E pashë me vend t’i kërkoja Presidentit të Republikës mundësinë për të parë dhe një herë atë që kemi thënë edhe në publik lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit.
 
Gjykoj që brenda kornizës institucionale dhe brenda detyrimeve kushtetuese, jemi dënuar të gjithë bashkë t’i përkushtohemi të vërtetës. 
 
Ndaj e pashë me vënd t’i bëja me dije Presidentit të Republikës të vërtetën, veçanërisht pas deklaratave të tij të fundit.
 
Do të ishte e udhës që Presidenti i Republikës të rrinte mbi palët dhe të nxiste bashkëpunimin institucional, gjykoj që në të gjitha rastet do ishte më e shëndoshë që Presidenti i Republikës të moderonte bashkëpunimin ndërmjet instucioneve, sesa duke neglizhuar të vërtetën të mbante një palë, cilado qoftë kjo.
 
Gazetari: Ju keni informacion nga SHISH? ...
 
E kam të pamundur t’ju bëj me dije  thelbin e bisedës që bëra me Presidentin e Republikës. Unë ju siguroj që informacionin e plotë ja dhashë Presidentit të Republikës, informacion shkresor, një dosje të plotë, të cilën unë besoj, në rast se ka vullnet dhe nuk kam arsye t’a dyshoj, Presidenti i Republikës do t’a shohë që e vërteta shkresore, komunikimi institucional është larg nga deklaratat që Presidenti ka bërë.
 
Kam informuar Komisionin Parlamentar të Sigurisë lidhur me të vërtetën, sepse unë besoj që përkushtimi ynë ndaj të vërtetës, edhe kur bëhet fjalë për bashkëpunimin institucional, aq më tepër pastaj në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, na vë ne të gjithë në pozita për të pasur më shumë sukses përballë qytetarëve.
 
Ma do mendja që qytetarët presin prej nesh, rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit.


 
Ne jemi në krye të detyrës, qeveria është në krye të detyrës për të bërë gjithçka është e mundur për të garantuar siguri dhe progres.
Në të gjitha rastet, unë mund t’ju garantoj që standardi ynë, i Policisë së Shtetit, në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit do të jetë shumë herë më lart nga rezultatet që kemi pasur deri më sot dhe që deri dje për ju ishin të paimagjinueshme.
 
Ju faleminderit shumë!
 
Redaksia online