Fjala e ministrit Tahiri ne ceremonine e inagurimit te rikonstruksionit te godines se MPB dhe Murit te Kujteses 

Inagurohet godina e re e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas një rikonstruksioni të plotë të saj, që mungonte prej dekadash. Qeveria akordoi rreth 405 mln lekë për rikonstruksionin e godinës dhe mobilimin e saj.
Nëse ka një institucion shtetëror me rrezikshmëri më të lartë ku jeta lufton me krimin dhe vdekjen, është pikërisht ai i policit. Dhe sot nuk mund të përurohej kjo godinë e rikonstruktuar, pa lënë një gjurmë në kujtim të atyre që lanë gjurmë, duke u kushtuar një memorial atyre që rendit dhe sigurisë i kushtuan jetën. Muri i Kujtesës bashkon në nderimin e përbashkët ndaj atyre që shtetit dhe shoqërisë i shërbyen me trimëri, vetëmohim, ndershmëri, përulësi dhe dinjitet. Ylli i 264-rt në Murin e Kujtesës, që u vendos nga Kryeministri Edi Rama, ministri Tahiri dhe familjarë të tij, i përket Dëshmorit të Atdheut Ardian Kodra, ish-punonjës i FNSH-së së Shkodrës, rënë në krye të detyrës.
Në Republikën e Shqipërisë, Ministria e Brendshme u krijua pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit modern shqiptar më 28 nëntor 1912. 
Pranë sheshit "Skënderbej", në bllokun e ndërtesave të ministrive e të institucioneve të tjera qendrore të shtetit shqiptar, ndërtuar në fund të viteve 1930, qëndron prej vitit 1945 edhe godina e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
 
Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në ceremoni:
Të  nderuar kryetarë dhe anëtarë të Komisionit të Sigurisë,
I nderuar z. Kryeministër,
Të nderuar familjarë të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës,
Të nderuar partnerë,
Të nderuar miq!
Unë do kisha dashur shumë që ftesës sime t’i ishin përgjigjur pozitivisht të gjithë ish-ministrat e Brendshëm.
Pra, të gjithë ata kush më shumë e kush më pak, kanë shpenzuar kohë e jo pak në këto zyra. Kanë punuar e janë përpjekur që të bëjnë më mirë, pavarësisht shkallës së suksesit.   
Ndoshta do të duhet akoma dhe disa vite, për t’u bërë bashkë ish-a dhe aktualë, majtas dhe djathtas, për të nderuar kujtimin e dëshmorëve të atdheut në një institucion që tashmë ka ndryshuar rrënjësisht fytyrën.
Kush ka hyrë në këtë godinë në çerek shekullin e fundit, qytetarë qoftë, punonjës i administratës apo dhe drejtues të institucionit, e kanë ndjerë rrënimin e tejskajshëm, të ndoshta ministrisë më të nevojshme për qytetarët.
E ndërtuar rreth viteve 1930, deri para pak muajsh, nuk ishte parë kurrë një dorë që t’i pastronte ndryshkun, plehrat deri tek muret e tavanet që binin.
Unë jam i sigurt së kritikët kronikë do thonë edhe sot i bëtë lekët zyra, apo akoma më keq, Shqipëria ka shumë halle. Ka shumë halle të tjera, ç ‘merreni me këtë punë. Po mendoj që është shumë gabim. Jo se Shqipëria nuk ka halle të tjera, por sepse atë pak buxhet që shpenzuam për thuajse të rindërtuar nga fillimi Ministrinë e Punëve të Brendshme janë dinjitet i shtetit, i administratës, i qytetarëve dhe të gjithë atyre që presin të marrin shërbim nga çdo zyrë e kësaj ministrie.
Falë mirëkuptimit dhe kujdesit të veçantë të Kryeministrit, pas më shumë se 80 vjetësh, Ministria e Punëve të Brendshme ka më në fund një fytyrë dinjitoze, e rikonstruktuar plotësisht. Dhe kujdes për kritikët, nuk është vetëm fasada.
Ekspertë të trashëgimisë janë kujdesur nga themelet tek detajet, për të nxjerrë në dritë atë që arkitektët italianë kanë ndërtuar para 80 viteve, e që sot mbijeton ende. 
Unë jam shumë i lumtur që këtu sot me ne janë edhe familjarët e dëshmorëve, të punonjësve të policisë që kanë rënë në krye të detyrës. Ky institucion për secilin prej tyre ishte shtëpia e dytë. Është sot shtëpia e dytë për familjarët e tyre. Ndaj në ballë të tij kemi bërë “Murin e Kujtesës”, ku çdo yll i përjetshëm në këtë mur, është mirënjohja jonë e madhe për shpirtin, për sakrificën, punën dhe dashurinë e familjes e kolegëve ndaj familjarëve tuaj, punonjësve të policisë që kanë dhënë jetën për ta bërë Shqipërinë më të drejtë dhe më të sigurtë.
Kush e njeh sakrificën e një punonjësi policie do neveritej nga sulmet e përditshme, madje dhe dy herë në ditë, ndaj Policisë së Shtetit.
Ish-Kryeministri e quan ‘çunat e krimit’. Ish-ministri i Brendshëm, sot kryetar i opozitës e quan ‘bandat me uniformë të Saimir Tahirit dhe Edi Ramës’.
Marr shembull, sot një mjet lundrues me lëndë narkotike u kap në Itali pas një operacioni mjaft të suksesshëm të policisë sonë dhe pas informacionit që i dhamë partnerëve italianë, - në mos kanë dalë, prisni kur të dalin e të na akuzojnë prapë sot, - pavarësisht se ky është një sukses i policisë dhe besimit reciprok që kemi me partnerët.
E meqë Policia Italiane, - të paktën deri tani ka kapur vetëm mjetin dhe jo trafikantët,- ju siguroj me shumë bindje që askush nga opozita në Itali nuk do të dalë në konferencë për shtyp dhe të akuzoj Policinë Italiane se i lanë vetë me dashje trafikantët që të iknin.
Kjo e jona, është një betejë e dyfishtë, njëherë me krimin në çdo cep të Shqipërisë e po kaq me baltën mu këtu në kryeqytet.
 Po unë kam një mesazh për të njëmbëdhjetë mijë punonjësit e Policisë së Shtetit; mos u mërzisni vazhdoni luftoni dhe fitoni çdo betejë në çdo rrugë dhe çdo cep të Shqipërisë. Kjo këtu e akuzave dhe e baltës sado e përditshme fatkeqësisht është thjesht politik dhe ajo që nuk duhet të shohim më me sy, ajo që duhet me patjetër të hedhim pas krahëve njëherë e mirë por është thjesht politik.
Të nderuar miq, ata që sot mbajnë lloj-lloj epiteti, shohin lajme thuajse çdo vakt, akuza nga me të ndryshmet, janë djem dhe vajza, burra dhe gra me disa ditë apo me mbi dyzet vite punë mbi shpatulla duke sakrifikuar familjen, shoqërinë, nervat, shëndetin, në disa raste dhe jetën për të bërë Shqipërinë që kemi ëndërruar, atë që sot të gjithë e themi me gojë disa dhe çirren duke bërtitur, po që jo të gjithë janë gati për të vepruar qoftë duke lëvizur edhe një gisht që ëndrra jonë të mos mbetet vetëm e tillë.
Ai punonjësi i policisë, që secili prej nesh sheh në kryqëzim herë duke të drejtuar në trafik, herë duke vënë një gjobë për ata që nuk binden, herë duke ndihmuar ndonjë fëmijë apo të moshuar të kalojë rrugën sakrifikon për ne qytetarët e tjerë duke ndenjur mbi tetë orë më e pakta në këmbë, mes pluhurit, diellit, shiut, me shoferë të sjellshëm apo arrogant, ndonjëherë me dinjitarë biznesi apo televizionesh të çdo lloji, që gjatë ditës bëjnë luftën të fusin veten te elita e vendit, por që para policit dalin disa arrogantë të pa ndreqshëm. Nga ana tjetër ka shumë që dinë të bashkohen për sfida që askush nuk i ka dhe as i fiton i vetëm.
Dje shihja në lajme, shumë përfaqësues të medias dhe të artit, të cilët kishin dhënë shembullin personal me thjesht një foto, për të sensibilizuar qytetarët të lidhin rripin e sigurimit. Dhe unë gjej rastin t’i falënderoj sepse është saktësisht ky shembulli që duhet të japim ne dhe që duhet t’i japim çdo qytetari. Se respekti ndaj ligjit nuk është çështje llogari ndaj shtetit dhe ndaj policisë, por është çështje kontributi më së pari ndaj fëmijës dhe familjes tënde dhe pastaj ndaj shtetit që të gjithë bashkë duhet të ndërtojmë.
Punonjësit e policisë që sakrifikojnë në shërbim të qytetarëve janë prindërit e fëmijëve, bijtë e nënave, vëllezërit, motrat, miqtë dhe shokët e secilit prej nesh, që sot sakrifikojnë, shërbejnë dhe besohen më shumë nga qytetarët. Dhe në fakt ka rrogë që nuk përputhet kurrkund me sakrificën. Ndaj z. Kryeministër, do të doja t’ju kërkoja dhe njëherë të shihni me shumë përparësi për sa është e mundur rritjen e pagave për punonjësit e policisë. Kjo është pa diskutim qeveria e parë dhe ju Kryeministri i parë, që i keni rritur brenda një mandati pagat e punonjësve të policisë deri në 25 për qind minimumi, siç ndodhi në janar 2014. Por ju siguroj se afro 11 mijë punonjësve të policisë dhe familjeve të tyre, lajm më të mirë sesa rritja e pagave, nuk do mund t’u jepni.
Po përmirësojmë në themel infrastrukturën, teknologjinë, mjetet e çdo instrument të punës për Policinë e Shtetit, për ta bërë më të lehtë përmbushjen e detyrës. Kemi përmirësuar ligjin, po përmirësojmë mjediset e punës. Shumë shpejt do përfundojmë, bashkë me partnerët, uniformat e reja, sepse ne kemi vetëdijen që Policia e Shtetit është fytyra e ligjit, është pasqyra e kulturës sonë për të respektuar njëri-tjetrin e bashkë të respektojmë shtetin ku sundon ligji, rregulli e mbi të gjitha drejtësia.
Kemi rezultate kundër paligjshmërisë dhe kriminalitetit që deri dje ishin fare-fare të paimagjinueshme, por që nuk janë kurrë, ende sot, të mjaftueshme. Përkundrazi, janë vetëm nxitja e duhur për secilin prej nesh për të vazhduar sfidat që kemi përpara. Unë më i pari por i gjithë ekipi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe i Policisë së Shtetit jemi absolutisht të vetëdijshëm që ka ende shumë për të bërë. E nuk do ketë një ditë që nuk do fitojmë nga një betejë.
Në emër të punonjësve të policisë që dhanë jetën për atdheun, me forcën e familjeve, shokëve, miqve dhe kolegëve të tyre, me besimin e qytetarëve që sot na besojnë shumë më shumë sesa dje, për gjithçka kemi bërë dhe për gjithçka na duhet ende të bëjmë.
Ju falënderoj shumë, urime për godinën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Unë përulem me shumë respekt dhe mirënjohje për punën dhe veprën e dëshmorëve të atdheut, punonjësve të Policisë së Shtetit që ranë në krye të detyrës.
Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Hamas zgjedh liderin e ri! Yahya Sinwar, arkitekti që udhëhoqi sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit