Fjala e plotë e ministrit Fatmir Xhafaj në Komisionin e Sigurisë

Prezantimi nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i projektligjit "Për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, në Ministrinë e Brendshme (Vetting-u)” në Komisionin për Sigurinë Kombëtare:

Faleminderit znj.Kryetare e Komisionit të Sigurisë,

Zotërinj anëtarë të këtij komisionit të nderuar, të pranishëm në mbledhjen e sotme,

Projektligji që po paraqesim ka si qëllim kyç të tij të ndihmojë në krijimin e institucioneve të forta dhe të besueshme në fushën e sigurisë me profesionistë me integritet si garanci për më shumë rend dhe siguri në vendin tonë.

Projektligji me procesin e rivlerësimit që mendohet të kryhet synon: - nga njëra anë të spastrojë radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nga individët që në ushtrimin e detyrës kanë probleme me kriteret e integritetit, që mund të jenë të përfshirë në afera korruptive dhe në lidhje kriminale si dhe që gjithashtu mund të jenë dhe rezultojnë të paaftë profesionalisht në ushtrimin e detyrave të rëndësishme që u janë besuar. Dhe, nga ana tjetër, ka si qëllim të evidentojë, mbështesë dhe promovojë fort ata punonjës të Policisë së Shtetit, të Gardës, të SHÇBA-së, që plotësojnë kriteret ligjore, morale e profesionale për të shërbyer në këto struktura kyç për rendin dhe sigurinë.

Projektligji synon gjithashtu që në përfundim të këtij procesi: - nga njëra anë të rritet e forcohet besueshmëria brenda radhëve dhe strukturave të këtyre institucioneve që kanë si parakusht punën dhe veprimin si skuadër dhe në mbrojtje të njeri tjetrit përball fenomeneve të krimit dhe terrorizmit. Dhe nga ana tjetër të rrisë besueshmërinë e qytetarëve te institucionet tona të sigurisë dhe njerëzit që shërbejnë në to si një element i rëndësishëm i besueshmërisë së tyre te vetë shteti.

Për këtë projekt u punua në 3 muaj në 3 faza, në:

-Hartimin e një analize të thellë të gjendjes ekzistuese në këtu 3 struktura të rëndësishme të sigurisë në vend;

-Hartimin e një strategjie për objektivat e procesit të “vetting-ut” bazuar në analizën e kryer;

Dhe mbi këto dy dokumente u hartua kjo paketë ku ligji që është dokumenti kyç, akti kyç i këtij procesi, është sot për diskutim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Analiza e gjendjes ekzistuese ishte një domosdoshmëri për të njohur problematikën, fenomenet dhe për të pasur, për të ndërtuar mbi to, zgjidhjet për të adresuar këto problematika. Dhe për kryerjen e kësaj analize u morën në konsideratë:

-analiza të brendshme që janë zhvilluar brenda këtyre 3 institucioneve në vite;  

-Raporte të DASH-it dhe raport-progreset e BE-së në vite;

-Raporte dhe dokumente të misioneve dhe programeve të specializuara që asistojnë këto 3 institucione dhe kryesisht ICITAP dhe PAMECA;

-Analizat vjetore të Prokurorisë së Republikës;

-Raporte të ndryshme të organizatave të shoqërisë civile që janë bërë publike në vite;

-Si dhe anketime të vetë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe publikut.

Nga analiza rezultuan natyrisht probleme që lidhen me integritetin dhe figurën e punonjësve, korrupsioni në radhët e tyre dhe paaftësi, gjithashtu, prezente në një pjesë të mirë të strukturave; mungesë objektiviteti në analizat e brendshme të vetë strukturave në vlerësimin e performancës së punonjësve; disa vlerësime negative në vite nga partnerët ndërkombëtarë për aspekte të veçanta të mirëfunksionimit të këtyre institucioneve si dhe opinione natyrisht të shoqërisë civile dhe publikut në sondazhe apo vlerësime të ndryshme të bëra në vite.

Në ndërtimin e këtij projektligji ne kemi synuar që procesi të garantojë në çdo hap të tij, së pari: - pavarësi dhe paanshmëri; së dyti, transparencë dhe besueshmëri për vetë punonjësit që do të jenë pjesë e këtij procesi por edhe për publikun që e dëshiron dhe është shumë i interesuar për produktin e këtij procesi, që të sigurojë gjithëpërfshirje në këtë proces, nëpërmjet marrjes së informacioneve nga publiku apo përfshirjes së vetë punonjësve në procesin e vlerësimit, për dhënien e vlerësimeve përkatëse; si dhe që të jetë një proces sa më i monitoruar dhe i këshilluar nga afër nga partnerët ndërkombëtarë.

Procesi i vlerësimit ka në themel të tij 3 shtylla, është i ndërtuar mbi 3 shtylla: -në kontrollin e figurës; të pasurive; dhe profesionalizmit të punonjësve.

Me qëllim garantimin e plotë të pavarësisë, paanshmërisë së procesit, zgjidhja optimale ishte hartimi dhe miratimi i një ligji të posaçëm për këtë qëllim.

Ky ishte edhe thelbi i rekomandimit të partnerëve ndërkombëtarë që janë përfshirë aktivisht në procesin e formësimit të këtyre dokumenteve që lidhen me këtë proces dhe veçanërisht të projektit i cili sot është për shqyrtim dhe miratim në mënyrë që për të garantuar në aplikimin e këtij procesi, standarde sa më të mira ndërkombëtare.

Procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen vetëm ata punonjës që kanë gradë policore apo grada të tjera brenda këtyre 3 strukturave.

Procesit të vlerësimit do të mund t’i nënshtrohen me vullnetin e tyre, edhe ish-punonjës policie, të cilëve u lejohet kthimi sipas gradës që kishin në momentin e largimit, sipas nevojave dhe mundësive që kanë dhe vetë institucionet. Këta punonjës mund të rikthehen nëse janë larguar si pasojë e ristrukturimeve të vazhdueshme. Mund të rikthehen gjithashtu edhe nëse janë larguar me masën “përjashtim”, kur kjo është shfuqizuar me vendim gjykate të formës së prerë. Natyrisht mund të rikthehen nëse në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, nuk janë më shumë se 47 vjeç. Ky kriter moshe në ligj është i lidhur me parashikimet që janë në ligjin aktual për Policinë e Shtetit, ku përcaktohet se punonjësit që kanë mbushur këtë moshë mund të përfitojnë pension të parakohshëm. Kjo lidhet dhe me një tërheqje vëmendjeje të vazhdueshme që kemi pasur edhe në raportet e ndryshme ndërkombëtare, për rinovimin e strukturave të sigurisë dhe në mënyrë të veçantë të Policisë së Shtetit. Dua të bëj me dije faktin se mosha mesatare e punonjësve të Policisë së Shtetit sot është ndër më të lartat në rajon.

Projektligji propozon që kriteret e vlerësimit të jenë të ngjashme pak a shumë me të njëjtat kritere rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra, siç thashë edhe më lart, bazohet në vlerësimin e figurës, pasurisë dhe profesionalizmit të punonjësve të 3 institucioneve.

Për sa i përket çështjeve që lidhen me figurën do të jenë objekt verifikimi:

-Identiteti i tanishëm dhe të shkuarës së punonjësve;

-Lidhjet me eksponentë të krimit duke u fokusuar në mënyrë të veçantë tek elementë që tregojnë se punonjësi i policisë apo i këtyre strukturave ka dhënë përkrahje apo mbështetje ndaj aktiviteteve kriminale.

-Për sa i përket pasurisë ndër të tjera do të jenë objekt verifikimi: - Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi, posedim apo përdorim; të ardhurat dhe burimet e tyre; shpenzimet bazë të jetesës dhe një sërë kërkesash të tjera.

Për sa i përket profesionalizmit ndër të tjera do të jenë objekt verifikimi vlerësimet e punës, dokumentet e prodhuara, procedimet disiplinore në vite, testimet akademike që mund të kenë bërë apo që mund të bëjnë gjatë këtij procesi.

Organet e vlerësimit, siç mund ta keni lexuar në ligjin do të ndërtohen në raport me sistemin e gradave që kanë aktualisht këto tre institucione në mënyrë të veçantë në Policinë e Shtetit. Sistemi i gradave lejon ndarjen në tre kategori kryesore, grada të larta, të mesme dhe të ulëta. Këto korrespondojnë respektivisht 300, 3000 dhe 9000 punonjës.

Kjo ndarje e lehtëson procesin dhe na mundëson që të kemi një konceptim të organeve që do të kryejnë vlerësimin sipas një sistemi “kaskadë”, me tre faza.

Organet e vlerësimit do të fillojnë vlerësimin e gradave të larta dhe do të jenë të përbëra kryesisht me punonjës të rekrutuar nga jashtë sistemit dhe që integrohen, plotësohen në vijim për dy fazat e tjera me punonjës të vetë këtyre institucioneve, që kanë kryer tashmë procesin e vlerësimit, në fazën e parë për ata që vetohen në grupin e dytë - dhe për ata që kanë kryer testimin në fazën e dytë - për ata që do t’i nënshtrohen testimit në grupin e tretë pra për gradat e nivelit të ulët.

Kështu, siç e parashtrova, do të kemi në fazën e parë testimin ose vetimin për 300 punonjës që përbëhet nga një komision i jashtëm nga 15 anëtarë. Do të kemi në fazën e dytë testimin për rreth 3000 punonjës që vlerësimi do të kryhet nga një komision me 45 anëtarë,15 anëtarë të fazës së parë dhe 30 anëtarë që vijnë nga radhët e atyre që janë testuar në fazën e parë me grada të larta dhe në fazën e tretë do të jetë numri prej 9 000 punonjësish që është parashikuar sigurisht një komision me 45 plus 90 anëtarë të rinj, rreth 135 anëtarë të këtyre komisioneve.

Projektligji ka parashikuar mënyrën se si formohen komisionet në fazën e parë nga ILDPKI, nga pedagogët dhe me konkurrim të hapur publik në bazë të meritës.

Është përcaktuar një bord i cili do të kryejë vlerësimin për përzgjedhjen e kandidatëve të pranueshëm dhe që plotësojnë kriteret sipas këtij ligji. Komisionet duke mbajtur parasysh edhe përvojën që është ndërtuar edhe me komisionet e Vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të funksionojnë si Trupa Vlerësimi të përbëra nga tre anëtarë secili. Natyrisht do të kenë edhe një rregullore të brendshme funksionimi në procesin e vlerësimit të tyre dhe mënyrën se si do të rregullojnë veprimtarinë e brendshme të tyre, por edhe raportin me Sekretariatin Teknik, me stafin teknik që do të ndihmojë për të përballuar këtë volum të jashtëzakonshëm pune.

Për të mos u zgjatur, projektligji ka parashikuar një sërë procedurash të ndarë në 6 hapa kryesor, që nga dorëzimi i deklaratave individuale brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e projektligjit, deri tek procesi që zhvillohet në seanca dëgjimore dhe pastaj marrja e vendimit nga komisionet e vlerësimit.

Llojet e vendimeve mund të merren do të jenë 4, konfirmimi në detyrë për ata që kalojnë me sukses testin e Vetting-ut, detyrimi për trajnim për ata që kanë thjesht dhe vetëm probleme në formimin e tyre dhe në aftësitë e tyre profesionale, emërimi në detyrë për ish-punonjësit që kalojnë testin e Vetting-ut dhe përjashtim nga detyra për të gjithë ata që nuk kalojnë testin e Vetting-ut dhe në mënyrë të veçantë dy kriteret e para që janë edhe përcaktuese.

Natyrisht projektligji përcakton edhe të drejtat e subjekteve, pra të punonjësve që vetohen gjatë gjithë procesit. Punonjësit që vetohen gjatë procesit të vlerësimit kanë të gjitha të drejtat e një procesi të rregullt ligjor për t’u vlerësuar në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të objektive. Të informohet në kohë për raportet e hartuara nga organet e vlerësimit për secilin prej tyre. Të kërkojë marrjen e të dhënave apo dokumenteve shtesë që gjykon dhe që janë në favor të tij. Të dëgjohet në seancë dëgjimore dhe të japë shpjegime për çfarë ngarkohet dhe të mbrohet vetë apo nëpërmjet një përfaqësuesi si dhe në fund ajo që është një e drejtë kushtetuese, të ankohet para organeve gjyqësore kundër vendimit për përjashtim dhe largim nga detyra.

Natyrisht i gjithë ky proces nuk mund të përballohet i vetëm dhe kërkon padyshim bashkëpunimin me institucionet publike. Të gjitha institucionet publike sipas këtij ligji janë të detyruara të vënë në dispozicion informacionet që posedojnë mbi punonjësit subjekt të procesit të vlerësimit.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces siç e parashtrova jo thjesht dhe vetëm në hartimin e këtyre dokumenteve dhe vetë projektligjit, por edhe në zbatimin e tij do të kenë edhe partnerët ndërkombëtarë, posaçërisht PAMECA dhe ICITAP pritet të kenë rol të rëndësishëm vlerësues, monitorues dhe këshillues përgjatë gjithë procesit.

Ndërkohë siç e patëm trajtuar edhe në takimin që pata me Komisionerin Avramopoulos, Brukseli po shqyrton mundësinë e një prezence prej tyre, për ta ndjekur në vijimësi procesin dhe për ta monitoruar dhe për ta certifikuar atë hap pas hapi, për përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare.

Për konsultimin e projektligjit janë organizuar një sërë takimesh, konsultash me punonjës të Policisë së Shtetit, punonjës të këtyre strukturave. Tryeza konsultimi me përfaqësues të institucioneve publike që janë pjesë e këtij procesi dhe marrin përgjegjësi në kuadër të këtij procesi. Me shoqërinë civile dhe kryesisht me ato organizata të shoqërisë civile që në vite janë angazhuar në trajtimin e çështjeve të kësaj natyre si dhe dy takime me përfaqësues të misioneve diplomatike të akredituar në Republikën e Shqipërisë. Një takim në nivel teknik me të gjithë oficerët e kontaktit dhe agjencitë monitoruese që veprojnë në vendin tonë dhe një takim në nivel diplomatik, në nivel ambasadorësh, lidhur me çështjet për të konsultuar përmbajtjet, qëllimin, pritshmërinë dhe standardet në këtë projekt, takime të cilat kanë qenë tejet të dobishme për shkak të kontributeve që janë dhënë, por edhe mbështetjes që kemi marrë në domosdoshmërinë e këtij projekti.

Projektligji është dërguar për mendim Avokatit të Popullit, ministrive përgjegjëse para kalimit në qeveri, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, opinionet e të cilëve janë reflektuar në përmbajtjen e këtij projektligji.

Dëshiroj të bëjë me dije se në përputhje me ligjin për konsultimin publik ky projekt nga data 9 janar 2018 është i shpallur publik në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme si dhe i është dhënë në përdorimin cilitdo që ka parashtruar kërkesën për t’u njohur me këtë projekt.

Ne besojmë fort se ky projektligj do t’u japë këtyre strukturave kyçe të sigurisë autoritet në zbatimin e ligjit, integritet njerëzve të këtyre strukturave në veprimtarinë e tyre. Besueshmëri në rritje të qytetarëve ndaj këtyre institucioneve dhe kryesorja gjithashtu, eficencë dhe forcë në luftën kundër krimit në përgjithësi, krimit të organizuar në veçanti dhe terrorizmit.

Ne shpresojmë dhe besojmë që me kontributin tuaj dhe vlerësimet tuaja ky projektligj do të jetë shumë shpejt i zbatueshëm dhe që do të hapi një faqe të re në performancën dhe autoritetin e këtyre tre institucioneve tejet të rëndësishme për sigurinë dhe rendin publik në vendin tonë. Shumë faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar