Faleminderit shumë!

Unë jam i bindur që mirditorët dhe në mënyrë të posaçme, mirditorët që jetojnë në Bashkinë e Rrëshenit janë plotësisht të vetëdijshëm se në këto 18 muaj, këtu në Rrëshen ka filluar të fryjë era e ndryshimit. Erë që po fryn në të gjitha ato bashki ku drejtojnë  socialistët. Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ne, socialistët dhe progresistët, Aleanca jonë për Shqipërinë Europiane që ka në themelin e vet, partneritetin strategjik mes dy partive, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, që janë dy parti, por janë një forcë e madhe udhëheqëse e këtij transformimi, kemi ndryshe nga kundërshtarët tanë, një vizion të qartë për qytetet dhe për fshatrat. Kemi një vizion të qartë për komunitetet, për nevojat dhe për rrugën që duhet t’u çelim për të plotësuar nevojat e tyre dhe për t’i kthyer vendbanimet e komuniteteve tona, në territore ku asgjë nuk është e pamundur dhe ku ëndrrat dhe shpresat e më të rinjve janë të realizueshme.

Ndërkohë që, nga ana tjetër, pala tjetër nuk ka asnjë haber se çfarë mund të bëhet dhe si duhet bërë që komunitetet të jetojnë më mirë. Këtu, për shembull, kanë vënë një kandidat që është kryetar komune. Pyeteni atë kandidatin, a ka bërë ndonjë përpjekje, këto 18 muaj, që të takohet me mua, me ndonjë ministër dhe të thotë ja ku e kam projektin për komunën time, më ndihmoni dhe po nuk u takua, që të ketë çuar ndonjë projekt. Absolutisht, as ai dhe asnjë kryetar bashkie dhe komune i Partisë Demokratike nuk ka bërë asnjë përçapje për të marrë mbështetjen e qeverisë, - sikundër ka bërë Nue Gega këtu dhe sikundër kanë bërë kryetarët e bashkive, por edhe të komunave që drejtohen nga socialistët, - sepse për ata kjo është e pamundur. Por edhe nuk dinë. Po të shikoni se çfarë projektesh kanë depozituar dhe çfarë projektesh janë financuar nga qeveria e mëparshme, të zë tmerri. Dy fije letër, pa asnjë lloj garancie, pa asnjë lloj studimi, pa asnjë lloj inxhinierimi, pa asnjë lloj haberi.

Këto zgjedhje janë zgjedhje që familjet shqiptare që jetojnë në çdo qytet apo fshat duhet të vendosin se ku duhet çuar vota, ku duhet bërë investimi i besimit, për të pasur një çerdhe aty ku s’ka, apo një çerdhe më të mirë aty ku është çerdhja; për të pasur një kopsht aty ku s’ka, apo një kopsht më të mirë aty ku është kopshti; për të pasur një shkollë aty ku s’ka, apo një shkollë më të mirë aty ku është shkolla; për të pasur ujë të pijshëm; për të pasur kanale ujitëse të pastruara; kanale kulluese të pastruara; për të pasur shërbimin e grumbullimit dhe përpunimit të mbeturinave, për të pasur transportin urban. Për të gjitha këto, ata çfarë propozojnë? Propozojnë vetëm sherr, kandidatë për sherr.

Shikojeni fushatën e tyre, merren me politikën e madhe, merren me qeverinë, merren me probleme që nuk kanë lidhje fare me bashkinë dhe me kryetarët e bashkive. Thonë do ulim çmimin e dritave, po çlidhje ka çmimi i dritave me kryetarin e bashkisë dhe me zgjedhjet e 21 Qershorit. Ata duan të kenë në çdo bashki, dikë që të mos bëjë asnjë punë dhe që të dalë tek dera e bashkisë dhe të thotë “s’kam çfarë bëj, qeveri e poshtër, s’na ndihmon, s’na mbështet, poshtë qeveria, hajde ta rrëzojmë qeverinë”. Muhabete kot.

Ndërkohë që zgjedhjet janë për të çuar përpara një projekt, që mjafton të shikosh edhe këtu rreth e rrotull, apo të shikosh në çdo qytet ku ka filluar, nga Lezha, në Durrës, në Elbasan, në Korçë, në Vlorë, në Sarandë, projekti ynë i Rilindjes, për të kuptuar se jemi dy botë të ndryshme.

Besoj e keni dëgjuar kur thonë Edi Rama po kërcënon popullin, se i thotë që po të votoni PD, do ngeleni pa bukë, do ngeleni pa ujë, do ngeleni pa drita, se qeveria nuk do ju mbështesë. Nuk është kështu. Kush niset të votojë kandidatin e PD-së, duhet të pyesë se ku e ka PD-ja, një model që unë ta shoh dhe të them që “po, e kanë bërë këtë në filan vend dhe do ta bëjnë dhe këtu”.

Më të mirin e tyre kanë këtë të Tiranës. Pyesni në Tiranë se çfarë ka bërë katër vjet, aty. Zero! Gjumë me gërhima. Ishte ministër Transporti dhe mbahet mend që 230 milionë euro ikën në drejtim të paditur. Themi në drejtim të paditur, se dihet ku kanë shkuar, por sa pa u kapur, po e quajmë të paditur. Ishte ministër i Jashtëm, për çfarë e mbani mend? 300 kilometra katrorë det Shqipërie, i firuan me firmën e vet.  Pastaj thonë grekët janë tonat, se e firmosi ky. Si ministër i Brendshëm, mos e pyet, e mbylli me 4 të vrarë në kurriz. Por si kryetar bashkie bëri një gjë të mirë, që nuk bëri asgjë. Domethënë nuk mund të themi që do mbahet mend për ndonjë gjë. Dhe ky është më i miri, se ka edhe më keq, ka dhe hata fare. Mjafton të shikoni komunat që drejtojnë këta, sesi mund të shkojë kjo punë edhe më keq dhe keq e mos më keq. Tani ju thonë, merreni këtë kryetarin e komunës dhe zgjidheni për gjithë Mirditën, duke ju marrë për budallenj, ditën për diell. Dhe kë, mirditorët!

Ndërkohë që ne jemi të bindur që duke propozuar Ndrecën, propozojmë që ju të investoni të gjithë se bashku për të pasur një kryetar bashkie dhe një partner të ngushtë të qeverisë. Ju investoni për ta pasur mbështetjen dhe vëmendjen e qeverisë çdo ditë dhe çdo natë, për të përmirësuar jetën e Mirditës, për të trajtuar problemet e ujit të pijshëm. Reformën e ujit, qeveria e ka përgatitur dhe jemi vetëm në pritje të përfundimit të zgjedhjeve, sepse reforma lidhet me riorganizimin e territorit. Nga 400 bashki e komuna, sot kemi 61 dhe nga 400 gjoja pronarë të ujësjellësit dhe me mijëra, me demek, përfaqësues aksionerësh që e bënë copë-copë sistemin e ujësjellësit në Shqipëri, çdo bashki do të ketë sistemin e vet të ujësjellësit dhe do të ketë përgjegjës të drejtpërdrejtë, kryetarin e bashkisë. Do të jetë ky që do të përgjigjet përpara qytetarëve dhe me te cilin qeveria do të bashkëpunojë shumë fuqishëm, për të siguruar që brenda 4 viteve, çështja e ujit të jetë e zgjidhur.

Pa folur për plehrat që janë bërë legjendë. Nuk kam lexuar në asnjë libër kujtimesh, të asnjë udhëtari që ka ardhur në Shqipëri, në 100 vjet e më shumë përpara, që të thotë se shqiptarët janë pisanjosë. Të varfër po, kokëfortë po, gjakmarrës e shumë të tjera, por të pistë nuk e kam lexuar në asnjë vend. U desh të vinte Saliu, që ta bënte një popull të jetojë mes plehrave, sikur të jemi mbi qilim. Pa llogaritur komunat, të cilat i marrin plehrat nga njëra komunë dhe i çojnë tek kufiri i komunës tjetër, pastaj kjo tjetra i merr dhe i kthen mbrapsht. Plehrat bëjnë xhiro nga komuna në komunës, se nuk dinë ku t’i çojnë, nuk dinë ku t’i groposin dhe i lënë të qelben, duke ndotur mjedisin, duke helmuar njerëzit.  Bashkitë e reja kanë mundësi të bëjnë një sistem të ri për grumbullimin dhe përpunimin  e mbetjeve urbane dhe ne do t’i mbështesim shumë fort.

Sa për transportin e dini vetë ju. Çdo komunë me furgonat e vet, me ngjyrat  e veta, si republikë më vete. Hipën tek furgoni i njërës komunë, ndalon tjetri dhe të thotë merr furgonin tim. Kjo se PD dy shërbime transporti ka, o furgon me të nxi jetën, ose tram që nuk vjen kurrë. Autobusin nuk  e njohin, nuk e quajnë. Ndërkohë që ne do të ndërtojmë shërbime transporti urban për çdo bashki, për të cilin sigurisht duhet përmirësuar infrastruktura, se nuk do të kalojë autobusi nëpër shtigjet e dhive.

Këto gjëra që diskutojmë, ne i diskutojnë  sepse  këto zgjedhje janë për këto punë. Prandaj në çdo familje nuk ka rëndësi a jemi me PS, LSI apo PD, rëndësi ka kush është kandidati që neve na jep mundësinë që të mendojmë se për fëmijët e vegjël do të bëhet më mirë, për të moshuarit do të bëhet më mirë, për familjen do bëhet më mirë. Këto janë zgjedhje për cilësinë e jetës në çdo familje dhe çdo komunitet, nuk janë zgjedhje as për parlamentin, as për qeverinë.

Për këtë arsye, ne insistojmë dhe unë këmbëngul që gratë duhet të na ndihmojnë shumë, sidomos gratë në familjet ku burrat janë demokratë. Unë e kuptoj, ju thoni pse gratë, por e dini vetë më mirë. Ja pyeteni atë zotërinë atje. Katër palë  mustaqe ka, por kur shkon në shtëpi, zene se është cullak para gruas. Prandaj gratë nuk duhet t’i lënë burrat në drejtimin e  gabuar. Në qoftë se burri është demokrat, në rregull, ta tundi shkopin e flamurit të PD-së sa të dojë, por vota në 21 Qershor është për fëmijët, gjyshin, gjyshen, nënë, babën, vjehrrën, vjehrrin, nuk është votë për SHQUP-in, nuk është votë për të mbajtur me gajret SHQUP-in. Kjo është votë për të vazhduar projektin e Rilindjes në çdo bashki. Kështu që, maksimumi, bashkë me burrin në drejtim e duhur për Ndrecën. Nëse nuk do burri, le të iki në drejtimin e gabuar, gratë votën Ndrecës, se boll e kanë marrë burrat në qafë, këtë vend.

 

Jam shumë i lumtur që sëbashku me LSI-në, ne si PS kemi realizuar më në fund një objektiv madhor të programit tonë, që të kemi përfaqësim 50 përqind gra e vajza në  këshillat bashkiakë. Dhe i gjetëm se kur u thosha unë, sidomos në këto zona këtej, vendosni gra, thoshin nuk ka gra këtu. Gjithë këshillat e komunave dhe bashkive vetëm burra. Po mirë, me kë i keni bë kalamajtë, po kokën kush jua ka bë! Shyqyr që dolën gratë dhe janë më shumë se burrat dhe shyqyr Zotit që i kemi. S’thotë kot populli se nëse do muhabet rri me burra, do punë, vetëm me gratë mund ta bësh. Dhe nuk po e them unë, e ka thënë edhe Çajupi dhe vazhdon e njëjta histori, “burrat nën hije lozin kuvendojnë”. Tani kanë edhe FB dhe thonë nuk kemi bukë, por vazhdojnë qëndrojnë në kafene, cigare, kafe, skedina. Imagjinoni për një moment, sikur të mos ishin gratë, si do ishit ju sot.

Ju falenderoj shumë dhe jam i bindur se do të bëjmë punë të mëdha për Mirditën. Edhe rikompozimi i bashkive ka kthyer në vend një histori të veçantë këtu në Mirditë, se u nda në copa-copa, jo Rrësheni, Rubiku, Fani. Tani ka vetëm një dhe është Mirdita, që voton Ndrec Dedën dhe Aleancën për Shqipërinë Europiane.

Ndrecën e kam pasur bashkëpunëtor në Tiranë dhe shumë gjëra mund të thuhen për Ndrecën, por një gjë nuk kam dëgjuar që ta thotë as kundërshtari më i keq, që nuk është burrë i ndershëm. Kështu që, me ndershmëri, me drejtësi, me bashkëpunim me të gjithë, pa dallim, se në radhë të parë jeni mirditorë, pastaj jeni socialistë e demokratë, besoj do të bëjmë përpara mbi bazën që ka shtruar Nue Gega, të cilit i shpreh mirënjohjen, respektin dhe falenderimin për shembullin e shkëlqyer që tregon duke qenë këtu në mbështetje të Ndrecës. Ne jemi një forcë e madhe, jemi të bashkuar dhe sëbashku me ju do të bëjmë punë të mira dhe kemi vetëm një rrugë, rrugën e punës. Një njeri i punës për Mirditën, Ndrec Deda.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)