Fjala e Kryeministrit Rama në prezantimin e Moratoriumit 10-vjeçar të pyjeve

Do ta nisja këtë fjalë, duke kujtuar shprehjen e një poeti dhe filozofi të madh Henry David Thoreau i cili thotë: “Ç’të duhet shtëpia e bukur kur e ndërton mbi një planet pa vlerë.”

Faktikisht, nëse kemi parasysh panoramën e zhvillimit intensiv, por tërësisht kaotik dhe të paqendrueshëm të Shqipërisë në 25 vitet e fundit, është e qartë se është një zhvillim në kurrizin e gjeneratave të tjera. Nëse sot, Shqipëria përballet me një sfidë të dyfishtë, nga njëra anë, sfida globale e ndryshimit të klimës, që pa dyshim na prek edhe ne dhe nga ana tjetër sfida shqiptare e erozionit të shkaktuar nga dora e njeriut, - kjo është pa dyshim edhe pasoja e parë dhe e drejtpërdrejt e të gjithë atij zhvillimi intensiv dhe kaotik të bazuar në ndërtimtarinë kuturu, duke shfrytëzuar si material ndërtimi të ardhmen dhe duke marrë borxh atë që nuk mund të merret borxh kurrë, atë që u takon gjeneratave të tjera, për të ndërtuar sot për sot.

Ashtu si çdo organizëm i gjallë, vetë toka është një organizëm i gjallë në të gjithë pjesët përbërëse të saj, që janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, aq pazgjidhshmërisht sa ndërhyrja në çdo gjymtyrë sjell trauma, hemorragji dhe dëmtime fatale për të gjithë organizmin e tokës.

Sot, ne jemi në kushtet kur na duhet të reagojmë në mënyrën më të vendosur dhe më radikale të mundshme. Pasi, sot ne jemi në kushtet kur e shohim përpara syve tanë dhe e ndiejmë çdo ditë atë që deri një apo dy dekada më parë mund ta tregonin vetëm analizat dhe diagnozat e një degradimi të filluar edhe përpara viteve ‘90, por që pas viteve ‘90 mori përmasa të frikshme.

Gandi thotë se, “Toka ofron burime të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e çdo njeriu, por nuk mund të përballojë dot lakminë e gjithsecilit.”

Ajo çka përjetojmë sot me përmbytjet është faktikisht fatura e papërballueshme e lakmisë së shumëkujt për të marrë atë që nuk i takon, për të ndërtuar aty ku nuk i takon dhe për të jetuar me çfarë nuk i ka takuar dhe nuk mund t’i takojë. E po ashtu, pa dyshim edhe të një verbërie apo injorance të frikshme të atyre, që për vite me radhë kishin detyrën ta mbronin duke e mirëqeverisur këtë sektor kaq jetik dhe kaq delikat.

Shkatërrimi i pyjeve, shkatërrimi i lumenjve, i shtretërve të lumenjve, shfrytëzimi barbar për lëndë drusore, për lëndë ndërtimi, si dhe shkatërrimi i të gjithë infrastrukturës mbrojtëse, pritave, argjinaturave, kanaleve kullues, na ka sjellë vit pas viti në buzë të një humnere, që ne prej dy vitesh kemi marrë masa për ta shmangur. Por sot, pas dy vitesh jemi në kushtet kur duhet të shkojmë një hap më tutje dhe duhet të hedhim me kurajë dhe vendosmëri hapin e Moratoriumit 10-vjeçar, të ndalimit absolut të shfrytëzimit të pyjeve për qëllime fitimi, për qëllime industriale, për qëllime tregtare, për qëllime që shkojnë përtej nevojës jetike dhe imediate të banorëve të zonave të ndryshme për t’u ngrohur gjatë dimrit. Kjo e fundit është e vetmja pjesë e pranueshme në këtë proces ku me çdo kusht ne duhet t’i vëmë fre të gjitha aspekteve të tjera të shfrytëzimit të pyjeve.

Pa dyshim, që pyjet nuk janë shkatërruar vetëm nga çfarë është lejuar. Pyjet janë shkatërruar edhe për shkak të një aktiviteti kriminal, intensiv, të zhvilluar në ilegalitet dhe në bashkëpunim të plotë me struktura që duhet t’i kishin mbrojtur pyjet në vite e vite të tëra.

Ministri solli këtu me të drejtë ekspozenë e përpjekjeve të bëra. Si pjesë e kësaj ekspozeje solli edhe rastet kur qytetarë, media, kontrolle të ushtruara nga vetë ministria në bashkëpunim me ministrinë e Brendshme kanë nxjerrë në pah si pjesë e këtij aktiviteti kriminal dhe ilegal edhe inspektorë apo nëpunës të këtij shteti. Pa as më të voglin dyshim, edhe pse është larg së qeni një histori që ka mbaruar, historia e përpjekjeve të këtyre dy viteve të qeverisë sonë, përkatësisht ministrisë së Mjedisit dhe ministrit, është padyshim një premisë e rëndësishme për të qenë një histori suksesi.

Unë dua që t’i falenderoj dhe t’i inkurajoj, me gjithë zemër dhe me të gjithë forcën, banorët, komunitetet, mediat që të denoncojnë çdo rast abuzimi me këtë pasuri të jashtëzakonshme, të paçmueshme që është cenuar kaq shumë, në gjithë këto vite.

Ashtu sikundër kemi reaguar, do të vazhdojmë të reagojmë me vendosmëri, pa asnjë tolerancë, kurdo që të ballafaqohemi me ekspozimin e këtij fenomeni, kaq të shëmtuar dhe kaq kriminal, të përfshirjes së vetë njerëzve që paguhen nga taksat e popullit për të mbrojtur pyjet në shfrytëzimin kriminal dhe ilegal të tyre.

Ne kemi bërë ndërhyrje në legjislacion, por sot jemi të vendosur për dy ndërhyrje madhore të cilave iu ka ardhur koha, Moratoriumin 10-vjeçar dhe Paketën e Ndëshkimit të Krimit Mjedisor.

Moratoriumi është një kërkesë që nuk vjen sot, për hir të së vërtetës nga Ministri i Mjedisit dhe nga unë personalisht, në mbështetje të plotë të kësaj ideje, por është një kërkesë që sot nuk mund të refuzohet më nga ligjvënësit e Shqipërisë.

Është në Parlament. Ne presim me padurim hapjen e sesionit të ri për të miratuar Moratoriumin, për të cilin na është dashur të diskutojmë pafundësisht me grupe interesi që preken nga kjo masë drastike, por edhe me deputetë, - të cilët për një arsye apo një tjetër, pa i paragjykuar, por pa mundur t’i mirëkuptojmë më, asnjë ditë më shumë, - i janë kundërvënë Moratoriumit.

Përfundimisht, ne duam miratimin e Moratoriumit nga Kuvendi i Shqipërisë. Jam i bindur që me çeljen e sesionit, Kuvendi i Shqipërisë do ta miratojë Moratoriumin, i cili ndalon kategorikisht çdo aktivitet industrial, tregtar, prodhues, ekonomik në pyje shtetërore apo pyje private për 10 vjet. Gjithashtu, garanton shfrytëzimin e pyjeve me kritere shumë të mirëpërcaktuara dhe përmes një kontrolli shumë rigoroz, që do të kryhet nga Ministria e Mjedisit, nga ana e bashkive që përfitojnë nga reforma e decentralizimit, marrjen e përgjegjësisë së madhe, jo thjesht të kompetencës për administrimin e pyjeve, vetëm për qëllimet e përdorimit familjar, duke harmonizuar kështu nga njëra anë standardet e shfrytëzimit të pyjeve për këtë qëllim, me nevojat e qytetarëve.

Ministria e Mjedisit, - dua ta falenderoj ekipin e djemve dhe vajzave të kësaj ministrie që ka punuar për përgatitjen e Moratoriumit, - ka llogaritur në mënyrë të saktë këto nevoja dhe ka përcaktuar në mënyrë po kaq të saktë edhe rrugën për t’i plotësuar këto nevoja pa cenuar misionin që ka ky Moratorium.

Parafytyroni vetëm kaq, të gjithë duhet ta përfytyrojnë; Në periudhën 1945-1990, e cila konsiderohet për shkak edhe të natyrës së regjimit të kohës, si një periudhë kur pyjet ishin më të mbrojtura se asnjëherë më parë dhe më pas, shfrytëzimi i pyjeve për nevoja të një sistemi dhe të një politike të caktuar, ka qenë 2-3 herë më i lartë se sa rritja vjetore natyrore e pyjeve.

Pra, faktikisht, nëse i referohemi standardeve të sotme të Bashkimit Europian dhe kritereve teknike dhe profesionale për shfrytëzimin e pyjeve, periudha ‘45-90 mund të konsiderohet jashtë çdo standardi dhe në mospërputhje të plotë me çdo kriter. Përfytyroni tani periudhën ‘90 dhe këtej, duke pasur parasysh që vetëm në periudhën e qeverisjes së mëparshme, 2007-2013, janë prerë dhe janë djegur 216.074 hektarë pyje, në rang vendi ose 17% e totalit të fondit pyjor të Republikës së Shqipërisë.

