Njëmijë anëtarë të rinj që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës dhe mbi të gjitha që mishërojnë shoqërinë në këtë zonë, ku deri disa vite më parë ishte e pamundur të përfytyroje se gratë dhe vajzat do të ishin prezent në një aktivitet politik. Politika ishte krejtësisht e uzurpuar nga një çetë vasalësh, të feudalit të madh të Tiranës, ndërkohë që Partia Socialiste ishte e abuzuar dhe e keqtrajtuar, e futur në një cep, pa frymëmarrje. E pra, kjo solli që në vitin 2011, në zgjedhjet e para fituese, ne të fitojmë me 1000 vota. Në vitin 2013, me 3000 vota. Në vitin 2015 me 7 500 vota diferencë dhe në 2017 me 10 000 vota diferencë!
10 000 vota diferencë në 2017-n do të jenë realiteti politik i gjithë këtij territori, ku zemrat dhe mendjet e njerëzve të zakonshëm të Kavajës i kemi fituar dhe i fitojmë përditë, jo me fjalë, po me punë, jo me premtime boshe, por me vepra, jo duke qëndruar në vendnumëro, por duke ecur çdo ditë përpara në drejtimin e duhur. Njerëzit janë larg së qeni delet apo budallenjtë që kujtojnë ata marifetçinjtë e sherreve dhe të konflikteve në Tiranë. Janë larg së qeni delet dhe budallenjtë që hanë çdo gjë nga ato që përpiqet t’ju servirë një politikë e vjetër, e degraduar, e katandisur në një llogore balte dhe shpifjesh. Njerëzit shohin, njerëzit dëgjojnë, njerëzit kuptojnë dhe mbi të gjitha, njerëzit e ndjenë pa as më të voglin dyshim se kush është drejtimi i duhur dhe kush është zgjedhja e duhur. E pikërisht se në Kavajë kanë bërë tre herë rresht zgjedhjen e duhur, kanë mundur të shohin transformime brenda 2 vitesh, më shumë sesa në 23 vjet, të marra sëbashku.
Ju siguroj, që çka është bërë, është larg së qeni e gjitha. Përkundrazi, çka do të bëjmë, do të jetë edhe më shumë seç është bërë. Kemi diskutuar me kryetarin e bashkisë, të cilin gjej rastin ta falënderoj përpara jush, për përkushtimin e madh, për vullnetin e jashtëzakonshëm e mbi të gjitha, për besnikërinë ndaj qytetarëve të bashkisë së re të Kavajës. Kemi rënë dakord të mbështesim ne, qeveria, përveç punëve që do të bëjë bashkia me fondet e saj, me kontribute nga sipërmarrja që vazhdimisht kryetari i bashkisë ka arritur t’i sigurojë, dy projekte që ishin të paimagjinueshme deri vjet dhe parvjet; Projektin e kanalit lundrues nga Përroi i Qerretit deri në hyrje të Kavajës, që është një vepër e rëndësishme për të rritur fuqinë ekonomike, duke rritur turizmin dhe që i jep më në fund, Kavajës, detin e plazhin e vet prej të cilit ishte privuar vite e vite me radhë për shkak të një harte territoriale, krejtësisht të padrejtë, që e kishte kthyer Kavajën në një xhep fals, nën udhëheqjen e lavdishme të feudalit, Sali Berisha.
Nga ana tjetër, do të mbështesim projektin e parkut të madh të Kavajës, i cili është një projekt ambicioz që nuk ndërtohet brenda një viti, do të kërkojë dy apo tre vjet, por do të jetë një nga parqet më të bukur urban të Shqipërisë dhe është një projekt që kryetari i bashkisë e ka ndarë edhe me ju. Unë e kam parë me shumë simpati e me shumë gëzim, sepse ajo hapësirë do të rrisë jashtëzakonisht shumë, frymëmarrjen e qytetit dhe do t’i japi një hapësirë krejtësisht të re familjeve, prindërve, gjyshërve, mbesa, nipave dhe të gjithë atyre që do të vijnë e do të vizitojnë qytetin.
Ideja e një Kavaje dhe e një zone si kjo, që mund të ishte një zonë që të zhvillohej ekonomikisht, falë potencialit turistik, deri para dy vjetësh e gjysmë do të dukej një marrëzi. Do të dukej një marrëzi, sepse qyteti deri në 2011 as qytet nuk mund të quhej më, por ishte një xhep fals, gjithë pluhur, gjithë harresë, i degraduar, të cilit i kishin mbetur vetëm ato pseudo dy gishtat aty në mes dhe që dukej në fakt si një gisht që i ngrihej Kavajës, çdo mëngjes dhe i thoshte “ku të kam parë!”
Ajo që ishte, nuk është më. Sot është një kantier ku natyrisht ka shumë punë për të bërë, natyrisht ka shumë probleme dhe prandaj, pse ka shumë punë për të bërë, pse ka shumë probleme për të zgjidhur e shumë halle për të adresuar, pse ka ende shumë njerëz që kanë nevojë ta prekin individualisht dhe familjarisht ndryshimin dhe ende nuk e kanë prekur në ekonominë e tyre familjare, brenda mureve të shtëpisë së tyre, duhet të vazhdojmë vendosmërisht rrugën e reformave për të bërë shtet dhe shtet në këtë vend mund të bëjë vetëm një forcë, Partia Socialiste e Shqipërisë.
Pikërisht pse kemi ndërmarrë një rrugë reformash që të tjerët para nesh as nuk guxuan ta mendonin, jo ta bënin, sot kemi përballë një rezistencë vulgare prej grupesh dhe kundërshtarësh të reformave, që nuk janë vetëm ata që duken, nuk janë vetëm ata që kanë humbur pushtetin e privilegjet dhe që akoma nuk e kanë marrë vesh, pse populli i largoi dhe vazhdojnë të përsërisin historinë e tyre, duke i thënë popullit “o sa mirë ishit, kur ishit me ne”, pra, “o sa mirë ishit kur ishit më keq, nuk ka”! Por edhe forca të tjera, që përfaqësojnë interesa të prekura nga reformat.
Reformat që ne po bëjmë janë një tërësi veprimesh brenda një operacioni shumë të madh. Po operojmë në të gjithë organizmin e shtetit dhe të jetës së vendit. Po operojmë në çdo sektor, njësoj si të ndërhysh në një trup të kapur në të katër anët nga kanceri. Njësoj si të prekësh në të njëjtën kohë, të gjitha organet vitale të organizmit, për ta shpëtuar nga një agoni pafund dhe për ta kthyer në këmbë, për ta bërë të ecë e pastaj të vrapojë. Kjo sigurisht ka dhimbje, por dhimbjet e reformave nuk janë vetëm sakrificat që kërkohen nga njerëzit. Sigurisht është e dhimbshme ekonomikisht, që kur je mësuar të mos i paguash dritat, të nxjerrësh lekë që të paguash edhe dritat.
Por janë edhe disa dhimbje të tjera, që janë dhimbjet e shkaktuara nga interesat e prekura nga fijet e këputura. Ti vësh flakën një ishulli droge si Lazarati nuk është thjesht ajo që duket në televizor. Nuk është thjeshtë lufta me një tufë banditësh atje, por do të thotë të vësh flakën në një bankë parash të zeza. Parash të zeza që gjeneroheshin nga ai ishull dhe që diku shkonin dhe të prekësh drejtpërdrejtë interesat financiare të dikushit apo të disave, të cilët përfitonin nga ajo bankë parash të zeza, falë mbështetjes e lidhjeve që kishin, falë symbylljes së qeverisë së vjetër. Ato interesa flasin nëpërmjet zërash dhe fytyrash nga më të ndryshmet. Flasin në emër të partisë, në emër të lirisë së shprehjes, flasin në emër të këtij apo atij, por në fakt mbrohen nëpërmjet të tjerësh.
Unë ju them këtu me përgjegjësinë më të madhe, qytetare dhe morale, përveçse politike. Ilir Beqja është sot ministri më i sulmuar, ashtu si Saimir Tahiri është ministri i kryesulmuar, sepse ka prekur interesa. Të ulësh 30% çmimet e ilaçeve për popullin dhe t’i kursesh popullit 70 milionë dollarë, do të thotë që ato 70 milionë dollarë t’i ndalosh që të shkojnë diku tjetër; Do të thotë që ato 70 milionë dollarë, që deri dje dilnin nga xhepat e familjeve dhe njerëzve që kishin nevojë për ilaçe dhe shkonin në xhepa të tjerë, të mos lejosh që të dalin nga xhepat e popullit. E pra, për ato 70 milionë dollarë të humbura dhe për atë dhimbje që kjo humbje shkakton tek ata të cilët ishin mësuar t’i merrnin këto para, duke i dhënë shqiptarëve ilaçe me detyrim, me çmime më të shtrenjta sesa në vendet e origjinës, sigurisht që ka reagim, sigurisht që ka rezistencë. E kush është rezistenca? Të sulmojnë, të përbaltin, të godasin figurën që përfaqëson këtë betejë në këtë sektor.
Kjo nuk është diçka që ndodh në Shqipëri për herë të parë. Kjo është diçka që dihet kudo ku ka reforma. Sidomos në vendet në zhvillim, reformat kundërshtohen nga fuqia e interesave të prekura, në emër të parimeve, në emër të luftës për drejtësi, në emër të luftës kundër korrupsionit, në emër të kësaj apo asaj dhe njerëzit që i bëjnë reformat vendosen në shënjestër si të korruptuar, si të përfshirë në afera, për të goditur moralisht dhe për të gjunjëzuar moralisht, atë ekip dhe atë forcë reformatore që ka marrë përsipër të godasë në interesa e të ndryshojë strukturalisht një shoqëri, duke e kaluar gjithmonë e më shumë pushtetin tek njerëzit dhe duke ia hequr gjithnjë e më shumë pushtetin grupeve, lobeve, çetave, bandave e kështu me radhë.
Të jeni të sigurt seç ka them, është e thjeshtë dhe e qartë si drita e diellit. Përmenda një shembull, ilaçet, por mund t’ju jap fare thjesht, shembullin tjetër. Nëse dikush nga ju në këtë sallë, mes moshës 40 dhe 65 vjeç kur fillojnë shfaqen problemet në trupin e njeriut, përgjithësisht dhe këtu në këtë sallë plot njerëz që janë të pasiguruar, do të shkonte të bënte një kontroll bazë, për të marrë vesh sesi e ka situatën e shëndetit të vet, do të paguante 51 mijë lekë. Sot shkon e bën falas. Sigurisht e bën falas, sepse shteti, qeveria, në zbatim të angazhimeve dhe të programit tonë për ta transformuar shërbimin kombëtar shëndetësor, në një shërbim që u jepet të gjithëve, ka hedhur një hap të rëndësishëm dhe u jep mundësi njerëzve që të marrin vesh përpara se t’u shfaqen sëmundjet, se nga çfarë kërcënohen dhe kështu t’i parandalojnë duke kursyer kosto. Kosto në shëndet e kosto financiare për vete e për familjen.
Si ka mundësi që kjo iniciativë të përbaltet me kaq insistim, me kaq forcë e me kaq shumë gënjeshtra?! Ndërkohë që kostoja nuk është 51 mijë lekë, është 18 mijë lekë. Pra, është shumë më pak dhe kostoja paguhet sigurisht nga buxheti, pasi është shteti që e paguan dhe nuk e paguan për t’ia dhënë privatit, por shteti e paguan që privati t’u bëjë qytetarëve këtë shërbim. Për ne, rëndësi ka që të gjithë qytetarët nga 40-65 vjeç, për herë të parë mbas 20 e kusur vitesh marrin kontrollin mjekësor falas.
Nëse ka këtu një person që ka nevojë për hemodializë, e di shumë mirë se çfarë heq i vetë dhe çfarë heq familja. Parafytyroni, një person i sëmurë që duhet të marrë seancat e hemodializës, që duhet të niset nga Korça, nga Tropoja, Saranda, Vlora, Kukësi dhe të shkojë në Tiranë e të shkojë vetëm në një vend. Dhe e dini ku shkon, prej vitesh të tëra, që nga koha e qeverisë së vjetër? Tek një privat i vetëm, të cilit qeveria e vjetër i paguante 90 euro nga buxheti, për çdo seancë. Ndërkohë që ajo që bëjmë ne është që nëpërmjet partneritetit me privatin i japim mundësi të gjithë të sëmurëve me hemodializë, që nga Korça të mos vijnë në Tiranë, por ta bëjnë hemodializën në Korçë, nga Kukësi të mos vijnë në Tiranë, por ta bëjnë në Kukës, nga Shkodra ta bëjnë në Shkodër. Pra, të mos bëjnë udhëtime, të mos paguajnë para, të mos kenë edhe familjarët me vete që duhet t’i shoqërojnë, por të kenë një shërbim shumë më të lehtë, me 10 euro më pak dhe me shumë më pak kosto, nga të gjitha anët.
Si mundet që ata të cilët e kishin atë shërbim, në atë farë derexheje, të na akuzojnë ne! Interesat, miqtë e mi! Interesat e prekura, fijet e këputura! Këto janë ajo çka nuk duket në këtë proces reformash. Si ka mundësi, një parti e tërë në opozitë, në 2 vjet e gjysmë të ketë bërë mbi 1000 deklarata e konferenca shtypi kundër ministrit të Brendshëm, ndërkohë që në 2 vjet e gjysmë, për herë të parë që kur nuk mbahet mend, në Shqipëri ka më në fund një Polici Shteti që i shërben qytetarëve. Si ka mundësi që më në fund, mbas 20 e kusur vitesh, semafori është i kuq edhe për kryeministrin, edhe për ministrin, edhe për deputetin, edhe për kryetarin e bashkisë, edhe për qytetarin dhe nuk është i kuq vetëm për qytetarin. Si ka mundësi, ndërkohë që gjoba është gjobë për parkimin e gabuar, edhe për një familjar që nuk njeh njeri, edhe për deputetin e Komisionit të Sigurisë.
Si ka mundësi, ndërkohë që numri i krimeve në Shqipëri ka rënë në mënyrë drastike, pavarësisht se probleme me krimin ka pasur, ka dhe do të ketë, ashtu siç ka pasur, ka dhe do të ketë në Gjermani, në Francë, në Amerikë dhe kudo. Ka mundësi dhe e dini pse? Sepse ndërkohë janë goditur interesa kriminale që deri dje kishin gjetur mbrojtje dhe mbështetje tek ata që sot nuk përfaqësojnë opozitën, por përfaqësojnë vetëm qeverinë e vjetër. Një qeveri e vjetër që vazhdon i thotë popullit “sa mirë ishe, kur ishe me mua. Kthehu tek mua, të marrsha të keqen, se unë tek ty nuk vij dot!” Po të keqen të na e marrin, të vazhdojnë, ne do të vazhdojmë në rrugën tonë. Në rrugën tonë të reformave, ku na duhet një Parti Socialiste edhe më e fortë.
Të gjitha këto që thashë dhe shumë të tjera që mund të thuhen, janë shpjegimi se pse sot, ne duhet të rrisim e të fuqizojmë Partinë Socialiste. Sot nuk është kryeministri, nuk janë një grup ministrash, as një grup deputetësh që mund ta garantojnë deri në fund këtë proces reformash, por është fuqia e madhe që ata përfaqësojnë dhe kjo quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Prandaj, sa më shumë pjesëmarrje, sa më shumë anëtarësime, sa më shumë kontribute, sa më shumë fuqi në mbështetje të reformave, aq më të pathyeshëm në këtë rrugë.
Parafytyroni si do ishim sot, sikur reforma e arsimit të ishte bërë 20 vjet më përpara. Sikur që 20 vjet përpara, qeveria të kishte e qartë e t’i fliste popullit qartë se jo të gjithë mund të bëhen juristë, jo të gjithë mund të bëhen inxhinierë, jo të gjithë mund të bëhen ekonomistë, por shumëkush mund të marri një zanat dhe me atë zanat, jo vetëm mund të gjejë një punë në një ndërmarrje, por mund të krijojë edhe ndërmarrjen e vet dhe paralelisht me universitetin, të hapte shkolla reale profesionale dhe t’i jepte mundësi vajzave dhe djemve të bëheshin teknikë, - teknikë kompjuterësh, teknikë nafte, teknikë bujqësie, teknik në të gjitha fushat, apo të bëheshin elektricistë, hidraulikë, marangozë e me radhë, - sot, Shqipëria do të kishte shumë më tepër njerëz në punë e shumë më tepër biznese të njerëzve me zanate. E pse nuk i ka? Nuk i ka sepse në vend që t’i jepnin njerëzve zanate dhe t’i tregonim vajzave dhe djemve rrugën e punës, ju treguan rrugën e juridikut dhe e bënë vendin me numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë. Jam i bindur që një nga ata dy kameramanët është jurist! Jam i bindur që një nga tre rojet e pallatit të kulturës këtu është jurist. Jam i bindur që kamarierët aty përpara janë të gjithë me juridik. Siç më tha dikush para ca ditësh, kur më kërkoi të bënim një foto bashkë, “na gjej një punë”. E pyes çfarë shkolle kishte e mu përgjigj “jurist si gjithë shqiptarët”.
Parafytyroni sikur 20 vjet përpara, 15, 10 apo 5 vjet përpara, qeveria t’u thoshte njerëzve, “Stop! Energjia duhet paguar, dritat duhen paguar!”, do ishim ndryshe sot, sepse nuk do të kishim harxhuar për vite të tëra, 150 milionë dollarë çdo vit, për të mbushur gropën e faturave të papaguara. E ndërkohë nuk do t’u ishte mbledhur njerëzve, litari në fyt, i borxheve vit pas viti. Qeveria e vjetër, ishte aq për njerëzit dhe kishte aq shumë respekt për popullin, sa e trajtonte popullin si bagëti, i thoshte “merri dritat, se nuk thotë njeri gjë”. Por, nga ana tjetër, faturat ja linte aty, borxhet i kishte aty, kamatat i kishte aty. Nuk u tha njeri se një ditë të bukur, këto do t’ju dalin përpara.
Parafytyroni sikur reforma e pensioneve të ishte bërë 20, 15, 10 vjet apo 5 vjet përpara. Nuk do të kishim vetëm dy vite që kemi pensionistë që marrin pensione më të larta se 240 mijë lekë. Ndërkohë që për 20 vjet, pensionistëve u është thënë ke punuar nën tokë apo mbi tokë, ke punuar 10 vjet, 20, 30 apo 40 vjet, aq e ke pensionin, 240 mijë lekë (të vjetra). Ndërkohë që me reformën që bëmë ne, i kemi dhënë mundësi të gjithëve që çfarë kanë punuar për vite të tëra, ta marrin kur të dalin në pension. Mirëpo kjo ka nisur vetëm prej 2 vjetësh dhe do të vazhdojë çdo vit. Por ata që dolën përpara, pse të mos e kishin njësoj dhe pse duhet ta vuajnë tani? Sepse paguajnë pasojat e gjithë asaj politike dhe të gjithë asaj mënyre qeverisëse që ishte bazuar në moton “sa të ketë lala Gjoni, hani pini e këndoni, kur të vdesë lala Gjoni, merrni trajsen e kërkoni”.
Tani bëjnë zhurmë dhe i duan të gjitha përnjëherë. Ata që i thoshin njerëzve mos votoni Edi Ramën, mos votoni Elvis Rroshin, e bënë edhe kriminel, mos votoni Vangjush Dakon, se po i votuat këta “shtëpi do t’jua prishin, do t’ju kthejnë andej nga erdhët, ju urrejnë”, në 8 vjet bënë vetëm 21 000 legalizime dhe nuk legalizuan shtëpi, por magazina, hotele, motele, pishina, trampolina. Legalizuan në rrugë, në park, në plazh, se aty kishin lekët. Ndërkohë që ne, në 1 vit e gjysmë, - një vit na u desh të gjenim letrat tek shpella e Shabanit, bëmë 42 000 legalizime dhe me këto të këtij viti po shkojmë në 45 000. Normal që nuk janë legalizuar të gjithë, sepse ka shumë më tepër, se u ndërtua sipas teorisë se ndërtimi është bereqet, ndërto ku të mundesh se bereqeti të vjen mbrapa. E njerëzit shkuan e ndërtuan në lum dhe u erdhi lumi mbrapa, jo bereqeti.
