Fjala e plotë e ambasadorit italian Gaiani në festën Ditës së Republikës Italiane

 
Zoti Kryetar i Parlamentit, Ilir Meta,
 
Zoti Kryeminister, Edi Rama,
 
Zoterinj Ministra, të nderuar Deputetë dhe Autoritete,
 
Kolegë Ambasadorë e përfaqësues të trupit diplomatik,
 
Mike dhe miq shqiptarë,
 
Mike dhe miq italiane,
 
Vetëm pak fjalë për të përvijuar gjendjen e marrëdhënieve tona e për të kujtuar, në këtë ditë kaq të veçantë për të gjithë italianët e në veçanti për ata që jetojnë jashtë vendit, lidhjet e forta që na bashkojnë me Shqipërinë, me Popullin e saj dhe me Institucionet e saj.
 
Ju falenderoj për praninë kaq të shumtë në numër në e Republikës italiane, një përvjetor që këtu e kremtojmë dhe të për forcuar më tej miqësinë mes dy Vendeve e mes dy Popujve tanë. Për këto arsye e kam fort për zemër mbarëvajtjen e kësaj feste, në të cilën të gjithë ju të ndiheni të mirëpritur në mënyrën më të mirë të mundshme e, në Rezidencën e Italisë, të ndiheni si në shtëpinë tuaj.
 
Marrëdhëniet tona dypalëshe, gjithnjë të ngushta, në këto muajt e fundit kanë përjetuar një moment tejet të veçantë. Në harkun kohor të disa javëve janë kryer njëra pas tjetrës vizitat e dy përfaqësuesve më të lartë të Shtetit: ajo e Presidentit të Republikës, me ftesë të Presidentit Nishani, dhe ajo e Kryetarit të Senatit, me ftesë të Kryetarit të Parlamentit Meta.
 
Më pëlqën të kujtoj ndër të tjera se, që nga marrja e detyrës në krye të Qeverisë shqiptare, Zoti Kryeministër, Ju keni kryer vizita të shumta në Itali, sikurse dhe disa prej Ministrave tuaj. Parashikohet gjithashtu të kryhen të tjera vizita të rëndësishme si në Shqipëri ashtu dhe në Itali.
 
Këto lidhje të ngushta janë shtrirë në të gjithë sektorët e shoqërive tona. Duke nisur prej bashkësisë shqiptare, e shumtë në numër e tejet të vlerësuar, që banon në Itali dhe sipërmarrësve dhe operatorëve italianë të pranishëm në Shqipëri, për të kaluar më tej tek studentët universitarë shqiptarë të cilët kanë zgjedhur Italinë për të kryer studimet  dhe tek studentët italianë të cilët kanë ndërmarrë një rrugëtim në kahun tjetër, e më tej tek artistët të cilët shkëmbejnë përvojat nga të dy brigjet e Adriatikut.
 
E gjithë kjo nuk mund e nuk duhet të na mjaftojë: duhet të angazhohemi për t’i bërë këto marrëdhënie edhe më të frytshme, në të gjithë sektorët, duke nisur prej atij ekonomik. Një muaj më parë u zhvillua në Tiranë java e parë italiane në Shqipëri. Në të morën pjesë një numër shumë i madh sipërmarrjesh e operatorësh italianë të interesuar për tregun shqiptar. Duhet të bëjmë të mundur që ky interes të shndërrohet në investime konkrete në mënyrë që të konsolidojnë më tej praninë tonë në Shqipëri si dhe të japin ndihmesën e tyre në zhvillimin e ekonomive tona.
 
E për këtë nevojitet një punë e përbashkët, e aftë të krijojë kushtet më të mira për thithjen e investimeve si dhe një klimë sipërmarrjeje sa më të favorshme për zhvillimin e veprimtarive ekonomike. Qeveria shqiptare është orientuar me vendosmëri kah këtij drejtimi duke ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë rrugëtim. Nevojitet të përmbushet angazhimi i ndërmarrë e të përftohen rezultate konkrete me bindjen se do të kenë një impakt të rëndësishëm.
 
Janë të pranishëm në këtë mbrëmje përfaqësuesit e botës sipërmarrëse italiane që ka besuar tek Shqipëria. Disa prej tyre kanë dashur të mbështesin konkretisht këtë ceremoni duke dhënë ndihmesën e tyre në realizimin e saj.
 
Do të dëshiroja të rendisja tre sponsorët kryesorë të kësaj nisme: BANKA INTESA, Essegei dhe Petrolifera Italo shqiptare. Dëshiroj të falenderoj gjithashtu Veneto Banka e cila do të mbështesë realizimin e një ceromonie të ngjashme nesër në Shkodër. Kremtimi i Festës së Republikës u zhvillua dhe në Jug të Shqipërisë, e saktësisht ditën e shtunë e të dielë në Orikum, Vlorë dhe Fier.
 
Një falenderim dhe për korin e shkollës së muzikës falë të cilit ndoqëm plot emocion ekzekutimin e himneve kombëtare. Një falenderim dhe Mjeshtër Passinit i cili do të na shoqërojë më interpretimin e tij virtuoz në kitarrë.
 
Falenderoj gjithashtu dhe sponsorët e tjerë të cilët kanë dhënë ndihmesën e tyre në realizimin e kësaj veprimtarie me paraqitjen e produkteteve të tyre karakteristike që mund t’i shijoni përgjatë kësaj mbrëmjeje.
 
Në këtë kuadër nuk mund të lë pa përmendur një tjetër veprimtari ndërkombëtare e cila, duke nisur prej muajit maj të vitit të ardhshëm, do të shohë të angazhuar Italinë e në të cilën do të marrë pjesë – e për këtë jam tejet i lumtur – edhe Shqipëria.
 
Bëhet fjalë për Ekspozitën universale të Milanos kushtuar një teme thelbësore për planetin e shumë të rëndësishme dhe për marrëdhëniet tona dypalëshe, sikurse ajo e ushqimit dhe e prodhimit ushqimor, parë nga një këndvështrim qëndrueshmërie.
    
Përpara se të përmbyll, disa fjalë për Europën. Dje nisi një muaj i rëndësishëm për rrugëtimin europian të Shqipërisë, rrugëtim të cilin Italia e mbështet me forcë me bindjen se Shqipëria, gjithmonë, i përket Europës dhe se integrimi gradual i saj në institucionet europiane – sikurse dhe ai i Vendeve të tjera të rajonit – është dhe në interes të vetë Europës.   
 
 
Mendojmë se Shqipëria e ka merituar plotësisht njohjen e statusit të vendit kandidat dhe se një njohje e tillë duhet t’i ishtë dhënë që në muajin dhjetor të vititi të kaluar.
Kjo për rrugëtimin e kryer nga Qeveria e mëparshme, për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet politike si dhe për mënyrën se si u krye kalimi i pushtetit nga njëra qeveri në tjetrën, për përqasjen e Qeverisë së re që nga momenti i marrjes së detyrës, duke e shndërruar rrugëtimin europian në përparësinë e saj kryesore.
 
Ndërkohë janë arritur të tjera përparime të rëndësishme në përputhje dhe me kërkesat e Europës, edhe në sektorët në të cilët do të fokusohet Raporti i ardhshëm i Komisionit.
 
Italia – e cila bashkëpunon me Shqipërinë në sektorët kyç sikurse lufta ndaj krimit të organizuar dhe ai i drejtësisë - është dëshmitare e drejtpërdrejtë e këtij angazhimi.    
 
Këshilli i Europës po përgatitet të rimarrë në shqyrtim propozimin për dhënien e statusit, propozim ky i parashtuar prej vitit të kaluar nga Komisioni europian, i përforcuar nga një tjetër raport, e që të gjithë shpresojmë të jetë sa më pozitiv. Nuk mund të mos ftoj të gjitha forcat politike shqiptare që rrugëtimin europian të Shqipërisë ta shndërrojnë në përparësinë e veprimtarisë së tyre, duke lënë mënjanë, në prag të këtij objektivi kombëtar, çdo vlerësim apo interes vetjak.  
 
Në muajin korrik Italia do të marrë Kryesinë e rradhës së Bashkimit Europian. Synimi ynë është ta bëjmë Europën sa më të bashkuar; më të kujdesshme ndaj çështjeve të rritjes dhe punësimit si dhe gjeneratave të reja; më të vendosur në ndjekjen e politikës thelbësore të zgjerimit, me synim arritjen e unifikimit të Kontinentit.   Kryesia jonë do të çelet – jam i sigurt -  kah një shtyse të re të rrugëtimit europian të Shqipërisë. Kryesia italiane do të bëjë çdo përpjekje për ta përshpejtuar këtë rrugëtim, duke vënë theksin dhe në dimensionin e rëndësishëm rajonal me miratimin përfundimtar në muajin dhjetor të Strategjisë për makro rajonin adriatiko – jonian.
 
Presidenti Giorgio Napoletano, në mesazhin e tij, vuri theksin në faktin se Italia do të përballojë gjashtëmujorin europian me një frymë më të madhe besimi dhe me vullnetin për ndryshime rrënjësore.
 
E me këtë vetëdije, ju ftoj - dhe në emër të bashkëshortes sime, Carolina, e cila për angazhime personale të pashmangshme në Itali nuk mundi të jetë e pranishme, - të ngremë një dolli për Republikën italiane dhe atë shqiptare, për miqësinë tonë dhe rrugëtimin e shpejtë të këtij Vendi drejt shtëpisë së përbashkët europiane.
 
Gezuar

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç