Fjala e plotë e Ramës në ceremoninë për 7-vjetorin e 21 janarit

Fort të dashur familjarë të dëshmorëve të 21 Janarit! 

Kjo ditë e vitit me prindërit, vëllezërit, bashkëshortët e fëmijët e atyre katër burrave që u vranë këtu në Bulevard, shtatë vjet më parë, është kthyer në një moment krejt të pazakontë përkujtimi, në boshllëkun e drejtësisë së papërmbushur. 

21 Janari është kthyer në një dëshmitar kombëtar i pafuqisë çerekshekullore të njeriut të zakonshëm të këtij vendi përballë murit qorr e shurdh të drejtësisë së tredhur nga krimi e nga korrupsioni; Një shëmbëlltyrë kombëtare e nevojës ulëritëse të njeriut të zakonshëm për drejtësi dhe padurimit popullor, teksa koha ikën dhe drejtësia vonon; Një pasqyrë kombëtare e të përpjetës së lartë të betejës së shpallur në tre vitet e fundit për një reformim drastik të sistemit të drejtësisë, ku në çdo hap ndeshemi me forcën e dëshpërimit të organizatave, klaneve dhe të celulave antireformë në Parlament, në pallatin e drejtësisë, në kazanin mediatik e kështu me radhë.

Ziveri, Faiku, Hekurani dhe Aleksi nuk janë më në këtë jetë prej shtatë vitesh. Sot, prindërit janë shtatë vjet më të moshuar, fëmijët shtatë vjet më të rritur, plaga e padrejtësisë në shpirtin e familjeve 7-fish më sunduese.

Kur përpiqesh ta imagjinosh dhimbjen e kësaj plage në këto familje, vetiu mendon se drejtësia nuk është e kësaj bote dhe të vjen pullë poste në mendje shprehja e moçme latine “Fiat justitia, et pereat mundus”, huazuar prej Immanuel Kant-it që shkroi se ia vlen të shkatërrosh botën, për të vendosur drejtësinë në këtë dhe në atë jetë.

S’dua ta fsheh, 21 Janari vjen për mua në një vigjilje që ka një sëkëlldi të posaçme, sepse ka ikur edhe një vit tjetër, drejtësia përsëri ka vonuar dhe kjo peshon ndjeshëm, çdo vit, në prag të një takimi tradicional. Por, po ashtu, sapo takohem me familjarët, pesha e sekëlldisshme e pritjes së takimit ia lë vendin një qetësie të kthjellët, sepse, nga njëra anë, ju, të dashur miq të mi dhe të nderuar familjarë të katër dëshmorëve të 21 Janarit, rishfaqeni mes nesh me provën se nuk e humbisni durimin, as shikimin, as drejtpeshimin. Nuk e bartni tragjedinë që ju la pa djalë, pa baba, pa burrë, pa vëlla, pa nip, pa mik, si një barrë që mund t’iu lihet të tjerëve përmes zhgënjimit, urrejtjes, apo shpagimit. E bartni atë si një kryq që të tjerët nuk mund dhe nuk duhet ta humbasin nga sytë, deri kur drejtësia të vijë e ndoshta dhe përtej.

Nga ana tjetër, qetësia e kthjellët lidhet me faktin se një botë e tërë ka nisur të shkatërrohet nga themelet; Themelet e një pallati drejtësie ku tragjedia juaj, edhe pse një tragjedi edhe kombëtare, përveçse familjare, u kthye si shumë tragjedi të tjera njerëzish e familjesh të zakonshme në këtë vend në një farsë, ku të vrarët në Bulevard u rivranë në gjykatë.

