Zonja dhe zotërinj,
Ju falënderoj për mikpritjen!
Jam shumë i kënaqur që shoh kaq shumë pjesëmarrës sot, dhe mirëpres diskutimin tonë.

Personalisht, me Holandën kam një lidhje të veçantë, duke qenë se kam studiuar në Leiden - njëlloj si kolegu im, Ministri i Energjetikës dhe shumë studentë të tjerë shqiptarë në institucione të ndryshme të arsimit të lartë në Holandë.

Gjithashtu, edhe si Ministër i Punëve të Jashtme, kam një lidhje të ngushtë me Holandën. Mund të përmend këtu se viti i kaluar shënonte 100-vjetorin e misionit paqeruajtës të oficerëve holandezë në Shqipëri, misioni i parë paqeruajtës në Evropë. 
Në veçanti, do të doja të përmendja marrëdhënien ndërmjet MPJ-së dhe Institutit Clingendael, i cili ka hapur dyert dhe ekspertizën e saj për diplomatët e rinj nga Shqipëria prej afërsisht 20 vjetësh. Nëse do të përmblidhja me një fjalë të vetme përshtypjet e diplomatëve të rinj pas rikthimit në Tiranë, ajo do të ishte: "të frymëzuar". Kjo nuk është diçka e lehtë për t’u arritur në ditët e sotme, kështu që dua të përfitoj nga ky rast dhe t’ju falënderoj! 
Tani, më lejoni të vazhdoj me temën e sotme: "Kur është një rajon një rajon i vërtetë?"

Një rajon mund të formohet nga gjeografia, nga gjuha, nga kultura, nga feja, nga zyra lokale e marketingut... Dhe nëse një entitet mund të quhet një rajon, kjo varet nga perspektiva juaj. 
Nga këndvështrimi im, përkrah gjuhës së përbashkët, kulturës, fesë, dhe gjeografisë ... një rajon është rajon i vërtetë, kur njerëzit e tij vendosin që duan të jetojnë së bashku.

Mungesa e komunikimit, pengesat gjeografike, edhe një histori fatkeqe mund të tejkalohen, kur një rajon bazohet në vlera të përbashkëta; dhe vlerat për të cilat ne kemi deklaruar angazhimin tonë, janë ato vlera mbi të cilat BE-ja është ndërtuar. 
Megjithatë, unë hezitoj ta quaj Ballkanin Perëndimor një rajon të vërtetë, edhe pse mund të jetë e natyrshme nga ana gjeografike. Por afërsia gjeografike nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të jemi të bashkuar, dhe nuk e kam fjalën vetëm për bashkimin si një qëllim, por për koordinim dhe partneritet.

Ballkani Perëndimor ka pasur një rrugë të vështirë gjatë dy dekadave të fundit: kemi parë fqinjët tanë teksa përjetonin gjakderdhje, shkatërrim e dobësi; si një demokraci e re, edhe ne kemi pasur sfidat tona. Por tashmë, kemi filluar të kuptojmë njëri-tjetrin, rëndësinë e vlerësimit të dallimeve tona dhe shfrytëzimin e pikave të forta që kemi.

Më lejoni t'ju jap një shembull: nëntorin e kaluar, Kryeministri i Shqipërisë zhvilloi vizitën e parë të një lideri shqiptar në Serbi që prej vitit 1946. Kjo nuk ishte e lehtë, por ndihmoi për të krijuar kushtet për një marrëdhënie normale mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila është kyç për stabilitetin demokratik të rajonit dhe avancimin e saj drejt BE-së.

Por ne nuk duhet të harrojmë se BE-ja e 2015-ës është krejtësisht e ndryshme nga ajo e Samitit të Selanikut në 2003, ku termi Ballkan Perëndimor u krijua dhe BE-ja u angazhua plotësisht për të përqafuar rajonin tonë përgjithmonë.

Çerek shekulli pas rënies së Murit të Berlinit, jemi sërish në kërkim të një rendi të ri ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, procesi i ribashkimit të kontinentit tonë mbetet i papërfunduar.

Ne jetojmë në një kohë kur parimet dhe praktikat e pranuara universalisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë janë vënë në pikëpyetje. Projekti evropian, Evropa, dhe fqinjët e saj jugorë dhe lindorë po tronditen nga siguria, energjia dhe sfidat humanitare. 
Veç kësaj, retorika në Evropë ka ndryshuar gjithashtu, duke përfshirë: lodhjen nga zgjerimi, “Grexit”, “Brexit” dhe ndarjet perëndim-lindje dhe veri-jug.

Ndërkohë, platformat kundër BE-së po fitojnë terren dhe islamofobia po luhet në duart e partive populiste. Ç’do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?

Megjithatë, qytetarët e Ballkanit Perëndimor ende identifikohen me projektin evropian. Ata besojnë në parimet e BE-së dhe e konsiderojnë integrimin në BE si procesin e vetëm që garanton transformim demokratik dhe zhvillim socio-ekonomik. BE-ja është ende tërheqës.

Vlen të përmendet se orientimi i Ballkanit Perëndimor drejt BE-së ka krijuar gjithashtu një shkallë solidariteti ndërmjet vendeve tona.
Por, deri ku shkon ky solidaritet i frymëzuar nga Brukseli? Kriza në Ukrainë ka treguar se ai ka kufijtë e tij kur interesat dhe agjendat kontradiktore kombëtare vihen në lojë.

Shqipëria ka një rekord absolut në pozicionimin me BE-në në politikën e jashtme; jo të gjithë në Ballkanin Perëndimor e kanë. Kjo do të thotë se ne ende nuk jemi dhe nuk veprojnë si një rajon i vërtetë.

Evropa përballet me një sërë provash:
- Sfidat për sovranitetin e një fqinji, që nuk premtojnë të përfundojnë me kaq;
- Terrorizmi në periferi;
- Individë të radikalizuar që kthehen për të përhapur ideologjitë e tyre ekstremiste në Evropë;
- Pasiguri ekonomike. 
E kuptoj mjaft mirë që skepticizmi në rritje për BE-në vjen nga frika për dështimin e tij. Por nuk mund të mos vihet re natyra paradoksale e këtij ligjërimi.:
- Në Shtetet Anëtare, debati në lidhje me BE-në është i gjithi për konsolidimin fiskal, shpenzimet publike, papunësinë, emigracionin;
- E parë nga jashtë, BE-ja mbetet modeli më tërheqës për paqen, stabilitetin demokratik, mirëqenien sociale dhe suksesin ekonomik. 
Nëse Ballkani Perëndimor është në paqe tani, kjo paqe nuk duhet të merret si e mirëqenë.

Ka ende mosmarrëveshje dhe procese demokratike të ngrira të cilat përforcojnë mendimin tim se rajoni ynë nuk është ende një rajon.

Rreziqet për destabilitet në Ballkanin Perëndimor janë serioze, si për rajonin gjithashtu edhe për Evropën. 
BE-ja ka kapacitetin për të parandaluar dobësinë e Ballkanit Perëndimor që të kthehet në paqëndrueshmëri.

Integrimi më i thellë brenda Ballkanit Perëndimor dhe një vrull i ri në procesin e pranimit në BE do të sigurojë sigurinë e vetë BE-së. 
Kriza në Ukrainë nënvizoi rëndësinë e furnizimit të sigurt dhe të besueshëm të energjisë për qytetarët dhe ekonominë e BE-së.

“BE-ja duhet të sigurojë krahun e saj jug-lindor, ku projekte energjetike rajonale si TAP dhe IAP po marrin një rëndësi parësore. Këta dy gazsjellës, në përputhje me Strategjinë e BE-së për Sigurinë Energjetike, do të luajnë një rol të rëndësishëm për diversifikimin e burimeve si dhe për krijimin e një tregu rajonal të integruar, që do të funksionojë sipas rregullave dhe standardeve të BE-së.”

Zonja dhe zotërinj, 
“As Bashkimi Evropian dhe as Ballkani Perëndimor nuk e kanë luksin të mbeten peng e një qasjeje pasive, e cila nuk siguron instrumente të fuqishme në mbështetje të rajonit. Nuk mund të lejojmë që procesi i anëtarësimit në BE të mbetet një perspektivë e largët. Përkundrazi, integrimi duhet të shndërrohet në një garanci të prekshme. Kjo është e vetmja mënyrë që politikat e Komisionit Evropian dhe angazhimi i vendeve anëtare të japin rezultate konkrete.”

Gushtin e kaluar, kancelarja gjermane Angela Merkel drejtoi samitin në Berlin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo që ne e quajmë "Procesi i Berlinit", është një mundësi për të rigjallëruar procesin e pranimit në BE dhe për ta ndihmuar atë të mbetet një mjet për të transformuar Ballkanin Perëndimor në një entitet me demokraci të qëndrueshme dhe ekonomi të begatë.

Këtë gusht që vjen, Procesi i Berlinit do të vazhdojë me një tjetër samit në Vjenë. Përpara samitit, Shqipëria në mënyrë aktive po koordinon përpjekjet për të pasur një paketë koherente të projekteve infrastrukturore që do të rrisnin lidhjen e rajonit. 
Ndërlidhja rajonale mund të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit në rritje që ekziston në sajë të afërsisë gjeografike. Një rajon i integruar më mirë do të përshpejtonte edhe rritjen gjithëpërfshirëse, dhe të zvogëlonte hendekun mes liderëve dhe atyre që kanë mbetur në të kaluarën.

Unë besoj se është në interesin e të gjitha shteteve anëtare të BE-së, dhe veçanërisht i Holandës që ky proces te jetë i suksesshëm.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!