I nderuar ministër Minniti,
të nderuar pjesëmarrës,
Faleminderit për praninë tuaj sot këtu dhe veçanërisht për fjalët e ngrohta ndaj vendit dhe popullit tim, shenjë e miqësisë së jashtëzakonshme midis dy vendeve e dy popujve tanë miq.
Të nderuar zonja e zotërinj ambasadorë, kolegë deputetë, miq dhe të ftuar !
Të nderuar punonjës të policisë së shtetit !
Jemi sot këtu në një event të veçantë dhe shumë të mirëpritur : Prezantimin e rezultateve të operacionit kundër kultivimit të kanabisit, rezultate që sapo patëm kënaqësinë ti njohim nga paraqitja tejet profesionale e bërë nga misioni i policisë italiane, mision që prej vitesh realizon këtë proces monitorimi në vendin tonë.
Kanë kaluar shumë pak muaj nga koha kur nën kujdesin personal të Kryeministrit Rama u hartua dhe u miratua Plani i Veprimit Kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit.
Mbështetur mbi një analizë të plotë dhe të kujdesshme të shkaqeve dhe arritjeve në luftë kundër këtij fenomeni, përfshi dhe gabimet e bëra, ky dokument strategjik hodhi bazat e një organizimi shtetëror gjithëpërfshirës – me rezultatet e të cilit u njohëm sot!
Vetëm 7 muaj më parë, më 27 mars 2017 në një ceremoni të thjeshtë të organizuar me rastin e marrjes nga ime të detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, së bashku me KM deklaruam se 2017 do të ishte fundi i një historie të gjatë të kultivimit të kanabisit, të vendosur për heqjen njëherë e përgjithmonë të Shqipërisë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit. Të shumtë ishin mosbesuesit. Kishte dhe cinikë, tallës si edhe zhurmues.
Megjithë lumin e akuzave, shpifjeve, çjerrjeve dhe kakofonisë, ne zgjodhëm heshtjen. Heshtjen e njeriut që punon, me përkushtim dhe mund ndaj misionit sublim.
Përkushtimi, mundi dhe sakrifica e njërëzve të ndershëm sot foli. Punonjës të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunëtorë të mi – ne ja dolëm me sukses në këtë hap të parë të rrugëtimit tonë !
Faleminderit të gjithëve atyre që besuan tek qeveria, tek unë si ministër, si dhe tek bashkëpunëtorët e mi. Besimi juaj ishte motivimi ynë!
Vlerësime të përzemërta dhe respekt për ato gra dhe burra, vajza dhe djem të sakrificës njerëzore në Policinë e Shtetit, drejtuesit e tyre dhe ekipit tim në Ministri të cilët dëshmuan përgjegjshmëri dhe përkushtim gjatë kësaj beteje aspak të thjeshtë.
Mirënjohje dhe përgëzime oficerëve të mrekullueshëm të policisë italiane dhe veçanërisht atyre të Guardia di Financa dhe Interforca për asistencën pavarësisht rrezikut, monitorimet me ndershmëri dhe tiparin dallues të thjeshtësisë dhe përkushtimit në punë !
Thonë që historia përsëritet nëse harrojmë gabimet e së shkuarës.
Sot është vendi dhe momenti të kujtojmë që më 18 Gusht 2004, një helikopter i Policisë së Shtetit Italian, i cili po fluturonte mbi Lazarat në një mision rutinë monitorimi të plantacioneve të mbjella me kanabis në këtë zonë, u qëllua nga brenda fshatit. U plagos një oficere policie. Rrezikoi jetën një oficer i lartë policie i vendit mik Italisë. Sipas raporteve zyrtare të kohës, në fshat prodhoheshin çdo vit rreth 900 tonë kanabis.
I lakuar rëndom në median ndërkombëtare si një “bastion” i trafikantëve të kanabisit, Lazarati ishte një fshat i paaksesueshëm nga policia e asaj kohe.