Që të bësh shtëpi pa leje, do të thotë ta bësh pa ligj. Domethënë, nuk ke nevojë të bësh as mbledhje qeveria, as diskutim, as vendim, as të shkosh në parlament. Por edhe ta fillonin direkt pa leje një shtëpi, iu është dashur 3-4 vjet. Po një shtet, si u bëka për një vit e dy vjet! E nuk është shtëpi pa leje, por duhen bërë të gjitha me rregulla, me ligje dhe mbi të gjitha duhen bindur të gjithë që ta trajtojnë si shtëpinë e vetë. Parafytyroni sikur 20, 15, 10, por edhe 5 vjet më përpara të kishte dalë qeveria e të thoshte mos ndërtoni më pa leje, sa shumë më pak përmbytje do të kishim, sa shumë më pak probleme do kishim për tokën bujqësore, sa shumë më pak dëme do të kishim në pyje, në lumenj e kështu me radhë.
Le të mos parafytyrojmë se çfarë do kishte ndodhur. Por parafytyroni sikur Partia Socialiste dhe ne që jemi në qeveri të vazhdonim njësoj si qeveria e vjetër dhe të thoshim “tani që e morëm ne, të kapim edhe ne çfarë të kapim, se jeta është e shkurtër dhe kush të vijë mbrapa, le të merret me pensionet, me dritat, ujin, pyjet”, apo “jemi që jemi, i këpusim edhe ne siç ia këputi Saliu, se Shqipëria mban”. Do kishim humbur edhe 10,15, 20 vjet të tjera, sepse reformat që ne bëjmë sot, jo të gjithë i kuptojnë, por ama njerëzit e zakonshëm e ndjenë që janë reforma që nuk vendosin sesi do jetë Shqipëria, qyteti dhe shtëpia jonë nesër në mëngjes, por si do jetë vendi i fëmijëve tanë në 20 vitet e ardhshme. Kemi humbur një gjeneratë.
Ata që janë 25 vjeç këtu, kanë lindur ditën kur u ngritën dy gishtat këtu në Kavajë. E ja ku i ke sot, me diploma juridiku dhe nuk bëjnë dot një punë tjetër, sepse ju thanë shkoni në universitet. Kemi universitete më shumë se në çdo vend të botës. Ndërtuan më shumë universitete për 100 000 vetë, sesa Anglia e sesa Gjermania. Ndërkohë që Gjermania u thotë të rinjve ja ku është universiteti, ja ku është edhe zanati, zgjidhni e merrni, por mendojeni mirë. Por, nëse Gjermania është vendi me nivelin më të lartë të punësimit në Europë historikisht, kjo lidhet me faktin se është vendi ku mendohet më shumë për zanatet dhe zanatet nuk krijojnë vetëm punonjës të kualifikuar për ndërmarrje, por krijojnë edhe biznesmenë të vegjël, që bëhen edh e të mëdhenj, falë këtij zanati. Kurse këtu, larg qoftë të të prishet rubineti, se kërkon hidraulik dhe të vjen jurist për të rregulluar problemin.
Shumë faleminderit, me shumë respekt për të gjithë ju që jeni në sallë, se përfaqësoni këtu në Kavajë, një nga shembujt më të shkëlqyer të faktit se asgjë nuk është e pamundur kur njerëzit e ndajnë mendjen të bëhen bashkë e të shembin çdo barrikadë e çdo pengesë që kanë përpara, të imponuar nga gjithfarë feudalizmash e gjithë farë feudalësh, që për vite të tëra i kanë marrë peng. Shembullin e Kavajës duhet ta ndjekin të gjithë ato zona, të cilat janë aty ku janë, sepse nuk kanë arritur dot ta bëjnë këtë kapërcim. Ndërkohë që në shembullin e kësaj dege të Partisë Socialiste dhe të shumë degëve të Partisë Socialiste që po rriten, fuqizohen e transformohen, ju siguroj që jo vetëm do ta kthejnë edhe vetë Partinë Socialiste në një shëmbëlltyrë kuptimplotë të shpirtit tonë reformues dhe vetëreformues, por do të jemi në gjendej të bëjmë shumë më shpejt reformat që na duhet dhe t’i marrim edhe më shpejt seç është sot e mundur, rezultatet nga këto reforma.