RROGOZHINË - Klubi i Egnatias ka njoftuar këtë të dielë se Edlir Tetova nuk do jetë më trajneri i ekipit që nga dita e sotme. Paçka se durrsaku njoftoi largimin në fundin e sezonit, katër humbjet radhazi dhe gjendja shëndetësore e trajnerit (ngarkesë psikologjike) kanë sjellë këtë divorc të parakohshëm.
Deri në një njoftim të dytë ekipi i Egnatias do të drejtohet nga ndihmëstrajneri Julian Brahja. Klubi rrogozhinas e ka siguruar një vend në 'Final 4', teksa do të garojë për titullin kampion. Egnatia është kampione në fuqi e Superligës, me dy suksese radhazi.
Humbja e djeshme 2-0 në Tiranë kundër Dinamos ka sjellë këto zhvillime në Rrogozhinë, me klubin që falenderon Tetovën pasi së bashku kanë shkruar një nga faqet më të arta në historinë e skuadrës.
Edlir Tetova u ul për herë në parë në stolin e Egnatias për tre muaj në vitin 2022, për t'u rikthyer më pas në fillimin e vitit 2023 si drejtor sportiv, para se më 27 janar të emërohej si trajneri i ekipit.
Gjatë kësaj kohe ai e ka drejtuar ekipin në 156 ndeshje (74 fitore, 43 barazime dhe 39 humbje), duke fituar pesë trofe. Egnatia nën drejtimin e tij ka fituar dy herë kampionatin shqiptar, dy herë Kupën e Shqipërisë dhe një herë Superkupën.
Ndryshime në stol ka pasur edhe në Durrës, me trajnerin Enkeleid Dobi që paraqiti dorëheqjen nga Teuta.
Njoftimi i Egnatias:
KF Egnatia njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Edlir Tetova, me efekt të menjëhershëm, për arsye personale te teknikut.
Klubi shpreh mirënjohjen dhe respektin më të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë nga Tetova, i cili me përkushtim dhe profesionalizëm ka shkruar një nga kapitujt më të suksesshëm në historinë e Egnatias, duke sjellë arritje dhe trofe të rëndësishëm për klubin dhe qytetin e Rrogozhinës.
I jemi thellësisht mirënjohës për punën, pasionin dhe vlerat që ka përcjellë gjatë gjithë kohës në drejtimin e skuadrës.
Deri në një njoftim të dytë, drejtimin e ekipit do ta marrë ndihmësi i trajnerit, Brahja.
KF Egnatia i uron Edlir Tetovës suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij profesional dhe personal.
Komente










