Sot dua t'ju flas për krizën artificiale, ku Partia Demokratike synon t'a fusë vendin, me një përpjekje tejet të dëshpëruar për ta kthyer krizën e saj, në një krizë të Shqipërisë.
Në këtë përpjekje janë përfshirë Saliu, që nuk do vetingun, sepse s'do drejtësinë. Luli, që përveç vetingut nuk do as zgjedhje, sepse s'do as drejtësinë e re dhe as disfatën në zgjedhje, shpura e parlamentarëve demokratë që nuk duan asgjë, sepse duan vendin në listën e deputetëve më shumë sesa gjithë Shqipërinë, tufëza e kryetarëve aleatë, që nuk duan as bojkotin, po as të kundërtën e bojkotit, sepse i deprimon çadra në darkë, po i trimëron rakia në mëngjes, një çetë thashethemexhinjsh profesionistë, sa në ekrane, e sa në portale, që nuk duan t'ia dinë për popullin që i dëgjon e lexon, sepse flasin, shkruajnë, komentojnë, shajnë, akuzojnë, për llogari të atyre që i paguajnë; një grusht gjykatësish, që nuk duan të ikë çadra e japin të holla për revolucionin, sepse u ikën petku që mban mbuluar zullume të trasha çerekshekulli. Të huaj jodashamirës të këtij kombi, që nuk duan ta shohin Shqipërinë të bëjë shtet me dinjitet, sepse Zoti na ruajt nga shqiptarët; e pastaj individë lloj-lloj, që s'e duan qeverinë, dhe e mbështesin çadrën nga jashtë apo nga brenda. Sepse kush ka hallin për një karrige parlamenti për vete; kush hallin të hakmerret me PS për karrigen e humbur të parlamentit; kush duket në çadër që të tregojë se është gjallë; kush hallin për të larë ndonjë borxh nga shqipja në italisht, e me radhë halle-halle kjo dynja, halli hallit nuk i ngja’.
Çadra e ngritur në mes të bulevardit, mu si kështjellë rëre, për t'u mbrojtur nga humbja e lirisë pas vetingut dhe humbja e zgjedhjeve pas fushatës, di vetëm çfarë nuk do dhe pret atë që nuk do vijë ndonjëherë. Sepse s'ka për të ardhur ndonjëherë lajmi, “Vetingu s'do bëhet kurrë, prandaj dilni”, s'ka për të ardhur ndonjëherë ftesa për qeveri teknike, prandaj kthehuni; s'ka për të ardhur ndonjëherë oferta për të shtyrë zgjedhjet, prandaj zgjohuni; s'ka për të ardhur jo, as rrufeja nga qielli, për ta bërë shkrumb e hi kryeministrinë, prandaj deklaroni fitoren e revolucionit.
Të vetmit që përfitojnë nga pritja e kotë e asaj që nuk vjen në çadër, janë thashethemexhinjtë profesionistë të rreshtuar në listëpagesën e revolucionit imagjinar. Ata mbushin xhepat me para të zeza që u shtohen rrogave të majme, për ta shfryrë dufin e çadrës duke nxjerrë edhe gjithë mllefin e tyre të pangushëllueshëm, televiziv a digjital, ndaj kësaj qeverie apo ndaj Partisë Socialiste e meje personalisht, padyshim. Shqipëria e gjithë këtyre revolucionarëve pa asnjë kauzë, është sa ajo çadër, e ngritur si një autosugjestion politik nga politikanë të dëshpëruar e të çoroditur, për të mundur frikën nga drejtësia e nga zgjedhjet, duke bërë thirrje për revolucionin e pamundur kundër zbatimit të reformës në drejtësi, kundër zgjedhjeve në 18 qershor, kundër vetë sensit të historisë që kërkon një Shqipëri sa më afër Bashkimit Europian.
Në thelb, kjo nuk është kriza e Shqipërisë, po kriza e një partie të madhe politike pa lidership, pa skuadër, pa vizion; e cila krizën e thellë të humbjes së pushtetit të saj katër vjet më parë, kërkon ta eksportojë nga boshllëku i çadrës në zemrën dhe mendjen e Shqipërisë; kjo është kriza e një katundi të izoluar politik e mediatik, ku mungesa e forcës së politikës, mbulohet me politikën e forcës; ku opinionistë, portalistë e zhurnalistë të rekrutuar si mercenarë, kanë kapur peng të vërtetën, njësoj siç kanë kapur peng drejtësinë, sivellezërit e tyre gjykatës e prokurorë të korruptuar; kjo është kriza e gogolmakutëve të sistemit të drejtësisë, në orvatjen e pashpresë për t'i shpëtuar drejtësisë, pas sundimit të tyre çerekshekullor mbi drejtësinë. Kjo krizë është kriza e një elite të ngujuar në bulevardin e politikës e të medias, krejt e shkëputur nga njerëzit e nga hallet e tyre, që luan përditë në një çadër shfaqjen e një revolucioni popullor pa popull.
E kam ditur qysh në krye të herës, se Reforma në Drejtësi, më shumë se çdo reformë, që sa më reale të jetë aq më natyrshëm krijon pështjellim, provokon dhimbje, nxit rezistencë, do të mbillte panik në shumë shpirtra pengmarrësish e gjobëvënësish të këtij populli, për 25 vjet me radhë. Ashtu siç e kam ditur me kohë, se paniku nga ajo që vjen pas zbatimit të ligjit të Vetingut, do ta bënte pushtetin e vjetër sot në opozitë, t'i frikej shumë më tepër se zakonisht zgjedhjeve që vijnë. Por nuk kam ngurruar asnjë sekondë në mbështetjen pa kurrfarë rezerve të Reformës në Drejtësi. As lëkundem sot një milimetër, në bindjen time, se kostoja që përpiqet t'i faturojë Partia Demokratike Shqipërisë, duke kërcënuar të mos hyjë në zgjedhje, është një dhimbje e zgjimit të drejtësisë pas çerekshekulli sundimi të padrejtësisë. Dhe kjo dhimbje, duhet përballuar medoemos, për të mos çuar dëm përpjekjet e jashtëzakonshme të këtij mandati reformash dhe për të mos humbur edhe kushedi se sa vite të tjera, në rrugën tonë për të bërë shtet.
Partia Demokratike ka zgjedhur të lëshojë ultimatume dhe të kërcënojë se po nuk u pranuan ultimatumet e saj, do fusë vendin në kaos kushtetues, institucional, publik e me radhë. Unë nuk kam ardhur në këtë zyrë as për t'i drejtuar pushkët opozitës në bulevard, as për ta kërcënuar opozitën me fjalorin e krenarisë vulgare të paraardhësit tim. Madje kam qenë, jam dhe do të jem i gatshëm, çdo ditë, çdo natë, në çdo orë, edhe në çadër po të duan, të takohemi e të dialogojmë me opozitën. E kam thënë më parë dhe e ritheksoj sot, atë që është deklaruar po ashtu nga tryeza e koalicionit: Jemi gati për dialog. Jemi të hapur për çdo ndërhyrje në Kodin Zgjedhor e në çdo kod a ligj tjetër, që Partia Demokratike mund të kërkojë për t'u ndjerë sa më e garantuar në zgjedhje. Jemi të gatshëm ta votojmë pa asnjë rezervë, çdo gjë që nuk bie ndesh me standardet e OSBE/ODHIR-it. Jemi të hapur po ashtu për krijimin e çdo mekanizmi të ri institucional, që PD-ja mund të propozojë për përmirësimin e mëtejshëm dhe respektimin e plotë të standardeve zgjedhore.
Por, aq sa dialogu mes maxhorancës e opozitës, për rregullat e lojës demokratike, është gjithnjë i domosdoshëm, aq edhe detyrat e të drejtat themelore, që përcaktojnë rolet kushtetuese të secilës palë, janë të patjetërsueshme.
Së pari, kjo qeveri ka detyrë themelore të respektojë shumicën që përfaqëson dhe nuk mundet kurrsesi, të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën qeverisëse me popullin, nënshkruar nga 1 milionë shqiptarë në 23 qershor 2013. Kohëzgjatja e kësaj kontrate është deri në 18 qershor të këtij viti. E kjo as nuk varet nga dëshirat apo interesat e Partisë Demokratike, as nuk hyn tek ato gjëra që mund të negociohen me opozitën. Opozita mund ta kërkojë largimin e qeverisë gjithë ditën dhe qeverinë teknike gjithë natën, po s'mund t'ia imponojë dot këto kërkesa qeverisë, as në Shqipëri, as në asnjë vend të botës, ku vendos vullneti popullor me votë. Prandaj, me gjithë respektin, për të drejtën e opozitës që të kërkojë qeveri të re teknike apo të provojë teknika të reja demokratike, kjo qeveri do të vazhdojë punën e nisur për Shqipërinë, deri në afatin përfundimtar të kontratës me popullin shqiptar.
Së dyti, as opozita as qeveria, s'kanë asgjë në dorë lidhur me datën e zgjedhjeve. Sepse data e zgjedhjeve është dita e përcaktuar në Kushtetutën e Republikës sonë, si dita e gjykimit të partive nga populli. Është dita kur partitë dalin para popullit me ofertat e tyre dhe populli gjykon me votën e tij çdo ofertë në dispozicion, për të zgjedhur se cila parti do t'i shërbejë vendit në qeveri, cila në opozitë. Të mos e harrojë askush, partitë paraqiten përpara Sovranit në ditën e përcaktuar nga Kushtetuta, jo populli përpara partive në ditën e përcaktuar prej tyre. Prandaj edhe në datën e zgjedhjeve partitë heshtin, ndërsa Sovrani zgjedh për katër vitet e ardhshme.
Së treti, siç isha i bindur se Reforma në Drejtësi do të merrte votat e nevojshme, atëherë kur Partia Demokratike përbetohej se kjo nuk do të ndodhte kurrë, jam sot i bindur se PD-ja do të hyjë në zgjedhje pavarësisht përbetimeve e kërcënimeve. Ashtu siç jam i prirur të besoj, së Partia Demokratike, do të kthehet në Kuvend për të votuar Vetingun, sepse nëse nuk e bën këtë për Shqipërinë e për vete zgjedhësit e saj, duhet ta bëjë për të mos vulosur me turp fatin e saj në zgjedhje, pa nisur ende fushata zgjedhore. Ndoshta gaboj, por nuk e besoj dot sot për sot, që frika nga Vetingu dhe marrëzia e luftës për pushtet, do të triumfojnë mbi arsyen e mbi interesat strategjike të Partisë Demokratike. Sinqerisht nuk e besoj dot se një parti e madhe e me aq shumë detyrime të mëdha ndaj vendit e njerëzve, do të udhëhiqet nga frika e marrëzia, deri në pikën sa të arratiset në drejtimin e paditur të vetëpërjashtimit nga jeta parlamentare.
Por ama, për të mos lënë asnjë ekuivok, lejomëni t'ju them për çdo rast që një eventualitet i tillë, më dhemb seriozisht shumë, po seriozisht nuk më tremb aspak. Pavarësisht se mosparaqitja në zgjedhje e partisë më të madhe të opozitës apo e kujtdo partie tjetër parlamentare, është një anomali e rëndë, ne nuk do t'i bashkohemi kurrë një mungese të tillë haluçinante respekti të politikës për popullin. Ne do të respektojmë datën e zgjedhjeve dhe deri në atë datë do të angazhohemi në fushatë si asnjëherë më parë, për të dalë përpara gjykimit të Sovranit me sa shumë kemi bërë për Shqipërinë. Për sa shumë mbetet për të bërë për shqiptarët. Dhe sa shumë kanë për të humbur, Shqipëria dhe shqiptarët nëse kthehemi mbrapa.
Jemi në marsin e 2017-ës, nuk jemi në marsin e 1997-ës dhe orën e përpjekjeve për të bërë shtet, punë dhe ardhmëri për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër, nuk e ndal dot askush dhe asgjë.