Fjala e Ministrit të Rendit  Saimir Tahiri sot në Kuvend

"Përpiqem të kuptoj shqetësimin e kolegut parafolës (Flamur Nokes) lidhur me familjen time. Perpiqem te kuptoj dhe shqetesimin e tij lidhur me shëndetin tim. Fundja parafolsi eshte i vetmi ne kete parlament qe ka studiuar me shume per shendetesine.

I ka filluar studimet ne diktature dhe i mbaroi me antaresimin ne NATO. 17 vjet shkolle.

Por besoj që më shumë sesa merak për shëndetin tim, kolegu parafolës donte të shprehte kuadrin e shqetësimeve që une mendoj se ai ka në tërësi për shëndetin e qytetarëve.

Mund edhe të zgjidhte të shfaqte këtu veprat dhe punët që mund të ketë bërë ai vetë ose maxhoranca e djeshme për të garantuar jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve, si dhe të më jepte mua dhe maxhorancës së re ndonjë kritikë që do e kishim mbajtur parasysh a ndonjë sugjerim që do e kishim mabjtur shënim.

Megjithatë, zgjodhi një rrugë tjetër të të shprehurit të shqetësimit.

Unë jam shumë mirë me shëndet. Faleminderit.

Dhe megjithatë kam bindjen që bashkohemi në shqetësimin që sot siguria për jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve është shumë larg standardit që duhet të jetë. Është cështja me më shumë interes që qytetarët presin të dëgjojnë prej nesh. E më konkretisht, si duhet e do përmirësohet.

Shifrat e kriminalitetit janë shumëfishuar disa herë. Unë nuk besoj ky vend ka qënë ndonjëherë më i pasigurtë se kaq.

Krimi duket që është më trim se shteti, është një hap para. Është më i sofistikuar, me konjukturë të përhapur, shpesh herë me imunitet, është financiarisht më i fortë, por dhe më i mbrojtur nga muri i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit.

Nuk do flas për kronikat e lajmeve. Nuk ka nevojë për shumë koment për të renditur katalogun e vrasjeve, plagosjeve, në rrugë, në shtëpi, në lokal, në punë, në shkollë, ditën, natën, në qytet, në fshat, kudo.

Madje krimi ngre dorën dhe kundër shtetit, dhe kundër oficerëve të lartë të policisë së shtetit. Dhe nuk ka frikë. Prandaj sot lagjet janë vende të pasigurta. Qytetet janë vende të pasigurta. Rrugët po ashtu. E njëjta situatë pasigurie.

Qytetarët kanë kanë frikë ama. Po flas për frikën për të jetuar i lirë nga pasiguria për jetën dhe shëndetin. Për të jetuar i lirë nga kërcënimi që të vjen papritmas direkt pas cepit. Frika për të çuar fëmijët në shkollë, ankthi për të bërë biznes i lirë nga grabitjet.

Qytetarët nuk janë të lirë nga frika. Krimi është i lirë nga frika e shtetit, e Policisë së Shtetit dhe e drejtësisë. Unë besoj që biem dakort se sot është e domosdoshme të bëjmë të pamundurën për të rikthyer lirinë e qytetarëve. Të jetojnë të lirë duke vrarë frikën ndaj krimit, të sigurtë e të mbrojtur nga shteti. Nga policia e shtetit.

Ne do rikthejmë Policinë e Shtetit në misionin e vet. Do rivendosim rendin dhe qetësinë publike.

Do themelojmë Byronë Kombëtare të Hetimit, ku do të përmbledhim funksionet themelore të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut.

Do i japim një tjetër ritëm luftës kundër krimit të hapur dhe krimit të organizuar. Ashtu sic do të luftojm pa asnjë kompromis kundër trafikut të qënieve njerzore dhe narkotikëve.

Ne synojmë ta nxjerrim përfundimisht Shqipërinë nga niveli i turpshëm i "vendeve në vëzhgim" nw renditjen e Departamentit Amerikan tw Shtetit, për shkak të dështimit të deritanishëm në luftën kundër trafikut.

Sfida me e veshtire mbetet lufta me mafien ekonomike/ financiare. Behet fjale per biznese super te medha, per presion financiar spektakolar. Behet fjale per nje sistem te organizuar dhe te konsoliduar, me tentakula qe rrezikojne pavaresine vendimmarrese te cdo autoriteti publik, perfshire dhe parlamentin.

Pasuri minerare, ujrat, energjitika, pasuria e paluajtshme, xhiro financiare me miliona euro, investime ne turizem e kudo. Keto jane fushat qe po sulmohen, ne mos jane nenshtruar ndaj krimit mafioz.

Pa egzagjeruar, po ju them se luften kunder krimit dhe mafies, do e konsiderojme emergjence kombetare dhe do investojme te gjitha resurset per te ndare nje here e mire shtetin nga krimi dhe mafia, veneimmarrjen publike nga interesat mafioze, per te shpetuar ekonomine, pasurine dhe mireqenien e qytetareve.

Jemi të vendosur të rikthejmë besimin e publikut te Policia e Shtetit. Duke filluar me vetë ridimensionimin e filozofisë së marrdhënies ndërmjet policisë dhe qytetarit.

Sot që flasim, Policia e Shtetit nuk është partner me qytetarët. Duket sikur punonjësin e policisë duhet ta kenë frikë të gjithë. Sepse nga ana tjetër është vetë punonjësi i policisë që gabimisht sillet sikur duhet ta kenë frikë të gjithë.

Kur ndërkohë duhet të jetë tërësisht ndryshe, dhe ne do punojmë për ta ndryshuar tërësisht këtë koncept. Punonjësi i policisë do jetë partner, mik në qoftë se do duhet, me qytetarët që as e çojnë nëpër mend të shkelin ligjin. Beteja për siguri është beteja e përbashkët e qytetarëve që ndihmojnë policinë e shtetit për të kryer detyrën ndaj atyre që shkelin ligjin.

Frikë duhet të kenë ata që kanë bërë dicka për t'iu trembur ligjit. E në vazhdim, do i tremben dhe Policisë së Shtetit.

Në këtë moment, struktura e policisë është kokëposhtë. Afro 15 % e drejtuesve dhe oficerëve të lartë, është në zyra. Mbi 800 punonjës janë futur brenda Hotel Arbanës, pra Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

As kur ishte hotel nuk mbante kaq shumë njerëz sa mban tani që është njësia qëndrore e policisë së shtetit.

Ne do zbresim policinë në bazë. Do zbrazim zyrat dhe do çojmë policinë afër qytetarit. Do riformatojmë strukturën për ta rikthyer policinë e shtetit në terren, afër njerëzve, afër problemeve dhe cilësisht më mirë në shërbimin ndaj sigurisë së jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve.

Parimi "një shtet – një polici" është filozofi dhe mënyrë organizimi ndryshe. Do sigurojmë që asnjë vepër penale të mos mbetet jashtë vemendjes së policisë për shkak të anarkisë së kompetencave apo vakumit të përgjegjësive.

Do sigurojmë që të parandalojmë krimin, duke nisur që te sjelljet shoqërisht të rrezikshme. Këto kohë kanë ndodhur dhe krime të paralajmeruara, ose të denoncuara por tw neglizhuara.

Të tilla nuk do ndodhin më. Do marrrim masa ta vlerësojmë maksimalisht çdo sinjalizim, dhe të ndjekim hap pas hapi zhvillimin e cdo konflikti që mund të sjellë pasoja fatale.

Forca parandaluese dhe hetimet proaktive do risjellin në eficencë të plotë policinë e shtetit, e bashkë me të, besimin e publikut te institucionet, shteti ligjor dhe drejtësia.

Ne do reformojmë jo vetëm strukturën dhe organikën e Policisë së Shtetit, duke pasur parasysh hartën e tendencave të kriminalitetit, lëvizjet demografike, shtrirjen gjeografike dhe elementët kriminal potencial, por do të përcaktojmë mirë përgjegjësitë për të gjitha nivelet drejtuese të zinxhirit të komandës dhe matjen rigoroze të eficencës në punë.

Do bëjmë të gjitha përpjekjet për të garantuar infrastrukturë, trajtim financiar dhe mbështetje logjistike për punonjësit e policisë së shtetit. Duke filluar nga zyrat e godinat deri te infrastrukutra e lëvizshme, dhe sigurisht pagat.

E dimë mirë të gjithë se paqja shoqërore mes qytetarëve është e kërcënuar në themel, për sa kohë armët mbeten alternativa gjerësisht e përhapur, në mos e para, për të zgjidhur konfliktet.

Nga fyerjet në rrjetet sociale deri të konfliktet për nderin, për pronën, pasurinë, e në fund përplasjet mafioze, larjet e hesapeve dhe hakmarrja e gjakmarrja si trashëgimia jonë më e keqe në mungesë të shtetit ligjor dhe drejtësisë.Vetgjyqësia ka zëvendësuar mekanizmat ligjor, ndërkohë që Policia e Shtetit është gjithmonë një hap më pas.

Do marrim masa radikale ndaj armëmbajtjes, duke e konsideruar armikun numër 1 të sigurisë publike. Do rishohim kuadrin ligjor por do e vëmë gjithashtu në prioritetet absolute të punës së Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër, shoqëria sot është ndarë e pabarabartë.

Në njërën anë është shumica dërrmuese e qytetarëve të ndershëm, të cilët shpesh gjenden të braktisur dhe pa mbrojtjen e Policisë së Shtetit, por njëkohësisht më të kërcënuar nga paligjshmëria, nga krimi dhe dështimi i policisë.

Dhe në anën tjetër ata që jemi mësuar ti quajm "të fortët". "Të fortët" që sot jane të paprekshëm. Për imunitet përdorin paranë, armët, pa lënë mënjanë lidhjet me pushtetarët dhe politikën apo lidhjet me vetë policinë e shtetit.

Këta janë të fortët përsa kohë është i dobët shteti dhe vetë policia e shtetit. Sepse policia e shtetit sillet me arrogancë ndaj më të dobtëve, dhe është e dobët ndaj të fortëve dhe arrogantëve.

Në ka një gjë që vret besimin e qytetarëve të policia e shtetit dhe shkatërron imazhin e drejtësisë, është shfaqja e të fortëve që nuk pyesin për policinë, dhe arroganca e policisë ndaj qytetarëve të bindur ndaj ligjit.

Kjo do marri fund menjëherë.

Do bëjmë gjithcka është e mundur për të rivendosur barazinë para ligjit dhe për të shembur murin e të paprekshmëve. Para ligjit dhe policisë së shtetit, do jenë të gjithë të barabartë.

Po e deklaroj me përgjegjësi këtu, Policia e Shtetit nuk do njohi më asnjë lloj imuniteti, asnjë lloj të forti apo të paprekshmi. Cilido shkelës ligji, do përgjigjet deri një më një, pavarsisht statusit shoqëror, financiar, familjar apo konjuktural, dhe dëshiroj ta theksoj, qoft familijar, i afërm, mik, shok, koleg, kontribues, i cilitdo prej nesh këtu e cilido jashtë kësaj salle, ligji dhe policia e shtetit duhet dhe do veprojë për të gjithë njëlloj. Na duhet të arrijmë një objektiv, të mos ketë më të paprekshëm dhe ligji të jetë një për të gjithë.

Rrugët janë kthyer në teatër absurd njerëz që humbasin jetën ose gjymtohen përditë. Ndërkohë që punonjësit e policisë ndalojnë e jo rrallë dhunojnë a xhvasin nga lekët ata që nuk ngrenë zërin, ndërkohë që kategorinë e makinave të paprekshme, e njohin që larg e as marrin mundimin të bëjnë sinjal të ndalojnë.

Ne do bëjmë çmos që të kthejmë siguri dhe rregull në rrugë. Për të garantuar jetën e qytetarëve, por edhe për të rivendosur disiplinimin e trafikut, gjë që do të shkurtonte kohë, mund e para për shtetin dhe qytetarët.

Fatkeqësisht, korrupsioni në policinë e shtetit është përhapur. Madje jo të pakta kanë qënë sinjalizimet për bashkëpunim të segementeve të caktuara të policisë së shtetit me botën e krimit.

Ka punonjës policie të inkriminuar, sic ka dhe militantë që as dinë ta ndajnë detyrën në emër të ligjit nga dëshira në emër të partisë.

Ne do rishikojmë të gjitha praktikat e punësimit, të karrierës, të efektivitetit në detyrë për cdo punonjës policie. Do ndjekim cdo denoncim dhe hetim të kaluar por edhe në vazhdim, për përfshirje të punonjësve të policisë së shtetit në veprimtari abuzive dhe kriminale. Të parët do përjashtohen nga Policia e Shtetit dhe do procedohen. Të dytët do shkojnë para drejtësisë dhe në policinë e shtetit nuk do shkelin më.

Sic nga ana tjetër, është i papranueshëm cënimi i sistemit arsimor policor, por akoma më e papranueshme që punonjësit e policisë së shtetit të kenë formim më të ulët se mesatarja e formimit arsimor të shoqërisë.

Në kohët që jetojmë, me nivelin arsimor dhe formimin e përgjithshëm të shoqërisë dhe brezit të ri, është e rendësishme që të vendosim si objektiv që punonjësit e policisë të jenë në shumicë me formim universitar.

Vetë Akademia e Policisë do ristrukturohet në kohëzgjatje dhe kurrikula bashkë me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, për ta kthyer në një institucion arsimor universitar, duke synuar akreditimin, me përfshirjen në sistem të diplomimit dhe formimit të vazhdueshëm të punonjësve të policisë, sigurisë publike dhe emergjencave civile. Ndërkohë jemi në studim të krijimit të Akademisë së Sigurisë, por ky projekt do marrë kohën e vet.

Do synojmë ndërtimin e modelit të punonjësit të policisë si shembull për komunitetin, në respektimin e ligjit dhe drejtësisë, filluar nga ushtrimi detyrës e deri të jeta private dhe shoqërore.

Do mbështesim profesionistët, punonjësit e përkushtuar dhe të devotshëm. Do rishikojmë sistemin e karrierës dhe gradave për të garantuar që ti përgjitgjet formimit profesional, aftësisë, devotshmërisë dhe suksesit në detyrë.

Do bëjmë maksimumin për të rikthyer dinjitetin e punonjësit të policisë, duke filluar nga uniforma, etika e komunikimit dhe ushtrimit të detyrës deri të promovimi i vlerave më të mira brenda policisë së shtetit.

Do zhvillojmë dimensionin human brenda Policisë së Shtetit. Do të garantojmë brenda mandatit të parë strehimin e të gjitha familjeve, punësim për të gjitha gratë dhe përkujdesje për arsimin e të gjithë fëmijëve jetimë të policëve të vrarë në krye të detyrës.

Te nderuar,

Rendi dhe siguria publike jane sfida madhore, ndoshta sfida me e madhe e ketij kabineti. Une ju siguroje se kam vullnetin e plote, kjo qeveri ka vullnetin e plote per te fituar betejen me krimin. Por kjo duhet je beteje qe duhet ta fitojme bashke. Ndaj jepini besimin kesaj qeverie dhe jam i sigurt qe do e fitojme luften kunder krimit.