Fjala e plotë e Presidentit Buajr Nishani në dekorimin e Ambasadores Di Carlo dhe Rabinin Artur Schneie

E nderuara Ambasadore Di Carlo,
I nderuar Rabini Schneier,
Shkëlqesi Ambasadorë; Ambasadori Hoxha,
Zonja dhe Zotërinj!
Të dashur miq dhe bashkëkombas të pranishëm!
 
Jam i nderuar që ndodhem këtu mes jush, personaliteteve të rëndësishme të jetës politike, diplomatike e shoqërore amerikane, por edhe mes bashkatdhetarëve tanë të spikatur shqiptaro-amerikanë dhe miqve tanë të lashtë hebrenj. Mund t’ju them pa kurrfarë hezitimi se ndihem, së bashku me bashkëshorten time dhe anëtarët e delegacionit tim, sikur të ishim në shtëpinë tonë, paçka se ndodhemi në zemër të Manhatanit.Ju falënderoj pamasë për mikpritjen e ngrohtë dhe për mundësinë që t’ju drejtohem shkurtimisht për të shprehur mirënjohjen personale dhe institucionale  ndaj këtij vendi të pamat dhe qeverive e zyrtarëve të tij, ndaj aleatit e partnerit tonë më të madh strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
 
Para më shumë se  një shekulli Presidenti Uilson mbrojti vendosshmërisht pavarësinë e brishtë të Shqipërisë, dhe që nga ajo kohë ky vend dhe komb i rrallë në botë nuk reshti së përkrahuri, ndihmuari dhe mbrojturi kombin shqiptar. Rastet janë të panumërta që nga Lufta e Dytë Botërore, në të cilën luftuam së bashku kundër aksit të së keqes, për të vazhduar me dhënien e shpresës gjatë periudhës së errët të diktaturës komuniste, konsolidimin e demokracisë së re dhe institucioneve të pavarura shqiptare, shpëtimin e kosovarëve nga gjenocidi serb, tek mundësimi, përkrahja dhe njohja e mëvetësisë së shtetit më të ri në Ballkan – të Kosovës, – tek anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e deri tek rreshtimi krah për krah si aleatë dhe partnerë besnikë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe misionet paqeruajtëse.
 
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë të lidhura pazgjidhshmërisht tashmë, marrëdhëniet tona dypalëshe e të gjithanshme, janë kulmin e tyre, kombi shqiptar por e farkëton dita-ditës miqësinë dhe lidhjet me atë amerikan dhe i gjithë ky realitet është bërë i mundur edhe në saje të kontributit dhe punës së palodhur e përkrahjes së zyrtarëve amerikanë të Uashingtonit, ku padyshim diplomatja e kudogjendur, energjike dhe e papërtueshme, Ambasadorja e shquar DiCarlo, zë një vend parësor e mjaft të lavdërueshëm.
 
Prandaj sot, ndihem i privilegjuar që në cilësinë e Presidentit të Republikës, emër të shtetit, por edhe të popullit shqiptar ta vlerësoj zyrtarisht e t’i shpreh asaj mirënjohjen e pakufishme të mbarë popullit shqiptar me Dekoratën e lartë ‘Gjergj Kastriot Skënderbeu’.
 
Të nderuar të pranishëm!
 
Dhe meqë jam në këtë pikë, dëshiroj të vë në dukje e të vlerësoj edhe një njeri tjetër të jashtëzakonshëm, i cili ashtu si një bari i mirë, është kujdeset për grigjën e tij, madje edhe për mbarëvajtjen mes ndjekësve të besimeve të tjera, për gati gjashtë dekada me radhë.
 
Veprimtaria e tij e palodhur aktiviste për të shpëtuar hebrenjtë e ish-Bashkimit Sovjetik nga përndjekja fetare gjatë viteve 1970-80-të, përpjekjet për të ndalur gjakderdhjen në ish-Jugosllavi në fillim të viteve 1990-të, misioni udhëheqës ndërfetar në Kinë, misionet në Argjentinë e në Kubë, e deri te vëzhgimi i zgjedhjeve dhe reformave demokratike në Rusi e anembanë Evropës Lindore, – të gjitha këto meritojnë respekt dhe nderim, sepse puna, përpjekjet dhe mundimet e tij janë sa të admirueshme, aq edhe për t’u përshëndetur e vlerësuar.
 
Bota ku ne jetojmë sot është bërë edhe më e mbarë dhe më e përshtatshme për t’u jetuar, sepse diku ka vepruar dhe është përpjekur një rabin, që i ka fort për zemër të drejtat e njeriut, një udhëheqës shpirtëror, pak rëndësi ka se cilës feje i përket, siç është Artur Schneier, të cilin kam nderin dhe kënaqësinë ta vlerësoj sonte, në emër të shtetit dhe të popullit shqiptar me Titullin ‘Për merita të veçanta civile’.
 
Edhe njëherë ju falenderoj sinqerisht dhe në mënyrë shumë të hapur duke shprehur mirënjohjen edhe në emër të popullit shqiptar si dhe duke vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Ju faleminderit!
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)