Kryeministri Edi Rama vlerësoi përkushtimin e administratës shqiptare në procesin e integrimit europian. Sipas tij, vlerësimi për administratën vjen edhe nga partnerët europianë, ndërsa theksoi se njohja e meritës dhe promovimi i profesionistëve do të jenë në qendër të reformës së re për administratën publike.
"E kam thënë dhe do ta them gjithnjë: kur ishim duke hyrë në këtë proces thosha gjithmonë me kolegët, me koleget: 'Okej, okej, po shtyjmë, po shtyjmë, po shtyjmë dhe këto dreq negociatash do hapen, po pastaj si do ia bëjmë kur të ulemi në tryezë?” Sepse rezervat e mia nëse administrata jonë do të ishte në gjendje të përballonte atë që na priste, ishin serioze. Dhe këtu nuk është fjala për një volum pune që është i jashtëzakonshëm, por për nivelin e përgatitjes, për thellësinë e njohurive, për disiplinën që kërkon një proces i tillë me burokratët e Brukselit përballë, që janë si një sahat zviceran kur i thonë fjalës, si mekanizma të një sahati zviceran.
Sot konfirmohet, konfirmohet në fakt hap pas hapi dhe jo nga ne, jo nga unë, por nga Brukseli dhe nga partnerët europianë me të cilët shkëmbejmë intensivisht çdo ditë tashmë në kuadrin e negociatave, se administrata jonë ka fatmirësisht njerëz që njohin në detaje fushat. Fusha në fakt disa herë shumë komplekse, njerëz që përballen me ekspertët e Komisionit Europian me dinjitet si të barabartë dhe që fitojnë dhe ushqejnë respekt, njerëz që faktikisht janë përkushtuar në jetën e tyre profesionale shërbimit ndaj Republikës së Shqipërisë e për këtë, ndaj vetë Shqipërisë europiane. Dhe nuk flas këtu për një apo dy individë sepse një, dy, tre, dhjetë, pesëmbëdhjetë gjenden. Këtu flas për qindra njerëz, për një potencial të tërë profesional që ekziston sot brenda shtetit shqiptar dhe që ne kemi detyrimin ta njohim shumë më mirë dhe ta vlerësojmë me shumë më tepër kujdes.
Këtu nuk është fjala thjesht për teknicienë që përgatisin ligje të përputhura me standardet e BE-së apo që thjesht janë nxënës të mirë në ‘’shkollën’’ e shtetbërjes së Brukselit, por flitet për ata që po formësojnë ditë pas dite një administratë të Shqipërisë shtet anëtar i Bashkimit Europian.
Megjithatë, siç kemi parë dhe siç kemi kuptuar edhe nga anketimet e brendshme që bëjmë çdo vit me nëpunës të administratës, një nëpunës mund të punojë me përkushtim për vite me radhë, të marrë përsipër përgjegjësi të mëdha dhe përsëri të mos ketë një rrugë të qartë për t'u rritur në karrierë. Mund të ketë fatin të punojë me një drejtues që ia njeh vlerën, që ia çmon meritën, por mund të ketë dhe një drejtues që nuk ia njeh, që nuk ia çmon dhe karriera e tij shpesh mund të varet nga kjo rastësi.
Kjo është e padrejtë dhe kjo në fakt nuk është vetëm e padrejtë për individët që meritojnë të respektohen, që meritojnë të vlerësohen, që meritojnë të promovohen, por kjo bëhet pastaj e padrejtë për qytetarët që shërbehen, sepse kjo krijon brenda organizmit të administratës një mpirje, një demotivim dhe një prishje, pikërisht të asaj shkalle të meritës që ne do ta vendosim në qendër të vëmendjes sonë dhe që do të jetë prioriteti i prioriteteve të Ministrisë së re për Administratën Publike", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama për administratën: Provim kombëtar unik sipas modelit të Cambridge, emërime e promovime sipas ‘Shkallës së Meritës’! Edhe regjistër talentesh








