Një tjetër ritëm pune, edhe për njësinë nr.6, edhe për kombinatin, për t’i dhënë zgjidhje problemeve që kanë vite që nuk marrin zgjidhjen e duhur. 
 
Erioni, pak a shumë tha një listë të shkurtër të katalogut të prioriteteve që kemi në njësinë nr.6, por dhe në të gjithë Tiranën. 
 
Sigurisht, ajo që ka të bëjë me pastrimin, ajo që ka të bëjë me lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre në gjendjen e ligjshmërisë dhe shfrytëzimit nga qytetarët; lançoi nismën për t’u ngarkuar atyre që konsumojnë paligjshmërinë, edhe barrën shoqërore dhe financiare të kthimit në gjendjen e ligjshme të hapësirave publike.
 
Dhe kjo është një nismë që kemi filluar ta ideojmë dhe ta draftojmë ka kohë, ku së bashku me reformimin e INUK-ut, shkojmë edhe te kthimi i faturës te ata që konsumojnë paligjshmërinë. 
 
Pra në qoftë se një njeri ndërton një ndërtesë pa leje, duke shkelur ligjin por ndërkohë duke u zënë hapësirën qytetarëve, në çdo cep të Tiranës apo të Shqipërisë, ka sigurisht detyrimin të zhbëjë paligjshmërinë dhe të kthejë në identitet, pra në gjendjen e mëparshme, atë që ka shkatërruar me duart e veta. Duke u dhënë mundësi kështu qytetarëve të kuptojnë se kush ka konsumuar, për një milion arsye, paligjshmëri në këtë qytet apo në vendin tonë, duhet domosdoshmërisht të marrë përgjegjësinë, për t’u kthyer ai vetë dhe ajo që ka shkatërruar, në qytetar të mirë dhe të kthejë hapësirën në mjedisin që u ka munguar qytetarëve apo që ai me dashje u ka shkatërruar qytetarëve.
 
Kjo ka të bëjë sigurisht me solidaritetin që duhet të kemi me njëri tjetrin, ka të bëjë sigurisht me promovimin e modeleve pozitive në qytet, ka të bëjë sigurisht me transferimin e barrës së përgjegjësisë për ata që realisht duhet ta mbajnë në raport me paligjshmërinë dhe rikthimin në ligjshmëri, ka të bëjë sigurisht me rolin që duhet të luajnë institucionet e shtetit në raport me shkeljen e ligjit dhe kthimin e ligjshmërisë, ashtu siç ka të bëjë sigurisht me ndërtimin e modelit të shëndoshë, të garantimit të përbashkët të ligjshmërisë në këtë qytet dhe në të gjithë Shqipërinë.
 
Me bashkinë e Tiranës por edhe më të gjitha njësitë vendore do të bashkëpunojmë për të ndërtuar saktësisht këtë model, modelin e shpagimit, për atë që ka shkelur ligjin dhe përgjegjësisë që duhet të mbajë për ta kthyer rendin ligjor, pikërisht në hapësirën që i ka zënë publikut padrejtësisht.
 
Kjo dhe shumë të tjera janë prioritetet të cilat i kanë munguar Tiranës në 4 vitet e fundit, por e vetmja mënyrë për të ecur përpara është të shohim me kujdes se si mund të bashkëpunojmë më shumë me qytetarin në njësinë nr.6, Kombinat, duke filluar, Erioni e tha, edhe me aksionin e pastrimit, duke dhënë një shembull pozitiv, se si duke u bërë bashkë mund të zgjidhim shumë më shumë gjëra sesa duke ia lënë në derë bashkisë apo institucioneve, duke u thënë, tani të votuam dhe hajde jep zgjidhje! Jo nuk është kështu! Kjo nuk mund të funksionojë kështu. Eshtë tjetër gjë të votosh dhe të presësh sjellje të përgjegjshme ndaj të zgjedhurve, por është një gjë tjetër të votosh dhe të jesh aktiv ditë për ditë, që bashkë me Erionin, bashkë me bashkinë, bashkë me Adriatikun, bashkë me Aldrinin, këshilltarët, të punojmë të gjithë bashkë për ta bërë qytetin tonë më të mirë, dita ditës!
 
Rezultatet pozitive janë atje, kanë filluar të vijnë por akoma më shumë, premisa për të pasur më shumë sukses për qytetin tonë, është aty dhe duhet vetëm përkushtimi ynë maksimal së bashku me banorët e Tiranës.
 
Unë dua t’ju falënderoj edhe njëherë pafundësisht për gjithçka keni bërë gjatë kësaj kohe, dua të falënderoj edhe njëherë Erionin për gjithçka ka bërë dhe po bën në bashkinë e Tiranës, t’i uroj suksese Adriatikut, Aldrinit, këshilltarëve të bashkisë për punën që kanë bërë dhe t’i ftoj që në këto ditë të bëjmë maksimumin tonë për të komunikuar me qytetarët.
 
Kjo është fushatë shumë më e rëndësishme sesa fushata elektorale.