Fjala e plotë e Tahirit në nënshkrimin
e marrëveshjes për sigurinë rrugore

TIRANË- Falënderoj gjithë Kompanitë e Sigurimit për gatishmërinë e tyre në këtë përpjekje të përbashkët për të garantuar siguri rrugore, për të garantuar jetën e qytetarëve dhe shëndetin e qytetarëve.  

Kjo marrëveshje në radhë të parë sanksionon partneritetin mes qeverisë dhe operatorëve privatë, një sipërmarrje që nuk mund të jetë një sipërmarrje ekskluzivisht shtetërore, por duhet të jetë një sipërmarrje shoqërore, dhe këtu e kam fjalën për sigurinë rrugore, për sigurinë e jetës, të shëndetit të qytetarëve dhe sigurisht sigurinë e pronës.

Na bashkon qëllimi për të garantuar sa më shumë qytetarët shqiptarë, qoftë ata që janë konsumatorë të rrugës në të gjitha rastet, dhe na bashkon qëllimi që si shoqëri, por me përgjegjësi të ndara e të koordinura të bëjmë të pamundurën t’a shpëtojmë Shqipërinë nga lista e vendeve me aksidente që kanë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Është e tepërt t’a përsëris, por renditemi ndër vendet me përqindjen më të lartë për numër banorësh, për numër makinash, duke marrë parasysh gjithë treguesit, renditemi ndër vendet që kemi kaos në rrugë dhe më shumë pasoja për rrjedhojë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Qeveria, e ne posaçërisht, kemi bërë të mundur në këto 5 muaj, që të kursejmë jetë njerëzish, duke ulur gati 20 % fatalitetet në rrugë.

Por ne jemi shumë të bindur, dhe tashmë bashkëpunimi me operatorët privatë në tregun e sigurimeve përbën një element të shtuar, ndaj jemi shumë të bindur që potenciali për të ulur numrin e aksidenteve dhe rrjedhimisht pasojat fatale për jetën e njeriut, është këtu.

Ndërkohë ne jemi të bindur që nuk mjaftojnë vetëm masat represive, ose masat e sanksionit, ndaj drejtuesve të mjeteve per të disiplinuar çështjen e qarkullimit rrugor, apo për të ulur numrin e aksidenteve dhe pasojave fatale ose të rënda për shëndetin e njeriut.

Ne e dimë që faktorët janë të shumëfishtë, siç e dimë që përpjekja jonë duhet të jetë totale për të minimizuar aksidentet rrugore dhe për të shpëtuar jetët e njerëzve.

Ndaj e përsëris, kjo është një shenjë kuptimplotë e bashkëpunimit të sektorit publik me sektorin privat, në përpjekjen e përbashkët, për të garantuar jetën e qytetarëve, sepse, e ritheksoj kjo nuk mund të jetë vetëm një përpjekje ekskluzive shtetërore, por duhet të jetë shoqërore.

Mjafton t’ju them që në 5 muaj kemi shpëtuar 24 jetë njerëzish krahasuar me të njëjtin 5-mujor të një viti më parë, kemi vendosur rreth 270 mijë gjoba ose masa administrative, por që prapë këto shifra na konfirmojnë, pse është e pamjaftueshme dhe pse janë të pamjaftueshme masat represive.

Prandaj kemi planifikuar të nisim menjëherë së bashku me Ministrin Haxhinasto edhe me përfaqësuesit e kompanive të sigurimit, të nisim një fushatë të plotë sensibilizimi që nuk do adresojë vetëm drejtuesit e automjeteve, por do të adresojë patjetër edhe qytetarët, sepse ne besojmë që të gjithë bashkë do të kontribojmë për sigurinë e rrugës, sigurinë e qytetarëve dhe të mjeteve po ashtu, drejtuesit e mjeteve, pasagjerët dhe përdoruesit këmbësorë të rrugës.

Gjithashtu kemi planifikuar marrëveshje që një përqindje e caktuar e të ardhurave të Kompanive të shfrytëzohet bashkërisht edhe nga Ministria e Transporteve, edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe përkatësisht nga Policia Rrugore, për investime në teknologji dhe infrastrukturën rrugore dhe në teknologjinë e policimit në rrugë, sepse ne besojmë që këto përpjekje, shtojnë masat parandaluese për aksidentet në rrugë.

Unë besoj që iniciativa të tilla ashtu si edhe Plani i Masave që kemi ndërmarrë dhe që sot jemi në implementim e sipër, ashtu si edhe nismat ligjore të të gjitha akteve që ka parashikuar plani i masave për miratim në qeveri dhe pastaj në parlament, besoj janë përpjekja më totale në 23 vjet për të adresuar njëherë e mirë çështjen e disiplinimit të trafikut rrugor dhe të sigurisë rrugore, sigurisë së jetës dhe të shëndetit dhe të pronës së qytetarëve.

Kjo marrëveshje është një ogur i mirë dhe unë besoj që do pasohet pa dyshim nga hapa të tjerë që shënojnë jo vetëm përparim në instrumentet e bashkëpunimit dhe partneritetit publik-privat, por që gjithashtu na rreshtojnë të gjithë bashkë ne dhe shoqërinë në të njëjtën llogore për të luftuar pasigurinë në rrugë dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Kështu që unë e shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe njëherë operatorët, edhe Ministrin pa dyshim.
 
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen