Përshëndetje të gjithëve! 
Faleminderit për mikpritjen dhe për këtë pritje entuziaste që ju i bëni prezantimit të kryetarit të sotëm dhe të nesërm të bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçit.
Me Tërmetin, ne kemi ndërtuar së bashku një vizion për Tepelenën, kemi ndërtuar së bashku një rrugë për transformimin e Tepelenës, kemi ndërtuar së bashku një vazhdimësi projektesh.
Këtu jemi ne kantierin e parë të rilindjes në Tepelenë, që rinxori në pah këtë kala që është një vlere e trashëgimisë kulturore dhe historike jo vetëm për Tepelenën, por për gjithë Shqipërinë. Rinxori ne pah ketë kala, duke e kthyer në një pikë tërheqëse dhe jam i bindur në një pike ku do të ndalen çdo vit e më shumë, më shumë vizitorë nga Shqipëria dhe nga jashtë Shqipërisë.
Unë besoj fort tek potenciali i madh për zhvillim ekonomik dhe për zhvillim urban dhe social që përmbajnë monumentet e kulturës, monumentet e historisë. Monumentet që tregojnë rrënjët tona, por njëkohësisht që na japin mundësinë që, duke mos harruar kurrë nga vijmë, të përcaktojmë drejtimin e duhur për ku duam të shkojmë.
Ky është vetëm fillimi. Ka vetëm 18 muaj që Tepelena ka filluar të rimarrë frymë. Sepse përpara 18 muajsh, edhe Tepelena, ashtu si dhe bashkitë e tjera të drejtuara nga socialistët ishte e rrethuar. E rrethuar, e bllokuar, e izoluar nga pushteti armiqësor në Tiranë. Nga pushteti armiqësor në Tiranë që bashkitë e drejtuara nga socialistët që bashkitë e drejtuara nga socialistët i shikonte si kështjella që duheshin marrë me çdo kusht e synonte t’i merrte duke i lënë njerëzit në harresë, në braktisje dhe duke i lenë njerëzit, pre e inercisë së rrënimi, që e ndolli dhe se solli në çdo bashki socialistë dhe në gjithë Shqipërisë, ai pushtet që Tepelena e përcolli siç e meritonte në 23 qershor. Është vota e 23 qershorit që i hapi rrugën investimeve për Tepelenën. Investime që nuk kishin ndodhur qysh se nuk mbahet mend, investime që nuk kishin ardhur kurrë në këtë qytet, i cili fatkeqësisht mbeti i harruar dhe i braktisur, por pavarësisht harresës dhe braktisjes nuk e braktisi kurrë kauzën e madhe të socialistëve dhe progresisteve, nuk e braktisi kurrë Partinë Socialiste. Dhe prej 18 muajsh, qeveria jone është e vendosur t’ia kthejë Tepelenës, të gjithë investimin e madh shpirtëror, qytetar dhe politik që Tepelena bëri për 20 e kusur vite me radhë, pa u dorëzuar kurrë dhe pa u mposhtur për asnjë moment përpara vështirësive.
Unë ju siguroj se çfarë ka ndodhur në Tepelenë gjatë këtyre 18 muajve është vetëm fillimi in një zinxhiri projektesh, që do të vazhdojnë me shtrirjen më tutje dhe kthimin në një rrugë të standardeve të qyteteve të bukura të Mesdheut, të bulevardit kryesor, që do të shtrohet me gurë dhe do t’u kthehet qytetarëve, pastaj, me lidhjen me të njëjtat standardet, siç është bërë rruga para spitalit, të pjesës poshtë me pjesën lart dhe me spitalin të dy rrugëve kryesore që lidhin qytetin me spitalin. Pastaj me radhë për shkollën, për mjediset çlodhëse për më të moshuarit, për mjediset sportive për me rinjtë. Sigurisht, edhe me të tjera aspekte, që nga garantimi i mjekëve të rinj për spitalin e Tepelenës, që janë duke munguar për shkak se ata me më eksperiencë janë në drejt pensionit dhe më të rinj nuk ka dhe për këtë arsye, qeveria ka një program të plotësimit të boshllëqeve për mjekë specialistë në një sërë spitalesh të vendit. E me radhë, për ta bërë Tepelenën një qytet turistik, sepse çdo qytet i Mesdheu, çdo qytet i Europës që do të kishte këtë thesar që keni ju këtu, nuk do ta njihet as varfërinë, nuk do të njihte as papunësinë, sepse mjafton të dimë të ndërlidhim bukur, atë që na kanë lënë të parët tanë me atë që kanë nevoje njerëzit tanë sot dhe rruga drejt rimëkëmbjes ekonomike, sociale dhe urbane është e hapur.
Por Tepelena nuk është vetëm ajo që ishte deri sot si bashki. Është një bashki e re qe përmbledh të gjitha komunat rrotull saj, është një bashku e re që përmbledh jo vetëm territore, por dhe potenciale të mëdha të zhvillimit bujqësor dhe blegtoral, që nuk mund të bëhet nëse ne nuk sigurojmë ujitjen, nëse ne nuk sigurojmë kullimin e çdo metër katror tokë buke. Për këtë arsye, qeveria ka bërë gati kalimin e kësaj përgjegjësie tek bashki e kryetarët e bashkive. Nëse deri sot, shumëkush që ka pasur nevojë për ujë për tokën e tij dhe nuk e ka pasur të mundur, por nuk ka ditur as ku të drejtohet, pas 21 qershorit do të drejtohet tek bashkia e re, tek kryetari i bashkie dhe qeveria do t’i jepi të gjithë mbështetjen.
Tani edhe dy fjalë për sa i përket votës suaj, votës së Tepelenës në 21 qershor.
Sigurisht që ne jemi në pluralizëm dhe bëjmë zgjedhje demokratike dhe pluraliste, ku ka edhe kandidatë të tjerë. Por këta kandidatët e tjerë që keni këtu ju, nuk i duhen as dreqit, jo Tepelenës. Kandidatët e Partisë Demokratike, ta fillojmë një herë me këta, pastaj ta vazhdojmë me atë tradhtarin, janë vendosur nga SHQUP-i jo për të bërë punë për qytetet, por për t’i marrë peng qytetet dhe për t’i dhënë oksigjen SHQUP-it që, siç e shikoni, nxjerr vetëm grahma dëshpërimi anekënd Shqipërisë dhe mundohet të mbledhë vota, duke përfituar nga pakënaqësia e shumë njerëzve që ende janë të varfër, ende janë të papunë, por nuk janë budallenj që të hanë propagandën e SHQUP-it. Për më tepër, këta kandidatë janë vendosur që, po gjetën ndonjë komunitet qorrash që t’i votojnë dhe t’i vendosë në krye të bashkisë, të mos bëjnë asnjë punë, por vetëm të dalin aty tek bashkia e të thotë qeveria na ka bllokuar, qeveria nuk na ndihmon, qeveria nuk na do, me shpresën se në 2017-n do ta kthejnë qytetin, në një burim pakënaqësie për qeverinë. E çfarë ju duhen këta, juve?
Ndërkohë që qeveria jonë e rilindjes ka nevojë që në çdo bashki të ketë një partner, të ketë një kryetar bashkie që të jetë ministër i qeverisë për punët e komunitetit, që të jetë non stop në komunikim me Kryeministrin, non stop në komunikim me qeverinë, për të zgjidhur non stop problemet e njerëzve, siç kemi filluar t’i zgjidhim dhe siç do t’i zgjidhim dita-ditës.
Kush ka jetuar me punë dhe ja di edhe hallet, edhe vështirësitë punës e kupton shumë mirë që në 18 muaj nuk mund të zgjidheshin tërë problemet e bartura dhe të zmadhuara e të kthyera në kancer për 20 e kusur vite. Me kë tallen këta? Kujt i tregojnë këta varfërinë dhe papunësinë? Kujt i kërkojnë llogari këta, që për aq shumë vite e lanë Shqipërinë si një mall pa zot, e sakatuan, e rrënuan dhe e zhvatën sa mundën, e bënë që të katandisej në një vend për turp, ku populli vidhte vetveten me bekimin e qeverisë, siç u vodh për kaq shumë vite, pasuria më e madhe e këtij vendi, energjia, ku gjysma paguante edhe për gjysmën që nuk paguante fare.
Sot, 18 muaj më pas jemi në pikën kur kemi filluar të marrim kthesën dhe jemi në drejtim e duhur për ta kthyer energjinë nga një problem madhor, si ai që trashëguam, në një burim mirëqenies për Shqipërinë dhe shqiptarët. E pra, ka akoma luftë për të bërë që sektori të vihet i gjithë në dispozicion të popullit dhe mirëqenies së popullit, por jemi në drejtimin e duhur dhe kjo nuk diskutohet. E në drejtimin e duhur jemi edhe me bujqësinë, edhe me shëndetësinë, edhe me arsimin dhe me gjithë sektorët e tjerë.
Sigurisht, 18 muaj na kanë mjaftuar për ta parë të ardhmen me shumë më tepër kurajo dhe optimizëm, por nuk mund të mjaftonin për t’i zgjidhur të gjitha problemet që u krijuan në 20 e kusur vite. Askush nuk ka gojë sot, t’i kërkojë llogari qeverisë sonë dhe “Aleancës për Shqipërinë Europaine”, pasi ka kontribuuar në krijimin e atij kanceri të tmerrshëm që e kishte kapur të tërë jetën e vendit dhe kishte mbërthyer çdo sektor të jetës së vendit.
Reformat janë operacione dhe ilaçe të domosdoshme për të rimëkëmbur trupin e vendit. Dhe kjo është edhe arsyeja pse shumica dërmuese e vendit i mbështet këto reforma dhe e mbështet qeverinë. Kjo është edhe arsyeja se pse shumica dërrmuese e qytetarëve dhe qytetareve të Tepelenës do të votojë Tërmetin për një fitore “publicitare”. Fitore “publicitare”, që ta marri veshë e tërë Shqipëria dhe të marrë shembull nga Tepelena dhe nga Tërmet Peçi.
Ndërkohë, kemi krenarinë që për herë të parë në histori, madje si një shembull i shkëlqyer për shoqërinë tonë, por dhe si një shembull i shkëlqyer në vetë familjen Europiane, do të votojmë për Këshillat Bashkiakë ku 50% janë gra dhe vajza. 50% janë nëna, janë motra, janë zonja dhe zonjusha, që ka ardhur koha të kenë vendin e tyre në vendimmarrje për mbarëvajtjen e punës nëpër bashki e nëpër qytete.
E si mund të bëjë qyteti dhe komuniteti pa pjesëmarrjen aktive të grave dhe të vajzave! Gratë dhe vajzat, që jo më kotë janë mbështetja më e fuqishme e Aleancës për Shqipërinë Europiane, e PS-së dhe LSI-së, e qeverisë sonë, janë sot të thirrura për të marrë një rol më të madh. Për të marrë një rol më të madh edhe në këtë fushatë dhe për t’ju thënë edhe burrave të tyre, që merren me politikë të madhe nëpër kafene, që zgjedhja e 21 qershorit nuk është zgjedhje për flamurin e partisë, por është zgjedhje për t’i dhënë përgjigje disa pyetjeve të thjeshta. Kush ka një fëmijë të vogël duhet të pyesë veten se kush është zgjedhja e duhur dhe drejtimi i duhur që fëmija im të ketë një rrugë më të mirë deri të shkolla; të ketë një shkollë më të mirë se kjo që ka sot; të ketë një program shkollor më të denjë e kështu me radhë? Kush ka një të moshuar duhet të pyesë veten në familje se kush është drejtimi i duhur që gjyshërit dhe gjyshet të kenë një qytet që të jetë edhe për ta, që të ketë edhe mjediset e tyre, por mbi të gjitha që t’u japë atyre kënaqësinë se rruga për nipërit dhe mbesat po shkon në drejtimin e duhur.
Të gjitha këto pyetje, burrat mund t’i trajtojnë dhe t’i japin përgjigje me ndihmën e grave. Prandaj, gratë dhe vajzat janë aleatët tanë më të fortë në këtë betejë ku nuk duhet të ngatërrojmë politikën e madhe, sherret dhe muhabetet pa bukë, me nevojën që ka qyteti ynë, me nevojën që ka komuniteti ynë, me punët që duhen bërë.
Unë si Kryeministër, ju kërkojë juve këtu në Tepelenë, i kam kërkuar dhe do t’i kërkojë të gjitha komuniteteve, të zgjedhin partnerët e duhur për qeverinë, që të mos humbasim asnjë minutë. Boll kemi humbur vite të tëra. Partnerët e duhur, me të cilët të punojmë ngushtësisht për të bërë projekte dhe për të realizuar projekte, për të konceptuar zhvillime të pamenduara dhe të paimagjinueshme deri 18 muaj më parë dhe për t’i bërë ato realitet. Me kë t’i bëjmë ne?! Me këtë të PD-së këtu?! Ç’të bëjmë me këtë ne?! Apo me atë tradhtarin. Çfarë të bëjmë ne me këta?! Asgjë!
Vota për ta është një budallallëk dhe është të humbasësh mundësinë për të kontribuuar për familjen tënde, për të kontribuuar për familjet e qytetit tënd, për të kontribuuar edhe për fëmijët që nuk votojnë, por që kanë të drejtë që të kërkojnë nga prindërit që përpara tifozllëkut politik të vënë interesin e tyre, interesin e qytetit të tyre.
Më lejoni që me shumë mirënjohje për punën që ka bërë, por mbi të gjitha, për sakrificat që ka bërë, si çdo kryetar bashkie që deri përpara 18 muajsh ishte i rrethuar, pa fonde, pa mbështetje, pa asnjë derë të hapur në Tiranë dhe që pavarësisht të gjitha këto, i qëndroi tamam si djali juaj, gjithkujt prej jush. E nëse nuk jua zgjidhi dot hallin, kurrë nuk refuzoi t’jua qante si njëri prej jush. Tërmet Peçi, kryebashkiaku i fitores “publicitare”!
Ju falenderoj shumë! Amanet Tërmetin, sepse Tepelena Tërmet ka dashur, Tërmet ka, Tërmet duhet të ketë dhe Tërmet do jetë.