Siguria e njerëzve është qëllimi më i rëndësishëm i një shteti. Në shekullin e 17-të, filozofi Tomas Hobs vuri re se forca shtytëse e njerëzve në formimin e komuniteteve e të qeverive ishte nevoja për t’u mbrojtur duke mbrojtur njëri-tjetrin. “Pa këtë mbrojtje” shkruajti filozofi i famshëm “jeta është e vetmuar, e varfër, e frikshme, e egër dhe e shkurtër”. Pa shkuar më thellë në filozofinë e diskutueshme e shumë të diskutuar të Hobsit, askush që atëherë, 300 vjet më parë, nuk e diskuton principin themelor se pa sigurinë s’mund të ketë asnjë qetësi në jetën e njerëzve. Siguria është baza e funksionimit të çdo shoqërie njerëzore. Siguria është po ashtu gur themeli në zhvillimin e të gjitha aspekteve të tjera të jetës së qytetëruar – shëndetësisë, edukimit, punësimit, kulturës. Të tëra këto aspekte lidhen me detyrimin moral të çdo qeverie moderne për të garantuar sigurinë shoqërore e individuale dhe, më anë tjetër, ndihmojnë në mënyrë të pazëvendësueshme në parandalimin e krimit. Prandaj në luftën me krimin, shkaqet e krimit janë po aq të rëndësishme në syrin e një qeverie moderne sa ç’është edhe vetë krimi.
Në Shqipëri po ndodh sot diçka jashtëzakonisht alarmante. Mjafton të hapësh çdo ditë televizorin e gazetat për të parë e lexuar se krimi po kthehet me prepotencë të frikshme në një makth shoqëror e individual për qytetarët e Shqipërisë. Edhe shifrat që do të paraqesim këtu për opinionin publik e shprehin pa asnjë ekuivok ngjitjen e përditshme të nivelit të krimit. Vrasjet, shpërthimet me eksploziv, grabitjet me armë në dorë, vjedhjet e pasurisë së qytetarëve, janë kthyer në lajme që faktikisht s’përbëjnë më lajm. Trafiqet e kontrabanda gjithëfarëshe po marrin përmasa të reja duke thyer çdo ekuilibër në fushën e betejës me krimin. Krimi po e mbyt Shqipërinë dita-ditës. Pas shifrave e grafikëve në rritje të të gjitha formave të kriminalitetit , qëndron një shoqëri e kërcënuar përditë në sigurinë e saj dhe e privuar dita-ditës nga mundësia për punësim, për edukim të vërtetë, për shërbim shëndetësor normal, për një jetë kulturore reale.
Shifrat flasin në mënyrë të përmbledhur atë që të gjithë e shohim çikë pas çike, ditë për ditë: Shteti e ka humbur betejën me krimin, sepse jo vetëm policia ka rënë moralisht e profesionalisht, po edhe jeta shoqërore po degradon vijimësisht prej papunësisë dhe degradimit të të gjitha shërbimeve publike. Në një vend me 1 milionë të papunë, ku Policia e Shtetit trajtohet si zyrë për të punësuar shërbëtorë të partive të qeverisë, kushërinj apo miq krahinorë dhe ende më keq, njerëz me precedentë penalë për fushata elektorale, nuk ka se si krimi të mos e vërë poshtë shtetin. Riorganizimi rrënjësor i Policisë së Shtetit e i të gjitha forcave të tjera të sigurisë së pasurisë publike, mbi bazën e një reforme shumëplanëshe është sot një emergjencë kombëtare. Kjo e bën detyrim prioritar tonin projektimin pa humbur kohë të kësaj reforme deri në detaje, si pjesë e programit tonë për një Rilindje Shqiptare. Në një vend ku plaga e thellë e papunësisë rinore, kurohet me recetën shkatërruese të shqyerjes së dyerve të universiteteve dhe hapjen pa asnjë karar të fabrikave të diplomave fiktive që quhen rëndom universitete private, nuk ka se si krimi të mos shtojë radhët e veta me të rinj të çoroditur që kanë humbur pikat e referimit moral, ligjor, komunitar.
Në kushtet e sotme sociale papunësia rinore ka vetëm gjasë që të shtohet duke zgjeruar boshllëkun moral, edukativ e kulturor ku krimi gjen forcat e veta të freskëta për të shtuar fuqinë e tij goditëse. Kjo perspektivë rrëqethëse na imponon domosdoshmërinë e një tjetër reforme të thellë, asaj të edukimit. E cila është më shumë se sa thjesht reforma e domosdoshme e arsimit. Reforma e edukimit lidhet edhe me kulturën, lidhet edhe me sportin, lidhet edhe me median publike e padyshim edhe me standardet e komunikimit publik. Edhe për këtë programi ynë për një Rilindje Shqiptare duhet të detajojë përgjigjet për pikëpyetjet e shumta të kësaj sfide komplekse. Në një vend ku shërbimi shëndetësor e të gjitha shërbimet e tjera publike janë katandisur në bataqe plot llum të mbushura me ferrat e korrupsionit, ku qindramijëra njerëz nuk marrin dot shërbim shëndetësor pa paguar fatura të kripura mbi e nën dorë, sepse janë të pambrojtur nga sigurimet për shkak se janë të papunë, dhe ku asnjë lloj shërbimi tjetër nuk merret dot pa ndihmën e korrupsionit nuk ka se si krimi të mos gëlojë duke bukosur poret e organizmit shoqëror.
Reforma radikale e shërbimit shëndetësor, që u propozohet zgjedhësve shqiptarëve përmes programit bazë të miratuar në kongresin tonë të 5 nëntorit, duhet të zbërthehet në programin tonë përfundimtar me të gjitha detajet që do të shtjellojnë vizionin e Partisë Socialiste për ngritjen e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar dhe financimin e tij për llogari të çdo shqiptari njësoj pa dallim. Me apo pa punë. E nga ana tjetër angazhimi ynë për një administrim publik europian duhet të marrë trajtat e një projekti konkret, të prekshëm e të detajuar për zgjedhësit në programin për një Rilindje Shqiptare. Lejomëni ta shpreh me bindje besimin tim se, ekspertët e shumtë e sot të papunë të forcave të sigurisë publike si edhe eksperienca shumë e pasur ndërkombëtare në këtë fushë do të na ndihmojnë të mësojmë, kuptojmë e përvetësojmë shumëçka na duhet në rrugën e programit tonë.
Të jemi të qartë:
Programi për një Rilindje Shqiptare nuk duhet të jetë thjesht një dokument i vizionit dhe i angazhimeve tona të shkruara në letër po, më e rëndësishmja, një instrument i fuqishëm i ndryshimit radikal që u premtojmë shqiptarëve në drejtim të sigurisë së jetës, pronës, mjedisit, biznesit.
Nuk harrova pa dyshim kalbëzimin e sistemit të drejtësisë dhe rënien e gjykatave në gjunjët e krimit e të korrupsionit, por kjo le të mbetet si temë më vete e cila i përket në këtë fazë tryezës së shtetit të së drejtës. Ndërkohë që sot, e deri në ditën kur të na jepet mundësia për të qeverisur, duhet ta themi me zë të lartë: Nëse krimi është mirëorganizuar, rritur, forcuar, sofistikuar në nivelet e veta të larta dhe përhapur me shpejtësi në nivelin e rrugës, ne do të riorganizojmë, rrisim, forcojmë dhe sofistikojmë në nivelin e duhur të gjithë forcat e rendit e të sigurisë publike për ta përballur e për ta zmbrapsur krimin.
Krimi sot po përparon në mënyrë frontale dhe përgjigja jonë do të jetë frontale. Sepse ne jemi të bindur se vënia e Policisë së Shtetit në kushtet e duhura për ta luftuar krimin është një domosdoshmëri, po nuk është gjithçka duhet për ta fituar këtë luftë që po bëhet dita-ditës më e egër. Sjellja antisociale është ushqimi bazë i kriminalitetit dhe zbutja e kësaj sjelljeje deri në eliminimin e pasojave të saj shpartalluese, nuk është mision ekskluziv i policisë. Është një mision shumë më i gjerë shoqëror që qeveria e vendit duhet ta ndajë me prindërit, me familjet, me mësuesit e pedagogët, me komunitetet e me median. Është një mision që fillon nga vetë sjellja e qeverisë, e cila sot për fat të keq nuk e lufton po e motivon me vetë shembullin e saj sjelljen antisociale të të rinjve e të të dëshpëruarve të shoqërisë sonë.
Qeveria duhet të jetë në ballë të luftës me krimin. Sot ajo e ka pranuar epërsinë e krimit dhe është bërë burim inkurajimi për krimin me sjelljen e vet të padenjë publike dhe me vendimmarrjen e vet të errët, me retorikën e shifrave të gënjeshtërta dhe me sulmet barbare ndaj prokurorisë që nuk kanë reshtur gjashtë vjet me radhë, me bashkëpunimin e hapur me kriminelët në fushatat e saj elektorale dhe me gradimin e pinjollëve të krimit në poste drejtuese të policisë. Jo vetëm kaq. Qeveria sot është bërë konkurrente e krimit në perceptimin publik, duke goditur haptazi Kushtetutën e ligjin përmes plumbave të nxjerrë nga pushkët e saj për të vrarë protestues opozitarë, përmes pengimit të dhunshëm të hetimeve me fshirje gjurmësh e kërcënime publike ndaj Prokurores së Përgjithshme, përmes vjedhjeve të hatashme me zë e me figurë dhe përmes korruptimit spektakolar të proceseve gjyqësore ku është gjendur në bankën e të akuzuarit nga prokuroria.
A nuk është sot në të njëjtën kohë e gjithë sjellja e komunikimi mizerabël publik i qeverisë sot, edhe një propagandë e hapur dhe e gjatë në favor të krimit e të sjelljes antisociale në mjedisin shoqëror?
A nuk e inkurajon qeveria kësisoj krimin në të gjitha nivelet, duke u shndërruar ajo vetë në një trupë që më shumë ngjan e interesuar për t’i shpëtuar ligjit se sa për të imponuar rendin ligjor në Shqipëri?
A nuk e bën vetë sjellja antiligj dhe antishtet e qeverisë krimin më të guximshëm e më të suksesshëm në luftën kundër ligjit e shtetit?
Pa asnjë dyshim po.
Ashtu siç nuk ka asnjë dyshim se kur padrejtësia me qëllim fitimi bëhet shtysë në vendimet e veprimet e qeverisë, çdo i ri i tërhequr prej krimit e ka një shtysë të fortë më shumë për ta sfiduar drejtësinë që mishëron Kushtetuta, ligji dhe bonsensi shoqëror. Çdo kriminel dhe bandë kriminale e ka po ashtu një motivim më të madh për të shkuar përpara në rrugën e padrejtësive që shkaktojnë vdekje, plagosje, shpërthime, grabitje, plagë të pangushëllueshme në familje njerëzish të zakonshëm e në të gjithë bashkësinë tonë. Por edhe çdo polic i thjeshtë e ka kësisoj një justifikim për t’u tërhequr e për t’u strukur në qoshen e vet, duke mos ngurruar të zgjasë dorën për bakshishet që natyrshëm i duken krejt normale krahasuar me përfitimet e mëdha të shefave lart e me pasurimin marramendës të të mëdhenjve edhe më lart.
Ne angazhohemi të qeverisim ndryshe. Kjo do të thotë se në radhë të parë do të sillemi ndryshe me Kushtetutën, me institucionet, me opozitën, me qytetarët e me komunitetet. Do të sillemi ndryshe me ligjin e me drejtësinë edhe nëse korrupsioni do të prekë këdoqoftë ndër përfaqësuesit tanë. Do të sillemi ndryshe pa asnjë dyshim edhe me krimin e me shkaqet e tij. Kjo është një luftë që sot po e fiton krimi, ndërsa nesër do ta fitojë shteti.
Unë e di si fitohet kjo luftë dhe jam i bindur se ka vetëm një rrugë: Të palëkundur kundër krimit, të palëkundur kundër shkaqeve të krimit. Por shqiptarëve nuk do t’u themi vetëm kaq. Do t’u themi një për një se çfarë do të bëjmë për ta fituar luftën me krimin. Prandaj është ngritur edhe ky grup pune që duhet të dëgjojë sa më shumë njerëz në të gjithë Shqipërinë, për të pasur në fund një program të plotë për rendin e sigurinë publike. Një program që të jetë pronë e sa më shumë njerëzve. Ju uroj sukses në këtë sfidë të vështirë por absolutisht të mundur të programit për një Rilindje Shqiptare. Të cilën do ta fitojmë së bashku, siç do të fitojmë edhe luftën me krimin.