Fjala e plotë e Ministrit Arben Ahmetaj

I nderuar Sekretar i Shtetit z. Horzetzky

Ishte kënaqësi t’ju takoja një muaj më parë në Dusseldorf dhe është sërish kënaqësi t’ju takoj në Tiranë dhe t’ju uroj mirëseardhjen.

Titulli i tryezës së rrumbullakët, sa është interesant është edhe domethënëse, ‘Dialogu i parë i Landit me Shqipërinë dhe Kosovën’. Është ajo që ne kërkojmë, të shihemi në tregun ndërkombëtar si një treg rajonal dhe jo si një treg i vogël prej dy apo tre milionë konsumatorësh, por një treg që kalon kufijtë e Shqipërisë, kufijtë e Kosovës dhe përfshin të gjithë rajonin. Të vetëm jemi dy apo tre milionë konsumatorë, ndërsa të integruar në rajon, të hapur me tregun e Bashkimit Evropian, ne jemi 26 milionë konsumatorë dhe sigurisht që kthehemi në një treg më interesant dhe më atraktiv për investimet gjermane dhe për gjithë investimet e huaja.

Unë e besoj që Shqipëria është në një moment tejet interesant për zhvillimin e vet ekonomik. Kemi folur për një model të ri ekonomik. Kemi folur për një model të ri ekonomik të fokusuar nga prodhimi dhe në termin më modern të fjalës të zëvendësimit të importeve me prodhim dhe me eksporte. Të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare, të gjitha reformat që ne kemi marrë, synojnë që modeli ekonomik të bazohet pikërisht në këto terma që unë përmenda pak më parë dhe viti 2014, megjithëse ka qenë një vit tejet i vështirë nga ana ekonomike, vit që ne e quajmë viti i frenimit të rënies dhe konsolidimit, solli një element shumë domethënës gjithashtu të konsolidimit ekonomik.

Po të shohim strukturën e eksportit, në një vit ku çmimet e mineraleve dhe çmimi i naftës kanë lëvizur në rënie, madje në momente të ndryshme edhe 40%, në një kohë që një pjesë e mirë e eksportit të Shqipërisë është minerale dhe naftë, ne kemi arritur nëpërmjet zhvillimit të manifakturës të zëvendësojmë të gjithë rënien nga këto dy produkte, nga nafta dhe nga mineralet. Kjo tregon që Shqipëria po merr një kthesë interesante në zhvillimin e vet ekonomik duke u fokusuar tek industri të cilat janë më të qëndrueshme dhe më afatgjatë në rritjen, qoftë cilësore apo afatgjatë, dhe të konsoliduar.

Një shembull që unë kam dëshirë ta ndaj me ju është zhvillimi i manifakturës, i fokusuar nëpërmjet një paketë mbështetjeje jo fiskale, jo me subvencione, por me një fokus te elementët e produktivitetit. Besoj se pas një viti unë them me kënaqësi se: Po, ia dolëm të kemi një shembull shumë të mirë, një ingredient ekonomik shumë të mirë që tregon se në

qoftë se fokusohemi tek elementët e duhur, tek produktiviteti, nëse i kushtojmë industrive vëmendjen e duhur, kemi mundësi që të kalojmë në një stad të ri zhvillimi.

Përpara se të kaloj në detaje që dua t’i ndaj me ju, të cilët do t’ju ndihmojnë besoj në vitet që vijnë në gjithë marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë, unë dua të ndalem te disa reforma tejet të rëndësishme që bëjnë të mundur Shqipërinë si një vend interesant dhe destinacion investimesh.

Reforma e parë ka qenë reforma makroekonomike. Unë nuk kam nevojë t’i rikthehem historisë se si e gjetëm, se tashmë është tejet e njohur, mund ta përmbledh me një fjalë. Gjetëm një vend me një pikiatë në rënie të rritjes ekonomike, me borxhe të padeklaruara, madje edhe të pa-kontabilizuara, me një situatë klime biznesi tejet të rënduar. Na mars të 2015-ës ne mund të themi pa frikë se nëpërmjet reformave makroekonomike dhe stabilizimit fiskal Shqipëria nuk është në hartën e rrezikut makroekonomik, ndryshe nga disa vendet të rajonit apo edhe Bashkimit Europian, menjëherë ne besuam se marrëdhënia me biznesin do të duhej të ndryshonte dhe të gjitha iniciativat që ne ndërmorëm, qoftë iniciativa e deregulimit, që vetëm brenda paketës fiskale kishte 52 pika lehtësimi për biznesin, që ishin fiskale dhe proceduriale, ne arritëm të përmirësonim rankimin e vendit në raportin shumë prestigjioz të Bankës Botërore ‘Doing Business’ me 40 vende. Zbritëm nga vendi 108 në vendin 68. Nuk mjafton sepse shifrat përtej retorikës, qoftë të materializuar, na tregojnë që ne duhet të bëjmë më shumë. Investimet kapën shifrën 1 miliardë dollar, por nuk janë mjaft, dhe importi I makinerive dhe pajisjeve ka kapur shifrën 1 miliardë dollar ose më saktë 105 miliardë lekë. Pra, tregon se Shqipëria nga një vend i orientuar drejt konsumit të bazuar në gjeneratorë si ndërtimi apo me gjeneratorë të tjera siç janë remitancat, të ardhurat nga emigrantët, po fokusohet në prodhim.

Një nga reformat e tjera tejet të rëndësishme që vazhdon, është reforma energjetike. Pa këtë reformë ne nuk do të bëjmë dot të mundur që të tërheqim investime serioze në energji.

Reforma e pensioneve, e cila jo vetëm garanton një shëndetshmëri fiskale por mbi të gjitha, garanton që të gjithë ata që dalin në pension të kenë një pension të garantuar dhe një sistem të shëndetshëm financiar të pensioneve.

Gjithashtu, reforma territoriale që ndërmori qeveria, jo vetëm që do t’u japë mundësi njësive vendore që të kenë plane më të integruara zhvillimi, sigurisht që nga ana fiskale dhe nga ana e menaxhimit të territorit do të jetë një hov shumë i madh cilësor.

Nuk kanë mjaftuar, sigurisht. Unë do t’i kthehem asaj që tha ambasadori, vendi ka nevojë për reforma më të thella, vendi ka nevojë për investime të huaja në të gjithë sektorët dhe vendi ka nevojë për investime publike më të zgjuara.

Patjetër që dua të ndalem tek procesi i Berlinit. Personalisht kam pasur fatin që të shoqëroj Kryeministrin e vendit në atë konferencë, në atë samit ku Kancelarja Merkel me vendosmëri

thekson kthesën që Ballkani Perëndimor do të duhet të marrë në vitet që vijnë si rajon, pjesë e Europës, që meriton më shumë vëmendje qoftë nga vendet anëtare, qoftë nga Bashkimi Evropian, sigurisht me kushtin e rëndësishëm që vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të vazhdojnë reformat.

Me kënaqësi ndaj me ju që të gjitha raportet ndërkombëtare, qoftë të vendeve anëtare, qoftë të organizatave prestigjioze financiare, si FMN, BB dhe BERZH, e konsiderojnë Shqipërinë si kampion të reformave. Kjo ka bërë të mundur që ne të zhvillohemi, të rritemi 2.1% në 2014-ën. Nuk është mjaft dhe kjo është arsye pse ne jemi duke u fokusuar tek reformat e tjera që kanë të bëjnë kryesisht me klimën e biznesit dhe me thjeshtësimin e jetës së sipërmarrjes në Shqipëri.

Dua të ndaj me ju disa iniciativa shumë të rëndësishme ligjore që në rrjedhojë të tyre do të kenë edhe iniciativa konkrete. Është ligji i investimeve strategjike, i cili është sot në Parlament që jep mundësi për një ndjekje të shpejtë të investimeve për të gjithë investitorët, të ndarë në investitorë të asistuar dhe në investitorë strategjikë dhe krijon lehtësi të drejtpërdrejta për sipërmarrjen, duke detyruar administratën që të jetë korrekte në kthimin e përgjigjeve, në kohën e duhur dhe me cilësinë e duhur. Madje, ndaj me ju një fakt i cili në të dëgjuarin e parë mund të duket pak i çuditshëm, por unë besoj që punonjësit e administratës në bazë të këtij ligji, në rast se nuk përgjigjen në kohën e duhur, gjobiten nga AIDA, nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve. Unë besoj që ky është një instrument i cili e çon administratën në drejtimin e duhur.

Ligji tjetër është ligji i turizmit, i cili me ndryshimet që qeveria ka bërë dhe i ka paraqitur në Parlament, bën një ofertë shumë pozitive, shumë agresive për investitorët e huaj dhe vendas. Me kënaqësi ndaj me ju meqë jemi dhe në një tryezë me sipërmarrjen dhe me autoritetet gjermane se një nga kompanitë më prestigjioze gjermane në fushën e turizmit ka shprehur interes zyrtar tashmë, jo interes thjesht nga larg, ka bërë kërkesë zyrtare për të investuar në Shqipëri dhe për mua është një kënaqësi tejet e veçantë.

