Fjala e Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë Milan Brglez

Shkëlqesia juaj, z. Kryetar,
Të nderuar deputetë.
Të nderuar miq,
Zonja dhe zotërinj,
 
Së pari më lejoni të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta për mikpritjen dhe ta përgëzoj atë dhe kolegët e tij për organizimin e shkëlqyer të kësaj vizite, që provon natyrën tradicionalisht miqësore dhe të frytshme të marrëdhënieve midis parlamenteve të dy vendeve tona.

Në këtë drejtim dua të shpreh dhe kënaqësinë time të madhe që, së bashku me Kryetarin z. Meta nënshkruam një Memorandum Mirëkuptimi midis institucioneve që përfaqësojmë, gjë që tregon angazhimin tonë të vendosur për një të ardhme edhe më bashkëpunuese. Jam tërësisht i bindur që ky angazhim është i dobishëm, jo vetëm në nivelin praktik, pasi ai intensifikon kalimin e njohurive në lidhje me përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por edhe në nivel simbolik, pasi përfaqëson një shenjë të zhvillimeve të reja pozitive në marrëdhëniet tona ndërparlamentare. Duke qenë se nevoja për një shkëmbim më sistematik të eksperiencave dhe praktikave më të mira në lidhje me proceset e integrimit në BE është diskutuar dhe menduar edhe nga paraardhësit e mi dhe homologët e tyre shqiptarë, ndjehem i nderuar që më në fund po kurorëzojmë ato përpjekje me marrëveshjen e sipërpërmendur.

Unë vizitoj Shqipërinë në një kohë kur Europa dhe struktura e saj institucionale dhe vendim-marrëse përballen me sfida të rëndësishme dhe në një kohë kur modeli dhe forma e ardhshme e integrimit europian nuk është aq e qartë sa do të donim të ishte.

Së pari, ulja e ritmit global ekonomik dhe financiar, që në disa vende anëtare të BE-së ende shquhet në sfond, dhe tani kriza e emigracionit që vështirësitë e qindra mijëra personave i ka vendosur në pragun e Evropës. Këto janë vetëm dy nga zhvillimet kryesore që kanë treguar qartazi se rruga drejt “një Unioni më të afërt” do të jetë vërtetë e pjerrët. Muajt e fundit na kanë dhënë një mësim të mirë; që Europa dhe Bashkimi Europian nuk mund të merren për të mirëqena, por janë diçka për të cilën në të gjithë duhet të punojmë shumë fort. Balancimi i interesave kombëtare dhe nevojave individuale nga njëra anë dhe nga ana tjetër përpjekja për një veprim të përbashkët koherent dhe efektiv në nivel përtej kombëtares është bërë i përhershëm në vendimmarrjen e përditshme. Në një botë gjithnjë e më të ndërvarur, vetëm bashkëveprimi dhe bashkëpunimi në sa më shumë nivele të jetë e mundur mund të japë përgjigje për pyetjet që na shqetësojnë secilin prej nesh. Pikërisht për këtë arsye unë mbetem sinqerisht optimist në lidhje me një të ardhme evropiane të përbashkët dhe thellësisht vlerësues ndaj qëndrimit të vendit tuaj, që vazhdon të tregojë angazhim ndaj një procesi më të gjerë evropianizimi.

Për fat të keq, kriza dhe sfida të ndryshme ndonjëherë kanë prekur disa nga projektet më të rëndësishme dhe më të suksesshme të BE-së, ku nuk përjashtohet politika e zgjerimit. Megjithatë, kam kënaqësinë të them se dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, rreth një vit e gjysmë më parë, ishte një nga momentet më të shkëlqyera në procesin e zgjerimit të BE-së. Sllovenia ishte një mbështetëse e fuqishme e këtij zhvillimi dhe shpresoj që suksesi juaj të tregojë gjithashtu se kemi një epokë të re, më vendimtare, të veprimit të përbashkët evropian në këtë fushë.

Premtimi për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të qëndrojë, në mënyrë jo komode, në krah të sfidave të fundit dhe mbetem i bindur se e ardhmja afatgjatë e rajonit nuk qëndron asgjëkund tjetër, veç në këtë Union. Sllovenia ka qenë dhe mbetet një bashkudhëtare mbështetëse dhe një partner serioz në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Gjithashtu unë besoj se bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është gjithnjë e më shumë i rëndësishëm jashtë procesit të anëtarësimit në BE. Në këtë aspekt dëshiroj të theksoj se dy parlamentet tona kanë treguar se si fryma e miqësisë, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mund të jetë e frytshme në kontekstin e platformave të tjera, si Procesi i bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore, Iniciativa Adriatiko-Joniane, si dhe në kontekstin e Strategjisë së Unionit për Makro-Rajonin Adriatiko-Jonian. E gjithë kjo përforcon besimin tim se bashkëpunimi ynë do jetë dhe më i fortë, më i mirë dhe më efektiv.
Zonja dhe zotërinj,

Siç e tregojnë eksperiencat e shkuara, të gjitha proceset europianizuese nisin në vend – në parlamentet, qeveritë dhe shoqëritë tona. Shqipëria ka bërë një progres shumë të madh gjatë viteve të fundit dhe hedhja e një hapi të madh përpara në bisedimet e anëtarësimit në BE ka qenë vetëm një prej tyre. Vendi juaj mbetet një anëtar aktiv, i hapur dhe perceptues i organizatave rajonale që merren me demokratizimin, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës dhe progresi juaj në këtë fushë ka filluar të japë efektet e tij në vend. Veç kësaj, pothuajse shtatë vjet më parë Shqipëria është anëtarësuar në NATO, duke nisur kështu procesin e zgjerimit të këtij institucioni ndaj Ballkanit Perëndimor, duke ndikuar kështu në mënyrë pozitive mbi stabilitetin dhe sigurinë jo vetëm të vendit tuaj por dhe të rajonit.

Megjithatë, zhvillimet më të rëndësishme do të ndodhin këtu, në Shqipëri, disa prej tyre në këtë parlament. Përfaqësuesit e zgjedhur nga populli kryejnë atë që është detyra më me përgjegjësi – formulimin e ligjit që siguron procese politike demokratike dhe transparente dhe akses të paanshëm tek drejtësia. Unë jam thellësisht i impresionuar me hapat e parë që ju keni ndërmarrë në lidhje me reformimin e sistemit tuaj të drejtësisë, që përfaqëson gurin e themelit të çdo demokracie moderne kushtetuese. Mbështetja unanime e të ashtuquajturit Ligji për Dekriminalizimin shënon një arritje të paprecedent dhe të guximshme në luftën kundër korrupsionit. Duke pasur parasysh raportet pozitive të Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës në lidhje me këto çështje, kam besimin se ju do të jeni të suksesshëm në përpjekjet tuaja gjithëpërfshirëse.

Më lejoni zonja dhe zotërinj t’ju falënderoj dhe një herë për mikpritjen tuaj të ngrohtë dhe të shpreh dëshirën time të sinqertë që marrëdhëniet tona të frytshme politike shpejt do të hapen, me të njëjtin intensitet dhe në fusha të tjera bashkëpunimi. Sllovenia mbetet një partner i vendosur i rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe jam optimist se përgjatë kësaj rruge mund të bëjmë shumë ndryshime të rëndësishme në dobi të parlamenteve, vendeve dhe qytetarëve tanë. Në fund të fundit ne jemi këtu për qytetarët tanë.

Faleminderit për vëmendjen tuaj.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, 47 vjeçari bie aksidentalisht nga ballkoni dhe humb jetën