Fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj

Fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj:
 
Më vjen mirë që ju shoh sërish këtu, më të shumtë dhe më entuziastë se kurrë për të vazhduar këtë projekt të bukur që filloi para një viti. Jam shumë i impresionuar nga mënyra se si Blendi i ka dhënë akoma më shumë gaz dhe shpejtësi disa prej reformave, për të kuptuar një gjë: se çdo gjë kthehet. Kjo ndërtesë bëhet dhe ribëhet, parqet bëhen dhe ribëhen, rrugët shtrohen dhe asfaltohen prapë, koha nuk kthehet. Koha nuk kthehet, është e vetmja gjë që nuk kthehet dhe nuk ribëhet.
 
Ndaj, më vjen mirë që duke ditur që kohën e kemi shumë të përkohshme, do të mundohemi që në maksimum jo vetëm të shtojmë aktivitetet dhe jetën brenda këtyre institucioneve, por sigurisht edhe të shtojmë aktivitetet, jo vetëm në Tiranë, duke mos e trajtuar Tiranën si të vetmin ishull ku ndodhin gjërat, por edhe në Vlorë, Korçë, etj. Do të doja që në këtë fjalë time, t’ju kujtoja pak se çfarë ndodhi një vit më parë. Kjo që shihni këtu, me gjithë skulpturat që gjenden pas, ishte strip-klubi më i famshëm në Tiranë.
 
Sot shohim një vend, ku me programin “Gloë” synohet të fuqizohet roli i vajzave, zonjushave, zonjave në qytetin tonë. Një program fantastik, bashkë me Korpusin e Paqes, se si të qenit grua dhe femër nuk shihet si dobësi, përkundrazi komplementon një shoqëri, e cila ka nevojë për barazi dhe për të avancuar kauza të barabarta gjinore më shumë se kurrë. Nuk ishte kështu një vit më parë, ishte vendi ku femra respektohej më pak se kudo tjetër, përkundrazi çdo vajzë që vinte në këtë sallë poshtërohej.
 
Nëse ju duket se unë po bëj disa punë që kanë ngjallur konflikte dhe sherre këto ditët e fundit, ju kujtoj se të njëjtin sherr kishim këtu, me të njëjtat forca të cilët mendonin se Tirana e meritonte këtë strip-klub, se Tirana e meritonte një vend ku degjenerohej sistematikisht një vajzë, një grua që punonte në këtë territor ku jemi sot, të njëjtët njerëz që e rreshtonin policinë dhe thoshin: “Nuk mund të preket prona private”. Cila pronë private? Kjo është pronë e shtetit shqiptar, pronë e shtetit shqiptar ishte një kafe, një strip-klub. Mendoni se Tiranës i mungon nje strip klub? Tirana ka sot 10 mijë kafe, restorante, klube e bare. Ka 10 mijë, por nuk kishte asnjë qendër rinore. Një qytet me 1 milionë banorë!
 
Ndaj, për të gjithë ata që ndoshta mendojnë se sot është hera e parë që bëhet sherr për punët publike, kujtoni se para një viti ishte ekzaktësisht kështu, dhe të njëjtat forca që donin të ndalonin progresin atëherë, ndalojnë progresin edhe sot. Më vjen mirë që pas një viti, ne do të shkojmë të takohemi në një vend tjetër, ku të themi: “Gjithë kjo zhurmë, për çfarë?” Për një park fëmijësh, për një vend ku ne tashmë kemi mbjellë 2500 pemë, por ku edhe fëmijët meritojnë të kenë po aq hapësirë sa kanë edhe të rriturit.
 
Argumenti ynë për të rinjtë ishte: Në një vend ku ka lokale dhe kafe gjithandej, a mund të mos ketë në qendër të qytetit?! Edhe atëherë, ishin po të njëjtët njerëz që thoshin: “Po pse këtu, në qendër të Tiranës, pse në këtë vend kaq të mirë, ku mund të ndodhin gjëra të tjera, po pse s’i çoni të rinjtë në Tufinë apo Kombinat, Sauk, Laprakë? Dhe gjithmonë pyetja ishte: Po pse jo, në qendër të Tiranës? Nëse politika apo kushdo thotë: “Rinia, rinia është e ardhmja, - pse nuk qenka rinia e tashmja? “Pse qenka gjithmonë e ardhmja? Apo është një mënyrë për ta përcjellë dikë me lezet dhe për t’i thënë:Koha jote vjen pak më vonë, ti je gjithmonë e ardhmja. Kur vjen e ardhmja? E ardhmja është një sekondë mbasi ke mbaruar këtë fjali dhe fillon dhe bëhet e tashme, ndaj unë dua që t’u falenderoj shumë për punën, për dashurinë.
 