Peshën e sekëlldisjes së pritjes së mbërritjes së 21 Janarit të radhës e rëndon edhe një klimë padurimi të përgjithshëm, i cili shfaqet në formën genuine të pakënaqësisë sociale në rrjetet e bisedës popullore, apo në formën perverse të përdorim-shpërdorimit të padurimit të njeriut të zakonshëm nga kujexhinjtë dhe kunjaxhintë profesionistë të katundit tonë politik dhe mediatik. Këta të dytët, dihet dhe dihen, përpiqen të manipulojnë të parët për interesat e tyre. Ndërsa tek të parët, tek masa e paduruar, ka natyrshëm një padurim që është bërë thuajse patologjik në shoqërinë tonë në tërësi dhe thuajse për të tëra.

Njerëzit nuk kanë asnjë faj. Çerekshekulli është shumë për të pritur shtetin që s’bëhet, punën që s’gjendet, mirëqenin që s’vjen. Katër vjet janë shumë pak për ta ngushëlluar deri në fund pritjen e gjatë, ndërkohë që reformat nuk janë as qetësues dhe as karamele për ta bërë kthesën më të lehtë dhe padurimin më të ëmbël.

Kur vjen fjala te drejtësia, ky padurim artikulohet si një spazmë e dhimbshme. Nuk po shohim asgjë, - është fjalia që e përmbledh atë në formën e lodhjes nga mungesa e frymëmarrjes. Krejt kuptueshëm, vigjilja e 21 janarit dhe sigurisht, dita e sotme e bëjnë lënguese spazmën. Natyrshëm shpërthen mllefi i padurimit, që zakonisht i adresohet politikës, qeverisë sidomos, mua padyshim; Pse nuk i fut në burg?; Jeni të gjithë vrasës!’ Mbroni njëri-tjetrin, prandaj!; Jeni të gjithë hajdutë!; Jeni që mos qofshi! - dhe shto ujë akuzash dhe shto miell mallkimesh.

Përballë shpërthimit të padurimit të zëshëm mund të arrish të dyshosh se këta njerëz të zemëruar në kërkim të drejtësisë nuk e kanë marrë vesh ende ndryshimin e sistemit në Shqipëri, nga sistemi i drejtësisë popullore në shtetin e së drejtës, nga drejtësia e vullnetit politik të partisë në pushtet tek drejtësia kushtetuese e pushtetit të pavarur gjyqësor. Sigurisht edhe kur shfaqet në këtë formë ekstreme gijotinizmi mllefarak, ky padurim nuk i bën përçuesit e tij, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, as të painformuar për sistemin demokratik, as të fajshëm për shpërthimet e tyre. 

Një botë si ajo që ka nisur të shkatërrohet, ku drejtësia më e lartë është shfaqur kaq herë në tërë këto vite, si më e ashpra padrejtësi dhe më i padurueshmi mashtrim, të heq trurin, kur i thonë fjalës. Përballja me të, pa e humbur durimin, do nerva tejet të forta për të mos iu dorëzuar mllefit qorr ndaj saj, do vendosmëri të jashtëzakonshme për t’u rezistuar dallgëve të mosbesimit që ajo ngre, do besim të madh tek e drejta dhe tek mundësia e të drejtës për të triumfuar. Asgjë nga këto s’mund t’ua kërkosh njerëzve, që e kanë ndjerë shtypjen e botës së drejtësisë mashtruese për vite e vite të tëra. 

Ndërsa ju, familjarët e Faikut, Hekuranit, Ziverit, Aleksit i keni këto. Edhe unë, të paktën deri tani, fatmirësisht i kam këto. Të gjithë ne këtu i kemi. Shumë të tjerë, jashtë kësaj salle i kanë këto. E pra, sot kemi jo vetëm një popull që aspiron drejtësinë dhe e pret atë me padurim dhe me mllef, por dhe një palë njerëzish të motivuar, politikanësh të shumicës qeverisëse, që kanë të gjithë durimin, vendosmërinë dhe besimin për ta çuar deri në fund shkatërrimin e botës që u ka nxirë jetën kaq shumë shqiptarëve, u ka përvëluar zemrat aq shumë nënave, u ka sakatuar trupin dhe shpirtin aq shumë grave e vajzave, u ka rrjepur lëkurën aq shumë burrave, u ka mbyllur shtigjet aq shumë prindërve, u ka errësuar sytë shumë të rinjve, u ka cenuar dhe cunguar të ardhmen shumë familjeve.

Është një shprehej vjetër sa bota: “Drejtësia vonon, por nuk harron!” Mirëpo në garën e kohës tonë, kaq shumë vite nën hijen e pallatit të vjetër të drejtësisë, harresa dhe drejtësia u bënë bashkë, ndërsa kujtesa dhe padrejtësia mbetën me njëra-tjetrën.

Por a ka humbur drejtësia?

Padyshim, drejtësia në Shqipërinë e çliruar prej diktaturës ka qenë rëndom një humbëse e madhe, sa herë që padrejtësia e kamjes së pushtetit apo parasë ka qenë palë e interesuar në proces. Ama, sidoqoftë, drejtësia ka humbur beteja, jo sensin e saj në popull, as luftën jo e jo. Një çerekshekulli pa drejtësi të drejtë është tmerrësisht shumë në jetën e njeriut, por nuk është shumë në historinë e një kombi që kurrë s’ka pasur përpara çerekshekullit në fjalë, as shtet të së drejtës dhe as institucione demokratike. 

Gjërat po ndryshojnë në drejtimin e duhur dhe pritjes së gjatë, fundi është më i afërt, seç ishte vetëm dy vjet më parë. Shumë ngadalë... është shumë ngadalë për të ngushëlluar padurimin e njerëzve, por është shumë shpejt në raport me kohën e shkuar të pritjes dhe kohën që kemi pasur në dispozicion për ta ndërmarrë këtë të përpjetë, që askush përpara nesh nuk pati jo kurajon ta ndërmerrte, por as dëshirën ta imagjinonte.

Gjatë një çerekshekulli, deri para dy vitesh, - 24 muajsh e pak më shumë, apo pak më pak, - Reforma në Drejtësi ishte një utopi. Pallati i Drejtësisë ishte një “tokë e xanun” njëherë e përgjithmonë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar dhe të lidhur si mishi me kockën me pushtetin e politikës.

Bota që sot ka nisur të shkatërrohet pikërisht nga themelet e këtij pallati, ishte një territor offshore i arbitraritetit ndaj të papushtueshmëve dhe i pandëshkueshmërisë për të pushtetshmit. Sot, vetëm dy vite më vonë, Reforma në Drejtësi ka kaluar. Lirim i “tokës së xanun” ka filluar. Ethet e frikës nga ndëshkimi i kanë kapur të pushtetshmit.

Në janarin e shkuar ishim këtu. Ngushëllimi për ju ishin fjalët optimiste për Vetting-un dhe në shkurt, pas atij janari, u ngrit disa hapa nga këtu, një çadër barrikadë për ta vrarë Vetting-un, duke marrë peng zgjedhjet në Shqipëri. Sot, në këtë janar, Vetting-u ka filluar e në shkurt, me siguri do të fillojë ndëshkimi i të korruptuarve që mbajtën peng për kaq shumë vite drejtësinë, si prokurorë, apo si gjykatës.

Duhet të ishte bërë me kohë, po, por nuk u bë!

Kush nuk e bëri me kohë, sot kërcënon të marrë peng, jo zgjedhjet, por Shqipërinë si e tërë, duke e ndaluar të ulet në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, vetëm e vetëm pse i trembet si djalli temjanit, asaj që vjen pas Vetting-ut, ndëshkimit nga drejtësia e çliruar prej kthetrave të atyre që do të ndëshkohen nga Vetting-u.

Sot, njerëzit, të sfilitur nga ndjenja e drejtësisë që nuk vjen, kërkojnë me padurim skalpin e fajtorëve për dhimbjet, problemet, hallet, zvarritjet e vonesat e një çerekshekulli padrejtësi, kërkojnë me padurim larjen e një hesapi të madh sa një çerekshekulli, ku në furinë e lirisë së gjetur pas një burgosjeje kolektive të stërgjatë, tërbimi i padrejtësisë, së veshur me pushtetet e reja kushtetuese, apo me pushtetin e rrugës, bëri kërdira të mëdha mbi vendin dhe mbi të drejtat e të pafuqishmëve.

Ky lloj padurimi, saç është një tregues kuptimplotë i kohës që i ka ardhur drejtësisë, aq mund të jetë dhe një këshilltar i keq për rrugën që na çon tek drejtësia e drejtë. Drejtësia e drejtë nuk është vullnet politik i partisë në pushtet, por sistem që ndërtohet me durim të çeliktë, vendosmëri të jashtëzakonshme e besim të madh, në radhë të parë nga ata që janë në pushtet e të tillë në pushtet, Shqipëria nuk kishte deri pak vjet më parë. Këtë duam të bëjmë ne, promotorët, mbështetësit dhe garantët e reformës në drejtësi. Këtë po bëjmë e vetëm këtë do të bëjmë.

Kush sot e do me padurim dhe sinqeritet drejtësinë, çdo njeri i zakonshëm që ankohet e mallkon për vonesën e nuk do t’ia dijë se ku zë mallkimi, me dyshimin se mbase as ne nuk e kemi seriozisht, apo nuk kemi fuqi ta çojmë deri në fund këtë reformim, që në fakt është një luftë, nëse nuk na beson sot, duke e parë çdo pjesë të procesit që kërkon kohën e vet si zvarritje, do të na kuptojë nesër, duke parë rezultatin e procesit.

Në këtë luftë ka njerëz të pushtetshëm, njerëz të pasur e shumë të pasur, të vendosur të bëjnë çmosin e po qe e mundur, më shumë se të pamundurën për të ruajtur kokën e tyre, duke e penguar zbatimin e këtij projekti kombëtar ardhmërie, që është Reforma në Drejtësi. Janë politikanë, gjykatës, prokurorë, zyrtarë, biznesmenë, botues të falimentuar, komentatorë të mirëpaguar, fuqi të huaja apo spiunë të tyre e të tjerë akoma dhe nuk janë ende të mundur. Aq më pak janë të dorëzuar. Synojnë e përpiqen përditë të krijojnë sa më shumë mjegull, sa më shumë sherr, sa më shumë konfuzion, por ende më keq akoma, nuk e fshehin dot përmes rreshtave se ëndërrojnë rrëmujë, mundësisht qamet, në emër të Shqipërisë, sigurisht. Patjetër në emër të drejtësisë, në emër të popullit, padiskutim, që s’ka bukë, s’ka punë, s’ka dëshirë të rrijë asnjë sekondë këtu, por do vetëm të ikë, sepse krimi, mafia e çdo e zezë e kësaj toke kanë kapur qeverinë, që është nëna e të gjitha të këqijave. Kështu, të gjitha plagët e hapura e të infektuara për çerekshekulli rrumpallë, pa shtet, pa drejtësi, arsim, shëndetësi, i hapi kjo qeveri, madje, sipas disave nga këta syresh, që çizmet për tetë vjet i përdori për gjueti e jo për histeri, kjo qeveri i hapi tërë këto plagë, sapo u bë e mosvarur prej tyre, pa bërë betimin akoma.

Kështu na sollën varfërinë, që sipas tyre nuk ishte problem deri majin e shkuar dhe që sipas atyre të tjerëve nuk ishte plagë deri në 2013-n. Ne sollëm papunësinë, që deri në 2013-n nuk ishte plagë, siç nuk ishte plagë as shëndetësia, as arsimi e të gjitha me radhë. Ne i sollëm të gjitha të zezat. Madje, ne e futëm kanabisin në Shqipëri si aktivitet kriminal, sepse deri në 2013-n ishte vetëm një aktivitet ekologjik, pa qëllim fitimi, në një fshat muze të trashëgimisë kulturore. Tani, ne kemi vendosur të fusim edhe vetë mortjen, kapjen e drejtësisë të gjykatave, të prokurorisë, sepse deri dje, para katër vjetësh apo para katër muajsh, varet si e shikon, me çizmen e djathë apo me çizmen e majtë, drejtësia ishte e lirë dhe e pavarur. Prokuroria i hetonte të pushtetshmit, gjykatat i ndëshkonin. E këta patriotë me çizme zhvillonin Shqipërinë, pa ndërhyrë në punët e drejtësisë e pa u shqetësuar për kolegët që, pasi gëlltisnin një lugë çorbë të prishur, i kalonin vitet duke vjellë burgjeve çorbën.

Prandaj, pikërisht sepse deri kur këta ishin aty ku nuk janë më dhe kishin në dorë atë që nuk e kanë më e mbanin lidhur drejtësinë, që po ju shpëton nga duart, sot, thonë se as vetë Zeusi nuk i ndal dot, këta shpëtimtarë të popullit e të Shqipërisë, që t’i prijnë një kthimi në kohët e arta të bumit ekonomik, ku të gjitha plagët e tmerrshme që kemi hapur ne ishin thjesht problemë të rritjes së Shqipërisë si vend i zhvilluar, siç thoshte edhe kënga e Çiljetës në fushatën e daulleve të zhvillimit.

E gjithë kjo parodi është fatkeqësisht realiteti i skenës sonë politike, sot, ku palët e ndara mes nevojës për të reformuar rrënjësisht drejtësinë dhe frikës nga drejtësia e reformuar japin e marrin në një debat sa të pashmangshëm, aq edhe të padobishëm për njerëzit, që nuk duan as llafe, as fundja ta dinë se kush është kush në këtë histori, por duan drejtësi. Por lejomëni t’ju them, se unë jam sot më optimist se asnjëherë, jo vetëm sepse besoj tek forca që udhëheq dhe tek drejtësia e kësaj rruge për Shqipërinë e për shqiptarët, por, mbi të gjitha, sepse besoj se kur shpata e kohës ngrihet mbi një nyje, nuk ka rezistencë, sado të dëshpëruar, që e ndal. E shpata e kohës që do ta këpusë nyjën e vjetër, që mban lidhur drejtësinë në Shqipëri, është ngritur. Është shumica dërrmuese e shqiptarëve që e mban në dorë, me ndihmën e paçmuar të fuqisë së miqve të mëdhenj ndërkombëtarë, ndërsa ne, thjesht po kontribuojmë e do kontribuojmë deri në fund, që politika këtë herë të mos e ndalë dot goditjen e shpatës dhe këputjen e nyjës që mban lidhur drejtësinë.

Një mik më tregoi se një gazetar kishte tentuar të bënte një kolazh intervistash me disa ambasadorë, të cilët i kishte pyetur, a do të ndëshkohet deri në fund, krimi i 21 Janarit, nga drejtësia e çliruar prej prokurorëve e gjykatësve të korruptuar. Askush nga ambasadorët nuk kishte pranuar të përgjigjej. Shenjë e keqe, sipas mikut tim, shenjë e mirë, sipas meje. Koha do ta tregojë kush ka të drejtë e nuk do na duhet të presim aq shumë sa kemi pritur, për ta marrë vesh, nëse ka ai të drejtë, apo nëse kam unë të drejtë. Por një gjë është e sigurt, e drejta që bashkë me fëmijët e mitur të Aleksit, të Ziverit, të Hekuranit, apo me mbesën që Faiku nuk e njohu, rritet jetime në familjet e të ndjerëve, është sot më pak e brishtë se dje dhe nesër do të jetë mjaftueshmërisht e fortë për ta fituar luftën e saj me padrejtësinë, sepse shpata e kohës është ngritur e nuk ulet pa e këputur nyjën.

I paharruar kujtimi!

Nderim e respekt për të gjithë ju, familjaret fisnikë të të paharruarve të 21 Janarit!

Shumë faleminderit!​

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Egjipt, mbytet anija me 45 persona në bord në Detin e Kuq! 31 prej tyre janë turistë, të panjohura shkaqet