Duhet një kurajë, që e kanë vetëm ata që kanë dhe këtë përgjegjësi të madhe kolosale, përpara gjeneratave të tjera në raport me këtë pasuri, për të hapur gojë dhe për të kërkuar sot hesap për pasojat që janë kaq të lexueshme dhe që ishin plotësisht të pritshme, duke pasur parasysh se çfarë ka ndodhur, për shkak licensash të dhëna pa kriter e pa karar, për shkak të aktivitetit kriminal dhe ilegal të përhapur si kancer në të gjithë territorin e pyllëzuar të vendit, për shkak të 400 e kusur licensave për hidrocentrale pa kriter e pa karar, që kanë sjellë rrafshime mijëra hektarëshe në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që sot të mos kemi më as më të voglin hezitim që të vendosim Moratoriumin 10-vjeçar.

Dua po ashtu të sjell edhe një herë këtu në vëmendje një fakt; Patëm të njëjtin reagim, më të vogël në masë për shkak se masa e të interesuarve ishte më e vogël, por po kaq agresiv në përmbajtje, kur hodhëm në publik idenë e Moratoriumit të Gjuetisë. Sot, në një kohë kaq të shkurtër, Moratoriumi i Gjuetisë është një histori suksesi që flet vetë. Mjafton të shohim se si ishte dhe si është sot Parku Kombëtar i Divjakës, për të kuptuar rëndësinë e madhe dhe vlerën e madhe të masës së propozuar nga qeveria dhe të miratuar nga Kuvendi.

Me shkatërrimin e pyjeve u bë edhe përzënia e dhunshme e të gjitha specieve, që kishin krahë dhe këmbë për të ikur nga ky vend, të cilat kanë filluar të rikthehen dhe të rigjejnë mjedisin e tyre për të mundur që të gjallojnë dhe të ripërtërihen këtu në Shqipëri. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Moratoriumin 10-vjeçar të pyjeve.

Përfytyroni që, ndërkohë që, vetëm në periudhën 2007 dhe 2013 janë shkatërruar dhe janë djegur 216.074 hektarë pyje, në periudhën 1990-2013 sipërfaqja totale e pyllëzuar është 2.674 hektarë. Me këto ritme, shkatërrim-pyllëzim, me këtë raport, ne mund të përfytyrojmë pa asnjë vështirësi, Shqipërinë e 15 viteve më pas, si një vend tërësisht lakuriq, të qethur dhe të rruar në 28 mijë kilometra katrorët e vet dhe pa dyshim, të përmbytur një herë e mirë.

Kjo është një perspektivë që do të ishte e mundur, nëse në 2013-n nuk do të kishte nisur një kthesë e rëndësishme që është ende larg së qeni një kthesë e plotë, pasi vetëm në 2014-2015, ndryshimi pozitiv në këtë aspekt është ky; 2,5 milionë fidanë pyjor të mbjellë dhe një sipërfaqe e pyllëzuar e barabartë me 80% të sipërfaqes së pyllëzuar nga 1990 në 2013-n. Pra, nëse nga 1990 në 2013-n ishin 2.670 hektarë, në vetëm dy vjet janë ripyllëzuar 2 mijë hektarë. Por, sigurisht që, kjo është larg së qeni një shifër që na kënaq dhe që na mjafton. Jo ne, por asnjë qeveri dhe buxheti i asnjë qeverie sikur të vihej në dispozicion, flas për qeveritë e botës, për të rikuperuar këtë proces dhe këtë situatë katastrofike, nuk do të mund të kishte impaktin që duhet për gjeneratën tjetër në mungesë të bashkëpunimit të plotë me natyrën, pra, në mungesë të Moratoriumit për t’i lënë natyrës të bëjë të vetën. Për t’i lënë organizimit të natyrës, hapësirën dhe mundësinë e rigjenerimit të vetvetishëm, sepse mbill një dhe prit e digj një mijë - është një raport i papërballueshëm.

Këtë vit do t’i vendosim kamerat termike, dhe është një projekt për të cilin kemi dy vjet që punojmë. Në fakt puna është bërë, ministria ka punuar me një projekt shumë domethënës dhe shumë inkurajues, për të vendosur kamera termike, kamera shumë speciale në të gjitha pikat kyçe ku kryhet aktiviteti kriminal i shfrytëzimit të pyjeve. Njëkohësisht, përmes këtyre kamerave për të identifikuar jo vetëm lëvizjet, por edhe burimet e zjarrit.

Paketa e Ndëshkimit të Krimit Mjedisor që do t’i shkojë në javët e ardhshme Kuvendit dhe që është në përfundim në qeveri, për të forcuar masat në Kodin Penal, plotëson nevojën për të pasur një qasje komplekse.

Pra, Moratorium, rritje e fuqisë ndëshkuese të ligjit dhe rritje e investimeve për pyjet. Që do të thotë, rritje investimesh në teknologji, rritje investimesh në burime njerëzore dhe rritje investimesh konkrete për të vazhduar mbjelljet e fidanëve pyjorë, të nisur qysh me ardhjen tonë në qeveri.

Unë e di që kaq shumë gjëra janë për t’u bërë dhe kaq shumë vite kanë njerëzit që presin, saqë në çdo rast kur ballafaqohen me plagët e të kaluarës ka gjithmonë një padurim dhe një shprehje nervozizmi, a thua se mjafton të votosh për të ndryshuar qeverinë dhe qeveria e re sa hap e mbyll sytë duhet të ndryshojnë dhe gjërat. Por e vërteta është pak më e thjeshtë dhe pak më e komplikuar në të njëjtën kohë. Mund të ndryshosh, siç tregon eksperienca jonë, edhe një regjim në pak ditë, por nuk mund të ndryshosh në kohë të shkurtër ngrehinën e tërë të organizimit të një shteti.

Ajo që ka ndodhur me pyjet është një tjetër arsye ulëritëse për të argumentuar se ne vetëm shtet nuk kemi pasur.

Ajo që po bëjmë është ndërtimi i një shteti serioz që të jetë në gjendje t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe njëkohësisht të garantojë përgjegjësinë e çdo qeverie dhe të çdo kohe aktuale për gjeneratën tjetër dhe për të ardhmen.

Moratoriumi i pyjeve është pjesë e masave për të përballuar pasoja të erozionit dhe për të përballuar faturën shqiptare të përmbytjeve, që është mbi faturën e ndryshimit të klimës. Nëse përmbytjet janë një fenomen që po prek çdo vit e më shumë të gjithë, edhe vendet më të zhvilluara, - përpara pak ditësh ishin temë qendrore e debatit në parlamentin e Britanisë së Madhe, gjë e pamendueshhme deri 10 vjet më parë, - në ato vende fatura vjen për shkak të ndryshimit të klimës, jo për shkak të vetëshkatërrimit për dy e kusur dekada të të gjitha strukturave natyrore dhe infrastrukturave shtetërore për t’u mbrojtur nga përmbytjet. Tek ne janë të dyja faturat që vijnë bashkë.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm dhe shumë të vendosur për ta përballur faturën shqiptare me disa masa komplekse. Moratoriumi, vendosja e një kontrolli shumë më të rreptë mbi burimet ujore dhe shfrytëzimin e tyre që është pjesë e reformës së ujit, që ne do ta paraqesim në ditët në vijim dhe investimi i rëndësishëm në gjithë infrastrukturën mbrojtëse, argjinatura, prita, kanale kulluese. Nga njëra anë përmes strukturës së reformuar tanimë të bordeve të kullimit që do të jetë një strukturë qendrore, e centralizuar, nën drejtimin e ministrit të Bujqësisë dhe që do të zbatojë politikat kombëtare në këtë aspekt dhe nga ana tjetër, përmes financimit më të madh që është dhënë ndonjëherë në këto 20 vjet për kanalet dytësore, tretësore, që do t’u shkojë bashkive së bashku me gjithë mbështetjen logjistike për të siguruar që gjatë këtij viti, ne të bëjmë një pastrim rrënjësor të kanaleve ekzistuese.

Kemi pastruar në dy vjet 649 kilometra kanale. Sigurisht që, nuk mjafton. Por nëse ato kanale do të kishin qenë ashtu siç i gjetëm, të paprekura për 20 e kusur vite, përmbytjet që kemi parë do të kishin qenë 10 herë më të mëdha. E pikërisht se nuk mjafton, atëherë përmasa këtë vit do të jetë shumë më e lartë dhe, edhe impakti do të jetë shumë më i fortë. Këtë pastrim e kemi bërë me një flotë qesharake. Në 20 e kusur vite nuk është bërë asnjë investim për flotën e ekskavatorëve.

Po bënim me ministrin e Bujqësisë një kalim në inventarin e flotës aktuale, një vend si Shqipëria, me gjithë këtë problematikë dhe me gjithë këto kusure nga e kaluara në raport me erozionin, është mbajtur në 20 e kusur vite me ekskavatorë sovjetikë, kinezë dhe me disa mjete ndihmash.

Sot që po bëhet kalimi i flotës te pushteti vendor për kanalet dytësore, 65% e flotës është thjesht material fizik i palëvizshëm, është për muze, është për ankandet e sendeve të vjetra, por nuk është për ta vënë në punë.

Prandaj, këtë vit investimi te flota do të jetë masiv. Sigurisht puna do të vazhdojë intensivisht, pasi ne jemi shumë të vetëdijshëm për padurimin dhe jemi më të padurueshëm sesa dhe vetë njerëzit, që me padurim presin të shikojnë ndryshimin.

Duke e mbyllur falenderoj edhe njëherë jo për formalitet, por për punën e kryer në një sektor - që në gjithë këto vite është konsideruar si oborri mbrapa shtëpisë, ku zakonisht hidhen dhe mblidhen sendet e vjetra, sektori i mjedisit, - të bërë në dy vjet nga ekipi i Ministrisë së Mjedisit, duke përballur jo vetëm një problematikë të rënduar, por edhe një mentalitet shumë të rënduar. Jam i bindur që puna ka filluar të japë rezultate, por do të japë rezultate shumë më të prekshme në periudhën që vjen, falë edhe Moratoriumit.

Dua të falenderoj të gjithë ata nga ju këtu, që jeni pjesë e kësaj historie të rëndësishme ndryshimi. Duam edhe më shumë në këtë aspekt. Shenjat inkurajuese për të bërë sukses i kemi, por suksesi do të jetë kur ashtu siç bëmë me energjinë, ashtu siç bëmë me ndërtimet pa leje, ashtu siç bëmë me sektorë të tjerë, shkelja e ligjit të jetë përjashtim, jo rregull. Prerja e një peme të jetë përjashtim, jo rregull. Dëmtimi i një pylli të jetë përjashtim, jo rregull. Djegia e pyjeve të jetë përjashtim, jo rregull, atëherë ne do të jemi shumë më të qetë kur të themi fjalën sukses.

Ju uroj që një orë e më parë, ju me punën tuaj t’ia dilni që ne të mund të jemi të qetë për ta thënë me plot gojën të themi fjalën sukses dhe cenimi i pyjeve të jetë po aq tabu, sa ç’është sot cenimi i linjave të korrentit apo cenim i pronës publike ose private, për të bërë ndërtim pa leje edhe pse ka ende raste të tilla, por janë përjashtime nuk janë më rregulla mbi rregulla. 
....................................................

Moratoriumi 10 vjeçar i shfrytëzimit të lëndës drusore për qëllime tregtare do të shënojë një kthesë historike, duke i dhënë mundësinë pyjeve të rigjenerohen.

Nga të dhënat zyrtare periudha 2007-2013 rezulton një katastrofë e vërtetë mjedisore në sektorin e pyjeve. Janë prerë dhe djegur qëllimisht rreth 17% e fondit pyjor. Po në këto vite 2007 – 2013, qeveria e mëparshme dha lejen për ndërtimin e 435 HEC-ve. Këto HEC-e shpyllëzuan sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe nuk patën asnjë marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit për rehabilitimin e tyre. Sipas raportit të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për 2002-2012 për mbulesën e tokës në rang vendi në Shqipëri situata është në kufirin e alarmantes. 

Në vetëm 2 vite qeverisje mbi 800 milionë lekë të reja u investuan për pyllëzime, rehabilitime të zonave të degraduara dhe mbrojtjen e pyjeve nga dëmtues biologjik. Për herë të parë, qeveria shqiptare detyroi subjektet që operojnë mbi fondin pyjor (HEC-e, miniera, karriera guri etj) të zbatojnë ligjin për rehabilitimin e të gjithë sipërfaqeve të marra në përdorim për shfrytëzim.

Hyrja në fuqi e moratoriumit do të ndalojë nxjerrjen e zonave të reja për shfrytëzim tregtar për një periudhe 10 vjeçare, si dhe do të ndërpresë çdo kontratë ekzistuese.

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Mbappe debuton me gol! Reali fiton Superkupën e Europës ndaj Atalantës, 'Galaktikët' trimfuan 2-0