Si dhe jeni bërë me dije Ministria e Mbrojtjes është informuar në rrugë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqiperisë për një ngjarje të ndodhur në Spanjë në të cilën është përfshirë edhe një shtetas shqiptar, pjestar i Forcave të Armatosura.

Nga të dhënat paraprake, bëhet fjalë për një mjet fluturues, pa përkatësi të identifikuar, i cili dyshohet se drejtohej nga Major Sokol Feka.

Në rrethanat e krijuara Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura e sheh me vend të sqarojë opinionin publik për atë çfarë përfaqëson Major Feka dhe në ç’rrethana ka ndodhur ngjarja.

Major Feka është bashkuar Forcave të Armatosura në vitin 1993 si student në Akademinë e Aviacionit për tu diplomuar në vitin 1996. Pas titullimit ka shërbyer si oficer aktiv në struktura të ndryshme të Forcave Ajrore duke kryer detyra si pilot, komandant ekuipazhi dhe së fundi instruktor fluturimi. Në këto detyra të kryera, ka performuar përgjithësisht mirë dhe është vlerësuar përputhmërisht me këtë performancë. Si shumë prej kolegëve të tij është vlerësuar me medalje të shërbimit dhe karrierës. Ka kryer një sërë trajnimesh dhe ishte çertifikuar për të pilotuar helikopterin Cougar.

Me kërkesën e tij, bazuar në aktet ligjore e nënligjore në fuqi, Komanda e Bazës Ajrore Farkë ka miratuar dhënien e një pjese të lejes së paguar vjetore për periudhën 12 – 31 janar 2015. Në asnjë rast nuk rezulton që Major Feka të ketë kërkuar që një pjesë apo të gjithë lejen ta kryejë jashtë vendit, ashtu siç dhe parashikon Ligji për Statusin e Ushtarakut.

Në fakt, bazuar në informacionin e marrë nga agjensitë e specilaizuara për lëvizjen e shtetasve jashtë kufijëve të vendit, rezulton që shtetasi Feka të jetë larguar jashtë shtetit pa lejen e autoriteteve përkatëse dhe për më tepër të jetë përfshirë në një veprimtari të paligjëshme, e cila i ka kushtuar edhe jetën.

Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe agjnsive të specializuara, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

Shtabi i Përgjithshëm i FA është i angazhuar në mbledhjen e informacionit shterues dhe analizimin e plotë dhe të gjithanshëm të tij.