Nuk ka asnjë dyshim nga gjërat që ju thoni, mënyra se si ju rrezatoni dhe energjia që reflektoni që ju e doni këtë punë. Do të doja shumë që nëse ne mund të ishim të dobishëm si bashki edhe me qendrat rinore që kemi aktivizuar nga bashkia, qendrën “TEN” që ishte kthyer në një seli partie në fakt dhe në një komision zgjedhor, sot është rikthyer për rininë. Çfarë mund të bëjmë që edhe me bashkinë të riaktivizojmë disa vatra të ndryshme në qytet që përveç qendrës rinore të ministrisë edhe vende të tjera që bashkia tashmë i ka në inventar, siç është qendra “TEN” dhe të tjera, ne mund t’i kthejmë në hapësira publike për të rinjtë.
 
Në fund fare, më kujtohet një fjalim fantastik në qoftë se keni kohë ta lexoni kur të ktheheni në shtëpi, i presidentit Rusvelt i mbajtur në Sorbonë, në Paris dhe quhej “Njeriu dhe arena”. Ai thotë, - një njeri që do të ndryshojë gjërat është i destinuar të jetë në arenë si ai gladiatori, të përleshet për gjërat që ai mendon se janë të vërteta, janë të drejta, për progresin ku beson që duhet të avancojë shoqëria, për gjërat që i çmon si të shtrenjta dhe për të cilat është gati që të bëjë betejën e radhës. Njeriu i arenës sigurisht që do predikohet. Ata që janë jashtë arenës dhe që janë spektatorë thotë, - pse more, ashtu bëhet kjo, kjo nuk bëhet kështu, por ashtu.
 
Ai që është në arenë thotë në qoftë se ti e di si bëhet hajde në arenë. Eja në arenën e debatit publik, në arenën e progresit, në arenë ku diskutohen ide, në arenën ku avancon kauza, bëhu pjesë e arenës sepse vetëm njeriu që është në arenë mund t’i ndryshojë gjërat. Një spektator mund të shajë sa të dojë arbitrin, lojtarin, portierin por nuk bën dot kurrë gol, ai që është në fushë e bën, gjen një mënyrë si ta bëjnë.
 
Ndaj më vjen mirë që qendra rinore është arena juaj, është arena ku ka një ekspozitë, ku ka një koncert, ku promovohet një talent me kosto zero. I mbaj mend shkrimet e asaj kohe dhe thoshin do ta bëjnë kafe për vete, do jetë me lekë, do jetë komerciale, ja ku jemi sot, në arenë një vit më mbrapa. Por njerëzit e arenës, ata që janë përditë në këtë betejë, ata mund të ndryshojnë gjërat. Ndaj iu ftoj që për gjërat që ju besoni, për gjërat që i keni të çmuara të zbrisni në arenë dhe të luftoni. Besoj se kushdo që ju paragjykon në një shoqëri që është cinike, që është dyshuese, që është skeptike, me të drejtë sepse kanë ndodhur shumë gjëra nga e kaluara, sigurisht që kjo lloj shoqërieju dekurajon.
 
Janë njerëz që thonë, - e pse kështu bëhet kjo, u bëre ti të na japësh mend neve, ti i ke akoma buzët me qumësht, ne kemi vite këtu vite të tëra, dhe e dimë si bëhet kjo punë. Mos u dekurajoni, janë tangërlliksit dhe cinikët që rrinë nëpër shkallët e stadiumeve, nëpër shkallët e arenave, por asnjëherë nuk zbresin në fushë. E ardhmja është për çunat dhe gocat që zbresin në arenë dhe bëjnë gjëra të mbrekullueshme.
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi