Sot është një moment vërtet i veçantë edhe për kolegun Çuçi, edhe për mua, si kryetar i bashkisë. Është e rëndësishme sepse  është një moment kritik në implementimin e një reforme. Reformat, ashtu siç disa prej nesh që  kanë punuar me reforma të rëndësishme, reformën e pensioneve, është një gjë ta shkruash, ta mendosh e ta konceptosh mirë në teori, është komplet tjetër gjë, të sigurohesh që implementohen mirë. Edhe për reformën deri tani të suksesshme territoriale kemi hyrë në fazën e dytë, qëështë faza e implementimit në territor , e implementimit të terren, e ofrimit të shërbimeve, që besoj ka po aq rëndësi sa edhe konceptimi i një ideje moderne siç është reforma administrative territoriale.
 
Synimi i këtij takimi është që ne jo vetëm të prezantojmë cilët do të jenë 24 administratorët, ashtu siç ministri Çuçi tha, përfaqësuesit direkt të kryetarit të Bashkisë në territor, për të ofruar shërbimet, por sigurisht edhe për t’u siguruar që minikompetencat, do të kemi një trajnim të veçantë në mes të kësaj jave, për t’u siguruar që secili ka gjithë informacionin e nevojshëm se çfarë do të thotë të menaxhosh në mënyrë moderne administratën e atyre që sot janë 24 njësitë administrative të Tiranës.
 
Reforma në teori i ka bërë komunat formalisht pjesë të Tiranës, tani është koha që në praktikë ky dallim të mos ekzistojë, pra të mos kemi më shërbime të diferencuara, shkolla me standarde të ndryshme, rrugë me standarde të ndryshme, mbledhje mbeturinash me standarde të ndryshme, transport publik me standarde të ndryshme midis zonave të reja, komunave të vjetra dhe njësive të Tiranës. Pra i gjithë çelësi i suksesit tonë do të jetë në sanjësi do të arrijmë që të sigurohemi se i njëjti standard që ofrohet në Tiranë, tëofrohet në çdo cep në Tiranën qendrore, të ofrohet edhe në cepin më të largët të Tiranës, për të gjithë shërbimet publike që ofron Bashkia.
 
Siç e dini nga ligji, ju emëroheni administratorë, pra nuk jeni të zgjedhur. Në këtë sens, kjo nuk është një kontratë pa limit, kjo është një kontratë në bazë të performancës dhe si çdo pozicion i emëruar pritet që ai që emërohet të performojë, si kusht për të vazhduar këtë bashkëpunim dhe si kusht për të vijuar këtë kontratë që ne lidhim me njëri-tjetrin sot. Do të thotë që do të jetë jo vetëm vlerësimi im dhe i administratës qendrore të Bashkisë, por do të jetë edhe vlerësimi i qytetarëve në shumë marrëdhënie të ngjashme, në shumë kontrata që lidhen, është vlerësimi i atij qëështë klienti, vlerësimi i atij që merr shërbimet, ai që dikton nëse vazhdohet një kontratë me atë që ofron këtë shërbim.
 
Miqtë e mi, le të mos kemi asnjë iluzion! Shumë prej nesh, jemi njohur më parë, por në këtë fazë unë besoj se do të dallojmë shumë qartë njohjet personale që mund të kemi nga bashkëpunime të kaluara me detyrën që po marrim përsipër sot. Ne do të anketojmë rregullisht komunitetin ku ju do të shërbeni dhe në varësi të vlerësimit që komuniteti do të japë për shërbimin që ju ofroni si administratorë do të jetë edhe mënyra se si ne do të vijojmë bashkëpunimin dhe kontratën që lidhim sot.
 
Do të gjeni një derë të hapur, një telefon të hapur, një zyrë të hapur 24 orë në ditë, në çdo rast, edhe në mes të natës nëse do të ketë një emergjencë apo nëse do të ketë situata ku do të duhet ndërhyrja ime personale dhe kabinetit qendror të Bashkisë. Konsiderojeni këtë një linjë të hapur komunikimi, por nuk është një derë e hapur për kompromise. Kjo do të thotë që nëse kompromentoni punën dhe besimin që ju jepet sot përmes kësaj kompetence të deleguar, atëherë dera ime nuk është e hapur.
 
Miqtë e mi, ashtu siç i kam pritshmëritë shumë të larta nga secili prej jush, që sot do të marrë vulat dhe përgjegjësitë për të drejtuar administratën, ashtu do të keni edhe një kërkesë llogarie qëështë po aq e lartë, sa edhe pritshmëria që kam nga secili prej jush.
 
Nuk është sekret që propozimet tuaja fillestare kanë ardhur nga grupimet politike që fituan këtë fushatë dhe nga ky moment, nga ky fjalim, 24 administratorët janë 24 administratorët e Bashkisë së Tiranës. Në administratën tuaj dhe në njësitë tuaja administrative do të valëviten vetëm dy flamurë, i Republikës së Shqipërisë dhe i Bashkisë së Tiranës. Flamujt e partive do i parkojmë për fushatën e radhës por ajoqëështë shumë e rëndësishme është që të jemi të qartë se nga ky moment, ne nuk kemi ndarje të këtyre apo të atyre dhe ashtu siç funksionuam në fushatë, si një ekip unik, të 24 administratorët janë ekipi ynë unik që ka uniformën e Bashkisë së Tiranës dhe me të njëjtin dinjitet me të cilin do të nisim këtë punë, me të njëjtin dinjitet vazhdojmë nesër ditën e parë të shërbimeve, për t’u siguruar që nuk ndërpriten shërbimet asnjë ditë në njësitë administrative ku ju do të shërbeni.
 
Detyra e parëështë kjo që thashë tani, që të mos ndërpriten shërbimet. Kjo është arsyeja se pse në kohë rekord, brenda 24 orëve, ne bëjmë emërimin, ju japim edhe vulat që do të përdorë njësia bashkiake, që duke nisur nga dita e parë e punës, asnjë qytetari të mos i mungojë nevoja për njëcertifikatë, për një dokumentacion, për një celebrim, nevoja për të gjithë gamën e shërbimeve, ndihmën ekonomike dhe gjithë gamën e shërbimeve që ofron Bashkia jonë.
 
Në momentin e parë që në Bashkinë e Tiranës shfaqet një person i cili vjen dhe e kërkon këtu certifikatën sepse nuk e gjeti derën e hapur në njësi, vjen e kërkon këtu celebrimin, sepse nuk e gjeti derën e hapur në njësi, vjen e kërkon këtu shpjegime ose ndihmë për diçka qëështë njësia administrative, është në fakt shenja e parë që njësia nuk po funksionon dhe do të jetë shenja e parë që ne do të kuptojmë se qytetarët nuk i marrin shërbimet, do të jetë shenja e parë që diçka nuk funksionon.
 
Miqtë e mi, nëse doni që kjo marrëdhënie të jetë një marrëdhënie serioze dhe afatgjatë, të paktën këto katër vite që do punojmë bashkë do të kërkoja shumë që asnjë qytetar të mos largohet i painformuar apo i pashpjeguar për të gjithë shërbimet që kërkohen nga njësia juaj.
 
Në njësitë tuaja administrative, ju jeni Bashkia e Tiranës, çdo administrator është kryetari i Bashkisë së Tiranës, është mëkëmbës, përfaqësues direkt, i deleguar me kompetenca nga kryetari i Bashkisësë Tiranës dhe ju lutem mos e harroni këtë për asnjë moment. Detyra e dytëështë një kontroll i plotë mbi territorin.
 
Sot kishte disa njerëz që pasi udhëtimin e parë e bënë me autobus, sigurisht që gjetën material për të bërë gallatë, për të bërë gastorin dhe për të bërë hokatarin por unë di t’ju them këtë, që edhe kur ju të shkoni ditën e parë me autobus, me biçikletë, nuk vë njeri në dyshim se ju nuk keni një makinë, por është e vetmja mënyrë se si ne mund të kontrollojmë shërbime që kanë dalë jashtë kontrollit në katër vitet e fundit.Ju them një gjë, botën nuk e kanë ndryshuar asnjëherë gastorët, hokatarët apo ata që tregojnë barsoleta, botën e kanë ndryshuar administratorë që funksionojnë me parimin, sidomos në Shqipëri, “beso, por kontrollo”.
 
Miqtë e mi, për të gjithë këto shërbime, duke filluar nga ai që ju ilustrova, mund të tallen ditën e parë, por kur t’ju shikojnë se në mënyrë të rregullt hipni vetë në autobus që të siguroheni që shërbimi funksionon, do të shikoni se si kompanitë do të fillojnë të performojnë. Është vendi tipik ku parimi “frika ruan vreshtin”, funksionon më mirë se në çdo vend tjetër. Përtej ligjeve dhe legjislacionit duhet të kuptojnë, se ne do të merremi personalisht me çdo shërbim. Kjo do të thotë që ju do të merreni personalisht për t’u siguruar që kompanitë që kanë fituar tenderat e pastrimit e bëjnë realisht pastrimin dhe do të presim nga ju që në çdo orë të ditës ose të natës, të sinjalizoni dhe të mbani një raport, sigurisht me ndihmën e administratës suaj, nësemeritojnë disa kompani të futen në  një listë të zezë se nuk e kryejnë këtë shërbim, nëse disa meritojnë t’u hiqet urgjentisht licenca se mund të jetë kaluar një ditë pa mbledhur mbeturinat ose pa ofruar shërbimin e autobusëve, nëse ka probleme me ujin e pijshëm. Do të jeni përgjegjës direkt që të ndëmjetësoni zgjidhje me UKT.
 
Do të kemi disa aksione duke nisur nga java tjetër, siç është aksioni i pastrimit dhe aksione të tjera. Përpara se të ftojmë qytetarët që të bëhen pjesë në aksione publike, në organizime vullnetare, fillimisht duhet të garantojmë që Bashkia po bën maksimumin.
 
Në katër vitet e fundit, Bashkia nuk e ka bërë maksimumin. Unë besoj se minimalisht, shumë prej këtyre kompanive që ofrojnë shërbime kanë të paktën 50% më shumë për të dhënë, edhe në pastrim, edhe në shërbimin me ujë, edhe në transportin publik por sigurisht do të ketë edhe zgjidhje afatgjatë dhe do të ketë inovacion në të gjithë këto shërbime. Unë besoj se ne mund të rrisim cilësinë e shërbimeve, nëse nga dita e hënë të 24 administratorët shkojnë vetë në linjat e autobusit, në njësitë ku janë, shkojnë vetë dhe inspektojnëvendet e grumbullimit të plehrave, shkojnë vetë në komunitet dhe të kuptojnë vjen apo nuk vjen uji i pijshëm dhe sa kohë ka që zgjat ky problem dhe ku kanë shkuar investimet që mund të jenë bërë në të gjithë këto fusha por që me sa duket nuk kanë asnjë duk në komunitet. Rrugët janë të shqepura dhe pse kemi pasur një drejtori të rrugëve që nuk ka punuar as për të ndërruar ndriçimin, as për të mbushur gropat e rrugëve dhe do të jemi zëri i parë që përcjell këto ankesa në drejtoritë tona që do të riformatohen, ashtu siç ka nisur riformatimi me drejtorët e ndërmarrjeve, duke filluar nga sot.
 
Do të jetë detyra juaj që të sinjalizoni pranë INUV për ndërtimet pa leje dhe për një kontroll shumë të rreptë mbi territorin, do të jetë detyra juaj që të bëni sinkronizimin me Policinë Bashkiake. Sapo kemi emëruar drejtorin e Policisë Bashkiake, Ermal Kapllani, ka qenë me detyrë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, më parë zv/drejtor i qarkut të Korçës dhe kam besim të plotë se me drejtorin e ri të INUV, drejtorin e ri të Policisë Bashkiake dhe Tatim-Taksave, tre ndërmarrje që kanë pasur disa nga problematikat më të rënda për qytetin tonë, disa prej tyre të kthyera në banda që ishin kthyer në historitë më të dhimbshme të qytetit, besoj se me tre drejtuesit e rinj dhe të tjerë që do të pasojnë këtë javë do të kemi një performancë të jashtëzakonshme. Ju do të shfrytëzoni këtë mundësi dhe ndërmarrjet e bashkisë t’i vini në dispozicion me të gjithë fuqitë e tyre, të anëtarëve të komunitetit tuaj.
 
Do të jeni të parët që do të duhet të konstatoni të gjithë kundravajtjet administrative që ndodhin në njësinë tuaj, pra të kuptoni se ky post, përveç se është një privilegj është edhe një përgjegjësi e madhe, nëse ka ndërtime pa leje apo nëse ka abuzime në territor do të jeni të parët që do të duhet të alertoni të gjithë instancat përkatëse.
 
Ju do të jeni avokatë, kompetencë e juaja është të jeni avokatë të komunitetit tuaj. Kjo do të thotë të përpiloni nevojat që ka komuniteti për investime, ju duhet të jeni të parët që të thoni, shkollat e komunitetit tim vuajnë dhe kjo është arsyeja se pse duhet të ketë prioritet filan shkollë në të cilën ka vite që nuk është vënë dorë, nëse ka komunitete ku prej kohësh nuk kanë parë një kovë asfalt, duhet të jeni të parët ju që advokoni, që nga buxheti që do të bëjmë këtë vit, pra ai që bëhet në fund të vitit, për t’u siguruar që komunitetet tuaja marrin investimet që meritojnë dhe për të cilat kanë vuajtur prej kohësh.
 
Ju do të keni përgjegjësinë për administrimin e të gjithë hapësirave publike, për parqet, lulishte, këndet e lojrave, terrenet sportive, bibliotekat. Të gjitha këto, në fakt nuk kanë qenë në këtë derexhe para katër vitesh por jo vetëm që nuk u ndërtua një i ri në katër vitet e fundit, sepse administrata e Edi Ramës i la edhe parqet, edhe lulishtet, edhe shesh pushimet, edhe terrenet sportive por ajo që ndodhi është se u vandalizuan.
 
Kur njerëzit shikojnë një administratë e cila nuk kujdeset dhe që nuk e dënon apo denoncon vandalizmin, sigurisht investimet nuk ruhen. Mjafton të ktheni kokën pas e të shikoni se si muri përballë Bashkisë që duket çdo ditë nga dritarja e kryetarit të Bashkisëështë vandalizuar, mjafton të shihni orën e sahatit që në katër faqe të ndryshme tregonte katër orare të ndryshme, sot është rregulluar. Sinjali që qyteti merr është se kur kryetari i Bashkisë nuk heq dot grafitin nga muri që sheh përditë dhe ku vetëm pas murit është një territor që i ngjan një favele, si ato që shohim në Amerikën Latine dhe ku kryetarit të Bashkisë i ngec ora, imagjinoni se çfarë ndodh në pjesët e tjera të komunitetit.
 
Miqtë e mi, me këtë standard do gjykohet edhe njësia juaj. Nëse hyrja në njësinë tuaj është e mbushur me plehra, as mos pretendoni që do mblidhen plehrat në cepat e tjera të njësisë, nëse muret e njësisë suaj janë mbushur me grafitë, sinjali që njerëzit marrin është se nëse këtu është zhgarravitur një mur, sigurisht që mund të zhgarravitet çdo pjesë tjetër e lagjes, nëse thyhen e dëmtohen investimet, stolat, parqet që janë në oborrin e njësisë suaj, sigurisht që sinjali që njerëzit marrin është se kjo lejohet e mund të bëhet kudo.
 
Miqtë e mi, do të funksionojmë me parimin e asnjë xhami të thyer. Do të thotë që sa prishet një gjë, do insistojmë që të rregullohet, është e vetmja mënyrë, duke mikromenaxhuar çdo problem të vogël, që i japim sinjal komunitetit se ka ardhur një erë e re në Tiranë dhe ku nuk tolerojmë as dëmtimin më të vogël. Vandalizmi dënohet në këtë vend, ndaj unë nuk kam ndërmend që të shpenzoj paratë e taksapaguesve nëpër territore ku investimet tona vandalizohen.
 
Është shumë e rëndësishme që administrimin e hapësirave publike dhe investimeve të Bashkisë ta kemi prioritet dhe në qendër të vëmendjes. Detyra e gjashtë ,  ka të bëjë me kompetencat që kemi me emërtimet e rrugëve , shesheve dhe objekteve të tjera.
 
Sigurisht roli i bashkisë është që të akomodojë interesa publik po ky nuk është një proces për të bërë qoka, as për t’ i kthyer rrugët e Tiranës si Atlantic City apo Las Vegas që shohim në Kamëz. Ideja është ta bëjmë Kamzën si Tirana, jo Tiranën si Kamza. Kështu që ju lutem kjo është një përgjegjësi që ofron dinjitet, që është një moment që kërkon respekt të emrave të shquar, të momenteve të shquar të historisë dhe të atij komuniteti, por nuk është një kompetencë që duhet abuzuar për t’ u bërë gazi i botës siç ndodh në bashkinë që përmenda më sipër.
 
Pra, ju lutem kurrë në asnjë moment mos e humbisni dinjitetin postit që do të merrni përsipër sot , qoftë edhe në kompetenca siç është emërtimi i objekteve , rrugëve edhe shesheve. Keni kompetenca për të shpërndarë tituj nderi, për t’ i propozuar kryetarit të bashkisë për njerëz që duhen respektuar në komunitet , që meritojnë mirënjohje nga komuniteti. Sërish ky nuk është një moment për të bërë qoka partie. Ne kemi shans historik që edhe me gjeste të tjera, si titujt e nderit të kemi një mundësi ku të vlerësojmë njerëz , që normalisht nuk janë në modë në Shqipëri, normalisht kanë qenë në modë, më të fortit ose  gangsterët. Ky është një moment për të nderuar kush është nxënësi që ka dalë me të gjitha 10-ta në komunitetin tuaj dhe të siguruar që promovon një modë të re të qytetarëve të Tiranës. Kjo është arsyeja pse Florenc Hoxhën  me Skerdi Drenovën, për t’ju siguruar që më në fund kemi një qytet ku shkon ajka sipër dhe llumi  poshtë dhe jo siç kemi pasur në katër vite, llumi sipër dhe ajka poshtë. Kjo është arsyeja pse vendosim 24 administratorë si ju, që të sigurohemi që kjo vlerë ku ne besojmë respektohet qoftë edhe  në gjestet modeste, siç janë titujt e nderit apo emërtimet.