Fjala e plotë e kreut të PD z.Lulzim Basha në protestën e opozitës përpara kryeministrisë:

Miq të dashur,

Zonja dhe zotërinj, gra, burra, të rinj, të reja, të moshuar, pjesëmarrës  të nderuar e të respektuar në ketë marshim proteste të thirrur sot nga Partia Demokratike dhe opozita.
Më lejoni ta nis fjalën time me një  falënderim të madh për secilin prej jush veç e veç e për të gjithë ju së bashku e mijëra e mijëra të tjerë që na ndjekin, që iu përgjigjet kaq shpejt,  kaq masivisht, me arsye dhe  me zemër, thirrjes sonë për t’u  mbledhur sot në këtë bulevard dhe për të ngritur zërin e fuqishëm të protestës kundër shitblerjes së votës, kundër paligjshmërisë, kundër arbitraritetit, kundër arrogancës, kundër shurdhërisë, kundër mungesës së transparencës dhe qëndrimeve të tjera antidemokratike e anti-europiane që po manifeston ditë për ditë, me një  frenezi të paparë, qeveria e Edi Ramës dhe Ilir  Metës.

Nuk e zgjodhëm ne momentin për të dalë në shesh përballë kësaj qeverie. E zgjodhi vetë  qeveria  që  mbushi  kupën pa mbushur akoma tre muaj. E zgjodhi njëzetmijë lekëshi i turpshëm i çmimit dhe shpërblimit që vuri kjo qeveri për votën e bashkëqytetarëve tanë korçarë. E zgjodhën skenat e paimagjinueshme të blerjes së votës brenda në zyrat e Partisë Socialiste, të cilat falë medias së pavarur, publiku pati mundësi t'i shihte i tronditur, i fyer dhe i indinjuar, me zë e me figurë.

Njëzet mijë lekëshi si çmim, njëzet mijë lekëshi si simbol i dhunimit të zgjedhjeve  nga kjo qeveri është vetëm maja e ajsbergut e farsës që pamë në ekrane. Njëzet mijë lekëshi si çmim dhe simbol i dhunimit të zgjedhjeve nga kjo qeveri nuk është një rrufe në qiellin e pastër, që ra papritur  e pa kujtuar në Korçë. Kjo është  një provë  e përqendruar dhe e organizuar në detaje, e krimit të blerjes  së votës, me planin  për ta përdorur gjerësisht si metodë edhe në zgjedhjet e ardhshme, duke i shkulur përfundimisht zgjedhjet e lira nga jeta e re demokratike e shqiptarëve dhe duke hapur periudhën e erret e të kobshme të zgjedhjeve të blera nga  mafia politike dhe ekonomike në vend.    

Ja pra pse ky është momenti i një alarmi të madh për një rrezik shumë të madh që  kërcënon  demokracinë shqiptare, çdo shqiptar, fëmijët tanë të lindur e të palindur. 
Ne, opozita, jemi në këmbë, të  ndjeshëm dhe të vendosur  si asnjëherë tjetër për të t’i dalë përballë siç po i dalim, për t’i thënë ndal siç po i themi këtij rreziku vdekjeprurës që po shtrëngon rrethimin e demokracisë nëpërmjet paligjshmërisë dhe shitblerjes perverse e kriminale e blerjes të votës.

Por natyra e këtij kërcënimi nga njëra anë, impenjimi nga ana tjetër është e tillë që ne nuk mund ta mbajmë  e nuk kemi të drejtë ta mbajmë në zyrat tona, në mbledhjet dhe tribunat tona si një çështje ekskluzive e  opozitës dhe opozitarizmit. Çështja e zgjedhjeve të lira është para se të gjithash dhe mbi të  gjitha, çështje e popullit të lirë  dhe sovran; është çështja juaj që keni ardhur në  ketë shesh. Është çështja e mijëra e mijëra shqiptarëve, që me mendje dhe me zemër janë sot me ne dhe do të bashkohen me ne në këtë sfidë jetike të shpëtimit të votës së lirë.

Ja përse në këtë moment kur vota e lirë është cënuar, fyer e poshtëruar në Korçë, të gjithë jemi e duhet të jemi opozitarë, të gjithë jemi e duhet të jemi luftëtarë, të gjithë jemi e duhet të jemi shpëtimtarët dhe shërbëtorë të saj sot, nesër dhe përgjithmonë, pa kursyer asgjë, pa u sprapsur asnjë çast, me mendjen top se zgjedhjet e lira e të  ndershme  janë vetë jeta e lirë që kemi fituar, se nuk kemi betejë tjetër me të madhe dhe mision  tjetër me të shenjtë për të përmbushur,  se  jo paratë e pista, jo manipulatorët e veshur me pushtet, jo tregtarët e kontrabandistët e votës, jo gangsterët politike, jo mafia politike, por kauza e drejtë dhe njerëzit e lirë e të bashkuar rreth saj  janë fuqia e pathyeshme  e demokracisë.

Kjo jona nuk është një betejë kundër  gënjeshtrave dhe fantazmave, siç ishte ajo që  bëri  Rama në këtë bulevard kundër qeverisë së Partisë Demokratike. Në rinumërimin  e votave në  qarkun e Kukësit u pa qartë se ndryshe nga çfarë fantazonin Rama dhe Meta, zgjedhjet e organizuara nga qeveria e Partisë Demokratike ishin të lira e të ndershme edhe në fshatrat me të thella të Tropojës, Hasit dhe Kukësit, madje se ata kishin marrë një grusht votash që nuk u përkisnin.

Ky ishte, është e do të jetë gjithmonë standardi i Partisë Demokratike për zgjedhjet  në gjithë Shqipërinë. Ramës dhe Metës u mbeti në duar boja me të cilën shpresonin të damkosnin Sali Berishën dhe qeverinë tonë. Në fakt, me atë bojë të zezë damkosen veten e tyre  në Lezhë dhe në sa e sa  zona të tjera ku vunë në veprim paratë e pista të krimit të organizuar. Me atë bojë te zezë damkosën edhe zgjedhjet në Korçë. Ata janë përsëritës në këtë krim, por nuk do të jenë më.

Janë të kapur. Janë opozita e vetme në  botë  ndoshta që janë u janë kapur manipulimet në zgjedhjeve. Hipokritë të prishur më keq  brenda  gënjeshtrave të tyre për kundërshtarin. Çirreshin se u ishin  vjedhur votat dhe i vjedhin vetë ditën për diell, pa pikë turpi, me sistem. Çirreshin  kundër  borxhit  dhe marrin vetë borxh 400 milion dollarë, pa asnjë llogari, të dalë ku të dalë. Çirreshin kundër evazionit dhe ligjërojnë vetë, me Akt Normativ, 250 milionë euro humbje brenda tre muajve.

Çirreshin për ligjin dhe shkarkojnë pa ligj, nëpunësit civilë, shërbëtorët e këtij shteti, të gjithë strukturat drejtuese  të  policisë së shtetit. Por s’kanë ku shkojnë. Korça i solli para publikut shqiptar lakuriq me njëzet mije lekëshin e turpshëm të blerjes së votës. Para qytetarëve, para opozitës, para miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.  Rama dhe Meta shkelmuan konsensusin  për nëpunësin civil sepse kanë  në mendje dhe në plan blerjen e votës.

Ndërmorën reprezaljen  antiligjore  kundër gjithë zinxhirit komandues të policisë së shtetit, duke e  shndërruar  atë në një  detashment politik, sepse kanë në mendje dhe në plan blerjen e votës. Firmosin dhe  të ndërmarrin  çdo ditë një akt antiligjor e  antikushtetues kundër  lirive dhe të drejtave, kundër pasurisë, pronës dhe sigurisë së tyre juridike të qytetarëve sepse kanë në mendje dhe në plan blerjen e votës. Kjo shumicë merr borxh për shpenzime luksi në kohë krize dhe nuk i bëhët vonë ta çojë drejt greminës stabilitetin e Shqipërisë, sepse ka ndërmend dhe në plan ta blejë votën, ta blejë pushtetin. Kjo qeveri nuk ndien asnjë detyrim të jenë transparentë me publikun, as për çështjen shume të ndjeshme të armëve kimike, por bëjnë lojën e strucit me shqiptarët dhe me partnerët  tanë ndërkombëtarë, sepse kanë në mendje dhe në plan t’i blejnë votat, ta blejnë pushtetin.

Ky kryeministër po shkon larg në rrugën e tij të zëvendësimit të sundimit të ligjit, me sundimin e “Rama”, të  zëvendësimit të Shqipërisë demokratike me Sulltanatin e njëzetmijë lekëshit, sepse ka në mendje dhe në plan t'i blejë votat, bashkë me aleatin e tij, Meta. Eliminimi i  zgjedhjeve të lira eliminimi i gjykimit të drejtë popullor, është shpjegimi më i qartë i arbitraritet dhe paligjshmërisë, që është ngritur brenda dy muajsh në sistem nga Rama dhe Meta. Qeverisin me arbitraritet, sepse do të blejnë vota, blejnë vota që te qeverisë si në xhungël. Ne pushtetin, ju njëzet mijë lekëshin. Ky është slogani, kjo është filozofia e tyre.

Këtu mbyllet rrethi. Por ky është rreth fatal, rreth që  rrezikon të zërë brenda dhe ti marrë frymën Shqipërisë europiane, demokracisë. Me këtë qëndrim, kjo qeveri, kjo maxhorancë ka shmangur përballen si dy alternativa që luftojnë për një qëllim, për Shqipërinë evropiane dhe ka hapur luftën e dy kulturave të kundërta, kulturës tonë evropiane dhe kulturës së tyre antieuropiane. Nuk do ta lejojmë. 

Do të na kenë përballë orë për orë e ditë për ditë e muaj për muaj. Sot është dita t'i drejtohemi njëzëri nga ky shesh i protestës popullore; hiq dorë njëherë e përgjithmonë nga blerja e votës, hiq dorë njëherë e përgjithmonë nga paligjshmëria, arbitrariteti, mungesa e transparencës. Po nuk e ndaluam sot shitblerjen e votës, shitblerja e votës do ta ndalojë demokracinë nesër. Ne nuk do ta lejojmë këtë gjëmë. Do ta ndalojmë me çdo çmim këtë gjëmë. Ky është zotimi ynë solemn në këtë protestë të parë si opozitë e re në Bulevardin “Dëshmorën e Kombit”. Ky është fillimi i një beteje të përbashkët në sheshet e protestave popullore, pa kompromis dhe pa pauza për votën e lirë, për ligjin, për Shqipërinë demokratike.

Partia Demokratike e ka forcën, opozita e ka forcën.
Shqipëria e lirë e ka forcën të mbetet e lirë dhe të përparojë e lirë drejt  Europës.
Rroftë demokracia!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!