Zakoni e do që të jetë e lehtë të thuash fjalë të mira për një njeri që ikën nga kjo botë. Por Simoni e kishte shkruar vetë respektin, mirënjohjen dhe dinjitetin që i dha vetes në çdo ditë të detyrës së tij, me kolegët, me misionin që mbante mbi shpatulla. Ashtu siç shkruajti fatin e tij ditën e fundit të jetës në krye të detyrës, duke na lënë ne të tjerëve barrën e rëndë të mirënjohjes dhe respektit që nuk mjafton kurrë përballë heronjve të tillë.
Kolegët e tij të FNSH dhe Renea-s bënë drejtësi duke i dhënë ndëshkimin e merituar dorës së krimit që i mori jetën Simonit. Simoni në fakt nuk do e dëgjojë më, por kolegët e tij e dëgjojnë përditë e do vazhdojnë ta dëgjojnë ende, togfjalëshin ndoshta më të zbrazët që mund të dëgjosh në këto kohë, ndëshkimin e merituar. Por çfarë ndëshkimi të merituar merr krimi, kur punonjësit e policisë gjejnë përballë e luftojnë në rrugë me të njëjtët persona që i arrestojnë disa herë dhe që drejtësia nuk i dënon, por i lë të lirë, po aq herë.
Simoni humbi jetën, por shumë të tjerë janë të kërcënuar përditë në jetën e tyre dhe akoma më shumë në shpirtin dhe besimin nga drejtësia që e jep tepër rrallë ndëshkimin e merituar, por tepër shpesh ndëshkimin e dakordësuar, ndëshkimin e paguar.
Para pak ditësh, dy të rinj u arrestuan nga policia sepse vranë në mes të Tiranës dy të rinj të tjerë, plagosën një të tretë dhe vetëm fati deshte që e gjitha të mos kthehej në një masakër në qendër të qytetit. Por, shumë pak e dinë se autorët e kësaj ngjarjeje ishin arrestuar vetëm pak muaj më parë nga policia dhe ishin lënë të lirë nga drejtësia. Nëqoftëse do kishin marrë dënimin, ndëshkimin e merituar, nuk do të mund të merrnin jetën e dy të rinjve të tjerë, por morën ndëshkimin e dakordësuar.
Ky është vetëm një ndër mijëra shembuj që na sjell kaq shpesh para syve kronikën e zezë të padrejtësisë nga gjyqtarë të korruptuar që ndoshta nuk vrasin përditë, por sigurisht vrasin besimin përditë. Kronika e zezë se si drejtësia që bën policia duke luftuar krimin duke rrezikuar dhe duke dhënë jetën, siç bëri dhe Simoni, bëhet pazar nga gjyqtarë, që majmen nga korrupsioni. Dhe pështyn më pas në shoqëri kriminelët, që nuk marrin ndëshkimin e merituar, por ndëshkimin e dakordësuar, ndëshkimin e paguar.
Kjo është sakrifica e padrejtë për punonjësit e policisë, të cilët përballen me krimin që rikthen në rrugë padrejtësia e gjykatave, pa folur këtu për kushtet e pamjaftueshme për mjete dhe pamundësi duke dhënë jetën për të mbrojtur një gjë që është gjithmonë më shumë se vetja. Nuk do ketë kurrë një kohë kur mund ta bëjmë tërësisht të sigurt punën e punonjësit të policisë. Për fatin tonë të keq, kjo është praktikisht e pamundur por do të ketë sigurisht një kohë kur do të përfundojë reforma në drejtësi që gjyqtarë kriminelë më shumë se kriminelët e rrugës të mos bëjnë pazar me drejtësinë dhe që krimi të marri jo dënimin e dakordësuar apo të paguar por ndëshkimin e merituar. Dhe ju lutem qytetarëve që të denoncojnë edhe ata që zhduken fare pak kohë sepse arrestohen nga policia e pastaj shfaqen përsëri rrugëve se i liron drejtësia.
Beteja për drejtësinë e merituar është e të gjithëve e këtë e fitojmë vetëm atëherë kur të mundim t’i dënojmë po pse jo dhe t’i turpërojmë publikisht fytyrat e lëmuara të atyre gjyqtarëve që pazarin me krimin e bëjnë zyrave dhe kusuret me rrezikun i mban shoqëria, i mbajnë qytetarët dhe akoma më shumë punonjësit e policisë.
Do të ketë sigurisht një kohë kur mund të përfitojmë përfundimisht mbi gjithë prapambetjen mizerabël, që ka trashëguar policia pa mundësi, pa mjete, pa infrastrukturë, pa teknologji, sepse kemi filluar të mbështesim më shumë policinë me buxhet dhe reforma për ta bërë luftën kundër krimit një përpjekje tëpërbashkët, që nuk i takon vetëm Policisë së Shtetit por të gjithë njerëzve që duan Shqipërinë, që duan të ardhmen e fëmijëve tanë që e duan drejtësinë.
Është bërë thuajse shumë e kollajtë që për çdo gjë që ndodh në këtë vend gishti menjëherë shkon dhe drejtohet te Policia. Sepse ne ndoshta nuk i bindim dot të gjithë të ndalojnë gjuhën e përditshme të urrejtjes kundër policisë. Por mund ta bëjmë, të fitojmë përditë, siç po bëjmë çdo ditë besimin e qytetarëve se vetëm bashkë mund të fitojmë më shumë mundësi që të ndërtojmë një Shqipëri më të sigurtë bashkë më qytetarët, më të drejtë dhe shumë më të lirë nga frika e të keqes. Dhe beteja për të fituar besimin është betejë më e madhe sesa beteja me krimin, cilatdo qofshin vështirësitë, ne këtë betejë do e fitojmë.
Ky është sigurisht një moment i vështirë për familjen e Simonit dhe kolegët e tij, por është i pashterrshëm si burim force dhe kuraje për të luftuar me vendosmëri kundër krimit në rrugë e kundër krimit me jaka e kollare në zyra.
Familjarë të Simonit, vëllezër, motra, të afërm të tij, shpirti i Simonit do shkëlqejë yll ndër yje bashkë me kolegët e tij që në këto vite kanë humbur jetën për ta bërë Shqipërinë më të sigurt.
Zoti na dhëntë ne që jemi gjallë forcën, kurajon dhe vendosmërinë për të parë rrugën që ndrit shpirti i tij dhe kolegëve të tij.
Prehu në paqe Dëshmor i Atdheut, Simon Gjeta!
I paharruar do të jetë kujtimi yt!