Fjala e ministrit Tahiri, mbi arritjet për vitin 2015
 

Jam këtu, bashkë me drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit, për të ndarë me ju rezultatet kryesore të punës sonë për vitin 2015, i cili pa dyshim mund të konsiderohet një vit suksesi për gjithçka kemi arritur me qytetarët (që janë aseti më i çmuar i punës sonë).
 
Do ju referoj në vazhdim shifrat kryesore të luftës kundër paligjshmërisë dhe  kriminalitetit, duke besuar se nga njëra anë janë shifra që tregojnë rezultatet e suksesshme të punës së Policisë, e nga ana tjetër janë pa diskutim një detyrim i shtuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit për të ruajtur të njëjtën prirje: të njëjtin volum e cilësi pune, por mbi të gjitha të njëjtat rezultate, për t’u shërbyer qytetarëve me më shumë transparencë e në kohë, për të luftuar bashkë me ta çdo fenomen të informalitetit e paligjshmërisë në vend.
 
Gjatë vitit 2015 Policia ka zhvilluar mbi 4450 takime ndërgjegjësuese me komunitetin. Këto takime kanë forcuar partneritetin dhe besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit, çka së pari shton volumin e informacionit të Policisë në ndihmën kryesore për pararandalimin e ngjarjeve kriminale apo vënien para drejtësisë të autorëve të veprave penale. Janë 4450 takime ndërgjegjësuese që kanë patur qëllim kryesor punën e Policisë së Shtetit,si dhe ndërtimin e urave të komunikimit dhe bazat solide të besimit të ndërsjelltë mes qytetarit, komuniteteve e pse jo institucioneve vendore, dhe Policisë së Shtetit në tërësi.
 
Numri i telefonatave në numrin 129 është mbi 194 mijë. Që do të thotë mbi 500 telefonata të qytetarëve në ditë.Kjo tregon besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit, duke qenë të gatshëm të ndajnë me të çdo shqetësim, qoftë paraprak, pa pritur që ai të materializohet për çështje shqetësuese për komunitetin e gjerë apo që degradon në ngjarje kriminale. Numri i telefonatave të qytetarëve tek Policia e Shtetit tregon besimin dhe gatishmërinë e qytetarëve për të patur në ndihmë Policinë si partner të parë në zgjidhjen e çdo problemi. Pavarësisht se një pjesë e telefonatave nuk i përket në themel misionit të saj, Policia e Shtetit përsëri ka shërbyer si njësi e adresimit të parë të shqetësimit të qytetarëve në raport me çdo çështje që më së shumti i shqetëson ata.
 
Ndërkohë, aftësia jonë parandaluese dhe reaguese si dhe mundësia e raportimit qytetar të çdo shqetësimi apo ngjarjeje është rritur nga një risi teknologjike që sot është kthyer një mjet kryesor në dorën e qytetarit për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë – dhe ky është Komisariati Dixhital. Bëhet fjalë për një aplikacion fare të thjeshtëshkarkuar mbi 35 mijë herë nga përdorues aktualë të tij, të cilët kanë ndarë pra 35 mijë raportime me Policinë e Shtetit për çështje shqetësuese për ata individualisht apo komunitetin ku banojnë. Raportimet e Komisariatit Dixhitalnisin me parkimin e gabuar, me ndërtimet pa leje, me veprat penale tëlidhura me ndotjen akustike apo të mjedisit, deri tek njoftimet qytetare për armëmbajtje e dhunë në familje, madje përmes tij janë parandaluar edhe vrasje. Çka na ve përpara provës për ta kthyer Komisariatin Dixhital  në një mjet efektiv që më së miri u përgjigjet nevojës së qytetarëve për të denoncuar në kohë rekordpa pasur domosdoshmërinë që të identifikohen, për të patur në dorë një mjet të lehtë në përdorim për ndarjen e informacioneve me Policinë, për t’i kërkuar asaj ndihmë apo reagim sa herë bëhen dëshmitarë të një ngjarjeje shqetësuese apo kriminale.
 
Të gjitha këto shifra tregojnë besimin e shtuar të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Kjo falë transparencës, falë punës sonë në shërbim të qytetarëve, falë shërbimit në kohë, e falë luftës sonë kundër korrupsionit që është një element themelor. Dhe tek lufta kundër korrupsionit brenda Policisë së Shtetit, tek lufta kundër abuzimit me detyrën dhe shkeljes së ligjit nga vetë punonjësit e saj, gjatë vitit 2015 janë rreth 1 mijë punonjës policie të proceduar (nga të cilët 243 me procedim penal dhe rreth 790 me procedim disiplinor). Kjo tregon nga një anë punën që na duhet për ta bërë Policinë e Shtetit model dhe shembull të respektimit të ligjit në detyrë e jashtë saj nga punonjësit e Policisë,e nga tjetra masën e volumit të punëssonë me qytetarët (të cilët gjej rastint’i falënderoj për denoncimet ndaj policëve që kanë shkelur ligjin, bashkë me gazetarët dhe mediat që falë transmetimeve të videove e materialeve të çdo lloji na kanë ndihmuar t’i vëmë para përgjegjësisë disiplinore e penale). Sepse ne besojmë shumë fort që e vetmja mënyrë për të luftuar shkeljen e ligjit dhe korrupsionin në shoqëri fillon së pari me luftën kundër shkeljes së ligjit apo korrupsionit brenda radhëve të Policisë së Shtetit.
 
Në këtë kuadër, edhe viti 2014 edhe viti 2015 tregojnë vendosmërinë tonë për të bërë gjithçka është e mundur që Policia e Shtetit t’i bindet së pari ligjit e të kthehet në shembull ose model të funksionarit publik apo zyrtarit të ndershëmqë vetë së pari respekton ligjin (qoftë në detyrë apo jashtë saj) e vetëm më pas e pretendon këtë tek qytetari dhe shoqëria duke e ndihmuar Policinë e Shtetit të luftojë informalitetin, paligjshmërinë dhe kriminalitetin. Për ne është prioritet maksimal lufta kundër korrupsionit brenda Policisë së Shtetit, lufta kundër abuzimit me detyrën apo moskryerjen e saj nga punonjës të Policisë atëherë kur duhet ta ushtrojnë atë – dhe shifrat flasin qartë për vendosmërinë tonë në këtë betejë si parakusht për rezultate të qëndrueshme në luftën kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit në shoqëri.
 
I gjithë ky kuadër (lufta kundër paligjshmërisë e korrupsionit mes vetë Policisë nga një anë, dhe bashkëpunimi mes Policisë e qytetarëve nga ana tjetër) kanë sjellë rezultate në çështjet kryesore të luftës kundër krimit.
 
Për të filluar me vrasjet: 2015-a është viti i parë ku numri i vrasjeve (54 të identifikuara) është thuajse gjysma e atyre të çdo viti marrë veçmas në 25 vitet e fundit. Është rezultati dhe rekordi më pozitiv i Policisë së Shtetit në 25 vitet e fundit, tregues nga një anë i punës së mirë të saj e nga tjetra një detyrim i shtuar për ne për të ruajtur këtë prirje edhe për këtë vit e ata në vijim.
 
Siç shikohet, edhe krahasuar me treguesin e vrasjeve për 100 mijë banorë, duket qartë që rezultatet janë ndjeshëm në ulje. Ashtu siç, po të krahasohet me vendet e tjera, duket që Shqipëria tashmë hyn në vendet që kanë tregues të vrasjeve pothuaj të njëjtë ose më të ulët se vende shumë më të zhvilluara se ne (në rajon pa asnjë diskutim, në Bashkimin Evropian, e akoma më gjerë). Pra jemi në mesataren e vrasjeve për 100 mijë banorë (e madje poshtë këtyre treguesve krahasuar me mesataren e vrasjeve në vendeve të zhvilluara). Çka do të thotë se mjaft e mirë është situata e përgjithshme e sigurisë në vend, mjaft e mirë ka qenëpuna parandaluese dhe kapaciteti reagues i Policisë. Dhe rezultati kryesor duket në uljen drastike të shifrave të rekordit historik të numrit të vrasjeve në vend.
 
Përsa i përket motiveve të vrasjeve, ato meritojnë sigurisht një analizë më të thellë. Por për kaq sa më lejon koha në këtë konferencë për shtyp, mund të them që mbi 70% të motiveve të vrasjeve kërkojnë trajtesë të thelluar në origjinën e konfliktit nga institucione të tjera (përveç Policisë së Shtetit). Kërkojnë zgjidhje të çështjeve që trashëgohen historikisht prej 25 viteve në kurriz të shoqërisë,qëpashmangërisht prodhojnë konflikte të cilët degradojnë edhe në ngjarje kriminale. Mund t’ju them që nga vrasjet e vitit 2015:
30% janë për motive të dobëta apo të çastit;
31% janë vrasje brenda familjes (në kuptimin e ngushtëtë fjalës apo lidhje farefisnore deri në gradën e dytë apo të tretë, për ne çështje delikate që duhet trajtuar nga pikëpamja social dhe e parandalimit të konfliktit që në fazën e origjinës së tij);
8% e vrasjeve janë nga pakujdesia;
3% e tyre janë për motive pronësie;
14% e vrasjeve janë për motive ende të panjohura, për sa kohë hetimet zgjasin dhe kërkohet ende punë për të shkuar te motivi i gjenezës. 
Duhet theksuar se nga viti 2013 numri i vrasjeve brenda familjes ka rënë me 30% gjatë vitit 2014, dhe me 30% gjatë vitit 2015. Gjë që tregon punë më të mirë në fazën e reagimit paraprak të Policisë së Shtetit për të parandaluar degradimin e konfliktit brenda familjes në ngjarje kriminale. Kjo gjithsesi nuk përjashton domosdoshmërinë tonë në tërësi për t’i trajtuar konfliktet e origjinës, shoqërisht dhe me instrumente socialë të tillë që mund të parandalojnë qoftë edhe konfliktin. Por gjithsesi, shifrat e vrasjeve brenda familjes, tregojnë ulje drastike.
 
Nga numri i vrasjeve brenda familjes, për vitin e kaluar vetëm një ishte vrasje në kushtet edhe të urdhrit të mbrojtjes. Kjo, brenda 48 orëve të para të fitimit të urdhrit të mbrojtjes, gjë që na vë ne në pozitën për të analizuar më mirë efektivitetin e masave dhe punës për mbrojtjen e viktimave të mundshme të konfliktit brenda familjes. Vetëm një person ka qenë në kushtet e urdhrit të mbrojtjes ndërkohë që vitin e kaluar (akoma më shumë në 2013, e akoma më shumë në vitet më parë) numri i viktimave në kushtet e urdhrit të mbrojtjes ka qënë shumë herë më i lartë. Kjo ende tregon punën tonë në këtë drejtim, por gjithsesi domosdoshmëria për të forcuar mekanizmat parandalues mbetet ende e lartë.
 
Janë ulur me 10% plagosjet e rënda dhe me rreth 20% plagosjet e lehta, ndërkohë që asete të sekuestruara me iniciativë (pra të referuara nga Policia e Shtetit) janë rreth 39% më shumë krahasuar me vitin 2014. Pra në rast se asetet kriminale të sekuestruara në vitin 2013 ishin 1.2 milionë euro, në vitin 2014 ishin 19 milionë euro, në vitin 2015 janë 31 milionë euro! Për ta bërë të qartë edhe për ju edhe qytetarët:bëhet fjalë për asete kriminale të sekuestruara me iniciativë, pra me referim të Policisë së Shtetit, pa përfshirë këtu procedime të tjera sërish të finalizuara me sekuestrime të aseteve kriminale.
 
Gjatë vitit 2015 janë ndaluar dhe arrestuar 11.461 persona - nga të cilët 6098 janë në masë arresti me burg, 899 arrest në shtëpi, 4237 me detyrim paraqitjeje, dhe 227 lirim me urdhër të prokurorit.
 
Ndërkohë që janë mbi 30.000 vepra penale të trajtuara nga policia gjatë vitit 2015. Persona në kërkim të kapur janë gati 19% më shumë krahasuar me 2014 (ose thënë ndryshe 2746 persona gjatë vitit 2015). Kjo tregon edhe punën në volum të Policisë së shtetit, edhe cilësinë e informacionit dhe punën reaguese të policisë për kapjen e personave në kërkim apo për ndalimin dhe arrestimin e personave që përbëjnë rrezik apo kryejnë vepra penale të cilitdo lloji.
 
Ndër krimet kundër pronës renditen:
35% më pak vjedhje me dhunë, krahasuar me 2014, akoma më shumë krahasuar me 2013;
18.3% më pak vjedhje me armë;
16.6% më pak vjedhje prone;
33.7% më pak shkatërrim prone me eksplozivë.
dhe 0 (zero) raste të ngjarjeve kriminale me humbje jete, pra të vrasjes me eksploziv. 
Në vitin 2015 janë 0 (zero) rastet e vrasjes për motive gjakmarrjeje.
 
Ky është një tregues mjaft i rëndësishëm i punës së institucioneve në tërësi e Policisë së Shtetit në veçanti, për trajtimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. Por çështje sigurisht meriton akoma më shumë vëmendje, për të parandaluar ngjarjet kriminale nga një anëe nga tjetra për të gjetur zgjidhje në origjinë të fenomenit, dhe për reintegrimin e personave në shoqëri dhe në jetën e përditshme sociale në qytetet ku jetojnë.
 
Sa i takon korrupsionit janë 24.5 % më shumë vepra penale të evidentuara për korrupsion të zyrtarëve në detyrë. Krahasuar me vitin 2014, janë 182 autorë të proceduar më shumë dhe 71 të arrestuar në vitin 2015.
 
Duhet të ndalemi pak te droga, sepse viti 2015 shënoi një tjetër moment pozitiv të luftës sonë së bashku me partnerët, në kuadër të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Siç mund t’i njihni shifrat e deklaruara nga Guardia di Finanza lidhur me sipërfaqen e kultivuar në vend në 2015-ën, këtë vit është kultivuar 8 herë më pak sipërfaqe me bimë narkotike - prej të cilave 99,6% është shkatërruar. Krahasuar me 2014, janë gjithsej 620 raste më shumë të evidentuara me 319 autorë të proceduar penalisht më shumë.
 
Sa i takon bashkëpunimit të Policisë së Shtetit, janë mbi 12 mijë informacione të shkëmbyera me agjencitë partnere (përfshirë Interpolin dhe Europolin) dhe mbi 16 operacione të përbashkëta. Gjë që tregon besimin e shtuar të partnerëve te Policia e Shtetit dhe besimin tonë të përbashkët në rezultatet e procedimeve të përbashkëta apo informacionit të shkëmbyer me agjencitë partnere.
 
Gjatë 2015 janë evidentuar gjithsej:
1614 ndërtime pa leje;
318 raste të prerjes së pyjeve;
rreth 1905 rastet e vjedhjes së energjisë elektrike;
rreth 824 vepra penale në kuadër të luftës ndaj informalitetit në ekonomi. 
Lidhur me sigurinë rrugore, krahasuar me vitin 2014 ka rritje të numrit të aksidenteve me rreth 4.5%. Në numër absolut ka rritje të numrit të viktimave nga aksidentet rrugore, por krahasimisht me 2014 dhe vitet e mëparshme ka më pak viktima dhe të plagosur nga aksidentet për 100 mijë banorë dhe për numër makinash.
 
Gjatë vitit 2015 rreth 1892 drejtues mjeti janë arrestuar nga Policia për përdorim alkooli dhe për përdorim të mjetit pa patentë. Kjo shifër tregon dimensionin e paligjshmërisë në përdorimin e rrugës: nga një anë mungesën e përshtatshme të ndërgjegjësimit dhe masave edukative në raport me drejtuesit e mjetit dhe respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, dhe nga tjetra përmasën e punës që duhet të bëjmë për edukimin, ndërgjegjësimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve kur nuk respektohen rregullat e qarkullimit rrugor.
 
Siguria rrugore nuk është një betejë ekskluzive e policisë. Ajo shkon shumë përtej se kaq, që nga këmbësori që duhet të respektojë rregullat e qarkullimit rrugor, tek drejtuesit i mjetit që sigurisht duhet të bëjë të njëjtën.
 
Mbi gjysma e jetëve të humbura në aksidente rrugore ka qenë në aksidente të mjetit me qytetarin, pra në aksidente ku kalimi i rrugës në mënyrë të pakujdesshme apo drejtimi i mjetit në mënyrë të pakujdesshme ka sjellë viktima. Shumica janë pakujdesi e përdoruesve të rrugës si këmbësorë, pra bëhet fjalë për kalimin mënyrë të pakujdesshme nga këmbësorë në rrugë ku mjetet kanë shpejtësi të lartë, veçanërisht autostrada. Gjë që kërkim ndërgjegjësim, më shumë edukim, infrastrukturë për të ndihmuar kalimtarët, sinjalizim, dhe masa represive për drejtuesit e mjeteve mes të cilat të imponohet respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor.
 
Reformat tona kryesore gjatë vitit 2015 janë përmbledhur kryesisht në përmirësimin e kapacitetit teknologjik dhe infrastrukturor të Policisë së Shtetit për të shtuar progresivisht mundësinë e parandalimit të ngjarjeve kriminale, për të mbledhur më shumë informacion nga qytetarët duke i shërbyer në mënyrë transparente dhe pa korrupsion, dhe për të reaguar në kohë të përshtatshme ndaj çdo shqetësimi shfaqur tek Policia e Shtetit nga qytetarët, në cilëndo rrugë dhe mjet.
 
Falë reformës në përmirësimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit, Akademia e Sigurisë sot është efektive (jo vetëm për Kursin Bazë të policisë, por edhe për arsimin e lartë të punonjësve të policisë). Ndërkohë, në strukturën e re të Policisë së Shtetit janë përfshirë edhe njësitë në qarqe të trajnimit dhe testimit periodik të punonjësve të policisë.
 
Në 31 dhjetor 2015 kam firmosur strukturën e re të Policisë, sipas të cilës:
shtohet numri i punonjësve të policisë dhe i specialistëve të hetimit të krimit në çdo komisariat;
përshtatet struktura e policisë me ndarjen e re territoriale;
shtohet numri i punonjësve të policisë dhe civilë që do jenë në shërbim të qytetarëve;
shtohen zyrat e shërbimit unik për qytetarët;
dhe mbi të gjitha afron punonjësin e policisë me komunitetin vendor, falë punës së përditshme në mbledhje të informacionit, për ndërtimin e partneritetit me publikun, për shërbimin ndaj qytetarëve dhe për reagimin ndaj konflikteve e ngjarjeve kriminale. 
Shumë shpejt, efektivët e policisë në Tiranë (dhe shpresojmë edhe punonjësit e policisë rrugore në të gjithë Shqipërinë) do pajisen me kamera trupi të cilat do të monitorohen nga Drejtoria e Standarteve në polici dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në ministri.
 
Nëpërmjet një progami të përcaktuar do të lejojmë aksesin në filmimet në fjalë edhe për shoqërinë civile e gazetarët (duke respektuar me diskrecion kriteret e sigurisë dhe klasifimit të informacionit që kërkon policia në këto raste), për të monitoruar punën që bën Policia e Shtetit dhe për të monitoruar raportin që ndërton Policia e Shtetit me qytetarin.
 
Gjatë këtij viti do të vijohet ndërkohë me:
ligjin për Sigurinë Publike (i cili i lejon Policisë së Shtetit të krijojë, bashkë me qytetarët, premisat për parandalimin e ngjarjeve kriminale);
me ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
me Programin e Popullimit dhe Regjistrimit të Emigrantëve (për shkrirjen e regjistrave të adresave dhe gjendjes civile duke i dhënëShqipërisë më në fund një regjistër unik të adresave dhe shtetasve, e për krijimin e regjistrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë). 
Dua të kujtoj këtu që gjatë vitit 2015 policia menaxhoi me mjaft sukses procesin zgjedhor ku u angazhuan mbi 7 mijë punonjës policie ku dhe puna e Policisë së Shtetit u vlerësua edhe në raportin e ODHIR lidhur me zgjedhjet.
 
U shlye borxhi i shpërblimit të lindjes për 120 mijë fëmijë të porsalindur (borxh i trashëguar prej vitit 2008 me një vlerë prej 6 milion dollarë). U shlye borxhi i akumuluar prej vitit 1998 për dëmshpërblimin e përmbytjeve ose pasojave të tjera të emergjencave civile dhe fatkeqësive natyrore prej më shumë se 5.3 mln dollarë(nga i cili përfituan 970 familje). Gjithashtu u përballua me sukses situata e përmbytjeve në Shkurt 2015, ku veç reagimit institucional dhe solidaritetit qytetar me familjet që u gjendën në kushte të vështira, u përballua me buxhetin paraprak dëmet e konstatuara në bashkëpunim edhe me pushtetin gjyqësor.
 
Në vitin 2015:
Kam depozituar kallëzim penal ndaj ish- ministrit të Brendshëm LulzimBasha dhe ish-specialistit në Qëndrën e Drejtimit në Gardën e Republikës ZefFrroku për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumentave në lidhje me ngjarjen e 21 janarit. Hetime që prokuroria ka gjykuar t’i mbyllë.
Kam depozituar kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit HysniBurgaj për shpërdorim detyre në lidhje me mosekzekutimin në kohë për urdhërat e ndalimit për 6 punonjës të Gardës së Republikës (përfshirë edhe komandantin e Gardës NdreaPrendi) për ngjarjet e 21 Janarit, duke krijuar si pasojë mungesën e hetimit të përshtatshëm dhe të plotë të asaj ngjarje. Sepse vonesa në ekzekutimin e urdhërave të ndalimit çoi në manipulimin e provave.Aktualisht çështja është nën hetimin në Prokurorinë e Përgjithshme.
Kam depozituar kallëzim penal ndaj ish-zv.Drejtorin e Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj për shpërdorim detyre duke mos ekzekutuar urdhërat e ndalimit për  6 punonjës të Gardës së Republikës (përfshirë edhe komandantin e Gardës NdreaPrendi) për ngjarjet e 21 Janarit ku humbën jetën katër qytetarë. Sepse duke mos ekzekutuar urdhërat e ndalimit për ish-komandandatin e Gardës dhe drejtuesve kryesorë të Gardës i dha kohë këtyre personave që të fshinin provat e krimit në 21 janar.Edhe kjo çështje është  nën hetimin në Prokurorisë së Përgjithshme.
Kam depozituar kallëzim penal për ish-drejtuesin e SHKB Bashkim Shehu për veprën penale të shpërdorimit të detyrës – edhe kjo, çështje ende nën hetim në Prokurori.
Kam depozituar kallëzim edhendaj ish-shefes së logjistikës dhe ish-shefit të shtabit të FNSH në Tiranë për veprën penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Edhe kjo çështje është  nën hetimin në Prokurorinë e Tiranës.
Kam depozituar kallëzim penal ndaj ish-Drejtorit të Prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, për shkeljen e barazisë në tendera apo ankande publike dhe falsifikimdokumentashkryer në bashkëpunim, me objekt kryerjen e procedurave fiktive në tenderin e realizimit të sallës operative dhe sistemit të kamerave në qytetin e Tiranës. Çështja është ende në gjykim. 
Këto janë pak a shumë rezultatet për vitin 2015 dhe sfidat për të ardhmen.
 
Dua t’ju falenderoj edhe ju, gazetarëve, për kontributin e vyer që keni dhënë në formimin e vetëdijes së brendshme institucionale dhe njerëzore në Policinë e Shtetit dhe në Ministrinë e Brendshme, lidhur me standardet e reja të punës në Polici dhe me raportin e domosdoshëm që duhet të ketë punonjësi i policisë e Policia e Shtetit me qytetarët.
 
Ju faleminderit!
 
 
 
Gazetari: A e konsideroni dështim vetëdorëzimin e autorit të vrasjes në Shkodër? Ndërkohë opozita ka ngritur akuza ndaj jush për parametrat e sigurisë këtë fillim viti.
 
Ministri Tahiri: Detajet në lidhje me hetimin për vrasjen në Shkodër do të bëhen publike kur hetimi të ketë përfunduar. Sigurisht jo nga unë. Pa dyshim Policia e Shtetit ka qenë në krye të detyrës për të kapur personin që kreu ngjarjen kriminale. Mos u mjaftoni me informacionin e pjesshëm që keni, pasi më shumë informacione se aq, në këto kushte, Policia e Shtetit e ka të pamundur të japë. Por të jeni të sigurt që Policia e Shtetit ka bërë më së miri detyrën për kapjen e autorit brenda 48 orëve. Nëse më thoni se “autori u dorëzua e nuk u kap”, ky është një debat që unë refuzoj ta bëj. Sepse unë besoj që puna e Policisë së Shtetit ka dëshmuar mësë miri rezultate konkrete (të  cilat unë i ndava me ju), dhe rezultatet çojnë pa asnjë dyshim edhe në kapjen e autorëve të ngjarjeve kriminale, qoftë kur dorëzohen vetë (e ku ka më mirë!), qoftë që kapen nga Policia. Mjafton të çohen para drejtësisë ata që kryejnë vepra penale! Të jeni të bindur që për Policinë e Shtetit nuk ishte surprizë që i kërkuari ishte në Tiranë, kaq mund t’ju them. Paskëtaj,sa dini dhe sa raportoni ju, kjo është çështje aksesi në lajmsi dhe pamundësi e Policisë për të ndarë të gjithë informacionin me median.
 
Sa i takon akuzave të opozitës, nuk kam asnjë surprizë. Sepse, ashtu si ne kemikapërcyer rekorde historike në uljen e vrasjeve, në uljen e plagosjeve, në uljen e vjedhjeve në uljen e ngjarjeve kriminale në vend - edhe opozita ka kapërcyer rekorde historike në konferencat e shtypit ndaj Ministrit të Brendshëm dhe ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme, në sulmet e pabaza ndaj  Policisë së Shtetit. Unë jam mësuar me akuzat e opozitës, që kur policia luftonte në Lazarat dhe opozita mbante anën e banditëve. Jam i prirur të besoj se ka ende shumë vend për t’i konsideruar të përbashkëta rezultatet e policisë. Ato nuk janë rezultate të Ministrit apo kabinetit të ministrit, as të drejtuesve të Policisë: janë rezultate të Policisë së Shtetit, dhe shoqëria (pavarësisht nëse votonnjërën parti apo tjetrën) pret që Policia e Shtetit të jetë në detyrë! Opozita i ka kaluar mbi 1 mijë konferenca shtypi ndaj meje, por mua më intereson fakti që puna e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme flet më fort. Kemi rekord historik dhe mjaft pozitiv të uljes së numrit të vrasjeve në vend, të vjedhjeve, të ngjarjeve kriminale. Dhe për mua kjo vlen. Unë jam në detyrë për t’i shërbyer qytetarëve, paskëtaj politika është gjë tjetër.
 
Ndoshta opozita e gjen me vend të mbyllë vitin duke sharë ministrin e brendshëm dhe Policinë e Shtetit dhe ta nisë vitin duke sharë ministrin e brendshëm dhe Policinë e Shtetit. Unë besoj se qytetarët kanë nevojë të kuptojnë rëndësinë që ka përpjekja jonë e përbashkët për të ndërtuar një shoqëri më të sigurt e më të drejtë, pavarësisht se ndonjëherë niveli i debatit në lidhje me ngjarje të veçanta kriminale, me sigurinë që kemi nevojë dhe me rolin që ka policia, ka kapërcyer standarde mediokre. Unë nuk gjykoj me vend që nga opozita të drejtohet gishti drejt policisë kur një person që nuk gjen grua vret dy vëllezër; nuk shikoj përgjegjësi tek Policia e Shtetit, siç nuk ia shoh kur një person vret një bashkëfshatar për prerjen e një peme.
 
Dhe unë mendoj së duhet një debat real për motivet e kriminalitetit në këtë vend, nëse duam realisht të ndihmojmë shoqërinë dhe fëmijët tanë. Nëse kemi mbi 30% të vrasjeve për motive pronësie, do të thotë që duhet të shikojmë origjinën e ngjarjeve kriminale: ejani të zgjidhim çështjen e pronësisë dhe nuk do të ketë më ngjarje kriminale. Është kjo arsyeja përse, duke nisur nga ky vit, çdo punonjës policie që do të hetojë një konflikt pronësie do të ketë në procedurë standarde detyrimin për t’iu adresuar në mënyrë shkresore çdo institucioni që është i përfshirë në përgjegjësinë për të zgjidhur konfliktin.
 
Pra nëse punonjësi i policisë do të adresojë një konflikt që ka të bëjë me pronën, ai do të jetë i detyruar që pas zgjidhjes paraprake t’i drejtohet me shkresë çdo institucioni publik që ka për detyrë të adresojë atë konflikt, duke e vënë në dijeni për ekzistencën e konfliktit dhe për detyrimin që ka institucioni që të zgjidhë. Sepse ne duhet të ndajmë përgjegjësinë me çdo hallkë institucionale (dhe më shumë se kaq, me shoqërinë) për sigurinë që duam të ndërtojmë të gjithë bashkë.
 
Unë besoj se puna e Policisë së Shtetit gjatë vitit 2015 ka ende shumë për të përmirësuar. Por e gjitha është një histori suksesi me të cilën me plot të drejtë unë, Ministria e Brendshme dhe drejtues të Policisë së Shtetit krenohemi. Ne krenohemi për punën që ka bërë çdo punonjës policie, të cilët i falenderoj për sakrificën njerëzore dhe profesionale që kanë bërë gjatë vitit 2015, me rezultatet historike krahasuar me çdo vit të 25 viteve të fundit.
 
Gazetari: A ka një analizë pse ka shumë ngjarje kriminale në muajin janar të çdo viti?
 
Ministri Tahiri: - I keni statistikat gabim kam përshtypjen. Unë mendoj që statistikat nuk i keni të sakta, vitin që kaloi kishte tre vrasje mos qofsha gabim, viti 2013 kishte 11 vrasje. Ky vit në mos jam gabim janë katër. Ka arsye të cilat kanë të bëjnë me shkaqe sociale demografike të lëvizjes së popullsisë të emigrantëve e kështu me radhë; me shkaqe stinore po të duash lidhur me sjelljen e publikut në kohën kur institucionet janë të impenjuara në fokus tjetër. Ajo që është më e rëndësishme është tendenca vjetore rezultatet vjetore të luftës paligjshmërisë dhe kriminalitetit.
 
Pra përsëris, analiza e punës së policisë të bëhet mbi bazë ditore edhe mujore, jo sepse është domosdoshmëri, që të krijohet pamja më e qartë duke marrë sigurisht edhe elementë më të qatë edhe muaj më të qartë siç thoni ju, janar apo gusht s’ka rëndësi për adresimin e rrezikut apo temperaturës së rrezikut publik, Policia e Shtetit ka një departament që merret me këtë punë.
 
Në qoftë se do ta bënit tamam analizën, nuk do të mjaftoheshit me numrin aritmetik apo mbledhjen matematikore të ngjarjeve këtë janar, por do të shkonit te motivet për të parë si është pjesa e problemeve shoqërore që kemi trashëguar dhe që do t’i zgjidhim po me të njëjtën mënyrë, apo është pjesë e ngjarjeve klasike që ndodhin në çdo vend të botës.
 
Këtë janar kanë ndodhur pak ngjarje kriminale me motive tërësisht të pa-parandalueshme. Më vjen keq që e përsëris, nuk mund të gjendet përgjegjëse policia, në qoftë se dikush vret dikë për prerje peme! Nuk është e mundur! Apo nëse dikush vret dy vëllezër, se nuk mori grua! nuk është e mundur! Të tilla ngjarje nuk parandalohen dot në asnjë vend të botës. Ajo që ju ftoj unë  të shikoni është, një vit i tërë, 2015-ta! Dhe është viti më i suksesshëm i Policisë së Shtetit në 25 vitet e fundit. Nuk ka motiv për t’u mburrur me këtë, por ka sigurisht motiv për të përfituar nga suksesi dhe për të ndërtuar mbi këtë bazë një tendencë apo standard pune për çdo punonjës policie, për vitin që jemi dhe  për vitet e tjera.
 
Pra këto rezultate dhe këto suksese janë një detyrim më shumë për ne. Jemi  angazhuar, kjo qeveri është angazhuar, në vitin 2013, për të rilindur Policinë e Shtetit, për ta rikthyer Policinë e Shtetit në detyrë dhe për të ulur treguesit e veprave penale, e ngjarjeve kriminale, e vrasjeve, e plagosjeve dhe e vjedhjeve.
 
Viti 2015 është artikulimi më i plotë i përmbushjes së angazhimit që kemi marrë në vitin 2013, përballë qytetarëve! Policia e Shtetit ka rilindur, Policia e Shtetit është në detyrë, Policia e Shtetit është më transparente dhe më pak  e korruptuar, Policia e Shtetit është tërësisht në shërbim të qytetarëve dhe Policia e Shtetit bashkë me qytetarët ka bërë të mundur që viti 2015 të jetë viti i rekordeve historike në luftën kundër kriminalitetit.
 
Gazetari: Si ju përgjigjeni zërave kritikë, që thonë se është antikushtetuese nisma për gjoba progresive?
 
Ministri Tahiri: - Unë besoj që nuk e kemi luksin të bëjmë një debat përpara qytetarëve për gjëra që shumë pak njerëz marrin mundimin t’i shkojnë deri në fund për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë dhe s’e kemi luksin t’u injektojmë qytetarëve informacion të pakuptimtë dhe të pavërtetë ku gjëja është  shumë e thjeshtë.
 
Unë mendoj që një shofer makine që ka shkelur ligjin dhe rregullat e qarkullimit rrugor vazhdimisht gjatë vitit, nuk mundë të gjobitet njëlloj si masë, me një drejtues tjetër mjeti që e ka respektuar ligjin gjatëgjithëvitit!Ipari duhet ndëshkuar më fort, i dyti duhet promovuar për respektimin e ligjit.
 
Unë mendoj që një drejtues mjeti që sapo ka marrë patentën, duhet promovuar që të respektojë rregullat e qarkullimit rrugor, duke u gjobitur më pak, krahasuar me një drejtues mjeti që ka mbi 10 vjet qëe ka patentën dhe që as nuk i falet të shkelë rregullat e qarkullimit rrugor. Unë mendoj që një mjet me cilindratë të vogël, pra me fuqi motorike të vogël,ndaç quajeni mjet të vjetër, ndaç quajeni me pak luksoz, unë them me cilindratë të vogël, që dëmin në rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, e bën të vogël - nuk mund të këtë të njëjtën masë gjobe me një mjet tjetër, që ka cilindratë të madhe.
 
Unë nuk mendoj që një mjet pune në fshat, marr shembull një zetor, duhet të ketë të njëjtën masë gjobe me një mjet që nuk është mjet pune. Po këto mos i shikoni si të veçanta, si kritere; këto janë të gjitha që bashkërisht bëjnë në fund të formulës gjobën për çdo drejtues mjeti. Do ishte antikushtetuese, nëse për të njëjtën shkelje, do kishte dy masa të llojit të ndryshëm.Kush do t’i hyjë edhe debatit juridik, se e kam dëgjuar edhe akademikë, që ulen nën nivelin mediokër, të të bërit detyrës që i kanë caktuar, pale pastaj të formimit shkollor! Kjo do ishte antikushtetuese nërast se për të njëjtën shkelje, do kishte dy ndëshkime të ndryshme, po jo dy masa të ndryshme të të njëjtit ndëshkim! Përndryshe taksimi progresiv do të ishte antikushtetues. Kaq e thjeshtë domethënë!
 
Gazetari: A janë të mbështetura me fonde projektet për Popullimin dhe ai për rregjistrimin e emigrantëve?
 
Ministri Tahiri: Ka një buxhet të miratuar në parlament ku përfshihet buxhetimiapo fatura financiare për të dyja. Kështu  që është mjaftueshmërisht transparente. Po, jemi duke kërkuar me partnerët bashkëfinancim për pjesën që do të duhet të shtrijmë projektin më gjerë! Janë disa partnerë, të cilët kanë bashkëpunuar, është një projekt i cili është financuar më parë nga partnerët! Është financuar nga partnerët dhe nuk ka bërë gjë qeveria që ka qenë. Ne e kemi financuar me buxhetin e shtetit, po synojmë që të përfshijmë partnerët në bashkëfinancim për shtrirjen më tutje të projektit të bashkimit të regjistrit të adresave me regjistrin e gjendjes civile dhe popullimin e regjistrit të adresave, nga njëra anë, dhe për regjistrimin e emigrantëve nga ana tjetër.
Porështë me siguri projekti më i rëndësishëm për vitin 2016 për  Ministrinë e Punëve të Brendshme. Për sa kohë shërben si gur themeli për funksionimin e shtetin shqiptar dhe që nuk e kuptoj  ende sot arsyenpse në 25 vite nuk është bërë! Jemi ende një vend ku nuk dimë sa shqiptarë jetojnë brenda; nuk dimë sa shqiptarë jetojnë emigrantë!?
 
Dhe kur themi adresat, e kemi me mjete rrethanore:“mbas fabrikës së miellit”, te “Kodra e priftit”etj,etj.
 
Gazetari: A ka përgjegjësia policia për vrasjen në Sarandë, të një gruaje që kishte urdhër mbrojtje?
 
Ministri Tahiri: Nuk jam i sigurt në kishte urdhër mbrojtjeje dhe dyshoj fort që kishte urdhër mbrojtje! Besoj që keni informacionin e pasaktë! E ke informacionin nga media besoj, e para; dhe e dyta, Policia e Shtetit nuk mban në mbrojtje çdo njeri që ka urdhër mbrojtje.
Ka një keqkuptim shumë të madh. Ashtu siç ka një tjetër keqkuptim shumë të madh, sepse Policia e Shtetit nuk mund të mbajë në mbrojtje çdo njeri që është në arrest shtëpie! Nuk ndodh kjo në asnjë vend të botës.
 
Madje prandaj del nga burgu dhe mbahet në arrest shtëpie një njeri që të mos ketë policë te dera, përndryshe le të rrijë në burg! Ka një keqkuptim aq të madh lidhur me këtë, sa në çdo rast, edhe kur ikën një njeri nga arrest shtëpie, dhe ikën nga shtëpia, drejtohet gishti te Policia e Shtetit! Jos’ka të bëjë kjo!
 
Kjo ka të bëjë me analizën e prokurorisë dhe gjykatës kur vlerësojnë ndryshimin e masës nga arrest me burg në arrest shtëpie për një njeri. Dhe kur ikën duhet të drejtohet gishti i përgjegjësisë te institucionet që duhet të vlerësojnë nëse ky njeri ikën apo nuk ikën, mund të ikë apo jo! Sepse nuk ruhet me polic çdo njeri që është nëarrest shtëpie! S’mundet. Nuk ruhet me polic, çdo njeri që ka urdhër mbrojtjeje!
 
Pra duhet të mësohemi të drejtojmë përgjegjësinë te institucionet që e kanë. Unë e kuptoj që policia ka arritur aq shumë suksese, sa ju mendoni që duhet t’i bëjmë dhe këto tjerat! Pors’i bëjmë dot! Unë besoj se e dhashë përgjigjen.
 
Gazetari: A ka patur mungesë informacioni nga partnerët që çoi në vrasjen e trefishtë vitin e kaluar, në Tiranë?
 
Ministri Tahiri: Po askush nuk ishte në kërkim aty! Që të kuptohemi... Policia e Shtetit vetëm gjatë vitit 2015 ka ndaluar dhe arrestuar mbi 11 mijë persona. Mendoni ju që gjatë këtij viti do i mbajmë dot të gjithë në vëzhgim? Nuk ndodh!
 
Pra është e nevojshme të kuptojmë nivelin e përgjegjësisë që ka Policia e Shtetit në këtë kuadër. Nëqoftëse ju më thoni se ka njerëz që kanë kryer vepra penale jashtë Shqipërisë dhe sot janë këtu, këtë e di dhe unë.
 
Madje jo vetëm kaq, por mund të jenë bërë edhe biznesmenë. Rëndësi ka që Policia e Shtetit ndjek një temperaturë të kriminalitetit dhe të potencialit për kriminalitet në vend. Zhvillon informacionin me partnerët; me qytetarët mbi të gjitha, aty ku ka, e theksoj, temperaturë kriminaliteti! Një njeri që ka kryer dikur një vepër penale jo domosdoshmërisht do të mbahet nën vëzhgim nesër nga Policia e Shtetit apo vitin tjetër. Nuk mund të ndodhë dhe nuk ndodh në asnjë vend të botës. Kam dëgjuar analiza pa fund për njerëz të liruar nga burgu ku e fundit ishte ngjarja në Dukagjin ku të gjithë pretendonin ose ata që po e analizonin që policia vrasësin duhet ta kishte në vëzhgim! Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës.
 
Ah po, ndodh, që vrasësi nuk lihet i lirë vetëm me 3 vite burg kur vret një fëmijë 11 vjeçar siç ishte ky rast!Kjondodh në vendet e tjera të botës, vrasësi del pas njëzet e kusur vitesh,në mos nuk del fare kur vret një fëmijë 11 vjeçar.Mekëtë duhet të merremi, jo me a duhet ta ruante policia prapa apo jo, nuk ndodh dot.
 
I bie të kemi gjithë popullin punonjës policie pastaj që të ndodhë! Dhe kjo nuk ndodh.
Faleminderit!
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim