit, qyteti është një vend ku ka një shesh, ku ka një tërësi institucionesh administrative, fetare, kulturore dhe sigurisht, edhe lagjesh, këtë imazh nuk e përputhim dot me asnjë nga qytetet e Shqipërisë në këto 20 e kusur vite, përjashto Tiranën që në një farë mënyre, në zemrën e vet ruajti qytetin e të shkuarës.

Qytetet tona, përgjithësisht kanë qenë qytete të zhvilluara mbi bazën e planifikimit komunist dhe sheshet e tyre asnjëherë nuk kanë qenë sheshet e publikut. Më keq akoma, në këto 20 e kusur vite, ato sheshe që nuk kanë qenë kurrë të publikut u kthyen në parkime të mëdha makinash. Mjafton të sillnim në vëmendje se kush e ka parë një qytet, të cilin asnjë shtet serioz dhe normal nuk do ta kishte braktisur kurrë, por përkundrazi do ta kishte kthyer në një nga mekanizmat e zhvillimit të vet ekonomik, si Lezha, për trashëgiminë e saj historike kaq të rëndësishme për Shqipërinë, për trashëgiminë e saj kulturore, kaq të rëndësishme për atë zonë, ku qendra e qytetit, ngjitur edhe me një nga vendet më të shenjta të historisë sonë, Mauzoleun e Skënderbeut, ishte një parkim i madh makinash dhe midis parkimit dhe mauzoleut kullosnin delet. Ndërsa për të hyrë në mauzole, duhet të kaloje një ish-kanal që ishte i mbushur me plehra.

Ajo që ndodhi, fatalisht, ishte se gjithë kundërreagimi i madh i shqiptarëve ndaj një periudhe 50-vjeçare kolektivizmi dhe ngrirje të çdo mundësie për lëvizje të lirë u transformua në një zhvillim bombastik demografik, që nuk u shoqërua dot nga shteti dhe jo më të udhëhiqej nga një politikë e qartë planifikimi dhe pastaj zbatimi të planeve.
Nëse do të shohim Shqipërinë në dollapët e ministrive apo të agjencive, do të gjejmë shumë plane, përgjithësisht të financuara nga miqtë dhe partnerët tanë. Por do të gjejmë shumë pak ose aspak nga këto plane të realizuara në realitetin e territorit tonë. Përkundrazi, në territorin tonë ndodhi ajo që u quajt dhe u përshëndet vazhdimisht si rritje ekonomike, por që faktikisht ishte një rritje ekonomike në kurriz të të ardhmes. Një rritje ekonomike tërësisht e paqëndrueshme, një rritje që të kujton atë shprehjen e bukur të një shkrimtari amerikan që “rritja për rritje është ideologjia e qelizave të kancerit”.

Një zhvillim kancerogjen që, sigurisht, solli mundësi të pafundme banimi për shqiptarët, por me çfarë kostoje? Me koston e shkatërrimit të pyjeve, të shkatërrimit të shtretërve të lumenjve, të shkatërrimit të plazheve dhe të shumë aseteve fantastike për zhvillimin tonë turistik, me koston e shkatërrimit të sistemit të ujësjellësve dhe kanalizimeve, e shkatërrimit të sistemit të kanaleve kulluese dhe vaditëse dhe me koston e tkurrjes dramatike të sipërfaqes së tokës së bukës, për të mos i numëruar të gjitha. U desh kjo kosto, për të pasur këtë zhvillim, një zhvillim që u bazua tek ndërtimtaria, pa kriter dhe pa karar dhe që u mundësua nga dërgesat e emigrantëve, kryesisht.
Faktikisht, ajo me të cilën ndeshemi sot është një sfidë e jashtëzakonshme për t’i dhënë sens zhvillimit, për t’i dhënë sens qëndrueshmërie dhe për të paralelizuar zhvillimin e territorit me zhvillimin e dijes. Sepse, në ndërkohë që Shqipëria pati këtë transformim të madh, që në këndvështrimin tim ishte një zhvillim kancerogjen, i paqëndrueshëm dhe me kosto e fatura që ne vetëm sa kemi filluar të përballemi, nga ana tjetër nuk u mendua asnjëherë seriozisht për t’u zhvilluar dijen dhe për të pasur një gjeneratë që pas 25 vitesh liri dhe përpjekje për demokraci të ishte në gjendje që të përballonte sfidat e vendit dhe sfidat e zhvillimit të mëtejshëm përmes dijes.

