Fjala e Ministrit Arben Ahmetaj në Parlament

Ju vini këtu dhe kërkoni llogari për atë që keni lënë mbrapa. I kërkoni llogari vetes.

Po ju jap një sqarim për kushtetueshmërinë e buxhetit të shtetit dhe po i tregoj tre akte normative të marra në dhjetor, i pari është 19 dhjetor 2007, i aprovuar në janar të vitit 2008 nga ky Parlament. I dyti është 23 dhjetor 2009, i aprovuar nga ky Parlament në janar të 2010; akti normativ 14 dhjetor 2011, i aprovuar nga ky parlament në janar të vitit 2012. Kaq ishte për kushtetueshmërinë.
Po flasim për një gropë të madhe që do ta përkthej  në shifra për të treguar se çfarë i ka bërë ish-qeveria qytetarëve shqiptarë. I la të padeklaruara, të papaguara sipërmarrjes dhe shërbimeve publike 726 milionë dollarë, të certifikuara nga audit ndërkombëtar.

Tani po u lexoj një paragraf nga raporti i fundit, e theksoj, i fundit,  i Fondit Monetar Ndërkombëtar që thotë: “Impakti që kanë detyrimet e pashlyera mbi rritjen ekonomike  është për çdo 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto detyrime të pashlyera, ka një impakt negativ në ekonomi që vlerësohet 0.9%” - që do të thotë, me shifrat e asaj kohe kjo qeveri i ka hequr nga tryeza e bukës qytetarëve shqiptarëve 400 milionë euro. 400 milionë euro ia ka grabitur vetëm duke abuzuar me borxhet e pashlyera. Kjo është e vërtetë. Sa është historike, është edhe teknike, dhe qytetarët shqiptarë fatkeqësisht e kanë ndjerë  400 milionëshin që ju kanë grabitur dhe tani ju tregojnë përralla me mini-superfuqi ekonomike apo energjetike, apo 650 milionë dollarë apo euro aferë me demek korruptive.

Zotëri, pse nuk e çove CEZ-in në arbitrazh? Tregoi shqiptarëve, cila është arsyeja që ti nuk e çove CEZ-in në arbitrazh, por të çoi ty CEZ-i në arbitrazh? Cila është arsyeja që ti ke futur ish-ministrin e rendit Noka në ambientet e CEZ-it? Arsyeja është fare e thjeshtë. Kishe rënë dakord që të humbisje në arbitrazh, t’i shkaktoje një dëm tjetër ekonomisë dhe qytetarëve shqiptare. Jep përgjigje se pse nuk e çove në arbitrazh dhe pastaj hajde këtu dhe fillo historitë me palma. Mbulohu si të duash ti, me pemë, me gjethe, me pisha, me palma, me çfarë të duash.

Po të jap përgjigje për ekonominë shqiptare. Unë e kuptoj shumë mirë që kur diskutohet për ekonominë shqiptare ka intuitë qytetare diku negative, diku pozitive. Por kemi rënë dakord të përdorim shifrat dhe po ju jap disa shifra që të ilustroj atë që them dhe atë që ju nuk thoni. Në qoftë se eksportet në dhjetor të 2013-ës, progresive, u mbyllën 246 miliardë lekë, eksportet në fund të dhjetorit të 2014-ës, sipas Institutit të Statistikave, janë 255.6 miliardë të rritura. A tu jap një interpretim shifre? Në çfarë aritmetike është 246 më e madhe se 255?

Doni një përgjigje për importet? Në vitin 2013 importet janë mbyllur me 517.3 miliardë lekë. Në vitin 2014 janë mbyllur 551 miliardë lekë, gati 7% më shumë. Po pse rriten importet? Nëse fuqia blerëse bie, si u rritkan importet? A mund të na thoni si rriten importet? Është e vërtetë se kanë rënë eksportet e mineraleve dhe lëndëve djegëse, por janë zëvendësuar me manifakturën. Modeli i ri ekonomik që ju tmerron ka filluar të funksionojë.

Vetëm manifaktura ka dhënë 165 milionë dollarë eksporte më shumë. Ka zëvendësuar gati shumën që ne humbasim nga eksporti për shkak të uljes së çmimit të mineraleve dhe të naftës.
Doni të dini se çfarë ka ndodhur me konsumatorin? Në qoftë se nafta në kohën tuaj ka qenë 196 lekë për litër, sot është 155. Është gati 40 lekë të reja më pak, 400 lekë të vjetra. E dini se sa para shkojnë nga kompanitë tek qytetari? 15 milionë dollarë në muaj u ikin kompanive dhe prodhuesve të naftës dhe shkojnë në xhepat e  qytetarëve. Në 12 muaj, janë 180 milionë dollarë në favor të qytetarëve, që në kohën tuaj i keni marrë ju, i kanë marrë kompanitë, apo janë bërë rrush e kumbulla.

Doni një shifër tjetër? Janë 81 mijë të punësuar. Sikur të marr rrogën minimale, 200 dollarë, e dini se sa i shkojnë konsumit vetëm për këtë fakt?  194 milionë dollarë i shkojnë konsumit. Nuk ju pëlqen? Apo tani ka filluar të kthehet logjikë ekonomike dhe nuk ju pëlqen? E dini se sa i janë kthyer qytetarëve me heqjen e taksës së sheshtë? 15-20 milionë dollarë në vit. E pra, të gjitha këto, vetëm me këto veprime, shkojnë 260 milionë dollarë.

Vazhdojmë me historinë tjetër. Çfarë ka ndodhur me ekonominë shqiptare gjatë 2014-ës? Patjetërqë ka qenë vit i vështirë, por ka qenë vit i kthesës. Ka qenë vit i vështirë për shkakun tuaj dhe ai vit matet me vitin tuaj, nuk matet me vitin tonë. 2015-ta do të matet me 2014-ën , me vitin tonë.

E dini çfarë ka ndodhur me ekonominë shqiptare në pesë vitet e fundit?  Ka rënë çdo vit, saqë në vitin 2013 u ul në minimumin e vet historik. Çfarë ka ndodhur me taksat tre vitet e fundit? Keni mbledhur 330 miliardë lekë, çdo vit, me rënie reale. Tani që u rritën të ardhurat nuk ju vjen mirë? Flisni për taksa të ngritura. Ju i ngritët taksat, nuk i ngritëm ne. Ne zgjerojmë bazën dhe ato shifra që u thanë këtu, ato shifra janë reale.

Doni shifër tjetër nga tatimet meqë u fol për rimbursimet? Keni rimbursuar në vitin 2011, 6.7 miliardë. Keni rimbursuar në vitin 2012, 7 miliardë. Keni rimbursuar në vitin 2013, 7.4 miliardë.  Cfarë kemi bërë ne? Kemi rimbursuar në vitin 2014, nga llogaria korrente e tatimeve. 9 miliardë dhe nga ato që ju keni lënë pa rimbursuar 13 miliardë. Çfarë keni rimbursuar ju në tre vite, ne i kemi rimbursuar në  një vit. Meqë po flisni se çfarë i keni bërë qytetarëve dhe sipërmarrjes, kjo është histori që falë Zotit mbaroi në 23 qershor.

Po vazhdoj me atë çfarë ka ndodhur me sipërmarrjen. E kishit kapur peng sipërmarrjen shqiptare dhe ajo që ka ndryshuar është një marrëdhënie krejt tjetër e bazuar në dialog. Sigurisht që nuk biem gjithmonë dakord me sipërmarrjen, sepse qëllimin e kemi të njëjtë, objektivin e kemi të njëjtë, por instrumentet mund të jenë të ndryshëm dhe mund të ketë interpretime të ndryshme. Por, tryeza ku sipërmarrja shqiptare bashkëbisedon me qeverinë është e përhershme dhe nuk i kërcënon më njeri me gjoba, siç kërcënoheshin në kohën tuaj.

Është rritur Indeksi i Besimit të Konsumatorit dhe të Biznesit. Është nga Banka e Shqipërisë, nuk është nga ne. Lexojeni dhe do bindeni. Rritja e tregtisë me pakicë, vetëm tremujorin e katërt të vitit të kaluar është rritur me 6.4 për qind. Si u rrit? Me logjikën tuaj, megjithëse u rrit importi, megjithëse u rrit tregtia me pakicë, paska rënë fuqia blerëse. Gjykojeni vetë edhe logjikën.

Raporti i Doing Business ka verifikuar  të gjithë përpjekjet tona për reforma. Ka kërcyer Shqipëria 40 vende përmirësim. Është e rastësishme? Pse nuk e bëtë ju? U bë në kohën tonë, u bë në vitin 2014. Sepse reformat vërtet janë të dhimbshme, por janë të domosdoshme, por ju keni pasur alergji nga reformat. Një ish ministër nga qeveria juaj më ka thënë specifikisht kur e kam pyetur për reformën e pensioneve: “Silleni”. Do ta sjellim në parlament tha, ta votoni ju”. I thashë sille në Parlament ta votojmë. Ne e sollëm në Parlament. Pse nuk e votuat? Pse nuk ishit këtu? Pse ishit larguat në drejtim të paditur?

Reforma në energjetikë. Si mund të flisni për energjinë? Ju e latë atë sektor me 1 miliardë dollarë  borxh. Ajo që është duke u bërë, sigurisht që nuk është e lehtë, sigurisht që nuk mbaron këtë vit, sigurisht që nuk do të jetë për një muaj apo për një vit, do të jetë një proces i cili do të duhet të zgjasë edhe vite, në mënyrë që pas katër apo pesë viteve të kemi mundësi që sektori të jetë i shëndetshëm, të mbajë veten në këmbë dhe të funksionojë si gjenerator i ekonomisë.

Lidhur me rritjen ekonomike, verifikohet rritja ekonomike me 2.1%. E mbani mend se sa e katandisët në 2011-ën, 2012-ën, 2013-ën? Unë e kuptoj që nuk ju pëlqen kjo. Po juve nuk ju pëlqen kjo , që çdo ditë ashtu me vështirësi, me përpjekje,  përmirësohet nga pak jeta e qytetarëve shqiptarë. Por kjo nuk ju pëlqen, se ju e keni kuptuar shumë mirë që siç të largon ekonomia nga pushteti, ajo dhe të sjell, dhe ju doni një ekonomi të zezë. Është ëndërr. Do t’ju mbajë ëndërr shumë gjatë. Sepse 2014-ta shënoi kthesën shumë vjeçare të rritjes ekonomike. 2015-ta, megjithëse do të jetë një vit i vështirë, përsëri do të jetë një vit konsolidimi. 2016-ta dhe 2017-ta do të afrojnë për ekonominë shqiptare dhe për qytetarët shqiptarë rritje 3% e sipër. 2017-ta do të jetë 4%. Ne e dimë shumë mirë që 2% nuk është rritje e mjaftueshme, prandaj përpjekja vazhdon. Ne e dimë shumë mirë që mbi 4% fillojnë qytetarët shqiptarë të kenë ndjesinë e drejtpërdrejt të të ardhurave dhe benefiteve nga rritja ekonomike, por puna vazhdon dhe reformat vazhdojnë.

Më së fundmi, do them edhe dy fjalë për aktin normativ. Akti normativ është kujdesur të korrigjojë ecurinë e një viti. Është normale. Keni bërë akte normative. Bëmë ne akte normative. Do bëjmë sërish akte normative, sepse ne nuk mund të lejojmë që paratë që janë të destinuara në ekonomi të mos shkojnë në ekonomi, qoftë për fajin tonë, qoftë për faj të situatës që mund të krijohet në ekonomi apo në administrim. Së fundmi, besojmë që modeli i ri ekonomik ka filluar të funksionojë, sepse prodhimi vendas është në fokus dhe metoda e re që ne kemi përdorur, duke promovuar paketat e industrive të ndryshme, si ajo e manifakturës, si ajo e bujqësisë, si ajo shumë shpejt e turizmi, e industrisë kimike dhe plastike, të gjitha do të japin, ashtu si kanë dhënë edhe në të kaluarën, rezultate pozitive në favor të industrive, në favor të punësimit dhe në favor të qytetarëve shqiptarë. 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare