Fjala e ministrit Tahiri në ceremoninë para nisjes së konkursit për shkollën bazë të Policisë së Shtetit

Unë dua ta filloj duke falënderuar secilin prej jush në këtë sallë për besimin që keni investuar, duke kërkuar të shërbeni në Policinë e Shtetit, për t’i shërbyer shoqërisë, për t’i shërbyer vendit, për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt dhe më të drejtë.

Në fakt më vjen keq që në çdo 14 të rinj e të reja prej jush këtu sot, vetëm 1 prej tyre do të jetë fitues. Nëse janë mbi 5 mijë aplikantë, vetëm 300 do jenë ata që do fitojnë. Por unë dua t’ju siguroj se kjo garë e dijeve dhe e përgatitjes tuaj ka që tani, pa filluar, shumë fitues: ata janë qytetarët jashtë kësaj salle, të cilët sot kanë mundësi të shohin se për të shërbyer në Policinë e Shtetit ka konkurs ku fiton më i miri dhe më i përgatituri. Besoj nuk janë pak ata që nuk kujtojnë në të kaluarën të tilla konkurse (kaq të hapura e transparente, ku fiton dija). Çdo kriter ishte i mirë atëherë nga miku dhe partia, për të mos folur më pas për korrupsionin. E fundit vinte merita.
Unë besoj se për të shërbyer në Polici nuk mjafton vetëm të jesh i ri, e të jesh ndoshta i papunë. Të shërbesh për vendin tënd, të shërbesh në Policinë e Shtetit, të shërbesh për qytetarët e tu nuk është një punë si çdo punë. Ju sot keni hedhur hapin e parë në një skuadër me plot ideale e beteja të përditshme, ku askush i vetëm nuk fiton dot por duke u bërë bashkë (me njëri-tjetrin dhe me qytetarët e ndershëm të Shqipërisë).

Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë ata 800 të rinj e  të reja këtu ndër ju që sot konkurrojnë edhe pse e kanë përfunduar arsimin e lartë. Shumë prej jush mund ta kishin gjetur një punë - por një besim më i madh ju ka sjellë të investoheni me dijet tuaja, për t’u bërë pjesë e për të shërbyer në Policinë e Shtetit.
 
Kryeministri, unë personalisht, të gjithë ne besojmë se punonjësve të Policisë nuk mjafton t’ua njohësh sakrificën. Por dhe t’ua shpërblesh:
-          me pagë më të mirë,
-          me mjete më të mira,
-          me infrastrukturë më të mirë,
-          me buxhet më të mirë,
-          duke luftuar të korruptuarit e duke promovuar të aftët e të përgatiturit në Policinë e Shtetit. 

Ja pse sot Kryeministri e qeveria kanë investuar për të rritur pagat e punonjësve në Policinë e Shtetit nga 25% deri në disa raste dyfish. E përsëri do të vazhdojmë sepse ne jemi të vetëdijshëm që ka akoma më shumë për të bërë në të ardhmen. Po investojmë për të përmirësuar mjediset e punës, për Forcat Speciale fillimisht. Janë mbi 10 milionë euro të investuara nga qeveria dhe partnerët për të bërë ambiente pune më të mira për Repartin RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Ndërkohë kemi modernizuar çdo zyrë shërbimi për qytetarët, me sportele unike, shërbim në kohë, pa burokraci dhe mbi të gjitha pa korrupsion. Është kjo arsyeja se pse vitin e kaluar i është shërbyer mbi 210 mijë qytetarëve, brenda një viti, gjë që tregon efektivitetin e asaj që kemi ndërmarrë.

Punonjësit e policisë sot kanë mjete të reja ndonëse jo tërësisht dhe moderne. Nuk kanë nevojë të shtyhen për t’u ndezur. Kjo për ata që duan një krahasim shumë të shpejt me të kaluarën. Besoj se ju të gjithë i keni parë uniformat e reja të Policisë dhe nuk besoj se ka njeri që e ka të vështirë të bëjë dallimin me uniformat e kaluara të dala boje. Sot punonjësit e policisë po pajisen me kamera trupi për të garantuar shërbim me etikë, me korrektesë, për të ndaluar bakshishin dhe korrupsionin si dhe për të thyer përfundimisht murin e pandëshkueshmërisë, pas të cilit, fshiheshin të gjithë personazhet që i bënin  bisht ligjit dhe punonjësit të policisë, ose me mik ose me para, ose me muskuj. Komisariati Dixhital është një instrument mjaft i fuqishëm në dorën e çdo qytetari dhe tani është bërë shembull për disa nga policitë më të përparuara të Europës.

Është një instrument që ka zhdukur çdo barrierë në kohë dhe në veprim, duke i dhënë qytetarit një mjet tepër të fuqishëm për të bërë drejtësinë e tij, duke investuar me një klik (click) Policinë e Shtetit për të ndëshkuar paligjshmërinë.

Pas më shumë se një dekadë ne hapëm Universitetin e Sigurisë dhe dy fakultete të veçanta, atë të Sigurisë Publike dhe Hetimit të Krimit. Ne besojmë se për të luftuar krimin duhet më shumë mendja se muskujt. Duhen më shumë dijet, idetë se sa forca. Kjo që disa prej jush do të fillojnë, nuk është ndër rrugët më të lehta.
Ka nga ata që do të dështojnë, por ka dhe shumë që do ja dalin me sukses. Edhe unë vet nuk mendoja brenda pa më shumë se dy vitesh do të kishim mbi dy mijë punonjës policie të ndëshkuar në rrugë disiplinore dhe penale për shkelje të ligjit dhe për mos ushtrim të detyrës. Kjo është në fakt policia që gjetëm. Por kjo nuk është policia që duam. Ka dhe sot punonjës policie që bëjnë gabime dhe të jemi të gatshëm të marrim çdo masë, por ka një shumicë dërrmuese  që respekton ligjin dhe i shërben qytetarit me devotshmëri.

Ashtu siç ka dhe punonjës policie që ndihen të dekurajuar, kur shikojnë se si ata që shkelin një herë ligjin dhe që arrestohen një herë nga policia dalin përsëri nga burgu, shpesh herë brenda fare pak kohësh, e nuk mbajnë përgjegjësi para ligjit.  Drejtësia e pabarabartë në fakt është më keq se mos kesh drejtësi fare. Shumë njerëz në Shqipëri kanë arritur ta mendojnë kështu.

Para pak ditësh denoncova një gjyqtar në Vlorë që kishte nxjerrë nga burgu një person që nga policia ishte arrestuar me armë në brez. Aq merak e kishte ky gjyqtar lirimin e këtij personi sa dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të cilin e ka bërë motiv për ta liruar, e ka zbatuar dy ditë para se të hynte në fuqi. Pashë që reagoj dhe një Unioni i Gjyqtarëve. Në fakt po pyesja veten, mirë gjyqtari, se mbase ka hallet e veta, po këta të unionit që i dolën në mbrojtje, kanë kalendar? 

Sot në fakt, mbushen tetë vjet nga një ngjarje që shokoi rëndë, jo vetëm Shqipërinë, por edhe ndërgjegjen kolektive të qytetarëve. Ka vite burg në kurriz të atyre që ishin përgjegjës për atë ngjarje më pak sesa viktimat e asaj ngjarje. Dhe ndërkohë një ndër autorët është sot në një vizitë jashtë Shqipërisë për të folur për reformën në drejtësi dhe për dekriminalizimin. Përtej kësaj, unë respektoj çdo gjyqtarë të ndershëm, çdo union që mbron interesat më të larta të publikut, por as respektoj dhe as do ndalojë së denoncuari publikisht çdo gjyqtarë të korruptuar dhe çdo korporatë kriminale që bëjnë gjyqtarët me njëri-tjetrin në kurriz të qytetarëve. Gjyqtarë e Union Gjyqtarësh, pavarësinë, respektin e shoqërisë të mos e kërkojnë me deklarata, ku i dalin në mbrojtje njëri-tjetrit edhe kur janë gabim. Por, ta fitojnë duke shërbyer me dinjitet, ndershmëri dhe drejtësi për çdo qytetarë. 

Unë i jap të drejtë çdo njërit prej jush që mendon se është punë e vështirë kjo e Policisë. Akoma e vështirë kur duhet të luftosh dy herë: një herë me krimin në rrugë dhe një herë me gjyqtarin që liron kriminelin që arreston Policia. Por nuk ka asnjë motiv për t’u dekurajuar. Sepse armiku ynë më i madh (përveç atij që është në rrugë) është edhe ai që fshihet pas çekiçit. E që rreh çekiçin, i korruptuar, për të liruar atë që arreston Policia.

Kjo është një betejë që mund ta fitojmë të gjithë bashkë (ju këtu në sallë, punonjësit e Policisë dhe mbi të gjitha qytetarët e ndershëm). Reforma në Drejtësi është vetëm një pjesë e betejës të cilën ne jemi të vendosur ta çojmë përpara me çdo kusht. Por një pjesë mjaft e rëndësishme është t’i turpërojmë publikisht të gjithë ata që në dy dekada na sollën deri këtu.

Sot ju bëni provimin e parë për të hyrë në Policinë e Shtetit. Por pas kësaj dite, çdo ditë e punës tuaj është test: test përballë qytetarëve (test më i rëndësishëm se ky që do bëni sot).
Ju uroj shumë suksese, shumë punë për të merituat vërtet besimin e publikut në misionin që keni ndërmarrë.
Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 19 vatra janë ende aktive, 9 të tjera u shuan