Fjala e plotë e Kryeministrit Rama në Samitin për Ballkanin Perëndimor, organizuar nga Miqtë e Europës

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për këtë mundësi. Duke iu dëgjuar ju lidhur me çfarë ndodh në Ballkan, po mendoja që në Ballkan, pyetja jonë është: “Çfarë po ndodh në BE?” Kështu që duket sikur bota është kthyer përmbys, sepse disa vjet më parë, problemi për ne, ishte tek ne. Ndërkohë që tashmë problemi mes nesh është si t’i përgjigjemi pyetjes se çfarë do t’i ndodhë rrugëtimit tonë të integrimit europian. Në fakt, kjo e gjitha lidhet me vetë faktin se sot, në Ballkan kemi një situatë tërësisht ndryshe, në kuptimin e bashkëbisedimit me njëri-tjetrin, në kuptimin e bashkëpunimit me njëri-tjetrit, apo edhe për përpjekjen për t’u marrë edhe me çështjet më të vështira të së kaluarës, për shembull, përmes dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe në qoftë se e gjitha kjo ndodh, nuk ka ndodhur sepse ne zbuluam engjëllin brenda nesh, por sepse ende ekziston kjo magji e fortë e procesit të integrimit europian tek njerëzit dhe shoqëritë.

Kështu që, unë nuk mendoj se do ta teproja po të thoja se pa BE-në aty nuk do të kishim kurrë atë çfarë kemi në Ballkan aktualisht sa i takon pajtimit, paqes dhe procesit të bashkëpunimit. Kjo nënkupton se, për ne dhe Ballkanin, BE-ja është mjaft e rëndësishme si forcë shtytëse drejt së ardhmes dhe se integrimi në BE është një instrument unik i organizimit të shteteve e shoqërive tona. Nuk mendoj se pa BE-në, pa integrimin në BE, do të ishim në gjendje që të kishim reformat që po kryejmë, nuk do të ishim në gjendje që të kërkonim një sistem real, të fortë, të pavarur dhe efikas drejtësie. Pra, pa të nuk do të ishim në gjendje që të zhvillonim, apo të kishim një proces kaq tërësor të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë. Dhe kjo ndodh vetëm sepse ne duam të jemi pjesë e kësaj familjeje.

Duke qenë se kjo është një mundësi e hapur, Ballkani në përgjithësi dhe Shqipëria në veçanti do të bëjnë përparim të konsiderueshëm, por në qoftë se kjo zbehet, apo shndërrohet në një iluzion atëherë gjërat mund të marrin drejtimin e gabuar. Kështu që në përgjithësi do të thoja që, po në Ballkan kemi situatën më të mirë të mundshme, por nuk është thjesht për shkakun tonë, por për shkak të ndjenjës shumë të fortë për Europën, për atë çfarë ajo përfaqëson e kështu me radhë. Kjo është arsyeja përse e nisa duke thënë që ne në Ballkan nuk pyesim veten se çfarë do të ndodhë mes nesh, por se çfarë do të ndodhë   midis nesh dhe Europës, BE-së pra.

Në fakt është me shumë interes të imagjinosh Ballkanin që është në pozitë pas kaq shumë dekadash dhe shekuj konfliktesh. Kjo flet shumë për magjinë, për rëndësinë e BE-së për të gjithë ne në Ballkan. Unë shpresoj që shtetet anëtare do të pajtohen me BE-në, së fundi e përgjithmonë dhe BE-ja do të jetë BE-ja ashtu siç ne e kemi njohur, ashtu siç kemi ëndërruar për të dhe ashtu siç mendojmë për të e jo diçka tjetër. Duket sikur është mallkimi ballkanas, sepse, kur BE-ja është në formën e saj më të mirë ne ishim në formën tonë më të keqe. Tashmë ne jemi në formë të mirë, ndërkohë BE-ja nuk është se është në formën më të keqe, por është në atë drejtim. Kështu që, e duam pas. E duam në formë të mirë, në mënyrë që ne të përfitojmë maksimalisht nga ky sinkronizim formash. Gjithmonë më kujton një shkrimtar amerikan, i cili dikur shkruaji se, “ngjyrat e ndryshme të ylberit nuk duhet të urrehen. Ato janë xheloze për njëra-tjetrën sepse secila prej tyre është ndryshe. Ndryshimi i ngjyrës së secilës e bën tjetrën të duket më e bukur”.

Po, shumë gjëra të rëndësishme që ju thatë. Por unë do të theksoja dy pika në qoftë se mundem. Ju thatë që kjo aspiratë drejt BE-së, në qoftë se zbehet, gjërat mund të marrin drejtimin e gabuar, ndërkohë që, së dyti folët për ëndrrën e BE-së: Cila është kjo ëndërr e BE-së që keni ju brenda rajonit? Çfarë është kjo ëndërr e BE-së? Apo BE-ja e ëndrrave tuaja.

Kryeministri Edi Rama: Ëndrra e BE-së është të jemi pjesë e familjes me rregulla të qarta, ku gjithkush respekton rregullat dhe atë çfarë BE-ja përmend në çdo fjali, shtetin e së drejtës, për të pasur shtet dhe institucione të forta, sepse, në fund të fundit gjithçka sillet rreth institucioneve. Natyrisht, kjo ka të bëjë me të qenit pjesë e një familjeje që mbron dhe promovon vlera unike e përfaqëson vlera të botës demokratike në një kohë kur këto vlera po sfidohen nga forca mjaft të rrezikshme dhe në kohërat kur ne kemi një shans mjaft unik për tu divorcuar përfundimisht me të shkuarën dhe më në fund të martohemi së bashku me këtë union të shkëlqyer që na thotë tërë kohë, “dua të martohem, po nuk jemi  gati të flasim për këtë”. Dhe unë nuk e di se si mund të ndodhë kjo. Po, në mesjetë kishim martesa pa folur, por ky nuk është rasti, ndaj kjo është arsyeja përse ne në Ballkan kemi nevojë e duam të flasim. Ju i quani bisedime për anëtarësim, që do thotë, bisedime për martesë. Në qoftë se do të ndodhë, do të ndodhë. Por dhe në qoftë se nuk ndodh shpejt do të na ndihmojë të rritemi në mënyrë të shëndoshë dhe do të na ndihmojë që të kemi në dispozicion këtë instrument modernizimi, sepse në fund të ditës, gjithçka ka të bëjë me modernizmin. E gjithë pjesa e dhimbshme e procesit, këto piketat e vendosura dhe kështu me radhë janë shumë të rëndësishme. Është themelore që të ndërtojmë institucione.

Pyetje: Përshëndetje të gjithëve! Jam Ina Haxhia dhe përfaqësoj Shqipërinë sot këtu. Unë në fakt prisja në fakt me padurim të dëgjoja Kryeministrin tim që të fliste për çështje si shteti i së drejtës, institucione të forta, por do të doja të thoja që institucionet e forta përbëhen nga njerëz të fortë, nga burra të fortë. Pra, si mund të presim që këto çështje të trajtohen kur nga ana tjetër kemi rastin “Tahiri” për të cilin nuk është bërë asgjë? Pra, nuk është vazhduar as me hetimin e Prokurorisë? Çfarë mendoni për këtë? Çfarë do të bëjmë për këtë sepse në qoftë se na duhet të fillojmë nga diku, për ne ishte një shembull që edhe politikanët nuk janë kaq të imunizuar.

Pyetje nga shtypi i huaj: Për fat të keq nuk është hera e parë që thuhet. Zgjidhja për të rinjtë janë punët e gjelbra, ndryshimi i klimës, megjithatë gjëja e dytë që do doja të pyesja, është media. Ka patur një raport të shkëlqyer të “Balkan Insight” që ka të bëjë me agjencitë raportuese.

Kryeministri Edi Rama: Është mjaft sfiduese, ajo çka u tha në përgjithësi, por do të thoja a mund të mos vazhdojmë më me këta të rinj që largohen? Ka persona të cilët qëndrojnë, hyjnë dhe dalin në të gjitha vendet e BE. 50 mijë persona që janë larguar nga Kroacia vitin e kaluar, por askush nuk foli për ta. Miliona lëvizin nga Polonia, nga Republika ceke apo nga kudo tjetër e shkojnë kudo tjetër dhe askush nuk flet për ta. Natyrisht, që njerëzit do të largohen, do të vijnë, do të kthehen. Kjo është normale. Ne nuk i kemi hyrë kësaj rruge për të ndërtuar kështjellat tona të florinjta me punë të gjelbërta e me ndryshim klime për t’i mbajtur njerëzit brenda. Njerëzit do të largohen, njerëzit do të kthehen.

Dallimi bëhet nga fakti se ne, në Ballkanin Perëndimor nuk jemi pjesë e tregut të lirë të punës. Kaq e thjeshtë është. Pra, kur të rinjtë tanë apo kur ata që nuk janë kaq të rinj vendosin të largohen, ata janë të detyruar të ndjekin rrugë që nuk janë të ligjshme, pra rrugën e kërkimit të azilit. Është kaq e thjeshtë. Përse duhet t’i biem vërdallë dhe çfarë mrekullish mund të kërkohen nga dikush që ka pushtetin apo është në pozitë në këtë rajon? Si mund ta bëjmë këtë mrekulli në rajon që t’i bëjmë njerëzit të mos largohen apo të kthehen? Ne jetojmë në një vend, ku për 50 vjet, askush nuk mund të largohej dhe më besoni nuk ishte maksimumi. Kjo është një gjë.

Së dyti, unë mendoj, - dhe do t’ju kërkoja ndjesë për të qenit kaq i drejtpërdrejtë, - që askush s’mund të më vijë dhe të më thotë se në çdo vend, qoftë në BE apo jo në BE ata kanë kryer një reformë në drejtësi për dy vjet, duke ndryshuar Kushtetutën me konsensus të plotë, duke bërë të mundur në 2 vjet të arrihet në pikën ku të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët të vihen përballë procesit të vettingut, ku çdo gjyqtar dhe prokuror do të përgjigjet për ligjshmërinë e statusit të vet të pasurisë, pra përgjigjen për ligjshmërinë e vendimmarrjes dhe elementëve të tjera të së shkuarës së tyre. Kush e ka bërë këtë?! Ne kemi fqinj të shkëlqyer. Kemi shumë fqinj dhe fqinji më i mirë deri tani është Italia. Është histori e gjatë. I kam parë të luftojnë të paktën për një çerek shekulli që të kryejnë reformën në drejtësi, kështu që kjo është diçka tjetër për t’u thënë.

Së treti, unë do ta thoja shumë thjeshtë. Çdo gjë ka të bëjë me institucionet. Nëse do të shohim historikun e integrimit, kush kanë qënë të parët që kanë hyrë në BE, të parët që kanë hyrë nga ish Europa komuniste, ishin ata të cilët kishin vijimësi nga e kaluara e institucioneve. Praktikisht, shpejtësia e procesit u përcaktua nga e shkuara, kur bëhet fjalë për institucionet. Kush janë të fundit? Ballkani Perëndimor sepse e shkuara nuk ka qënë kaq bujare me ne. Në të shkuarën praktikisht, çfarë patëm? Nuk kishim atë çfarë patën në Poloni cekët apo ne shtete e tjera, në qoftë se do të kthenim kokën pas. Ajo çfarë na jep procesi i BE është diçka që ne nuk e gjejmë dot në shkuarën tonë. Pra është diçka që ka të bëjë me institucionet. Do t’i përgjigjem bashkatdhetares time, Ina. Nuk ka të bëjë me burra të fortë, mund të ketë të bëjë dhe me gra të forta, por mbi të gjitha ka të bëjë me institucione të forta. Kjo është çështja. Për aq kohë sa ne do të jemi në drejtimin e integrimit në BE, do të jemi në procesin e ndërtimit të dickaje që s’e kemi patur në të kaluarën, që do të thotë institucione. Në fakt, më pëlqen shumë kur dëgjoj se shteti i së drejtës është motoja, por vërtetë nuk më vjen mirë kur shteti i së drejtës përdorët për të fajësuar vendet dhe për të fshehur arsyet e këtij fajësimi. Arsyeja e fajësimit ka të bëjë me situata politike në vende të ndryshme që trajtohen në mënyrë populiste, ndaj eja të fajësojmë shqiptarët.

Kemi një shtet anëtar - dhe s’dua ta përmend se është një shtet i shkëlqyer anëtar me një ekip të shkëlqyer futbolli, - ku ne po sulmohemi çdo ditë nëpër gazeta për krimin etnik shqiptar. E dini se cila është përqindja që shqiptarët kanë në këtë tërësi të krimit? 0.4 %. Ndërkohë në një vend tjetër, ku përqindja është 30, as nuk përmendet. Pra, ideja është që fillimisht ishin bullgarët se u tha që u përpoqën të vrisnin Papën, më pas u kthyen sytë nga rumunët, tashmë është radha e shqiptarëve. Edhe pse? Për çfarë? Për bisedime për anëtarësim? Nuk e kuptoj.

Nuk i kuptoj politikanët e çdo niveli e të çdo vendi që thonë: Po, e duam që Evropa të bëhet një ditë, por për momentin kemi diçka tjetër me të cilën duhet të merremi, që janë njerëzit tanë që janë bërë pak nervozë nga zgjerimi. Me aq informacion sa kam, miqtë tanë, serbët - nuk janë këtu se tashmë ne jemi në pikën ku delegojmë procesin tonë të pajtimit, kur jemi në konferencë, pra kur ata janë të zënë, vij unë dhe kur unë jam i zënë, vijnë ata, kështu funksionon, - por nuk kam ndonjë informacion që ndonjë prej vendeve të rajonit po i bie derës për të thënë ndokujt prej jush që duam të bëhemi anëtarë tani. Për çfarë po flasim? Flasim për negociatë. E natyrisht nuk po flas për negociata, për vende që kanë negociatë 60 vjet, nuk po flas për këtë negociatë, po flas për diçka që politikanët tuaj t’i thonë opinionit publik që për këto vende, për të cilat ne kemi qënë kaq dyshues asnjëri prej tyre nuk i ka rënë derës së familjes sonë për hyrë, kjo është arsyeja pse ne po negociojmë. Megjithatë nuk mund të bëhet që të na thoni “po duam të flasim me ju por nuk e bëjmë dot për momentin sepse na duhet të merremi me gjëra të tjera”.

Nuk jam shumë dakord apo tërësisht me miken tonë këtu që përmendi Turqinë, Rusinë, Kinën si vende që s’kanë ç’të ofrojnë. Po, po kanë shumë të ofrojnë. Rusia për shembull ka një rrugë shumë të lehtë për të ofruar. Harroni shtetin e së drejtës, harroni institucionet, mbaje pushtetin për gjithë jetën dhe nuk është pa interes. Dhe kanë para që të mund t’i derdhin dhe nuk është se ka ndodhur në ndonjë pyll në Siberi, ka ndodhur në mes të Evropës që qeveria, që kryeministri gjatë zgjedhjeve u kërcënuan me vdekje dhe kryeministri gati u vra dhe kjo ndodhi në Malin e Zi, një vend që negocion në BE.

Pra, rreziku është real, është rrezik i pranishëm, siç do thonin kolegët tanë amerikanë. Por që Kina mendon në afat të gjatë, për 20 vite të tjera, ndërkohë që këtu mendojmë për 4 vjet megjithatë nuk mund të themi që nuk kanë asgjë për të ofruar, dhe ju harruat edhe një forcë tjetër që është islami radikal. Në rajonin tonë ne jemi shumë etnikë, shumë fetarë, shumëçka dhe tashmë me gjithë këtë shumëllojshmëri ne duam BE. Në qoftë se BE nuk do të vrapojë, të presë, por të vrapojë të na kapë, atëherë më besoni do të kenë një larmi problemesh të tjera që do të nisin dhe do të jetë shumë herë më e kushtueshme që të martoheni me ne. Faleminderit! ​

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'PD ka më shumë frikë nga të vetët', Bamir Topi: Mazhoranca ka strukturë të qëndrueshme elektorale! Rama luan në fushë të madhe