Aktorja Adria Arjona ka nisur një kapitull të ri në karrierën e saj si ambasadorja më e re globale e L’Oréal Paris. Me filozofinë se bukuria nuk ka nevojë të ndryshojë identitetin e një gruaje, por thjesht të nxjerrë në pah veçoritë e saj Arjona sjell në këtë bashkëpunim një qasje natyrale, moderne dhe plot vetëbesim.

E rritur mes kulturave të Amerikës Latine, me origjinë portorikane dhe guatemalase, aktorja tregon se lidhja e saj me L’Oréal Paris ka nisur shumë kohë përpara këtij bashkëpunimi. Reklamat e markës kanë qenë pjesë e kujtimeve të fëmijërisë së saj, veçanërisht slogani ikonë “Porque tú lo vales” – “Sepse ti e meriton”. Sot, të jetë ajo vetë imazhi që përcjell këtë mesazh, e konsideron një moment emocionues dhe simbolik.

Në intervistën për Vogue, Arjona rrëfen se nuk ka qenë gjithmonë e apasionuar pas makijazhit. Si një vajzë që e përshkruan veten si tip sportiv dhe tomboy, ajo e shmangte grimin, ndërsa me kalimin e viteve ka mësuar se produktet e duhura mund të theksojnë bukurinë natyrale pa e transformuar pamjen. “Më pak është më shumë” mbetet filozofia që përfaqëson stilin e saj.

Në qendër të fushatës së re është Volume Liberté Mascara, produkti më i ri i L’Oréal Paris, i cili premton mbi 800% më shumë volum në një aplikim, duke ofruar qerpikë të ngritur, të ndarë dhe pa grumbullime. Formula rezistente ndaj njollosjes dhe rënies së produktit plotësohet nga një paketim elegant me mekanizëm hapjeje me klikim, që i jep maskarës pamjen e një aksesori luksoz.