Lazarati, Dukagjini dhe Lumi i Vlorës ishin shndërruar në simbole të bashkëjetesës mes shtetit dhe krimit, në kurriz të të ardhmes dhe reputacionit të një populli të tërë. Sot bastionet e krimit dhe zonat e ndaluara për policinë i përkasin të shkuarës.
Disa vjet më parë monitorimi nga ajri filloi vetëm pas një presioni të madh të BE. Sot jemi ne që kërkojmë me insistim që ky proces edhe pas këtyre rezultateve fantastike të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
Një vit më parë, në 2016, u konstatua një rritje e ndjeshme e sipërfaqeve të kultivimit të kanabisit në pjesë të ndryshme të territorit. Nga euforia, nga paaftësia e strukturave tona apo nga aftësia dhe sofistikimi i krimit, mbetet për tu analizuar. Një gjë është e sigurtë. Dëmi ishte i madh dhe shumëplanësh.
Në këtë sipërmarrje kriminale u përfshinë shumë fermerë të pafajshëm, të gënjyer duke sjellë jo vetëm inkriminimin e tyre, por gjithashtu duke zhbërë interesin tyre për zhvillim normal bujqësor të tokave të tyre.
U përfshinë në një mënyrë, ose në një tjetër disa oficerë policie, të cilët mësë paku duket se ishin të paaftë të përmbushnin detyrat e ngarkuara nga ligji. Shumë punonjës të tjerë policie heshtën ndaj këtij fenomeni në shkëmbim të shpërblimit apo edhe prej frikës.
Por gjithësesi, është realiste dhe e drejtë të evidentohet fakti se në më pak se një vit më parë nga sot, qeveria reagoi ndaj këtij fenomeni duke e njohur realitetin dhe me vullnet të qartë, me përgjegjëshmëri politike ndërmori një kompleks masash. Reaguam fort dhe pa ekuivoke dhe rezultati është ky që u bë publik sot.
Edhe këto pak fakte do të mjaftonin për të kuptuar se sa gjëra kanë ndryshuar në pak kohë. Nga një kohë kur kanabisi ishte institucion dhe trafikantët e tij ishin autoritet, sot është një kohë kur autoritet është shteti dhe institucion është ligji !
Gjithshka falë edhe burrave e grave të policisë së shtetit, që edhe ata mësuan nga gabimet e tyre, dhe me një drejtim e organizim më të mirë të punëve në pak kohë realizuan këtë ndryshim të madh.
Ne e bëmë këtë edhe falë miqëve e partnerëve tanë ndërkombëtar, si Italia mike që kurrë nuk na kanë lënë vetëm, por na ka mbështetur dhe ndihmuar të ecim përpara. Në vendin tim ka një shprehje të urtë “Miku i mirë në ditë të vështira njihet”.
Faleminderit zoti Ministër për bashkëpunimin e sinqertë pa kushte dhe kryesorja për miqësinë e veçantë që na keni shprehur.
Ne kërkojmë të punojmë së bashku sepse edhe qëllimet i kemi të përbashkëta. Ndihma dhe mbështetja juaj në këtë betejë edhe vitin e ardhëshëm do të kontribuoj për ta konsoliduar këtë standart.
Të nderuar miq !
Me rezultatin e këtij viti ne kemi hedhur një hap përpara shumë domethënës.
Jemi të bindur se ky është vetëm një stacion në luftën tonë. Duhet të jemi modestë !
Beteja vazhdon edhe më e fortë, tashmë me ata që e kanë financuar dhe organizuar këtë biznes kriminal – me grupet kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe drogës në përgjithësi.
Nuk është nje betejë e lehtë. Ajo nuk bëhet as për një ditë e as për një muaj ! Rezultatet e para janë premtuese. Jemi të vendosur ti ndjekim hap pas hapi ata dhe të ardhurat e tyre kriminale.
Jemi të vendosur ta fitojmë këtë betejë !
Faleminderit të gjithëve !