Në të njëjtën kohë, ne sapo kemi përfunduar në qeveri ligjin e zonave ekonomike, thënë në definicionin zyrtar, zonat teknologjike të zhvillimit. Jemi duke folur për zona të lira ekonomike në definicionin ekonomik. Pra, Shqipëria shumë shpejt, besoj në harkun kohor të një muaji e gjysmë, do të hapë një tender për zhvilluesin e zonës ekonomike të Spitallës, afërisht 200 hektarë dhe paketa që ne kemi përgatitur është jashtëzakonisht shumë konkurruese. Jemi duke afruar lehtësi fiskale brenda zonës. Po ndaj një nga lehtësitë, pesë vitet e parë do të jenë pa tatim-fitim për sipërmarrjen brenda zonës ekonomike. Pesë vitet e dytë do të jenë me gjysmën e tatim-fitimit, që është një lehtësi shumë e madhe. Një element interesant që e kemi përfshirë kohët e fundit, për çdo shpenzim në trajnim të punonjësve, shpenzimi do të njihet dyfish përsa i përket fiskut, duke lehtësuar ngarkesën mbi tatim-fitimin dhe mbi shpenzimet e kompanisë. Dhe jemi të bindur, gjë për të cilën jemi duke punuar dhe me Qendrën Ndërkombëtare për Zhvillim të Universitetit të Harvardit,

jemi shumë të bindur që nëpërmjet këtyre instrumenteve dhe nëpërmjet kësaj oferte kemi mundësi që të kemi një nga zonat e lira ekonomike më të mira në Evropë.

Së fundmi, dua të përmend një nga elementët që Ambasadori theksoi, konektiviteti. Konektiviteti si terminologji, është shumë interesant, u kthye në fjalor jo thjesht profesional, por edhe politik pas Konferencës së Berlinit. Shqipëria ka marrë rol jashtëzakonisht aktiv në bashkëpunimin rajonal për të paraqitur në Vjenë një hartë të konsoliduar, të përpunuar bashkërisht me Kosovën, me Serbinë, me Malin e Zi, me Kroacinë dhe me Maqedoninë. Frytet e para për Shqipërinë, sigurisht edhe për rajonin e për disa vende të tjera të Bashkimit Evropian, janë paraqitur edhe pas diskutimeve të fundit me Komisionin.

Dua të ndaj me ju një fakt zyrtar. Gjatë vizitës sime në Dusseldorf dhe në Berlin pata një takim me Zv. Kancelarin Federal Sigmar Gabriel dhe një nga kërkesat në emër të qeverisë shqiptare, në emër të Kryeministrit të vendit, ishte që Shqipëria e do ‘Adriatic Ionian Highway’, atë që ne e i referohemi si Autostrada e Kaltër, patjetër në hartën kryesore të rrjetit ndërlidhës të Bashkimit Evropian. Dhe me këmbënguljen tonë, me mbështetjen e Gjermanisë dhe me mirëkuptimin e Komisionit Evropian, sot ajo autostradë është pjesë e network-ut evropian, në kuptimin e prioritetit dhe të investimit.

Së fundmi, dua të them në emër të Ministrisë, që shpresoj të kemi treguar dhe shpresoj dhe gjithashtu jam i bindur se do të tregojmë më shumë në muajt dhe vitet që vijnë, mbështetjen që qeveria shqiptare dhe ne kemi bërë për investitorët gjermanë. Ne jemi të bindur që sa më shumë investime gjermane, sa më shumë investime të huaja të vijnë, aq më shumë shtet të së drejtës dhe sundim të ligjit do të kemi, sundim të ligjit edhe në aspektin ekonomik.

Me ju ndaj me kënaqësi edhe një fakt shumë të thjeshtë por shumë domethënës për mua. Kemi pasur një përpjekje për të tërhequr një investitor gjerman në industrinë e pjesëve për automobila dhe fatmirësisht lajmi është që ajo kompani në dy muajt e fundit ka vendosur të fillojë prodhimin në Shqipëri dhe ka filluar të ndërtojë instalimin e kantierit të vet.

I nderuar Sekretar i Shtetit,

I nderuar Ambasador,

Unë shpresoj që nëpërmjet këtij bashkëpunimi dhe dialogu ne të arrijmë së pari, të shkëmbejmë me njëri-tjetrin eksperiencat, të shkëmbejmë problemet dhe të shkëmbejmë gjithashtu edhe element në ndihmë të vizionit të qeverisë shqiptare dhe në ndihmë të sipërmarrjes. Unë besoj që sa më shumë investime të huaja të vijnë aq më shumë nevojë do të kemi ne të përmirësojmë aftësitë profesionale, kualifikimin e fuqisë punëtore dhe besoj se shembulli gjerman i trajnimit profesional është fantastik dhe ka shumë mundësi të japë promovim të fuqisë punëtore dhe të investimeve të huaja, dhe të jetë i suksesshëm për uljen e papunësisë në Shqipëri.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave