I nderuar Kryetar i seancës Të nderuar deputetë Përpara se të them dy fjalë për buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të doja, mbase edhe në emër të deputetëve të Tiranës, nga kjo foltore, sot për 70-vjetorin e Çlirimit të Tiranës, edhe pse në rrëmujën dhe llumin e përditshëm, jo rrallë harrojmë idealin dhe vlerat e atyre që dhanë jetën për Shqipërinë e lirë, t’ju ftoj edhe unë: - I paharrueshëm qoftë kujtimi i tyre! Dhe ndërkohë t’i shpreh ngushëllimet e mia, për, së fundmi një bashkëpunëtor të Ministrisë së Punëve të Brendshme në promovimin e partneritetit nërmjet POlicisë dhe publikut. Por më shumë se kaq, një personalitet në jetën e artit, tashti të gjithë e njihni, Dr.Flori... ngushëllime për familjen e tij dhe për të gjithë dashamirësit. Në fakt në këtë parlament, sa herë është diskutuar buxheti, jo pak folklorizma janë dëgjuar. Unë thuajse jam rritur si deputet në këtë parlament, duke dëgjuar buxheti i rrugës Durrës - Kukës, buxheti i Tunelit të Elbasanit, buxheti i kësaj, buxheti i asaj e lloj - lloj tipash folklorikë, të cilët pak ose aspak kishin lidhje me jetën e përditshme të qytetarëve, problemet e tyre dhe zgjidhjen e tyre. Dhe në qoftë se ka një ditë kur një opozitë e shëndoshë, që ndoshta me apo pa arsye i duhet qeverisë, në qoftë se ka një ditë që do jetë prezent për të dhënë sugjerimet e saj se si duhet bërë buxheti më i mirë në interes të qytetarëve, kjo është dita! Edhe unë do të doja shumë që të diskutoja bashkë me opozitën në sallën e parlamentit buxhetin për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Dhe të mirëprisja sugjerimet e tyre se si mund të bëhej realisht më e sigurt Shqipëria, bazuar mbi buxhetin e vitit, cili ndoshta do ishte vlerësimi i tyre për si është shpenzuar buxheti i vitit 2014? Dhe propozimet e tyre se ku mund të fokusohej më shumë kapaciteti buxhetor për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit, për ta bërë më të fortë mundësinë tonë për të luftuar pa asnjë kompromis krimin e organizuar dhe korrupsionin. Jo vetëm si kërkesa themelore ne procesin e integrimit europian të Shqipërisë, por mbi të gjitha si kërkesa që i interesojnë më së shumti qytetarëve shqiptarë. Por opozita mungon. Dhe unë nuk di si mund të justifikohet, kur në seancën kur diskutohet fati vjetor i shpenzimeve qeveritare të shtetit, pra i parashikimit qeveritar për shpenzimet shtetërore, buxhetore, për interesin më të lartë të qytetarëve, opozita mungon! Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kemi trashëguar borxhe pa fund, të cilat janë një barrë e rëndë mbi kapacitetin tonë për të ndërtuar siç duhet orientimin lidhur me interesin e qytetarëve dhe për të dalë nga gropa ku e lanë të zhytur qeverisjen ata që ikën. Sot i dëgjon të merakosen për depolitizimin e administratës, për stabilitetin e administratës, për pavarësinë e administratës publike, ashtu siç i dëgjon të flasin për respektimin e pushtetit gjyqësor, këta, që vetëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë 4.7 miliardë lekë vendime gjyqësore të pashlyera. E ç‘sens kanë sot deklaratat e opozitës për administratën publike dhe për respektimin e vendimeve gjyqësore, kur këta lanë 4.7 miliardë lekë borxhe! Mendojeni sa shumë e kanë respektuar dhe sa shumë e besojnë sot që e thonë! Sot i dëgjon të merakosen për ekonominë, për borxhin, për shëndoshjen e sipërmarrjes, për ekonominë familjare, kur ndërkohë,

vetëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme trashëguam borxhe 3.3 miliardë lekë për shpenzime dhe mallra të përfituara por të pashlyera dhe 1.1 miliardë lekë investime të përfunduara por të papaguara! Sot i dëgjon të flasin edhe në emër të familjeve, në emër të fëmijëve. I sheh madje që në mënyrën më të shëmtuar të mundshme abuzojnë duke nxjerrë fëmijë në ekranet e televizioneve, por ndërkohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë lënë 5.6 miliardë borxh për shpërblimin e lindjes së fëmijëve. Në Shqipëri mund të lindësh me halle, probleme, por në Shqipëri lind dhe me borxhe! Sepse qeveria që ishte nuk pagoi shpërblimin e lindjes duke i trashëguar shtetit sot dhe familjeve, 5.6 miliardë lekë borxh! Ndërkohë që merakosen për punonjësit e Policisë dhe lanë 1.1 miliardë lekë borxh në Policinë e Shtetit “mbikohë” pune e papaguar. Sepse i degdisnin punonjësit e Policisë me urdhër peshku dhe as i paguanin për punën që bënin. Për të mos folur pastaj për 14 miliardë lekë borxh që i trashëguam në Ministrinë e Punëve të Brendshme për emergjencat civile! I mbajmë mend të gjithë përmbytjet fatkeq, por siç mbajmë mend akoma më shumë dhe më shumë se ne familjet që pësuan fatkeqësitë, premtimet e bujshme se qeveria do i shlyente borxhet dhe dëmet e tyre në një kohë rekord; se qeveria, pavarësisht fatkeqësisë natyrore përgjigjej në kohë dhe nuk do i linte familjet në baltë! Sot që flasim, janë 14 miliardë lekë borxhe, të cilat i trashëgon Ministria e Punëve të Brendshme vetëm për familjet, të cilat nga fatkeqësitë natyrore kanë pësuar dëme, ende sot të pashlyera. Të gjitha këto, në emër të përgjegjshmërisë e përgjegjësisë publike që ne kemi ndaj qytetarëve, ia kemi kaluar pranë Ministrisë së Financave të konsideruara si borxh dhe të denja për t’u paguar. Kjo ishte pakashumë situata që gjetëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërkohë që në vitin e kaluar qeveria me buxhetin e kaluar, rriti me 25% pagat e punonjësve. Dhe siç e shoh të udhës të them këtu se të gjithë atë buxhet të vitit 2014 e kemi mirëadministruar në interes të qytetarëve në luftën kundër kriminalitetit, krimit të organizuar në veçanti dhe korrupsionit. E thanë kolegë këtu më parë, trashëguam Policinë më të varfër në rajon, e sigurisht në Europë! Më të varfër për nga kapaciteti buxhetor ose nga mbështetja financiare, më të varfër për nga kapaciteti teknologjik dhe infrastrukturor, më të varfër për nga dija, për sa kohë kemi policinë me mesataren më të ulët të nivelit arsimor, të krahasuar me rajonin dhe Europën. Dhe sigurisht më të varfër për nga numri në raport me popullsinë dhe mbi të gjitha në raport me lëvizjen demografike. Arritëm gjatë vitit 2014 të mbyllim paketën ligjore më të plotë në historinë e sektorit të sigurisë, me mbi 15 ligje dhe akte nënligjore të miratuara, të cilat shtojnë një standard të ri në asetin institucional dhe në kuadrin ligjor për të luftuar më së miri krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ligji themelor ose shtylla kurrizore është patjetër ligji për Policinë e shtetit, në të cilin parashikuam dhe krimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit si një institucion që pritet t’i japë një tjetër ritëm luftës kundër korrupsionit dhe veçanërisht korrupsionit elitar dhe veçanërisht kriminalitetit të lidhur me të. Përfunduam fazën e parë të reformës strukturore. E gjetëm Policinë e Shtetit si një koncert ku më shumë kishte njerëz në tribunë sesa auditor. E kthyem piramidën e Policisë së shtetit, nga përmbys siç ishte në një

strukturë të orientuar ndaj qytetarit, me shërbim të shpejtë dhe efikas afër qytetarit, aty ku lind problemi dhe aty ku duhet të jetë shërbimi i Policisë së shtetit. Ndërkohë pagat e punonjësve të POlicisë së shtetit i rritëm me filozofinë e të paguarit më shumë për ata punnonjës policie që janë menjëherë përballë me rrezikun, janë menjëherë përballë me qytetarët, janë menjëherë në konfliktet që ndodhin, punonjësit e policisë që janë në terren dhe që janë shumica dërrmuese e punonjësve të policisë. Dhe falë angazhimit të Policisë së Shtetit u arritën rezultate të cilat janë përshëndetur dhe nga publiku dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Vetëm gjatë 400 ditëve janë arrestuar, ndaluar dhe shoqëruar 9821 persona. Janë trajtuar mbi 63,000 konflikte. Janë sekuestruar mbi 1200 armë dhe mbi 300,000 municione. Ky është volum i punës së Policisë së shtetit, përveç detyrave të tjera funksionale që i mbulon policia. Dhe ndërkohë janë ulur vrasjet me 22%. Kohë më parë, diku nga diskutimi i buxhetit të këtij vitit që jemi, kryeministri i 8 viteve të kaluara, akuzoi Policinë e Shtetit se fshihte vrasjet! Unë e sfidova në këtë sallë dhe i thashë që të vinte me shifra me ekspertët, dhe të na thoshte cilat vrasje ka fshehur policia! Ndërkohë që unë sot vij këtu dhe them vrasjet janë ulur me 22%! Ende sot që flasim, pavarësisht zhurmës, pavarësisht llumit dhe vrerit që hedhin shpesh, pavarësisht politikës me ngjarjet kriminale, dhe pavarësisht nxitjes që i bëjnë ndonjëherë krimit, ende sot nuk ka pasur kurajën të dalë këtu apo në cilëndo tribunë dhe të nxjerrë qoftë edhe një vrasje të vetme që mund të ketë fshehur policia. Apo qoftë edhe një ngjarje kriminale të vetme që mund të ketë fshehur policia! Dhe sigurisht i kemi ulur vrasjet me 22%, por nuk mbetemi të kënaqur edhe me kaq! Kemi ulur me 11% plagosjet e rënda. Vjedhjet me armë janë ulur me 50%. Ato që tribuna e SHQUP-it i quan maska, dalja e maskave, vjedhje me maska, e kështu me radhë janë 50% më pak se koha kur ata ishin në qeveri. Vjedhjet me pasojë vdekjen janë ulur me 67% dhe aksidentet me humbje jete janë ulur me 20%. Dhe ne përsëri mendojmë që ka ende shumë për të bërë. E kuptojmë pritshmërinë e lartë të publikut, e marrim për vlerësim e madje për shenjë besimi, edhe ndonjë kritikë që vjen. Por gjithsesi kjo tregon që me buxhetin e vitit 2014 ne arritën realisht të rrisim sigurinë e qytetarëve dhe sipërmarrësve në vend! E hoqëm Shqipërinë nga harta e vendeve të origjinës për trafikun e lëndëve narkotike. E gjetëm Shqipërinë, pëllëmbë mbjellë me drogë! E gjetëm qeverinë dhe Policinë e Shtetit që s’kishte lëvizur asnjë gisht për të parandaluar kultivimin e drogës dhe aq më pak për të luftuar kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike. Unë nuk besoj ka mbetur njeri që sot vë në dyshim vullnetin e qeverisë, dhe rezultatet tona kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Dikur, sot një vit më parë, opozita e sotme, qeveria e atëhershme që lejoi kultivimin masiv të lëndëve narkotike, akuzonte mua, maxhorancën, qeverinë, kryeministrin si kapobandat e trafiqeve ndërkombëtare, globale të lëndëve narkotike. Unë nuk besoj dhe këto rezultate të cilat gjerësisht janë përshëndetur dhe nga publiku dhe nga partnerët ndërkombëtarë, kanë gojë të flasin më, pavarësisht se për etikë dhe korrektesë politike dhe qytetare, e mirëpritur do ishte dhe të vinin këtu dhe të përshëndesnin rezultatet e Policisë së Shtetit kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Lufta kundër krimit ekonomiko-financiar është rritur me 76%. I keni dëgjuar që thonë se qeveria,

kryeministri, ministri i brendshëm shkrinë krimin ekonomik, sepse kishte dosje, sepse me këto dosje shantazhonin ministrat dhe qeverinë dhe kështu me radhë! Jo. Faktet flasin vetë, rezultatet flasin vetë. Eshtë kjo arsyeja pse aksione shumë pozitive të cilat më parë as imagjinoheshin, kanë bërë të mundur që treguesit në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar të jenë 76% më shumë! Siç është kjo arsyeja që treguesit në luftën kundër korrupsionit të jenë 83% më shumë në kaq kohë. Nxorëm Shqipërinë nga lista e vendeve në vëzhgim e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore. Në atë renditje të turpshme bashkë me vende të cilat kanë konflikte të thella sociale apo luftëra civile, në atë renditje të turpshme ku u katandisëm nga qeveria e kaluar, sepse nuk luftuan siç duhet dhe nuk shfaqën as vullnetin e duhur kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme, Koordinatori Kombëtar për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore bëri të mundur në kaq pak kohë të ndërmarrë ato hapa institucionalë dhe operacionalë kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat i vlerësoi Departamenti Amerikan i Shtetit duke na nxjerrë nga lista e vendeve në vëzhgim. Dhe ne përsëri jemi në kulmin e punës për të përparuar edhe në këtë drejtim. Kemi nisur përmirësimin e kushteve të infrastrukturës dhe teknologjisë në Policinë e shtetit. Për së kohë ne besojmë që një polici e varfër nuk mund të luftojë dot siç duhet kriminalitetin që është pasuruar në këto 20 vjet me pasuri që burojnë nga krimi dhe riciklohen në kriminalitet. Një polici e varfër që nuk ka kushte, nuk ka teknologji, nuk ka infrastrukturë, nuk ka nivelin e duhur arsimor, nuk ka numrin e duhur në raport me popullsinë, dhe shpërndarjen gjeografike, demografike të popullsisë, një polici e tillë nuk mund të ketë kurrë rezultatet që presin qytetarët. Në vende të tjera këto reforma i kanë kaluar vite më parë dhe sot marrin frytet e një pune të ndërtuar siç duhet në kohë. Ne sot na duhet që të ecim me shpejtësi drejt ndërtimit të kapaciteteve infrastrukturore dhe teknologjike të policisë.