Dua t’ju sjell në vëmendje vetëm një shifër. Shqipëria ka trashëguar, ne kemi trashëguar, 28 strategji kombëtare vetëm për ujin në më pak se 25 vjet, të gjitha të financuara nga donatorët. 72 dokumente strategjike për sektorin e ujit. Ndërkohë ne s’kemi ujë të mjaftueshëm nëpër shtëpi. Ne s’kemi ujë të mjaftueshëm në arë. Ne s’kemi asnjë qëndrueshmëri të plotë, për të përballuar ujin e tepërt që na ka dhënë natyra.

Unë besoj që edhe çka tha këtu drejtorja e Bankës Botërore është absolutisht e lidhur me mundësinë e re që na jep kjo reformë. I gjithë ky zhvillim dhe i gjithë ky presion i madh, që shteti nuk arriti asnjëherë ta kanalizonte në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm për të gjithë, por që e ndoqi nga pas, me plane e strategji të kota, me male të kota me letra, për të cilat u shpenzuan para pa fund, pati edhe një komponent tjetër. Komponent, që ndikoi dramatikisht në fuqinë shkatërruese të këtij transformimi dhe që ishte fragmentimi fatal i Shqipërisë në 360 e ca njësi vendore, të cilat kanë ngatërruar më shumë seç vetë djalli do i ngatërronte punët me titujt e pronësisë, të cilat kanë ngatërruar më shumë sesa djalli do t’i ngatërronte punët me sistemet e furnizimit me ujë, me sistemet e kanalizimeve, me sistemet e shërbimeve. E padyshim, kanë pasur një ndikim fatal me qytetet, pasi çdo qytet i Shqipërisë, deri edhe qytetet që janë trashëgimi kulturore botërore, nëse do t’i shikonim nga lart, janë si vendbanime të rrethuara dhe të presuara nga ushtri barbare, me ato godinat e njëpasnjëshme që duket nga avioni sikur ka hedhur Zoti farat e kungullit lart e poshtë nëpër Shqipëri.

Për ta mbyllur me një vështrim optimist, jo për optimizëm formal, por për bindje, unë besoj që, sidoqoftë, ne kemi sot një mundësi reale për t’i parë ato që kanë ndodhur dhe për t’i trajtuar ato që kemi trashëguar në territor, në aspektin e potencialit të tyre. Fjala vjen, nëse shumë territore bujqësore rreth Tiranës, sot janë një miks midis tokave bujqësore dhe vendbanimeve brenda qytetit, kjo nuk duhet të kufizojë imagjinatën tonë, për t’i trajtuar këto territore bujqësore si ajo që quhet bujqësia urbane. Nëse në Neë York, sot kanë filluar të hedhin dhe nëpër tarraca, për të bërë ara dhe për të mbjellë produkte bio dhe kjo është një tendencë që shihet në shumë qytete, ne i kemi si pjesë të qyteteve këto territore dhe nuk kemi nevojë të mbjellim domate nëpër tarraca, se i kemi fushat e domateve, aty ku qytetet kanë fushat e sportit, i kemi serat aty ku qytetet kanë palestrat.
Besoj që me reformën, ne kemi mundësi tani që jo vetëm ta lançojmë pas 2 vitesh përgatitje, por dhe ta implementojmë një reformë reale të ujit të pijshëm. Duke transformuar tërësisht strukturën shumëvjeçare dhe të falimentuar të ujësjellësve dhe duke e kthyer atë në një strukturë që të funksionojë me konceptin e ndërmarrjeve dhe jo më si një strukturë prapavijë e partive politike.

Reforma për të çuar ujin në çdo parcelë, duke ua kaluar bashkive, siç ua kemi kaluar, përgjegjësinë dhe duke mbështetur bashkitë që të kenë flotat e tyre, për të bërë të mundur atë që në 20 e kusur vite, me gjithë shpenzimet kolosale që janë bërë dhe me gjithë paratë e pafundme që janë dhënë nga donatorët, nuk është bërë e mundur, që çdo tokë buke të ketë kanalin e ujit dhe kanalin kullues, si dhe për t’u mbrojtur bashkërisht nga erozioni, ku përveç çka sjell ndryshimi i klimës, ne kemi shtuar nga vetja jonë, shkatërrimin e pritave dhe shkatërrimin e të gjithë ekuilibrave natyrorë.

Po ashtu, bashkë me reformën e ujit, është edhe reforma e shërbimeve. Sot, ne kemi një tjetër avantazh, që e kanë të varfrit, apo vende më pak të zhvilluara në krahasim me vendet më të zhvilluara, për të kapërcyer shumë vite prapambetjeje. Kjo është mundësia për të përdorur teknologjinë e lartë përmes një programi që po e punojmë intensivisht dhe bashkërisht me Bankën Botërore, ne besojmë se mund të transformojmë cilësinë e shërbimeve. Jo më larg se dje, nga 27 nga 54 shërbime që jep hipoteka mund të merren pa shkuar fare në hipotekë, por duke shkuar tek noteri dhe duke më shumë se përgjysmuar radhët e pafundme për ato certifikatat e freskëta, konfirmimet e titujve të pronësisë. Pra, të gjitha procedurat burokratike që janë penguar për shkak të mungesës së aksesit në teknologji.

Padyshim, financimi mbetet një sfidë e madhe. Unë kam besuar dhe besoj që rruga jonë është ndërtimi i partneriteteve me privatët. Ne nuk kemi mundësi të marrim borxhe më shumë. Ne nuk kemi mundësi dhe nuk duam të rrisim më shumë taksat. Për të bërë gjithë këto gjëra, duhen para. Atëherë ka vetëm një rrugë, partneriteti me privatin. Nëse vende shumë më të zhvilluara se ne, nëse Gjermania që është një vend kampion, i mirënjohur nga të gjithë dhe të gjithë duan të shkojnë në Gjermani, është një vend po ashtu kampion për partneritetet publike-private, ky është një mësim shumë i madh. Një mësim i madh se sado mundësi financiare më të mëdha kanë vende shumë më të mëdha dhe shumë më të zhvilluara, prapëseprapë i referohen partneritetit publik-privat si një instrument i pazëvendësueshëm, jo vetëm për shkaqe financiare, por edhe për cilësinë e shërbimeve.

Unë jam i bindur që Bashkia e Tiranës mund të bëhet një lokomotivë në ndërtimin e partneriteteve publike-private, me kurajë, me vendosmëri dhe pa komplekse dhe aq më pak, pa u tërhequr përballë gjithë reaksionit të zi që çdo partneritet me privatin e trajton si diçka që meriton vetëm të akuzohet dhe të përbaltet.

E fillova me Stefano Boerin dhe do ta mbyll me Stefano Boerin, duke e falenderuar që ka marrë përsipër këtë sfidë. Jam i bindur që qasja e Stefanos dhe e gjithë asaj shkolle të re të mendimit arkitektonik dhe urbanistik, që Stefano përfaqëson – e cila nuk është shkolla e planifikimit të ngurtë dhe e hartave që faktikisht nuk kanë asnjë shans që të gjejnë mundësi për t’u zhvilluar në një vend si yni, madje i kanë braktisur edhe vende shumë më të zhvilluara se i yni, por qasja moderne e të parit të qytetit dhe e territorit si organizëm dhe e të konceptuarit të të ardhmes së organizmit në bazë të metabolizmit të tij, - përbën një shans të madh për bashkëpunimin mes Bashkisë së Tiranës dhe grupit të Stefano Boerit. Kjo është një mundësi e re, për të transformuar dobësitë në pika të forta dhe për t’i kthyer ato që kemi trashëguar si probleme, në potenciale të një zhvillimi të ri, të qëndrueshëm dhe pa as më të voglin dyshim, inovativ, pasi, në qoftë se nuk do jetë inovativ, nuk do jetë e mundur që të jetë zhvillim.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin